Kjo ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’ atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem. Mbas mendimit tim Poeti në ketë karm – në ketë trajtë si paraqitet sot hartimi – nuk pat nji vehtje të caktueme. Ai ndoshta – shka ka të gjitha gjasët – së parit desht të shprehë ndiesit e dhimbës për këtë apo atë vehtje të caktueme, por, në përshkrim të hartimit, erdh tue e çveshë prej çdo veçansije, e kështu e idealizoi aq, sa, ai shpirt i lum, për të cillin s’ ishte kenë toka por Qiella, i bahet qendër n’ atë ravë të thepisne, qi sheklli e nji dishir Lirijet ia kishin shtrue gjallimit të tij. N’atë vorr zemra do t’ i ndezej, si Lekës të Madh në vorr t’ Akilit, kah punët e mbara e kah burrnija, e prej se kishte me shkepun hovin kah punët e mëdhana.
Engjulli i Zotit, qi bri vorrit do t’ i sillte fuqitë mizore, do t’ ishte njiheri edhe Zana frymzuese e Poetit. E atëherë pa u frigue do të prehte zhgjetat e zjarrta, për t’ ia lëshue njerzimit kundër vesit, e do të ndertojë kangët kreshnike, për t’ i diftue botës se shka vlejnë armët në dorë të Shqyptarit. Kështu, shohim se me kangë të veta do të ndertojë mbi atë vorr nji përmendore të madhnueshme, së cillës nuk do të kishte se shka me i ba rryma e moteve. Zanat do t’ ia rrethojshin vorrin me lule e do të rritshin për rreth selvija. Shtegtari i lodhun, ulë me pushue, do t’ i uronte paqë e qetësi e do t’ u flitte për té të bijvet, qi kanë me nxjerrë kangë e me i gdhenun emnin mbi lisa, tue e ba kështu të pavdekëshme.
Në ketë lirikë ndihet ndikimi i leximit të poetve tjerë, sidomos italijanë.
Asht botue së pari në Pika Voeset (1909). Thohet se dorëshkrimi i parë i pat humbë.
N’ atë rrahe t’ dekne mbrenda vorrit t’ errshem
Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errun,
Ku qiella prirej me sa hana e diella
Terthores s’ eper m’ sharte vrejn t’ njerzimit!
- T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai zâ t’ asht kputë, i cilli bite m’ zemer
Si kumbë liret t’ tingllueshme, qi prej s’ largut
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e msueme!
________________________________________________________________
1.N’ atë rrahe…: Fillimi asht i natyrëshem e i pikllueshem. Menjiherë qi Poetit i shfaqet vehtja, qi e përmallon, me njiherë kujtimi, në nji mënyrë të pamëshirëshme e të pangushllueshme, e ka rrëmbye tek rrmajt (vorreza) e ia paraqet tash ma të kalbun! Poeti s’ka mujtë me përdorë nji metaforë ma të saktë e të përshtatun, për me paraqitë vorrezat se: n’ atë rrahe t’ dekne! Rrah thirrët vendi, ku janë pré landët me e kthye tokë buke. Këndej mënyra e thanjes: me çilë rrah; pra me shpyllzue dhe, shprehja metaforike: me kenë rrah (për tokë), qi thohet për të smurë randë në shtrat. Pamja e atij vendi i mbuluem me trupa e cunga të rame, e qi duken si gur vorri, të ban me kujtue shkretnimin e dekës. Këta vargje shëmbllejnë me nji kangë të Leopardit, ku ai asht frymzue nga koka e nji grueje të gëdhenun mbi nji vorr. Kanga e tij lidhet me traditen e vjetër anglo-italiane të