– Nënë Tereza dhe Migjeni –
26 gusht: në këtë ditë erdhi në jetë një vogëlushe që do ta quanin Gonxhe e do të bëhej Shenjtja Nënë Terezë dhe iku nga kjo jetë një poet shumë i ri, që kishte zgjedhur si emër letrar akronimin Migjeni.
Murgesha dhe poeti. I dua të dy. Gati moshatarë ishin, Nënë Tereza lindi në vitin 1910 në Shkup, Migjeni një vit më pas, në Shkodër, në 1911 (dhe im atë në atë vit lindi, në Jug), kur Shqipëri s’kishte se vendi ende vuante fundin e perandorisë otomane e priste të shpallej i pavarur.
Murgesha dhe poeti. Të dy u bënë të njohur, Migjeni si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm në letrat shqipe, duke e modernizuar poezinë dhe tregimin, i përkthyer dhe në gjuhë të tjera, ndërsa Nënë Tereza u bë gruaja më e njohur e planetit, vetëm me dashurinë e saj dhe u shpall shenjtore e kohëve moderne.
Nuk janë takuar kurrë, as dhe parë, dhe nuk do të kenë ditur gjë për njëri-tjetrin, kur Migjeni ishte mësues në Pukë dhe shkruante me sarkazëm për varfërinë e rëndë të malësorëve dhe këmbët e zbathura të nxënësit të tij, Lulit të vocër, duke akuzuar shfrytëzuesit e pangopur sipër, Nënë Tereza kishte shkuar në Indi me mision, mësuese dhe ajo, por doli nga muret e kuvendit që t’u shërbente më të varfërve të të varfërve. Kur Migjeni blasfemonte dhe Zotin, duke mos e besuar, Nënë Tereza në shërbim të Zotit, me Krishtin në zemër si dritën dhe si udhërrëfyes në terr, shpëtonte jetë njerëzish, fëmijët e botës, nuk akuzonte, vetëm donte dhe shërbente. “Më mirë ndiz një qiri se sa të mallkosh errësirën.” – thoshte. Dhe lutej.
Ndërsa Migjeni ka dhe një poezi, ndër më të bukurat e tij, kushtuar murgeshave:
MIGJENI
KANGA SKANDALOZE
Një murgeshë e zbetë, që bashkë
me mkatet e botës
bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet
të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth
hyjnia
– kaloi rrugës së qytetit
si ejll i arratisun…
Një murgeshë e zbetë, e ftohtë
si rrasa e vorrit,
me sy boj hini si hini i epsheve
të djegna të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana
pshertimet që mbysin
ma la der’ vonë kujtimin,
kujtimin e ftohtë të kalesës.
Prej lutjesh (jo tallse!) duel
dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy,
ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saj bota, kushedi,
ç’fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saj
ende s’i zbardhi drita.
O murgeshë e zbetë, që çon dashni
me shënjt,
që n’ekstazë para tyne digjesh
si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam
shejtënvet:
Mos u lut për mue, se due
pash më pash t’i bij ferrit.
Unë dhe ti, murgesh, dy skaje
po të një litari;
të cilin dy tabore ia ngrehin
njeni-tjetrit –
lufta asht e ashpër dhe kushedi
ku do t’dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen
njerzit.
E quan këngë skandaloze. Dhe ashtu ishte. Unë gjej adhurim për murgeshën, të fshehtë, të mermertë, me ironi komplekse dhe skandal janë mjerimi, mosdashuria, indiferenca shoqërore, vrasjet, mashtrimet, hipokrizitë, që nga shteti deri te alienimi i njeriut, mosleximi, të mosbesuarit, etj, etj.
Po edhe Nënë Tereza ka shkruar poezi, që në rininë e saj të parë, mbante ditar. Po edhe lutjet e saj poezi janë dhe të mrekullueshme, janë botuar nëpër botë në gjuhët e mëdha. Kam përgatitur dhe unë libra të saj në shqipe tonë. Ja, njëra:
NËNË TEREZA
“MËRMËRIMË SHENJTOREJE”
Njeriu shpesh është i pakuptueshëm, spontan, vetanak.
