Asnjë nga tiparet e forta nuk i ka ngelur më në fytyrë. Me flokë tashmë të zbardhur ca nga vitet e ca nga jeta e vështirë që ka bërë, prej Matilda Makoçit kanë mbetur tashmë vetëm rolet dhe, më mirë që është kështu. Ca gjëra të bukura, e mira është të mos i shohësh të tjetërsuara. Prej saj nuk u mësua asnjëherë pse e braktisi filmin.
Edhe ai që mendoni se ka qenë roli i fundit, nuk ka qenë i tillë… Makoçi e ka braktisur aktrimin në mes të xhirimeve, pa dhënë shpjegime. Është larguar dhe kaq… Në kujtimet e tij të zbardhura te libri “Të pathënat”, regjisori Muharrem Fejzo tregon për atë që do të ishte roli i saj i radhës, te filmi “Muri i gjallë”.
PJESE NGA LIBRI
Xhirimet gjatë atij muaji vazhduan mirë. Dhjetori do të hynte me shi dhe dëborë. Në kinemanë e qytetit, në orët e vona, shikonim materialet e xhiruara dhe vumë re punën e lavdërueshme të Ilias, Bashës, Lamajt e të tjerëve. Kaloi me të qeshura episodi i vështirë i tre vëllezërve që lundrojnë me një trap. Era frynte si e marrë në grykën e Bunës dhe aktorët Budina, Rudi dhe Iliri, rrezikuan vërtet të përmbyseshin në ujin e akullt. Por kruajua e Ilias, hipur atje mbi një pikë vrojtimi ushtarak dhe i mbajtur për shpatullash nga njerëzit e grupit, e merrte me shaka edhe pse vetë ai rrezikun e kishte pas shpine, kjo i bënte aktorët të mposhtnin frikën.
Ajo rrjedhë e mbarë e punës sonë u ndërpre në xhirimet që kishim në rrënojat me gurë qikllopikë të Zgërdheshit në Krujë. Po prisnim të vinte nga Tirana Gelina Matilda Makoçi. Me të kishim xhiruar shumë plane të vështira. Tek rrija mbështetur tek ata gurë, përsiatja prejardhjen e tyre… Nga vinin ata gurë, kush i thandroi aq me mjeshtëri, ç’kërkonin aty? Të largët, si të pjellë nga një kujtesë tejhistorike, shtilleshin njëri pas tjetrit me atë histori që kishin thithur brenda gjatë shekujve. Trupa të dalë nga dheu që donin të jepnin një kumt e nuk kishin gojë. Përfytyrime të një jete që mbart fragmente të vetë “Dramës Ballkanike”. Kanë përjetuar kërcimin e këngën e barinjve, barinjtë e paqtë të stinëve dhe kullotat e kohës. Ata gurë kanë kaluar kohëra të egra e gati barbare.
Një kohë e pjellë nga ata të cilët kanë nostalgji ose e kundërta, me të cilën duan të ndahen. Janë të ngulur aty me atë moskuptim të pafund të verbër me një pritje tragjike, ndoshta pritjen për të bërë një kapërcim nga ai gjumë i përjetshëm… Por dhe kohët që po kalojmë janë të mbarsura me shqetësime të mirëpritura nga gjithë Ballkani e më tej. Aty rrëzë atyre gurëve janë ulur një grup të rinjsh, të cilët vrumbullojnë në një bisedë sa të këndshme, aq edhe shqetësuese. Atë bisedë e kryeson asistentoperatori i zërit, Hektor Pustina. Paçka se është trupvogël, energjia e tij, sytë përshkënditës, besimi në një të ardhme aq të mirëpritur, biseda e zjarrtë e nënkuptuar për fjalimin e Papës Wojtila. Presidenti Regan kishte zgjedhur jo rastësisht Berlinin Perëndimor për t’i bërë thirrje Gorbaçovit për rrëzimin e Murit të Berlinit, perdes së hekurt që do të ishte paradigma e përmbytjes së komunizmit. Komediani frëng Michel Coluche, autori zhbirilues, kishte shkruar: “Komunizmi është i vetmi eksperiment që nuk u testua më parë nga kafshët!”. Këto biseda të guximshme e bënin Hektorin, lajmëtarin e ardhmërisë. Muri i Berlinit do të ishte një ngjarje monumentale për historinë e shekullit XXI dhe monumentet janë në kuptimin e ngushtë të fjalës, dëshmitarë të heshtur të historisë.
