“Gestapo-Müller”?, në Shqipëri si kapiten sigurimi
Myler-Gestapoja jeton në Shqipëri”, ky ishte titulli sensacional i revistës së përjavshme gjermane “Stern” në janar të vitit 1964. Fakti bëri zhurmë të madhe në mediat ndërkombëtare dhe në shërbimet sekrete. E para që u shqetësua ishte CIA amerikane, sikurse vërtetohet në një studim të dosjes së kriminelit nazist Hajnrih Myler (Heinrich Müller, lindur në vitin 1900 dhe nuk i dihet vit-vdekja),
ish-shefi i Gestapos dhe me nofkën “Myler Gestapoja”. Deri dhe vitet e fundit në Shqipëri ka qarkulluar kjo legjendë, që nuk është konfirmuar. Ndonjë sigurims është betuar se ka punuar me spiunin gjerman. Ndërkaq ka një spekulim po nga “Shtern-i” dhe ricituar tre vjet më vonë, më 1967, nga e përjavshmja tjetër gjermane e famshme “Der Shpigel (Spiegel)”. Aty thuhet se kapiteni i sigurimit (Sicherheits-Hauptmann) Myler, tani me pseudonimin e ri “Jergi Kovoc”, ka qëndruar në Durrës dhe Tiranë, në vilën e drejtorit të bibliotekës së universitetit, Mihal Hanxhari. Këtë informatë e jep një njeri i sigurimit shqiptar me emrin Lili.
“STERN”
Një raport i hollësishëm ka tërhequr vëmendjen e CIA-s. Pas gjykimit të kriminelit nazist të luftës Adolf Ajhman (Eichmann, 1906-1962, ekzekutuar me varje në vitin 1962), e përjavshmja gjermano-perëndimore “Shtern” (Stern) botoi në vitin 1964 dy artikuj me autor gazetarin Peter Shtaele (Staehle). I pari doli në janar dhe titullohet “Gestapo-Müller lebt in Albanien” (Myler-Gestapoja jeton në Shqipëri). Shkrimi i dytë me titull “Die Spur nach Amerika” (Gjurma në Amerikë) u botua më 16 gusht (ky u fotokopjua plotësisht dhe u fut në dosjen “Myler”, vol. 1). Shtaele shkruante se pas luftës Myleri kishte shkuar në një sërë vendesh si në Bashkimin Sovjetik, Rumani, Turqi dhe Afrikë e Jugut, deri sa përfundoi zyrtar i lartë policie në Shqipëri para se të ikte në Amerikën e Jugut.
“SPIEGEL”
Tre vjet më vonë e përjavshmja tjetër gjermane “Der Shpigel (Spiegel)” nr. 48 e 20 nëntorit 1967 në artikullin e titulluar “Panama. Müller. Bekir Nakoschiri”, ku flitej për një ekstradim të një shtetasi që dyshohej se ishte ish-shefi i Gestapos, ka një pasazh intrigues. Po e citojmë të plotë:
“Shefi i Policisë Kriminale (Kripo) të Dyseldorfit (Düsseldorf) Vener (Wehner) ka raportuar për zërat se Myleri kishte dhënë mësim në një shkollë të shërbimeve sekrete në afërsi të Pragës. Sipas investigimit të “Shtern-it” ai [Myler-i] shërbeu në Budapest, më pas në shtetin e fundit stalinist të Evropës, në Shqipëri. I maskuar si kapiten sigurimi (Sicherheits-Hauptmann) Abedin Bekir Nakoschiri në vitin 1963, thuhet se ai u lokalizua në portin shqiptar të Durrësit. Ish-sigurimsi (Geheimdienstmann) Lili tha se Myleri kishte shkuar në Shqipëri me emrin Jergi Kovoc dhe jeton në Tiranë – në vilën e drejtorit të Bibliotekës së Universitetit (Direktors der Universitätsbibliothek), profesor Hanxhari”.