poezisë vorreve, qi lulëzoi atje me Edward Young, Thomas Gray, James Harvey, qi e çuen në Itali Pindemonti e Foscolo. Kritiku M. Scherillo kangën e Leopardit thotë se asht frymzue nga James Hervey (1713-1758). Fishta duhet t’ a kenë lexue atë kangë, bashkë me vepra tjera të poetit dhimbjes. Piccoli thekson: Ideja e mbarimit të bukurisë dhe e çdo tërhjekje njerzore në vdekje, asht e përbashkët për shumë poetë të çdo kohe e çdo vendi. Dhe ma poshtë thotë: …se ata kanë pasë parasyshë ironin tragjike, qi frymzon mbarë skenën e vorreve në Hamletin e Shakespeare-it (akt.V, duka I), e kjo ka mujtë me ndodhë edhe me Fishtën, i cilli njohti dhe pat nji vlerësim të madh për Shakespeare-in. 2. Ata dy sy..: Lexo: Ata dy sy, ku (në të cillet) prirej (pasqyrohej) qiella me sa hana e diella ( e trupa tjerë qiellor), qi vrejnë prej terthores …. interpretue në botimin e tretë asht i gabuem, si më tha vetë Poeti pak ditë para vdekjes. Por këtu kemi njifarë anakoluti, mbasi asht lanë jashtë subjekti i fjalisë atributive, qi e thame sipër. Poeti mendohet nga disa se ka pasë parasyshë nanën e vet mbas vrasjes vllaut, por edhe mendime të matuna e t’urta përjashtojnë këte mundësi. 6. E ai za a kputë…: Sa bukur Poeti gjenë foljet e përshtatëshme, tue përdorë gjuhë poetike. Këtu vrejmë dhimbjen e pikllueme të zemrës së tij. Si kumbë: si tingull. Ky tingull shtohet kur nuk shohim gja, por ndijmë vetëm zanin. Nji grumbull ndjesishë shkojnë tue u ndrrue e na bahemi pré e rrymës së ndiesive.
-80-
Ehu! Po; “deka, qi baras m’ derë t’ pellazvet
- Trokllon, si m’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera
T’ troklloi, e ti kalove porsi voesa
E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun
- Hithat e madergona! ‘I Kryq dullijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë t’ a vu té kryeni,
Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’ a zbutë, posë va’jt t’ trishtueshem
Të hutit t’ natës, qi neper curra t’ malit
- Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjimue!…
Njai grumbull gursh, qi m’ vorr t’ randon persypri,
Vetë gjaksorit t’ pashpirt, qi mbyti nierin,
Lugat i duken, n’ hikë kah t’ bjen nget vorrit,
Edhe t’ perqethët atë botë i shkon n’per zemer.
- Po, a thue, krejt deka n’ asgjasend t’ perpini
E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhen,
Nuk t’ la tjeter? Jo! N’ prehen t’ Amëshuemit
Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue
Me gzue n’ dritë t’ qiellvet, ku pushon dishiri
- I nierit t’ drejtë, si drita m’ sy të kthiellun.
Po, po, se pertej vorrin shpirti i nierit
Gjallon per jetë! Njeky mendim i ambel
Deken e zbutë e vorrin ban t’ pelqyeshem.
Kur zemren fa’i s’e grisë. Prej ktij mendimi
- As vet per ty s’ lotova shum, kur ndjeva
Se diqe: Se n’ ma t’ miren lule t’ motit
E lae ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta
E paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’ vese sod me dorë dhunuese
- Vesin shinon me Theta t’ zi, e selija
M’ rrashta t’ pergjakshme t’ njerzvet m’ kambë, ku mbahet.