Ato plagosin kujtesën dhe ndërgjegjen e mbarë njerëzimit që u bë viktimë e një të çmenduri si Hitleri, Stalini, Çaushesku e Hoxha. Ndaj piramida simbolike e errët e diktaturave, nuk duhej të rrezatonte përsëri për të përcjellë kumte të gabuara. Zhbërja kishte marrë rrokullimën. Ajo përsiatje ëndërronjëse u ndërpre nga frenimi i një makine. Në fund të kodrinës u shfaq “Gazi” dhe që andej u ngjit me një frymë Gjergj Xhuvani, i lodhur dhe i djersitur. Duke dihatur arrin të thotë: Matilda nuk gjendet! Ku nuk e kërkuam. – Ishte një rrymë e akullt që rrëmbeu gjithë grupin. Xhirimet u ndërprenë. Duheshin ribërë gjithë ato skena me një aktore tjetër. Nuk ishte e lehtë. Ishte një goditje në brinjë të filmit. Një ditë të diel, në shëtitoren e gjerë të qendrës së qytetit takoj Matildën. Dukej tepër e brengosur. Erdhi e ndrojtur me një fytyrë të vrarë nga pagjumësia dhe me fjalët që i mbeteshin në grykë: Të më falni, më falni shumë. Nuk arrita dot t’ju njoftoj…e ndërpreu fjalën e frikësuar, se në drejtim të saj po vinte djali i Kristaqit, shokut tim të liceut. Me ngut dhe lot në sy foli e përshpejtuar: Do të nisem për Greqi. Kam një hall të madh…të më kuptoni…dhe duke i tërhequr zvarrë fjalët e fundit, me lot në sy, u zhduk e përcjellë nga Edi, i cili në ecje e sipër vazhdonte të na hidhte disa vështrime të ftohta. Kushedi ç’fjalë të tjera gatuheshin në shpirtin e saj. Që nga ajo kohë, më humbi nga sytë deri sot e kësaj dite. Punë e tyre.
Filluam prapë peripecitë me administratën e “Teatrit të Popullit” ministrinë e të tjera. Ndërkohë u futa në sallën e montazhit për të zgjedhur gjithçka kishim xhiruar. Shpresa Papapavllo, regjisorja e montazhit, ishte mjaft entuziaste për filmin që po fillonte të merrte trup. Ishte Gjergji dhe Artan Minarolli, të cilët bënë çmos dhe sollën në sheshin e xhirimit sykaltrën, të thjeshtën, të ëmblën aktore tashmë të mirënjohur, Rajmonda Bulku. E kishte pritur me shumë kënaqësi bashkëpunimin me mua, shokun e hershëm të atit të saj, Skënder Bulku. Viti i ri 1989 do të vinte me rrathët e syve të zmadhuar mavi, të ndezur plot angështi, të lodhur nga trysnitë e mbrapshta të kohës. Sytë e zmadhuar në përpjekje për të parë ç’do të vinte nga gjithë ato përpjekje që po bëheshin për rrëzimin e Murit të Berlinit. Mavi nga netët pa gjumë, ngarkuar me frikë, pabesi, dyshime e pasiguri. Kudo sundonte e panjohura, sikur e gjithë bota të priste një shpërthim përmbytës. Ashtu si po kaloja dhe unë me ndërdyshjen e pandarë: për t’u qëndruar mbi kokë vërejtjeve, apo të shkelja mbi to për të dalë në përfytyrimin tim.
Nguroja me një shkurajim të thellë. Duhej të kapërceja këtë lumë ahtesh me kujdes e gur më gur, gjurmuar nga frika dhe ndjenja e zbrazëtirës dhe humbjes. (Ende diçka prej atyre viteve mjegullore pluskon deri në ditën e sotme). Gjithë ajo atmosferë e ngarkuar me pandehma dhe të papritura, do të hynte dhe në xhirimet e dekorit. Aktorët dhe sidomos Edmond Budina, ishte pjesëmarrës i zellshëm, por i heshtur i atyre mbledhjeve të fshehta apo të hapura. Jashtë, temperatura kishte rënë shumë dhe era befasisht ndryshonte drejtim pa pushim, ngarkuar me një shi që s’kishte të pushuar. I lagur deri në palcë. rashë pa ngrënë, duke lënë të shqetësuar Nardin dhe djemtë. E nesërmja kishte një episod me rëndësi për t’u xhiruar.(panorama)
Komentet