Dy artistë në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që autoritetet lokale të bëhen “aleatë” me ta, pasi thonë se duhet t’iu jepet hapësirë që të shprehim talentin e tyre përmes muraleve dhe të përçojnë mesazhe të rëndësishme për shoqërinë.
Këto mesazhe, sipas tyre, përkojnë me sfidat e kohës.
Për Enkel Dikën nga qyteti i Strugës në jugperëndim të Maqedonisë së Veriut, nuk janë vetëm vepër arti, por diçka që “shprehin mesazhe, ide apo emocione” dhe reflektojnë identitetin kulturor të një vendi.
“Muralet paraqesin një sfidë në vete… muret e ndryshme u japin mesazh kalimtarëve”, thotë ajo, duke shtuar se porosia që përçohet përmes muraleve duhet të jetë e kuptueshme.
“Përderisa kur kemi të bëjmë me diçka më abstrakte, si artist përpiqesh ta përçosh mesazhin që ka figura që paraqet në mur”, thotë Enkel Dika, i cili me profesion është dizajner grafik.
Duke kujtuar një mural ku shfaqet një vajzë që nget biçikletën, Enkeli thotë se qytetarët përmes këtij murali qartë e kuptojnë se shmangia e përdorimit të veturave kontribuon në një mjedis më të pastër me ngjyra, ku dominon e kaltra dhe e gjelbra.
Për të, një mur me mesazhe të ashpra për raportet ndëretnike mund të shndërrohet në një mur që reflekton dashuri.
Në kryeqytetin maqedonas, Shkup, Marjan Dimiq Maçka, ka realizuar shumë murale.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në aspektin artistik ka hapësira të mjaftueshme që të gjithë artistët që pikturojnë murale të mund të shprehin mesazhe të rëndësishme shoqërore apo edhe politike.
“Ndaj mendimin se Shkupit si qytet i mungojnë më shumë vizatime në fasadat e ndërtesave, pasi jemi të vetëdijshëm për monotoninë që reflektojnë hapësira të caktuara. Kur ecën sheh vetëm banesa, beton, ballkone dhe dritare dhe asgjë nuk ndodh”, thotë ai.
Ai shton se muralet heqin monotonin e mjedisit urban nga zhurmat e trafikut dhe nga ndërtimet e shumta në kryeqendrën maqedonase.
Ndërkaq, Enkel Dika, vlerëson se autoritetet duhet të bashkëpunojnë me artistët, në mënyrë që përmes muraleve të përçohen mesazhe të mira për çështje të caktuara.
Ai aktualisht është duke punuar një mural në muzeun e qytetit të Strugës, që ka për temë biodiversitetin e Strugës dhe liqenin e Ohrit.
“Derisa punon nuk e sheh reflektimin, por kur përfundon e ndien se ke bërë diçka që ka mesazh të bukur”, thotë ai, duke shtuar se nuk e ka të vështirë të punojë në projektin e fundit, pasi Struga ka shumëçka për të reflektuar me biodiversitetin që ka.
Artistët e muraleve thonë se përmes artit të tyre ata e shndërrojnë pamjen dhe atmosferën e një qyteti, duke i kthyer fasadat në hapësira frymëzuese dhe më të këndshme në aspektin vizual, si për vendasit, por po ashtu edhe për turistët e huaj.