Vendimi i pjesshëm i qeverisë Kurti për shfuqizimin e rritjes 100 për qind të pagave që kishte bërë për vete qeveria Haradinaj, i cili duhej të ndodhte në mbledhjen e parë të qeverisë Kurti, është mirë që ndodhi në fund të javës së parë. Vendim ky që ka ngjallë shpresat e qytetarëve për vendime tjera akoma më të guximshme dhe më përmbajtësore.
Ashtu siq e mbështeta vendimin e parë të mirë të kryeministrit Kurti, do t’i mbështes në vijimësi të gjitha vendimet e tjera për të mirën e shtetit dhe qytetarëve, sikurse që do të kundërshtojë çdo vonesë dhe neglizhencë në përmbushjen e çdo premtimi elektoral të kryeministrit Kurti dhe jo vetëm.
I kuptoj pengesat, vështirësitë dhe obstruksionet që i behen nga brenda dhe jashtë për marrjen e veprimeve dhe vendimeve të guximshme, por kapacitetet intelektuale nuk e lejojnë zotin Kurti të përserisë gabimet e kryeministrave paraprak.
Shfrenimi i orkestruar dhe loja me fotografi në Kuvendin e Kosovës
Pas Seancës së Kuvendit të 3 shkurtit 2020, gjegjësisht pas shfryerjes së orkestruar të deputetëve të PDK-së ndaj Albin Kurtit, me një tekst të shkruar nga e njëjta dorë, e përshtatur sipas profilit të deputetëve, e pasuar me bojkot të votimit të kryeministrit dhe kryeparlamentares, ishte paralajmërim i një opozitarizmi të shfrenuar, e jo konstruktiv çfarë i duhet Kosovës.
Mirëpo e gjitha nuk përfundoj me kaq. PDK-ja duke e marrë si shkas heqjen e fotografisë së presidentit Thaçi nga Vjosa Osmani në zyrën e saj, është duke e vazhduar bojkotin e mbledhjeve të kryesisë së Kuvendit dhe lojën me fotografi në Kuvendin e Kosovës, lojë e cila për qëllim të fundit e ka ngatërrimin dhe pengimin e punës së Qeverisë Kurti.
Loja me fotografi nuk është se ka filluar tani, sikurse që edhe mos respektimi i institucionit të presidentit, zanafillen e kanë nga përfundimi i luftës në Kosovë. Fillimisht PDK-ja si parti opozitare nuk e ka njohtë dhe respektu institucionin e presidentit të vendit, duke e vazhduar të njëjtin avaz me mos respektim të figurës së presidentit edhe pas ardhjes në pushtet.
Vetëm tani, pas humbjes së pushtetit e kanë kuptuar se çfarë do të thotë respekti ndaj figurës së presidentit.
Dihet mirëfilli se asnjëri nga ministrat e PDK-së në bashkëqeverisje me LDK-në asokohe nuk e kanë mbajtur fotografinë e presidentit në zyrat e tyre. Është për keqardhje, por asnjëherë partneri në koalicion (LDK) nuk ju kishte kërkuar llogari ministrave të PDK-së për mos respektim të figurës së presidentit, siq po e bëjnë tani zyrtarët e PDK-së ndaj Vjosa Osmanit dhe të tjerëve të cilët nuk po e respektojnë fotografinë e presiedentit aktual.
Edhe pse në dukje të parë janë veprime të kundërta, heqja e fotos së presidentit Thaçi në zyrën e kryeparlamentares dhe vendosja e të njëjtit në Seancë të Kuvendit, mund të jenë veprime të sinkronizuara për zhvendosje të vëmendjes së opinionit publik dhe për përfitime personale për ngritjen e imazhit tek elektorati, si parapërgatitje për zgjedhje të radhës.
Loja me fotografi, në radhë të parë është shprehje e papjekurisë politike, është mungesë respekti ndaj institucioneve të shtetit dhe ligjeve që burojnë nga Kushtetuta e vendit.
Në të gjitha vendet e BE-së është e rregulluar me ligj çështja e përdorimit të simboleve dhe fotografive nëpër institucione. Bie fjala në Itali, çështja e fotografisë së presidentit është e rregulluar me ligj. Të gjitha institucionet, filluar nga ato shtetërore dhe publike janë të obliguara të mbajnë fotografinë e preseidentit aktual, pavarësisht dallimeve dhe pikëpamjeve politike në të dyja nivelet e qeverisjes.
Qëllimi i bojkotimit të PDK-së në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nuk është pengesë fotografia e Thaçit, por shkak, pasi qëllimi primar i tyre është ngatërrues për të penguar punën e Qeverisë së re.
Ndryshimi të fillojë nga brenda, pastaj nga jashtë
Me këtë u dëshmua se, me largimin e PAN-it nga pushteti me 6 tetor 2019, nuk ka ndodhur ndryshimi epokal siq po paraqitet në disa medie të shkruara dhe vizuele, por ka ndodhur vetëm një ndryshim i vogël dhe sipërfaqësor, për shkak se brenda këtyre dy subjekteve politike (LVV dhe LDK) janë të instaluara strukturat e SHIK-ut famëkeq që i dirigjojnë dhe mbajnë nën kontrollë të plotë këto dy subjekte politike. Poashtu brenda këtyre dy subjekteve politike ka politikan të koruptuar, njerëz shantazhues dhe të shantazhuar, veteranë të rrejshëm, matrapaz politik dhe karrierist të sëmurë për pushtet.
Është i mirëseardhur çdo vendim i kryeministrit Kurti për ndryshime në në këtë vend. Megjithatë, për të qenë bindës para qytetarëve të vendit, Albin Kurti ndryshimet duhet t’i fillojë brenda subjektit të tij politik.
E njëjta gjë vlenë edhe për Vjosa Osmanin. Në vend që të shpenzojë kohë duke u marrë me zhvendosje dhe vendosje të fotografive në zyrën e saj, duhet të merret më tepër me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, vënjen në binarë të shëndoshë të sistemit të drejtësisë, si dhe përmbushjen e premtimeve tjera, përmes të cilave ua rrëmbeu votën elektoratit besnik rugovian.
Për dallim nga Albin Kurti që është i ngarkuar me obligime dhe që do të përballet me shumë sfida, Vjosa Osmani i ka duart më të lira për të vepruar edhe në dy rrafshe tjera, në konsolidimin e demokracisë parlamentare, gjegjësisht krijimit të raporteve demokratike pozitë-opozitë në Kuvendin e Kosovës, si dhe marrjen e një iniciative për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në partinë e saj, për çkapjen e LDK-së nga grupet e interesit dhe konsolidimin demokratik të kësaj parite.
Pra, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë në dorë rastin historik, për të përmbyllur një kapitull të errët të politi-kbërjes kosovare, për ç’rrënjosjen e urrejtjes dhe armiqësive partiake, për ta kthyer rivalitetin e shëndoshë në skenën politike kosovare, si të vetmen mundësi prosepruese për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve.
Nëse nisemi prej thënjes popullore “Dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë fillimi i punës së legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës lenë pak për të shpresuar, për shkak të mungesës së konstruktivitetit të opozitës, i cili nga çasti në çast mund ta shndërrojë kuvendin në arenë gladiatorësh dhe Kosovën në anarki totale, ku askush nuk e njehë askend dhe të gjithë luftojnë kundër njëri-tjetrit.
Komentet