________________________________________________________________
Ehu: Fishta e përdorë për nji rrokje, mbasi nuk njeh h si bashtingllore. 14-24. Poeti trishtohet ma shumë nga pamja e jashtme e vorrit. Kujtimi i shkatrrimit trupit, qi i shtohen e hithat e madërgonat e mbulojnë edhe Kryqin. Kulmi mërrinë kur monotoninë e then vetem huti i natës me gjamë të trishtueshme e të dhimbëshme. Grumbulli i gurve tronditë edhe gjaksorin mizuer. –madërgona: asht nji ferrë. 16. nji dorë bamirëse. Kjo ndryshon nga dora e alabastrit…21. Pesha e gurve randon mbi zemër të Poetit. – n’ hikë: tue ikë. – nget: afër, përbri. 25. Po a thue…: këtu Poeti kerkon me gjetë njifarë ngushllimi, mbas shkatrrimit trupit, i drejtohet besimit qi ka në pavdeksinë e shpirtit e të shperblimit. 30. Si drita në sy të kthiellun: Dëshira e zemrës së të drejtit qi kerkon pushimin vetëm té Hyji. 34. fa’i…: (sinkope) kur faji nuk brenë ndërgjegjën për ndonji vepër të kryeme. 36. Në ma të mirën moshë. 37. ku shuen…: Poeti shkon tue theksue vazhdimisht ndër poezi, kryesisht lirikat atdhetare, padrejtësitë qi mbretnojnë e sundojnë botën. 39. Ku i zhyemi …: Ku njeriu i zhytun e i mbytun ndër vese, nënshkruen gjyqin kundër vesit me dorën e vet të dhunueme prej mbrapështishë. Poeti ankohet se e drejta asht zhdukë në botë dhe se, ata qi kanë marrë mbi vete mbrojtjen e së drejtës, kanë duert e veta të ngjyme me të keqen. – shinon: qëllon. –Theta: E tetëta germë e alfabetit të gjuhës greke, dhe germa e fillimit të fjalës dekë (vdekje). Për këte përdoret për dekë, ose gjyq deke. – e selia m’ rrashta…: Shih tek kanga XIX. vargu. 36-43.
-81-
Ehu! Po, se Shpirti i yt, kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kur bora dehet, s’ mujt me e bajtë qelbsinen
- E randë t’ ktij sheklli t’ zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin
N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’ qerpikut:
Amshon n’ lumni shka Atij t’ i ket pergja.
S’ kjé toka, jo, per ty kjé qiella!
- E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,
Ti, kushedi, n’ per vrrije t’ amëshueme
Shkon tue kerkue per lila e drandofille,
Qi s’ dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,
Per me u lulzue mandej nder t’ zjarrtat valle,
- Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’ Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,
Kndon Zotit lavde n’ per ylbera t’ qiellit;
A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit,
Porsi m’ pasqyrë t’ kulluet skjyrton shestimin
- E rruzullimit, vu prej s’ epres Mende,
E cilla n’ t’ kenun sendet thirri t’ tana
Prej hijevet t’ kthellueshme t’ asgjasendit,
kur bani Ajo furin me heshtë t’ thellimit,
E me ‘i fuqi t’ pamatne prapi terrin
- E pakthellimit, qi atje n’ t’ skajshmet megje
T’ ktij sheklli ndihet mnershem tue gjimue,
Kah per ledhe plandoset t’ rruzullimit.
E aty, n’ atë dritë plot ambelcim dashtnijet,
Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’ Dritvet
- Gjithkah dikohet neper verë t’ Parrizit,
Shpirtent e lum krejt m’ rreze tu ‘i pershi,
T’ kthiellta ti i prirë t’ vertetat, t’ cillat Hyji
Desht t’ muzta nierit me ia lanun t’ shkrueme
Nder fletë t’ hyjnueshme t’ t’ amëshuem Ungjillit.
- Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,
E tjeter s’ ndihet, veç se rryma e prronit,
________________________________________________________________
- dehet: kur shkrihet bora. – 47. Dridhet rruzullimi me thëmel. 48. Amshon n’lumni..: Varg i bukur gëdhenës, qi paraqet hovin e pavdeksisë së shpirtit. 50. tue ravizë: tue vizatue, tue shkrue. 51. vrrije: vise të kandëshme e të buta. Fishta e përdorë shpesh për banimet qiellore. 54. nder t’ zjarrtat..: ndër valle të shkelqyeshme. 58. Poeti ka parasyshë lumninë e madhe qi teologët e thrrasin visio beatitica, ku shpirtënt e lumë shohin Hyjin kjartë fëtyrë për fëtyrë. Me kenëse Zoti asht i pamatun e i pakufi, ai nuk mund të përfshihet me kuptim. Mendja e naltueme e njeriut prej lumnisë hyjnore, ka objekt të parë Zotin, kenjen dhe atributin e tij, ndërsa objekt i dytë janë sendët rrethanore…qi i përkasin gjendjes së tij. Kështu do të kjyrtojë (kundrojë) edhe rregullimin e ligjve harmonike të rruzullimit. – Prej hijeve…: Poeti kërkon me paraqitë kenjen e sendeve prej asgjaje. 64. Prapi terrin..: zhduku, largoi terrin e humnerave. – nder t’ skajshmet…: ndër caqe, ndër kufinjë të fundit. 67. Kah per ledhe…: tue u përplasë, tue u shkapetë për mure. 68. Mendja prej vetes nuk asht e aftë, po forcohet prej Dritës Hyjnore me kuptue: “Në Dritë t’ande do të shohim Dritën”. 74. të muzta: të errta, të pakjarta, nëpër té. 75. ..shuen natyra: në heshtje të mbramjes, në heshtje të vorreve.
