Poezitë janë përkthyer në italisht nga Angela Kosta
Shtëpia Botuese “PAV EDIZIONI” në Romë boton përmbledhjen poetike me poezi të përzgjedhura të autorit shqiptar, poetit Mujë Buçpapaj. Poezitë janë përkthyer nga Angela Kosta, redaktore e tre revistave si dhe promovuese kulturore globale. “Il Tormento dell’Universo – Mundimi i Universit” nga Mujë Buçpapaj, është fotografia në vargje e përvuajtjeve të një populli dhe një vendi të goditur rëndë nga lufta. T’u japë zë të vdekurve dhe të gjallëve në Kosovë, mendon pikërisht Buçpapaj me këtë seri poezish të botuara edhe në Shqipëri e të përkthyera tashmë në italisht nga Angela Kosta. Lirikat që përbëjnë “Il Tormento dell’Universo” janë fragmente të një panorame të shkretuar, imazhi i dhimbjes së një populli të torturuar nga një konflikt tejet i ashpër, siç i percepton dhe i rrëfen me mjeshtëri autori përmes poezisë. Ndjenjat e humanizmit dhe të mëshirimit, janë forca lëvizëse e kësaj vepre. Vargjet e Buçpapajt janë të ndërthurur plot trishtim melankolik, të cilat vërshojnë në çdo pasazh përshkrues. Megjithatë, edhe pse prania e dhimbjes është përçuese, poeti shqiptar gjen mënyrën për të ngritur peshë (në një kontekst të shëmtimit të tmerrshëm), instrumentin që mendon se i përket më së miri: poezinë. Dhe kështu, “Il Tormento Dell’Universo”, shënon triumfin e mahnitshëm dhe të përjetshëm të bukurisë së artit mbi mizoritë e pafundme të botës.

PARATHËNIE NGA LAURA BOWERS
“Kujtimi i lumit… duke u fshehur në aromën e gjetheve”
Nëse e dini se si ndihesh të jesh në shtëpi, libri “Il Tormento dell’Universo” i Mujë Buçpapaj do t’ju copëtonte zemrën. Është portreti i bukur dhe intim i një populli dhe peizazhi i gjymtuar nga lufta dhe vragat që mbeten. Buçpapaj bëhet zëri shqetësues i turmave, si të gjallëve ashtu edhe të vdekurve, të cilët përjetuan luftën në Kosovë, dhe përqendrohet në lidhjen midis burrave, grave, fëmijëve dhe atdheut të tyre. Poezitë që përbëjnë “Il Tormento dell’Universo” janë fragmentet vezulluese të zemrës së poetit të cilat paraqiten të pastra, të vërteta dhe të shpërndara midis kombeve. Shpirti njerëzor është ai që unifikon poezitë: nostalgjia për shtëpinë siç ishte dikur dhe për njerëzit që tani nuk janë më, trishtimi i plotë i vetëdijes se gjithçka është veçse një kujtim. Fraktura reflekton zemrat e vëllezërve të poetit, të motrave, miqve, familjes, armiqve dhe, gjithçkaje që është njerëzore në gjithë secilin prej nesh. Të gjithë vuajtën së bashku; të gjithë ishin dhe janë të bashkuar në përvuajtjen e tyre, dhe dhimbja e ndarja bëjnë pjesë në atë çka bashkon. “IL TORMENTO DELL’UNIVERSO” fillon me përvuajtjen dhe vazhdon me këndvështrimin e tij, me poezi të përbëra nga profeci dhe histori të gërshetuara. Emocioni më i rëndësishëm i librit është trishtimi i poetit dhe melankolia e tij është edhe ajo ndaj kombeve. Megjithatë, emocioni më intim, është vendosmëria absolute e poetit për të ruajtur lirinë e shprehjes për të mirën e të gjitha kombeve. Duke shkruar këtë libër, Buçpapaj e jeton këtë pasion dhe “Il Tormento dell’Universo” bëhet mposhtja e çdo frike që mund të pengojë shpalljen e së vërtetës. Duke treguar dashurinë e tij për atdheun dhe dhuratën e tij për imazhet, metaforat brilante dhe të gjalla, Buçpapaj thur së bashku konceptet e shtëpisë dhe të atyre që kujtojnë shtëpinë e, duke bërë kështu, prek atë çka është e gjallë në ndërgjegjen tonë.
Thelbësore në poezi është nostalgjia e një të kaluare që duket sikur humbet dhe që po fillon të zbehet nga kujtesa, por e cila ndahet vetëm nga një perde e hollë, dhe e palëvizshme e kohës. Buçpapaj e shqyrton esencën e kohës nëpërmjet “mjetit” poetik, sikur shpreson të gjejë një rrugëkalimi përmes së cilës dëshiron të shpëtojë gjithçka që i kishte humbur. Si për ironi, kjo përmbledhje “zotëron” imazhin e perëndimit të diellit në “Il Tormento dell’Universo” dhe mbyllet me poezinë me titull “Endemi në terr”, një vizion pikëllues po aq edhe i frikshëm. Duhet thënë se e gjithë përvoja e ferrit e dokumentuar në këtë libër është vetëm një pararendës i asaj që do të vijë. Është interesante të vëmë në dukje, se disa poezi janë shkruar në të shkuarën. Përmbledhja është me intervale poezish të shkurtra madhështore, vargje shumë të ngjashme me kornizat e veprimit të mendjes dhe kujtesës, ja pse e “detyrojnë” lexuesin të ndalet, të bëjë një hap prapa dhe të shikojë me habi atë çka është fare e thjeshtë, duke kuptuar se çdo moment unik është pa kohë. Buçpapaj herë pas here flet në vetën e parë, duke sjellë gradualisht humbjen dhe trishtimin vetjak në sipërfaqen e veprës. Në poezi të ndryshme, Buçpapaj njihet si pjesë integrale e botës dhe i rrethanave të tij. Poeti flet për diellin që perëndon, dhe ka një implikim shqetësues që Buçpapaj e “thërret” nga jeta e përtejme e kësaj kohe, dhe toni i tij është i tejmbushur me një melankoli pothuajse pa frymë. Në të, dëgjojmë jehonën vajtuese teksa dielli zhduket sepse tashmë është tepër vonë.
