“Gëzim për të gjithë vendin”. Pasi ngelën vetëm për 40 ditë në xhunglën e dendur të Amazonës në Kolumbi, katër fëmijët, 13, 9, 4 dhe 1 vjeç, të cilët i mbijetuan rrëzimit të avionit të vogël me të cilin po udhëtonin, janë gjetur gjallë. “Katër fëmijët që u zhdukën 40 ditë më parë në xhunglën kolumbiane janë gjetur të gjallë”, konfirmoi presidenti Gustavo Petro përmes Twitter, duke e shoqëruar postimin me një foto të ushtarëve dhe vendasve nga vendi ku u gjetën vëllezërit e motrat.
“Po, ata i gjetën fëmijët, më duhet një fluturim, një helikopter që të shkoj dhe t’i gjej urgjentisht”, tha për AFP gjyshi i fëmijëve, Fidencio Valencia.
Fëmijët në fakt nuk ishin larguar nga vendi i përplasjes, shpjegoi z. Valencia. “Ata u gjetën nga një vendas Araraquara që i kërkonte që në fillim, Henry Guerrero”, shtoi gjyshi. Katër fëmijët po endeshin në bimësinë e dendur që nga 1 maji, ditën kur Cessna 206 ku po udhëtonin, së bashku me nënën e tyre, pilotin dhe një të afërm, u rrëzua. Tre pasagjerët e rritur të avionit u gjetën të vdekur nga ushtria në vendin e rrëzimit. “Kanë qenë bashkë, janë të dobët, le t’i kontrollojnë mjekët. I gjetën, kjo më gëzon shumë”, u tha presidenti Petros gazetarëve, duke nënvizuar se ia dolën ta gjenin vetë në xhungël.
Ushtria kolumbiane publikoi më shumë foto në Twitter nga ku u gjetën vëllezërit, të ulur në thasë, të rrethuar nga ushtarë dhe vendas që u ofronin ushqim dhe pije. Dy më të mëdhenjtë kishin veshur xhinse të grisura dhe bluza me mëngë të gjata, me këmbët të mbështjella me rripa pëlhure. Më shumë se njëqind ushtarë, me ndihmën e qenve të trajnuar posaçërisht dhe dhjetëra indigjenë po kërkonin fëmijët në xhungël në kufirin e prefekturave Guaviare dhe Kaketa, pasi avioni u pikas me hundën e tij në tokë në një zonë të dendur me bimësi.bw