-82-
Qi permallshem gurgullon n’ per rrâjë e curra,
Un, lodhë mbi letra t’ t’ dijshemvet t’ kahmotit,
Mbas t’ cillvet fjalen rrij tue lmue shqyptare,
- Dal në dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit
Flakojn mbi dhé – kushdi, per me felgrue
Nierin, qi egrue ma fort prej mneres s’ territ,
- Perbluen punë t’ mbrapshta: – e atë botë mendoj per ty.
E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue
Nji hyll, aty selin un tham me vedi,
Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da
I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen
- Un t’ thrras atë botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,
Qi permallshem nder gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket
Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri,
- Jo kurr; e sidomos nja’, i cilli ‘i zemer
E len mbrapa m’ e ankue. Prej vorrit t’ errshem,
Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambel edhe na nzitë kah punët e mbara,
E n’ mende t’ onë gjallon. – Kur Aleksandri
- Prej Bregut t’ Matës ngallnjyes u kap kè vorri,
Ku shuen idhnimi i Prisit t’ Mirmidonvet,
Qi atje nen Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.
Mbi njat vorr, po, u betue me ngulë flamurin
- N’ skaj t’ dheut, e prej selis me i zdrypun mbretent;
E atëherë perpara tij tanë bota shuejti.
Mue edhè, qi sheklli e nji dishir Lirijet
T’ thepisne raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po, edhe zemra mbi vorr t’ and t’ pervujtun
- M’ ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.
________________________________________________________________
- nder letra…: Fishta pat nderim të veçantë dhe pat njohtë shkrimtarët: Homeri, Sofokliu, Shakespeare, Dante, Molier, Goethe, Bossuet. – lodhë mbi letra: Për nji moment na duket sikur shohim Poetin me krye mbi libra. 79. Fishta në krejt krijimtarinë e tij, punoi për nji art kombtar dhe dijti me e përdorë me mjeshtrinë e nji artisti vërtetë sovran. 80. me kundrue…: me vrejtë kupën e qiellit. 84. qi egrue: i cilli i egërsuem edhe ma fort. 85. Perbluen: shkon tue sjellë nëpër mend. 92. zojt: zogjtë. 93. Jehonë..: i përgjigjë thirrjes s’eme. Fantazija ia paraqet sikur asht tue folë me Té. 94-99. Nuk dekka..: Vargje qi sot kombi ynë mund t’i bajë të vetat, kur Poeti flet për shkelqimin e Shqypnisë. 100. Prej Bregut t’Matës: prej brigjeve t’ Ematjes, emni i vjetër i nji krahine në qender të Maqedonisë, pranë Vardarit (Axtus). Leka i Madh mbante Iliaden kudo qi shkonte, nga simpatia për Ekilin. Para vorrit të tij tha këto fjalë: “Fatlum, o Akil, qi për së gjalli pate nji dashamirë besnik, e për së vdekuni nji Homer për me t’ Amshue!”. 102. Atje nen Shé…: Nën derë Shé, asht quejtë edhe dera Dardane, nji ndër gjashtë dyert e Trojës. Tek kjo derë u fut kali i drunit, ku u zhvillue biseda mes Andromakës e Hektorit. Prijami e Ekuba patën shumë fëmijë, ma në za kje Hektori. Leka vendosi me pushtue gjithë botën, por ia mërrijti deka përpara e nuk e la me realizue qellimin e tij.
