Muri i Nderit i kushtohet rolit unik që luajtën shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri në shpëtimin e çdo hebreu që ose ka jetuar në Shqipëri ose ka kërkuar strehim atje gjatë Holokaustit.Në Murin e Nderit janë gdhendur emrat e më shumë se 80 shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët dihet se kanë shpëtuar jetët e hebrenjve që kërkuan mbrojtjen e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për herë të parë shpëtuesit shqiptarë të Kosovës do të njihen sepse nuk kanë mundur të zbulohen gjatë pushtimit të Kosovës gjatë kohës së luftës si nga gjermanët, ashtu edhe nga bashkëpunëtorët e tyre nacionalistë serbë.
Ceremonia e përkushtimit që do të zgjatë një orë do të udhëhiqet nga Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro Amerikan dhe Lekë Rezniqi, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael. Folësit do të jenë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama, presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, i Nderuari Joseph J. DioGuardi, dhe të nderuarit: Avner Shalev, kryetar i sapo pensionuar i Drejtorisë Yad Vashem, dhe profesoresha Rachel “Shelly” Levy-Drummer, gjyshin e së cilës e shpëtoi Arsllan Rezniqi.
Gjyshi i Lekës, Mustafë Rezniqi, themeloi Shoqatën e Miqësisë Kosovë-Izrael me Xhangyle Ilijazin në vitin 2005, dhe stërgjyshi i tij, Arsllan Rezniqi, ishte shqiptari i parë i Kosovës që mori pas vdekjes çmimin Righteous Among the Nations/ Të drejtët midis kombeve/ nga Yad Vashem për shpëtimin dhe mbrojtjen e hebrenjve nga ai në Deçan, Kosovë, në vitin 1941 dhe në fund transferimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore në një vend të sigurt në Shqipëri.
Lekë Rezniqi, i cili u bë kryetar i Shoqatës pas vdekjes së Mustafës në vitin 2008 dhe i cili ka bërë hulumtimin e gjerë për shumë vite me familjet e shpëtimtarëve, tha se “Muri i Nderit jo vetëm që do të njohë kontributin e individëve në Kosovë dhe Shqipëri që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por muri do të mbetet një testament për brezat që do të vijnë se e keqja nuk do të mbizotërojë mbi drejtësinë dhe të drejtat e njeriut.” Lekë Rezniqi aktualisht është duke ndjekur studimet Master në Studimet e Holokaustit në Universitetin e Haifës.
Sikur që ka shpjeguar Shirley Cloyes DioGuardi në shkrimet dhe fjalimet e saj, për rolin unik që luajtën shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit nuk do të mund të dihej kurrë sikur të mos ishte udhëtimi që kongresistët Tom Lantos dhe Joe DioGuardi e bënë në Shqipëri në vitin 1990, të cilët ishin zyrtarët e parë amerikanë që hynë në vend pothuajse pas pesëdhjetë viteve. Diktatori i fundit komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia, u dha kongresistëve një dosje ku u dokumentua shpëtimi i bërë nga shqiptarët me letra origjinale, copa gazetash dhe fotografi. DioGuardi, anëtari i parë i Kongresit Amerikan me prejardhje shqiptare arbëreshe, e transferoi dosjen në Yad Vashem me ndihmën e mikut të tij prej shumë kohësh izraelitin Elli Streit. DioGuardi do të ndihmojë në përkushtimin e Murit të Nderit më 23 gusht.
Nga ora 14:00 deri në 16:00 të datës 23, do të mbahet një seminar në hotelin Emerald në Prishtinë për të shqyrtuar rolin që kanë luajtur shqiptarët e Kosovës në mbrojtjen e komunitetit hebre të Kosovës para luftës dhe të mijëra hebrenjve nga vendet fqinje dhe nga Evropa Perëndimore që kërkuan strehim në Kosovë dhe Shqipëri gjatë Holokaustit. Folësit do të jenë ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi, Lekë Rezniqi, Avner Shalev dhe Profesoresha Shelly Levy-Drummer. Të përfshirë janë edhe Agim Aliçkaj, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, babai i të cilit, Arif Aliçkaj, bashkëpunoi me Arsllan Rezniqin në shpëtim, dhe Dr. Faton Bislimi, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Fondacionit dhe redaktor i Shpëtimit Shqiptar të Hebrenjve gjatë Holokaustit.