Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka dënuar, siç tha, ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe kërkoi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e tyre.
Përmes një njoftimi për media, MPJD mbrëmjen e 5 janarit bëri të ditur se autoritetet në Serbi kanë arrestuar dy qytetarë të Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka.
Kjo ministri tha se Xhavit Daka tashmë është liruar.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u tha në njoftim, pa dhënë detaje se për çfarë arsye është arrestuar Daka.
Autoritetet në Kosovë thanë se për rastin kanë njoftuar zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi si dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe.
MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të paraqesë kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe që udhëheqësi i kësaj zyreje, Jetish Jashari, të mund të vizitojë Hasan Dakën dhe të njoftohet për trajtimin që po i bëhet nga organet serbe.
“Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”, u tha në njoftim.
Edhe në të kaluarën, qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe. Një nga ta, Nezir Mehmetaj ishte arrestuar në janar të vitit 2020 në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimet se ka kryer krime lufte më 1999 në Rudicë të Klinës. Që nga arrestimi, ai gjendet në paraburgim në Beograd.REL