KUSH ISHTE HANXHARI
CIA ka hedhur dyshimin se ky njoftim mund të jetë sajim i shërbimeve sekrete lindore dhe pse flitet për një emër konkret si profesor [Mihal] Hanxhari (1930-1999), i lindur në Kentaki (Kentacky) të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, në një familje emigrantësh ekonomike. Në vitin 1931 familja Hanxhari kthehet në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mori pjesë në lëvizjen antifashiste. Studimet e mesme i kryen në gjimnazin e Tiranës, ndërsa ato të larta në Universitetin e Budapestit në Hungari për histori dhe gjeografi. Pasi u diplomua në vitin 1954, u kthye në Shqipëri, ku dha mësim në shkollë të mesme, në Korçë dhe në Tiranë. Në vitin 1960 ai u emërua drejtor i bibliotekës shkencore të universitetit në Tiranë, të cilën e pasuroi me fonde dhe e shndërroi në një qendër të qarqeve intelektuale dhe akademike të vendit. Në vitin 1975, për arsye politike, u shkarkuanga detyra dhe u akuzua për liberalizëm dhe përhapje të kulturës borgjeze. Ai gjeti punë në një bibliotekë të vogël, ku ai punoi deri në 1990. Në vitet 1993-1995 dha gjuhën shqipe në Ecole des Langues Orientales në Paris, ku dhe vdiq.
PAS FAKTIT TË VËRTETË
Deri para viteve 1960, kur Tirana ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me bllokun lindor, kishte bashkërendim të shërbimeve sekrete të Traktatit të Varshavës. Ato e dinin se Mihal Hanxhari kishte studiuar në Budapest dhe se në vitin 1960 ishte emëruar drejtor i bibliotekës së universitetit shtetëror të Tiranës. Prandaj hapën lajmin se Myler-i kishte punuar për shërbimin sekret hungarez dhe se pastaj do të punonte për sigurimin shqiptar, duke jetuar në shtëpinë e një studenti të diplomuar në Budapest. Botimi në “Shtern” dhe “Der Shpigel” i raporteve se ish-shefi i Gestapos strehoej në vilën e Hanxharit, ishte një diversion. Gjithë zhurma e bërë mund të ketë ndikuar në shkarkimin nga detyra të Hanxharit, natyrisht, sipas skemave të sigurimit. Mbetet enigmë se kush fshihet pas ish-sigurimsit (vullnetar?) me emrin Lili. Sikurse ka dalë dhe nga hetimet e Komisionit Mitrohin të senatit italian, emri i ministrit shqiptar të Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu figuronte ende si agjent sovjetik në dosjet e KGB-së deri në vitin 1971. Ndoshta, një përkthyes, që vërtitej në mjedise intelektuale dhe nëpër biblioteka, ishte autorizuar të informonte mediat e huaja për “sekretet” e Mylerit që fshihej në vilën e Hanxharit. Një shkrimtar i njohur shqiptar, që dinte për “huqin” e sigurimsit vullnetar, i cili ishte dhe miku i tij, teksa pinin raki bashkë, e pyeste se a ishte në shërbim në ato çaste.
CIA: Kurth i shërbimeve sekrete lindore
Qysh në fillim, CIA dyshoi se artikujt e Shtaeles ishin “kurth” – pjesë e “një pune pak të zgjuar [dizinformimi]” për të çorientuar publikun, si dhe shërbimet e fshehta (mbi mundësinë e dizinformimit shkruhet në “[CIA/EUR] dispatch [A] – 3564 CS, 31 janar 1964”). CIA bëri verifikimet – dhe përgënjeshtroi pretendimin e Shtaeles se Myleri ishte në fakt zyrtar i policisë shqiptare i quajtur Abedin Bekir Nakoschiri (Memo [A]-13564, 31 janar 1964, Mueller file, vol. 1). BND (gjermanisht: Bundesnachrichtendienst – Shërbimi Federal i Zbulimit i Gjermanisë) dhe CIA gjithashtu zbuluan se Shtaele-ja nuk ia kishte arritur t’i botonte artikujt në të përjavshmen prestigjioze “Di Cajt” (Die Zeit), kjo falë një burimi që dyshonte se baza, mbi të cilën mbështetej Shtaeleja, ishte false ([CIA/EUR] to Chief, EE, [A]-63831, 5 shkurt 1964).
