Mozambiku, shtet të cilin presidenti turk Erdoğan do ta vizitojë për herë të parë, edhe krahas resurseve të pasura të gazit natyror që i posedon, gjendet në mesin e shteteve më të varfra në botë
ANKARA – Mozambiku, shtet të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan është duke e vizituar për herë të parë, edhe krahas resurseve të pasura të gazit natyror që i posedon, gjendet në mesin e shteteve më të varfra në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mozambiku është ndalesa e dytë e presidentit Erdoğan në kuadër të vizitës së tij katërditore në Afrikë.
Mozambiku ndodhet në lindje të kontinentit të Afrikës. Në veri të tij ndodhen Tanzania, Malavi, Zambia, në perëndim Zimbabve, kurse në jugperëndim Republika e Afrikës Qendrore.

Vendi ka sipërfaqe në madhësi të ngjashme me atë të Turqisë, ndërsa kryeqyteti i tij është Maputo. Me popullsi prej 25 milionë banorësh, 99 përqind të popullsisë së Mozambikut e përbëjnë grupe fisnore lokale afrikane. Afërsisht gjysmën e popullsisë së vendit e përbën popullata lokale Makua, ndërkohë që grupet etnike Tsonga, Shanga dhe Sena konsiderohen në mesin e grupeve të tjera që spikasin në rajon.
E trashëguar nga periudha e kolonializmit, gjuha portugeze është gjuha zyrtare e vendit. Ndërkaq, një e katërta e popullsisë flet një gjuhë të dytë. Në jetën e përditshme në Mozambik përdoren 40 gjuhë dhe dialekte të ndryshme.
Për nga aspekti i religjionit, të krishterët përbëjnë shumicën e popullsisë, kurse muslimanët përbëjnë afro 17 përqind të popullsisë. Krahas numrit të madh të personave që nuk i përkasin asnjë religjioni, në Mozambik jetojnë edhe animistë, të cilët kanë përvetësuar besimin se “çdo brez drejtohet nga një shpirt”.
Vendi për një kohë të gjatë ishte koloni portugeze
Portugezët, të cilët sulmet e para në Mozambik i kishin organizuar në vitin 1498, e shndërruan vendin në shtet të kolonizuar në vitin 1752.
Çdo vit, portugezët nxjerrnin nga vendi tonelata të fildishit, ndërkohë që filluan edhe tregtimin e skllevërve për t’i përmbushur nevojat e fuqisë punëtore në koloninë e tyre në Amerikën Jugore, Brazil.
Mozambiku në vitin 1964 filloi përpjekjen për fitimin e pavarësisë nga Portugalia me tubimin e organizatave antikolonialiste. Vendi arriti të fitojë lirinë vetëm pas një lufte të vështirë e cila përfundoi në vitin 1975.
Kishte kaluar kohë e shkurtër pas pavarësisë kur në vend u shfaqën luftime të përgjakshme midis Frontit Çlirimtar të Mozambikut dhe Rezistencës Kombëtare të Mozambikut. Si rezultat i luftës civile e cila zgjati afërsisht 15 vite, jetën humbën mbi një milion persona, kurse 1.7 milion të tjerë u detyruan të strehohen në vendet fqinje.
Kryetari i shtetit është edhe kryetar i qeverisë
Negociatat të cilat filluan në vitin 1990 me qëllim të përfundimit të luftës civile rezultuan me marrëveshje e cila u arrit pas dy viteve. Me kushtetutën e re, vendi kaloi nga sistemi një partiak në sistem politik demokratik shumëpartiak.
Nga aspekti administrativ, Mozambiku është i ndarë në dhjetë provinca, kurse vendi udhëhiqet me sistem presidencial. Edhe pse brenda politikës së vendit ekziston kryeministri, kryetari i shtetit, i cili posedon gamë të gjerë të kompetencave, në të njëjtën kohë është edhe kryetar i qeverisë. Në këtë sistem i cili emërtohet si gjysmëpresidencial, kryetari i shtetit mund të ushtrojë detyrën më së shumti dy mandate.
