Korriku i vitit 2023 do të jetë një nga muajt më të nxehtë për qindra vjet
Klimatologët e NASA-s kanë gjetur disa rekorde të nxehtësisë këtë muaj në shkallë globale, me temperatura në rritje të vazhdueshme dhe nivele të larta ekstreme në shumë zona.
VOAL- Korriku i vitit 2023 ka të ngjarë të jetë muaji më i ngrohtë në disa “qindra, nëse jo mijëra vjet” globalisht. Këto ishin fjalët e shefit të klimatologut të NASA-s, Gavin Schmidt, të enjten. Disa rekorde të nxehtësisë janë thyer tashmë në korrik, sipas dy mjeteve nga Bashkimi Evropian dhe Universiteti i Maine në Shtetet e Bashkuara, të cilat kombinojnë të dhënat tokësore dhe satelitore për të krijuar modele që gjenerojnë vlerësime paraprake.
Ndërsa të dy instrumentet ndryshojnë pak nga njëri-tjetri, tendencat rritëse të temperaturave janë të pagabueshme dhe ka të ngjarë të reflektohen në raportet e ardhshme mujore të agjencive amerikane, me të dhëna më të konsoliduara, tha Schmidt gjatë një konference me gazetarët.
Të mërkurën, Observatori Evropian i Kopernikut kishte paralajmëruar tashmë se bota po shkonte drejt korrikut më të nxehtë që nga fillimi i matjeve, pas një qershori tashmë rekord. “Ne po shohim ndryshime të paprecedentë në mbarë botën,” tha Gavin Schmidt. “Valët e të nxehtit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Kinë po thyejnë rekorde”, shtoi ai. Aq më tepër që ato nuk mund t’i atribuohen ekskluzivisht fenomenit El Niño, “që sapo ka ardhur”.
El Niño është një fenomen klimatik ciklik që e ka origjinën në Oqeanin Paqësor dhe shkakton rritje të temperaturave globale, të shoqëruara me thatësira në disa pjesë të botës dhe shira të dendur në të tjera. Ndërsa El Niño luan një rol të kufizuar në vëzhgimet aktuale, “ne kemi parë temperatura rekord të sipërfaqes së detit, madje edhe jashtë tropikëve, për disa muaj,” tha ai. “Dhe ne presim që kjo të vazhdojë ndërsa ne vazhdojmë të emetojmë gazra serë në atmosferë.”
Muajt e ngrohtë pasojnë njëri-tjetrin dhe gjërat nuk do të ndryshojnë as në të ardhmen
Fenomenet aktuale rrisin gjasat që viti 2023 të jetë viti më i nxehtë i regjistruar. Ky probabilitet është aktualisht “50-50”, sipas llogaritjeve të Gavin Schmidt. Por shkencëtarë të tjerë besojnë se probabiliteti është 80%, shtoi ai. “Ne presim që viti 2024 të jetë një vit edhe më i nxehtë, pasi do të fillojë me fenomenin El Niño që po zhvillohet tani dhe do të arrijë kulmin e tij në fund të këtij viti,” përfundon Gavin Schmidt.rsi-eb