PRAGË
Në maj 1970 një dezertor çek i shërbimeve të fshehta, ka shumë gjasa, Ladislas Bitman (Bittman), që mbahej si specialist dezinformimi, të jetë përhapësi i këtij lajmi (Staff memorandum 9 dhjetor, 1970, Mueller File, Volume 1). Bitman-i tha se artikulli i “Shtern-it” u sajua nga Praga në mënyrë që të neutralizonte thashethemet se Myleri në fakt mund të ishte në Çekosllovaki. Bitman-i shtoi se brenda qarqeve të shërbimeve të fshehta çeke, dihej dhe ishte bërë diçka e zakonshme që KGB-ja përdorte kriminelë nazistë të luftës për qëllime spiunazhi dhe se seksione kyçe të arkivave naziste gjithashtu ishte rrëmbyer nga sovjetikët për t’i përdorur në “objektivë operativë” (Memo [A]-19267, 9 dhjetor 1970, Mueller file, vol. 1)
VIPAT E POLITIKËS GJERMANE
Këto komente i ranë në sy Shtabit të Kundër-Zbulimit – KZ (Counter-Intelligence- CI) të CIA-s, që drejtohej nga legjendari Xhejms Engëllton (James Angleton). Nëse Myleri vërtet kishte qenë në BRSS ose gjetkë në Evropën Lindore, dhe në qoftë se ai kishte marrë dosjet qendrore të RSHA-së (iniciale gjermanisht për Zyrën Kryesore të Sigurimit të Perandorisë – organ drejtues i zbulimit politik dhe policisë së sigurimit të Rajhut të Tretë) me atë (shumë prej të cilave ishin zhdukur me të vërtetë pas luftës), atëherë udhëheqës të shumtë gjermano-perëndimorë, nga pikëpamja politike, mund të ishin ende të rrezikuar për shkak të kompromentimit. Ishte vendimtare të zbulohej se çfarë kishte ndodhur, jo domosdo me Mylerin, i cili edhe mund të kishte vdekur gjithsesi, por me dosjet. Engëllton-i gjithashtu shfaqte interes të veçantë për problemet e dezinformimit nga ana e sovjetikëve.
HETIM I SHTRIRË
Shtabi i KZ-së (CI) ndërmori një hetim të shtrirë për Mylerin duke filluar në fund të 1970, duke që ka rezultuar në një raport të shkurtër prej dyzet faqesh – “Gjuetia ndaj Myleri të ‘Gestapos’” (Counter Intelligence Brief – “The Hunt for ‘Gestapo’ Mueller”) – i cili qarkulloi si raport i brendshëm i Drejtorisë së Planeve në dhjetor 1971. Një memo në dosjen e datës 9 dhjetor 1971, duke shpjeguar qëllimin e raportit, thekson se: “objektivi ynë kryesor i vërtetë në përgatitjen e studimit, bashkëngjitur rastit Myler, ishte përgatitja e një manuali stërvitor, që ilustron tekat dhe grackat e hetimeve të zgjatura. Në kaluarën, Myleri është shfaqur kryesisht si kriminel lufte i zhdukur pa gjurmë.
ALEATËT NUK GJEJNË DOSJET
Sapo u mblodh materiali, megjithatë, u bëmë të vetëdijshëm dhe për një mundësi më të rëndësishme: se Muleri kishte dezertuar në kundër-zbulimin sovjetik ushtarak të Luftës së Dytë Botërore SMERSH (shkurtim rusisht i frazës “Vdekje spiunëve!”) dhe kishte marrë me vete një shumëllojshmëri të madhe dosjesh. (Dosjet qendrore të Sigurimit gjerman (RSHA), ku Myleri ishte de fakto shef… në javët e fundit të luftës, nuk u gjetën asnjëherë nga aleatët perëndimorë). Nëse aktualisht SMERSH-i ka kapur Mylerin dhe pjesën më të mirë të dokumenteve të RSHA-së, kapacitetet e sovjetikëve për të kontrolluar gjermanët dhe evropianë të tjerë VIP do të jenë shumë më lartë se çka është menduar deri tani për ta”. (Memoja e 9 dhjetor 1971 është në dosjen “Mueller”, vol. 2).