Fillimisht, personazhi si person në vetë të parë duket pak i largët nga ngjarjet, edhe pse i trishtuar nga ajo që ka asistuar. Megjithatë, nuk duhet shumë kohë para se referencat e rrëfyesit për vetveten të bëhen intime dhe të qarta, duke e bërë kështu personalitetin më universal.
Buçpapaj bëhet akoma më transparent në poezitë e tij deri në atë pikë sa edhe mund të dëgjojë zërat e një kombi të tërë njerëzish. Në çdo poezi, poeti jeton në sipërfaqe dhe njëkohësisht në thellësi, duke përmbajtur e transmetuar shumë pejzashe prekëse të librit. Lotët e Buçpapajt janë grumbulluar në mes të vargjeve të poezisë dedikuar nënës së tij, ku fjalët janë plot trishtim dhe nostalgji të zjarrtë. Autori është i guximshëm dhe këmbëngulës në hidhërimin e tij. Në poezinë e dramave të Kosovës, Buçpapaj rrëfen zjarret e ndezura nga urrejtja që shkatërruan shtëpitë, njerëzit, zemrat dhe shumë bukuri të këtij vendi të mrekullueshëm. Buçpapaj vargëzon përvuajtjet e tij dhe pikërisht nëpërmjet tij, kombi i tij gjen një zë të fuqishëm dhe unik.
Poezitë e Buçpapaj janë zakonisht dhe përgjithësisht me më pak se një faqe të cilat priren të përfundojnë papritur, me aforizma të forta, por mjaft të qarta, përfundimi i të cilave është befasues, ashtu sikurse efekti i humbjeve të luftës së njerëzve. Kjo nuk është rastësi… Përveç kësaj, Buçpapaj tërheq vëmendjen e çdo lexuesi në përfundimin përfshirës të çdo poezie. Zakonisht vargjet e shkurtra funksionojnë mirë me këtë teknikë; pajisjet reflektojnë me njëra-tjetrën si në formë edhe në efekte. Ndonjëherë, vargjet e shkurtra kanë efektin ta bëjnë folësin të duket sikur po gulçon, sikur të jetë i lënduar ose tepër i lodhur. Edhe poezitë e shkurtra, të shpenguara, të kombinuara me përpikmëri që praktikisht nuk ekzistojnë askund tjetër, mund të përshpejtojnë leximin e poezisë, dhe ky vizion, i kombinuar me përfundimet shpesh të papritura, na lë pak të shtangur, si të vraponim nga skaji i tokës në hapësirë, dhe në këtë pikë kuptojmë se çfarë kishte në mendje Buçpapaj që në fillim: të çjerrë themelet e forta poshtë nesh, duke na bërë të ndiejmë kështu atë që ai dhe shumë të tjerë kanë ndjerë për humbjet e mëdha që kanë pësuar. Me konkluzionet e poezive dhe, shpesh edhe brenda poezive, e gjejmë veten të ekuilibrohemi nga bordi i tokës duke sfiduar gravitetin dhe kjo ndryshon konkretisht konceptimin bazë “të nevojshëm”, si për humbjet e mëdha për shkak të luftës por edhe për ato që e kanë përjetuar atë.
Ajo që më magjeps më shumë në lidhje me këtë libër është mënyra se si Buçpapaj përdor imazhe kaq të freskëta dhe të goditura brenda metaforës së tij. Buçpapaj impenjon gjithçka që dashuron dhe gjithçka që urren për të pikturuar një portret të saktë të zemrës së tij të lënduar. Faqet janë të tejmbushura me perëndime të diellit, male, zogj, libra dhe fusha gruri. Por shohim edhe rrënoja të braktisura, eksod të gëlltitur nga errësira, duar të ledhosura dhe të ngrira të fëmijëve dhe të vdekurve nën një gërshetim labirinti, rrugë të djegura të një vendi të shkatërruar. Të vdekurit na kujtojnë e, pavarësisht stinës së ringjalljes, disa nga humbjet më të çmuara nuk do t’i rekuperojmë kurrë. Poezitë janë të goditura, pasi edhe vetë zemra e poetit është e goditur – e mbushur me fantazma të zhdukura dhe një atmosferë heshtjeje, të frikshme dhe rraskapitëse. Në vibracionet e zemrës së poetit, ne arrijmë të “shohim” të vdekurit. Megjithatë, në disa vargje, gjejmë një tjetër ironi: dhunën e cila i drejtohet poetit, pasi përfaqëson të gjithë ata që kërkojnë lirinë e shprehjes. E megjithatë zërat e popullit mbijetuan tek ai, ndërsa vetë populli u vra. Fitorja është evidente në faktin se, pavarësisht vdekjes së tyre, ata nuk u vunë në heshtje, dhe kjo për shkak se një i mbijetuar me një zë të fuqishëm dhe një dhuratë të mrekullueshme nuk pati aspak frikë. Shumë kritikë të tjerë letrarë pas meje do të shkruajnë lëvdatat e veprave të mëdha të Mujë Buçpapaj. Libri “IL TORMENTO DELL’UNIVERSO” është një fitore e shkëlqyer dhe e pakohë.
(Laura Bowers, poete amerikane)
/Gazeta Panorama