XVIII. NJI MISIONARI FRANÇESKAN.
Nji misionar i huej, At Anastas Vincenzoni, mbushte katerdhetë vjet, qi kishte ardhë në Shqypni. Fishta me mirënjohje e përkujton, tue vue në dukje veprën e tij e tue i urue jetë të gjatë e t’ lume e gëzim të plotë, ku shndritë i amshueshem Dielli. U botue në 1909.
- Prej hijesh s’ Apeninit,
I thirrun prej Parrizit,
Nen petka t’ Serafinit
T’ vobekut Shejt t’ Asizit,
Po del nji djalë i ri
Plot Fé e plot dashtni.
- I fortë me dije e kndime,
Adrjen ai çan kumbuese
E n’ per t’ egrat thellime
T’ njaj valës s’ pafund, shkumuese,
Kapet si Ejll té bregu,
Ku eshtë n’ vorr Skanderbegu.
- E qé, se i shtrohet para
Nji tokë e grisët, mizore,
Ku eshten punët e mbara,
Ku i drejti dnesë perore,
E ndien si nana kjan,
Kur vllau të vrase vllan.
- Pershkue me ‘i mnerë t’ shejtnueshme,
Rrokë n’ dorë Krygjen e Lume,
E me njatë shpresë t’ ngushllueshme,
Qi vjen prej jetës s’ Amshueme,
Lajmtar i Fjales s’ Zotit
Bjen pronëve t’ Kastriotit.
- N’ dorë me njatë shej shelbimit
Bjen maleve t’ Shqypnis,
Tue nxjerrun njerzt verbimit,
N’ Fjalë t’ ambel t’ Perendis.
Kah t’shklasë ai, dridhet ferri,
E hupë padieja e terri.
- S’a ‘i lum, jo, njaq i rrmbyeshem,
S’a ‘i shtek i grisët nder male,
S’a ‘i vend kund njaq i thyeshem,
Qi hovin mund t’ ia ndale:
S’e ndalë thellimi e rrfeja
Kahdo t’ a lype Féja.
________________________________________________________________
- hijesh s’Apeninit: Prej Ternit n’Umbrija, tue përshkue Apeninin. – nen petka..: i veshun me petk të Shen Françeskut prej Asizit (1182-1226), thëmelues i Françeskanve. Thirret Serafin për dashtni t’madhe ndaj Hyjit e njerzimit. I vobektë gjithë jetën e Tij.
- At A.Vincenzoni, kjé njeri i zoti dhe i dijshem: kjé pjestar i nji akademije në Romë dhe e meritoi titullin Lector generalis prej Urdhnit. – t’egrat thellime: stuhi të furishme.
- shelbimit: shpetimit.
- i rrembyeshem: me rrjedhë të turrshme, të fuqishme e të shpejtë.
-54-
- Si gjit’ e drandofilles,
N’ ndo‘i nade kah prendvera
Qi njomi voesa e qilles,
I lmon e flladshme era,
Njashtu biejn fjalët e tija
M’ zemra, qi ngrofë Shqypnija.
- Tash ballet ulë krenare,
E mnit pajton e gjaqet;
Tash mendes tahmaqare
S’ arrsyeshme ia ven caqet;
Mson t’ vorfnit me i njitë doren
E dlirtë me ruejtë kunoren.
- Kur, lodhë prej zyres s’ lume,
Pushon ndo ‘i ditë motmotit
N’ vetmi t’ ndo ‘i qelës s’ shkretnueme,
Ai lavde këndon Zotit,
Me ‘i za si Engjell qillit
N’ valle t’amshueshme t’ Prillit.
- E atij me valle t’veta,
Kur çilin dheut zymbylat,
N’ per lisa t’ njomë e mreta
I bahen jeh bylbylat,
Tu’ i kndue permallshem t’ Lumit,
Qi t’ jetës u fali t’ gzu’mit.
- Ati edhe na me zemer,
Sod qi a’ e dyzeta verë,
Qi s’ parit vuni themer
N’ ketë Shqyptarí të mjerë
Po i kndojm na, tu’ i fatue
Shka t’ mirët mujn me dishrue.
- Njai, qi asht mbi Kerubina,
Qi hyjt muell qielles si zalli,
Qi ballin me vetima
Diellit dikur ia kalli,
E t’ shekllit mban terthoren,
Mbi krye ia mbajët Ai doren.
- E kur, prej pune i lmekun,
qatje n’ ma t’ largtat mote
T’ jetës s’ vet t’ a kryeje shtekun
E t’ dahet prej ksajë bote,
Ai shkoftë me gzuemun filli
Ku ndritë i Amshueshem Dilli.
________________________________________________________________
- E mnitë pajton e gjaqet: Shuen idhnimin e dasitë, e mërrinë deri me nxjerrë të falunit e gjaqeve. – tahmaqarë: dëshira me grumbullue pasuni.
- qeles..: shtëpia ku banon prifti, e vetmueme.
- dheut: hjektore e vendit –zymbylat: lule me erë të kandshme. –mreta: mare (corbezzolo).
- tatue: urue. 13. imekun: i lodhun. – qatje…: sa ma vonë qi t’jenë e mujtun.
Komentet