GUR i VARRIT
Gjatë hartimit të raportit, bashkëpunëtorët e KZ të CIA-s ndërmorën disa hetime të reja nga ana e vet. Rileximi i një artikulli të vitit 1963 në të përjavshmen gjermane “Der Shpigel” (Der Spiegel), i cili fliste për hapjen e “varrit” të Mylerit në Berlinin Perëndimor po atë vit, zbuloi se një femër misterioze në Berlin, që nuk kishte lidhje me Mylerin, kishte blerë gurin e varrit (“Gestapo-Müller – Kein Nazi” – Myler-Gestapoja – nuk ka nazist” Der Spiegel, 16 tetor 1963, kopje në dosjen “Mueller”). Ndoshta, kjo blerje ishte gjithashtu pjesë e një fushate dezinformimi për të fshehur faktin se Myleri u përdor nga sovjetikët pas luftës (Chief, WOMUSE, via Chief, EUR, to [CIA/EUR], [CIA/EUR] 22899, 7 tetor 1970, dosja “Mueller”, vol. 1.) Në dhjetor 1970 gjermano-perëndimorët lejuan CIA-n të ekzaminonte të dhënat e zhvarrimit për identitetin e gruas misterioze që kishte blerë gur-varrin e Mylerit, ndonëse dhe pa kurrfarë rezultatesh. DZ-ja gjithashtu shpresonte se qeveria e Gjermanisë Perëndimore do të gjente dhe intervistonte Valter Lojdersin (Walter Lueders), i cili kishte gjetur trupin e varrosur në varrezat e Grosse-Hamburgerstrasse) dhe të verifikonte, nëse mundnin, autencitetin e sendeve vetjake, që iu kthyen familjes së Mylerit në vitin 1957. U rilexuan kujtimet në gjermanisht që nga viti 1950 të koduara të Mylerit (memo [CIA/EUR] 22984, 15 dhjetor 1970, Mueller file, vol 1). KZ-ja,në nëntor 1971, kërkoi gjithashtu dezertorit sovjetik Pjotr Derjabin (1921-1992) të shkruante një memorandum për dosjen. Përfundimisht, CIA, sipas studimit, deri dhe në ditët tona, nuk ka mundur të zbulojë ndonjë gjë të re. Ajo është e prirur të mendojë se Myleri është vrarë para majit të vitit 1945.
Versionet për fatin
Fati i Mylerit pas prillit të vitit 1945 është i panjohur. Herën e fundit atë e kanë parë në bunkerin e Hitlerit më 27 prill 1945. Ekzistojnë disa versione të vdekjes së tij. Sipas njërit prej tyre, Myleri vdiq në Berlin në luftimet në rrugë vitin 1945. Sipas një versioni tjetër, Myleri u fsheh në Amerikën Latine. Janë përmendur vende të ndryshme të mundshme të qëndrimit: Argjentinë, Kili, Bolivi, Brazil, Paraguaj. Valter Shelenbergu (Walter Schellenberg, 1910-1952, shefi i zbulimit politik nazist) ka dhënë versionin se Myleri është rekrutuar nga NKVD-ja (iniciale rusisht për Komisariatin e Popullit të Punëve të Brendshme) dhe më pas ka jetuar në BRSS. Sipas këtyre të dhënave, Myleri vdiq në Moskë në vitin 1948. Në vitet 1995 u botua libri i një gazetari amerikan të CIA-s me titull “Gestapo Chief: The 1948, Interrogation of Heinrich Müller” (Shefi i Gestapos: Marrja në pyetje e Hajnrih Mylerit në vitin 1948) dhe “Ditaret” e Mylerit, por shumë specialistë i konsiderojnë false. Sipas versionit “amerikan, Myleri u rekrutua nga CIA, pastaj jetoi në SHBA dhe vdiq në Kaliforni në vitin 1982. Myleri është i vetmi njeri në botë, vdekja e të cilit u regjistrua, por pas regjistrimit të vdekjes së tij, doli urdhër arresti për të.
“I harruar” në Nuremberg
Deri në ditët tona mbetet një mister i pazbardhur jeta dhe vdekja e shefit të Gestapos. Mes të ashtuquajturve “vrasës kabinetesh”, viktimat e të cilëve numërojnë me miliona e miliona, është dhe Hajnrih Myler. Sot e kësaj dite mbetet një nga udhëheqësit më enigmatikë të Rajhut të Tretë gjerman. Vartësi i drejtpërdrejt i Himlerit, grupenfyrer SS dhe gjeneral-leitenant policie, Myleri mban përgjegjësi për të gjitha krimet e nazizmit. Ndërkaq mbetet e pasqaruar pse veprimtaria e shumanshme e shefit të Gestapos nuk pati pasqyrimin e duhur në procesin e Nyrembergut. Shefi i tij i drejtpërdrejtë, Kaltenbryner u var në litar, Himleri, ndonëse i shpëtoi litarit, pasi piu një ampulë me helm, gjithashtu u dënua me vdekje… Kurse Hajnrih Myleri madje nuk figuronte mes të akuzuarve!
Nga: Thanas Mustaqi
Komentet