Aktualisht, vendi drejtohet nga presidenti Felipe Nyusi, fituesi i zgjedhjeve në vitin 2014. Nyusi, i cili erdhi në pushtet pasi fitoi gati 50 përqind të votave, filloi detyrën pasi dha betimin në janar të vitit 2015. Ndërkaq, edhe kryeministri Carlos Agostinho do Rosario ushtron detyrën që nga janari i vitit 2015.
Vendi ka resurse të pasura nëntokësore
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), Mozambiku, një nga vendet më pak të zhvilluara në botë, përmes reformave ekonomike të kohëve të fundit është shndërruar në shtet me zhvillim stabil, megjithatë, kriza e borxhit të jashtëm vitin e kaluar sërish ka futur vendin në një periudhë të vështirë për nga aspekti ekonomik.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Bankës Botërore, me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) prej 15 miliardë dollarësh, Mozambiku është në mesin e shteteve në zhvillim.
Mozambiku, i cili nevojat themelore veçanërisht në fushën e industrisë i plotëson përmes importit, vitin e kaluar ka realizuar importe në vlerë prej afërisht 5.1 miliardë dollarësh. Ndërkaq, eksporti i përgjithshëm i vendit vitin e kaluar ka arritur në 3.1 miliardë dollarë.
Norma e inflacionit të Mozambikut është 17 përqind. Ndërsa 80 përqind e fuqisë punëtore të vendit është e punësar në sektorin e bujqësisë, gjashtë përqind në fushën e industrisë dhe rreth 13 përqind në sektorin e shërbimeve.
Në Mozambik, vend ky i pasur me toka të gjera dhe pjellore, shfrytëzohet vetëm 16 përqind e tokës së lërueshme. Duhani, panxharsheqeri, çaji dhe pemët tropikale bëjnë pjesë në mesin e produkteve kryesore bujqësore.
Po ashtu, peshkataria dhe produktet detare përbëjnë një nga burimet e të ardhurave të vendit, mirëpo katastrofat si vërshimet dhe thatësira që kanë goditur vendin viteve të fundit kanë shkaktuar rënie të theksuar të prodhimeve bujqësore dhe kjo ka bërë që 1.5 milion njerëz të përballen me vështirësi ushqimore.
Sipas të dhënave të Administratës Amerikane të Informacionit të Energjetikës (EIA), vendi është tejet i pasur nga aspekti i resurseve natyrore. 100 trilionë metra kubë gaz natyror të zbuluar në një hapësirë larg bregut të pellgut Rovuma në rajonin Cabo Delgado në veri, kanë sjellë Mozambikun në pozitën e vendit të tretë më të pasur në Afrikë me rezerva të gazit natyror, pas Nigerisë dhe Algjerisë.
Aktualisht, vendi ka vështirësi t’i përpunojë këto rezerva dhe t’i shesë jashtë. Në vitin 2014, pjesën më të madhe të gazit natyror në sasi prej 198 miliardë metra kubë, aq sa arriti të prodhojë, Mozambiku ia shiti Afrikës së Jugut.
Gjithashtu, sasia e qymyrit të zbuluar në rajonin Tete në pjesën qendrore të Mozambikut arrin afër 28 miliardë tonelata. Mozambiku, i cili në afat të mesëm synon të nxjerrë 20 milionë tonelata në vit, planifikon të futet në mesin e prodhuesve kryesorë të qymyrit duke e rritur brenda disa viteve kapacitetin eksportues në 100 milionë tonelata.
Përveç kësaj, vendi ka edhe potencial të konsiderueshëm hidroelektrik me lumenjtë që posedon, ndërkohë që posedon mundësi të mëdha edhe në fushën e turizmit. Me bukuritë natyrore dhe rripin bregdetar në gjatësi prej 2.500 kilometrash, turizmi në Mozambik bën pjesë në mesin e fushave prioritare të qeverisë për investime.
Komentet