-83-
Permbi vorr t’ and, po, xâ të fortë me e mbajtun
Besen e dhanun – e miqasin e zanme;
Per Fé e per Atme n’ ball me i dalë rrezikut:
Të ligshtit doren me ia njitë e t’ fortin
- Mos me e gledhue; kur t’ jet me u thanë e drejta.
Mos me i shmangë syt prej cakut, n’ t’ cillin mendja
Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue
Ndersa t’ vishtira, qi t’ na sjellin motet.
Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun
- Hovin kah punët e mdhana. Ai Kryq dullijet,
Mneren e vorrit qi t’a zbutë, Ai qanderr
Ka me m’ kenë nder salvimet, Engjlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqit t’i pruen mizore,
Gjumin e dekës në vorr mos me t’ turbullue,
- Dér qi të shkimen n’ qiellë e hana e dielli
E t’ ngele moti e sheklli mbarë t’ rropposet,
E t’ vije dita e gjyqit t’ rruzullimit,
Ai ka per t’ m’ kenun Zana. E atëherë pa u tutun
Zgjetat e prehta e t’ zjarrta kam me i prehun,
________________________________________________________________
Nga vargjet 107, vrejmë tek Poeti pershkrimin e luftës në të cillën u përshkue ai vetë dhe mbeti Poet Kombtar. Ai nuk kjé poet tryezash, me shkrue poezi të studjueme, por kjé nji njeri-poet i frymzuem prej nji ideje të madhe, cillësi e të gjithë njerzve të mëdhaj, prej nji ideje vullkan, qi shpërthente çdo ditë. Ideja e Tij shpërthei revolucionare. Ai dërmoi, sulmoi, për të ndertuem e mkambun. Në kohën ma kritike të jetës së Kombit, zbriti në fushën e luftës me sa flamurtarë tjerë të Rilindjës. I rrebtë, i turrshem, sarkastik përdori pendën-shpatë e u ba korifeu i Idesë kombtare. Ai kishte trashigue vetitë ma karakteristike të rracës së vet, e prandej donte t’ua frymzonte e dikonte breznive të reja, ti madhnonte e ti mpronte përballë sulmeve të jashtme e të mbrendshme. Luftë e rrebtë kjo e Lirisë, qi e bani të përshkohet nëpër nji ravë të thepisun. Ato qi dishmojnë janë shkrimet e Tija të ndryshme, ato janë dishmi e misionit të këtij Poeti. Nji pasqyrë e vogël e Idealit të Tij të pathyeshem mund të shihet e vizatueme në karmin e veçantë Emancipacjoni i Kombit Shqyptar.109. Poeti asht para nji vorri gati i panjohtun, si të gjitha vorret e tokës s’onë, Tokë sa herë me gjak e përligjun. Nuk asht vorri i madhnueshem i Akilit, qi do t’i kallte zemrën Lekës, për vepra të mëdha, po asht vorri i njeriut të rracës, qi do t’a nxitte kah punët e mbara e kah burrnija. Në fjalën burrni Poeti sheh dhe njeh nji virtyt karakteristik qi cillson Fisin, e në mënyrë të posaçme, të mbajtunin dhe nderimin për Besën e dhanun – e miqësinë e zanun. Në këto dy fjalë të vetme na shohim të sintetizueme atë varg mësimesh, qi Marash Uci, tip i burrnisë së rracës, u ep bijvet të Calit. Këtu Poeti, padyshim, ka pasë parasyshë nji tip si atë. (ndoshta, nuk asht i pavend gjykimi i ndokuj, i cilli mendon, se At Fishta në këte karm asht frymzue në Gji’Leken, me të cillin patne të shkuem e kjén miq të përzemert. Kur Poeti ishte famullitar në Gomsiqe, ai kjé vra. Per këte vrasje bani nji poezi. 113. Binomi i Shenjtë i programit të Poetit, qi nuk dijti me u përkulë kurr. Dashunija për Atdhé, shejtnue me lot prej vetë Krishtit, e mbertheu me armë kundër çdo anmiku, të çdo kombsije e të çdo besimi. Kjé ajo qi e frymzoi me hartue Lahuten, për me trajtue nji ndërgjegje kombtare të përbashkët, pa dallime besimi. Dashunija për Fé e bani mbrojtës të rrebtë të ligjve t’Ungjillit e të kulturës Përendimore. 