PRISHTINE – Pas opozitës e cila ka paralajmëruar mospjesëmarrjen në votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, bojkotin është duke e shqyrtuar edhe Lista Serbe.
Kjo listë ka 11 deputetë në Kuvend dhe pa përkrahjen e tyre nuk do të mund të arrihen 81 votat e nevojshme, siç kërkohet në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, shkruan sot Koha Ditore.
Gazeta të dielën nuk ka arritur të vërë kontakt me drejtues të Listës Serbe, kurse nga Qeveria e Kosovës nuk kanë folur për problemet me Listën Serbe. Vetëm kanë shprehur besimin se të hënën do të jenë prezentë të gjithë partnerët e koalicionit.
Ndërkaq opozita nuk do ta bojkotojë në tërësi seancën për MSA-në. Ajo ka vendosur që disa deputetë të saj të marrin pjesë në seancë për t’i dhënë argumentet rreth kësaj marrëveshjeje, por nuk do të votojnë.
Burime të gazetës kanë thënë se përfaqësues të Listës Serbe e kanë njoftuar kryeministrin Isa Mustafa se janë duke shqyrtuar mundësinë e mospjesëmarrjes në seancën e së hënës, e cila në rend dite ka vetëm një pikë – shqyrtimin dhe miratimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
Komentet