Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës ka bërë që Suedia dhe Finlanda të shqyrtojnë anëtarësimin në NATO. Suedia e cila kishte status neutral për një kohë të gjatë dhe që ndan rreth 1 mijë e 300 kilometra të kufirit të saj me Rusinë, është më ngurruese sesa Finlanda. Duke mos qenë anëtarë, 16 milionë banorët e Finlandës dhe Suedisë nuk kanë garancinë e mbrojtjes nga NATO, që vepron sipas parimit se sulmi ndaj një vendi anëtar, është sulm ndaj të gjithë aleatëve.
Pas fillimit të sulmit të Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt, sondazhet tregojnë se finlandezët kanë ndryshuar mendim rreth anëtarësimit të vendit të tyre në NATO.
Suedia, e cila nuk është përfshirë në një luftë nga viti 1814, është më ngurruese.
Por një sondazh i fundit nga një televizion i njohur suedez zbulon se 59 për qind e qytetarëve dëshirojnë anëtarësimin e Suedisë në NATO, nëse Finlanda e bën këtë.
“Edhe pse të dyja vendet janë afër NATO-s, aq sa mund të jenë duke mos qenë anëtare, sulmi i Rusisë e ka ndryshuar opinionin publik. Tani të dyja vendet kërkojnë anëtarësimin në NATO për shkak të përfitimeve që vijnë me të, përkatësisht nga klauzola e mbrojtjes reciproke”, shpjegon ekspertja Rachel Rizzo nga Këshilli i Atlantikut.
Zyrtarë amerikanë presin që këto dy vende nordike të kërkojnë anëtarësim në aleancë ndoshta që në qershor. Uashingtoni mendohet se e mbështet këtë hap, që do ta çonte numrin e vendeve të aleancës në 32. Departamenti i Shtetit tha javën e kaluar se janë zhvilluar diskutime të udhëheqësve të NATO-s me Helsinkin dhe Stokholmin.
Ministri i jashtëm finlandez Pekka Haavisto tha se hapat e ardhshëm do të qartësohen gjatë javëve në vazhdim. Ai tha se parlamenti do të shqyrtojë një raport të qeverisë mbi ndryshimet për sigurinë e Finlandës pas vendimit të Rusisë për të sulmuar Ukrainën, ndërsa shtoi se vendi i tij është gati të propozojë anëtarësimin në NATO, nëse ka mbështetjen e mjaftueshme të parlamentit.
Në Suedi, qeveria dhe opozita po bëjnë një analizë të politikave të sigurisë, një raport që pritet të publikohet në maj.
Nëse këto vende aplikojnë për anëtarësim, kërkesa duhet të pranohet nga 30 vendet anëtare në një proces të përshpejtuar.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se është e mundur që Finlandës dhe Suedisë t’u mundësohet hyrje e shpejtë në alenacë, por ende nuk janë dhënë hollësi se si mund të duket ky proces.
Analistja Rizzo thotë se nëse Suedia dhe Finlanda sulmohen nga Rusia para se të bashkohen me NATO-n, aleanca do të ishte gati të përgjigjej.
“Ata punojnë ngushtë me NATO-n. Marrëdhënia që NATO ka krijuar me Finlandën dhe Suedinë nënkupton një masë mbrojtjeje për të dyja vendet”, thotë ajo.
Kremlini tha sot se zgjerimi i NATO-s dhe anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës nuk do të sillte qëndrueshmëri në Evropë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se nëse kjo ndodh, Rusia do të duhet të “ribalancojë situatën” me masat e veta.
“Nuk besoj se anëtarësimi i tyre në NATO do të çonte në përgjigjen e njëjtë të Rusisë sikur ndaj Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Por mund të presim shtim të kërcënimeve hibride, sulme kibernetike, luftë informacioni, siç bën gjithmonë Rusia duke kërcënuar dhe frikësuar anëtarët e mundshëm të NATO-s”, thotë zonja Rizzo.
Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës dhe luftimet që pasuan shkaktuan vdekjen e mijëra civilëve dhe ushtarëve, shkatërrimin e qyteteve dhe vendbanimeve dhe një seri të paparë të sanksioneve të koordinuara nga perëndimi.
Komentet