E ç’rëndësi ka, duaje!
Nëse mirë bën, do të thotë
se plotësohet qëllimi i vetes.
E ç’rëndësi ka,
bëj mirë!
Nëse do të jeni i suksesshëm, miq të rremë do të gjeni
dhe armiq të vërtetë.
E ç’rëndësi ka, vazhdo!
E mira që bën, do të harrohet nesër.
E ç’rëndësi ka, qofsh i kthjellët!
Sinqeriteti dhe nderi do të bëjnë
të plagosesh kollaj.
E ç’rëndësi ka, krijo!
Le të shembet natën befas
ajo që ke ngritur me vite.
E ç’rëndësi ka, ndërto përsëri!
Le të mos kënaqen njerëzit,
kur u gjendesh pranë.
E ç’rëndësi ka, ndihmoji!
Botës jepja pjesën më të mirë
të vetes.
S’do të jetë e mjaftë. Do ta flakin.
E ç’rëndësi ka.
Po ti dhuroje pjesën më të mirë
të vetes!
Dhe do të vazhdosh të jesh i lumtur.
Të kuptohemi mirë, e gjitha kjo
s’është kurrë midis jush dhe atyre, por midis nesh dhe Zotit.
_______________________
* Kjo poezi është gdhendur
mbi një mur në Kalkutë.
Dua shumë dhe lutje të tjera të Nënë Terezës, më duken si poezi moderne. Do të doja t’i shikoja të shkruara mureve të qyteteve, të gdhendura në gurë, në antologji e tekste shkollash, bashkë me Migjeni, me njëri-tjetrin t’i themi përmendësh:
DHËNIE
Që të kalosh këtë ditë,
i do duart e mia?
Ndihmo me to këdo
që do të dëshironte
dhe i duhen duart e mia.
O Zot,
po t’i jap duart e mia tani.
Që të kalosh këtë ditë,
i do këmbët e mia?
Shko vizito atë që pret e pret
t’i vijë një mik.
O Zot,
po t’i jap këmbët e mia tani.
Që të kalosh këtë ditë, e do zërin tim?
Fol me ata që duan një fjalë dashurie.
O Zot,
po të jap zërin tim tani.
Që të kalosh këtë ditë
e do zemrën time?
Duaje çdo njeri nga shkaku
se është njeri.
O Zot,
po ta jap zemrën time.
Dhe kështu u bëftë!
Desha t’i kujtoj sot me poezitë e tyre dhe poetin tonë dhe murgeshën tonë. Është 26 gusht, në këtë datë Migjeni vdiq larg atdheut për të mbetur i pavdekshëm në letrat shqipe dhe po në këtë datë lindi vajza Gonxhe Bojaxhiu, që u bë Shenjtja Nënë Tereza, edhe ajo larg atdheut, e përjetëshme me dashurinë e saj dhe po aq e përbotëshme.
Largësitë, edhe në kohë ashtu si mes vendeve dhe njerëzve, janë zvogëluar dhe s’kanë më aq kuptim ose jo si dikur.
Dikur shkoja gjithë adhurim në shtëpinë muze, ku kishte jetuar Migjeni, në Shkodrën e tij, kur isha student, kam shkruar dhe poezi për të, “të rrezikshme” – më thanë nja dy miq që ua lexova atëhere, njërën nga ato e kam dhe në akt-akuzë, kur më dënuan, ndërsa emrin e Nënë Terezës e dëgjova së pari në burg, ajo ishte e ndaluar të vinte në atdhe, edhe atdheun burg e kishin bërë, të shkuara të (pa)harruara… por sot dua të shkoj prapë në shtëpinë e Nënë Terezës në Chicago, të bisedojmë me motrat e saj, të prek relike të saj. E ngriti vetë atë shtëpi përmes veshtirësish, keqkuptimesh e krimeve në lagje. Por, ah, sa shtëpi dashurie hapi ajo nëpër botë!
Visar Zhiti
Chicago, 26 gusht 2024
Nënë Tereza dhe librat…
Te Motrat e Nënë Terezës në Chicago.
Shkodër, shtepia ku ka banuar Migjeni.