114-118. Ndihet nji ndikim i përafert i Manzonit. – me gledhue: mos me perkëdhelë, miklue. 120. Permendet Kryqi..: Si shenj paqe, qi zbutë frikën e vorrit, por njiheri edhe qender ngushllimi e fuqije. 129. Zgjetat e prehta…Ven ré fuqinë e theksimin e shprehjes. 130. Qyshë në vitin 1907, Ai kishte botue përmbledhjen e parë “Anzat e Parnasit”, tue lavrue këte gjini, mërrijti me i sigurue vetes, mbas gjykimit të kritikve të ndryshem, nji vend të lartë edhe në histori të letërsisë botnore, tue u matë, e, ndoshta, tue ua kalue lavruesve ma të mëdhaj. Satira e Tij kjé: Morale, qytetare, politike e humoristike. Me Anzat e Parnasit lufton apatinë për gjuhë e kombsi, versulet kundër Shqyptarit të ri të shburrnuem, e kundra diplomacisë së ndytë evropiane. Me Gomarin e Babatasit (1923), lëshohet kundër shtetit parasit e pseudokulturës.
-84-
- Qi kundra vesit do t’ ia lshoj njerzimit:
Atëherë un kangët kam me i ndertue kreshnike,
Me t’ cillat botës un do t’ ia la të shkrueme
Se shka viejn armët besnike n’ dorë t’ Shqyptarit.
E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshem
- M’ vorr t’ and kam per t’ ndertue, të cillin moti
Me fletë të ngrita kot ka per t’ a rrahun;
Pse, si curr, qi n’ mjes t’ detit rreh tallazi,
Edh’ ai njashtu do t’ jesë nder gjire t’ motit
Qi bumbullojn mbi faqe t’ rruzullimit.
- E atëherë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zanat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’ vallue, e kanë me rritun
Me shum kujdes per qark selvija t’ blerta;
E shtektarin mundqar, qi n’ ato hije
- Ka me xan vend, me ndalë pak gja t’ dihamet.
Kanë me kallzue se sa pjesë qiellet vrâni
Deka n’ atë vorr. E atë botë i largë shtektari
Të lehtë dhén ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta
Shinat e boren: e, kur m’ male t’ veta
- T’ dredhojë ké stani, fmis ka me i kallxue
Shka ndjeu per ty. E fmija e atij aso bote
Emnin t’and kanë per t’ kndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambel prej emnit t’ and kanë me jehue.
- Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’ njohtne veç e prej barivet:
Kanë me u rritë lisat, perse spata as rêja
S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emen:
E tu’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
- E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetve
Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni
Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.
________________________________________________________________
- Paraqitja e vargjëve të madhnueshme e të pavdekshme të Lahutës. Ai kishte ndertue e do të vazhdonte me ndertue përmendorën e madhnueshme…të cillin moti me fletë të ngrita kot ka për t’a rrahun.
Shënime nga Fritz Radovani (F.R.): Ma shumë se katerdhetëvjet kishin kalue kur më ra në dorë edhe njëherë ky libër për me e lexue. Tash, edhe e kopjova. Kujtojshe nga Prof. Gasper Ugashi një mendim: “Lahuta e Malësisë asht vlerësue edhe nga të huejt për vlerën e madhe që ka si poemë epike, por koha do të vlerësojë Mrizin e Zanavat si kryeveper të Lirikave në letersi shqipe e, njëkohësisht poezinë – Nji lule vjeshte – si kryevepër të krejtë krijimtarisë së Fishtës. Ajo poezi zenë vend në letersi botnore edhe për një arësye tjetër, pse mbrenda saj ka shpërthye shpirti i Fishtës në drejtim të një “ylli”, që asht i padijtun por i kuptueshëm…”.
Melbourne, Gusht, 2006.
Komentet