Pesëvjetori i Shenjtërimit të Nënë Terezës na kujton menjëherë simotrat e Saj, që sapo u larguan nga Kabuli. E edhe mikpritjen në njërën nga bashkësitë e Romës, shërbimin që i bëjnë fëmijëve me kufizime, ardhur së bashku me to në Itali, e edhe dëshminë e njërës nga motrat e mësuara të dëgjojnë gjithnjë zërin e Shpirtit Shenjt.
R. SH. – Vatikan
“Të dëgjojnë nevojtarët, t’i luten me gjithë shpirt, Shpirtit Shenjt, pastaj të vendosin, duke iu bindur vullnetit të Zotit”. Kjo është trashëgimia, që u la simotrave Nënë Tereza, e shenjtëruar më 4 shtator 2016, pas një jete të shkrirë në shërbim të të varfërve më të varfër. Ajo, që ka shtëpi të hapura në të gjitha kontinentet. E që shërbeu me stil kundrues në rrugët e pafundme të botës. Një Grua që, siç thoshte pesë vjet më parë Eprorja e përgjithshme, motra Prema, nuk bëri kurrë asnjë hap mbrapa, kur ishte fjala për të mbrojtur dinjitetin e njeriut. Pesëvjetori i njohjes së shenjtërisë së Motrës shqiptare gërshetohet sivjet me ngjarjet tragjike të Misionareve të Bamirësisë, që u detyruan ta lënë – pas pesë vjetësh shërbimi- Afganistanin. Nganjëherë Shpirti Shenjt të këshillon të rrish, herë tjetër, të lëvizësh. Ata i këshilloi të vihen për udhë, të lëvizin nga Kabuli. E jo vetëm, por me gjithë 14 fëmijët me kufizime, që i morën me vete në Itali, ku jetojnë tani, nën strehën e bashkëssië, në rrethinat e Romës.
Në shërbim të refugjatëve të Kabulit
“Është Jezusi, ai që vuan e që dëshiron të duhet, që kërkon dashuri e që dhuron dashuri”: me delikatesën, karakteristike për sjelljen e tyre, motrat tregojnë ngjarjet e fundit, që i detyruan të viheshin për udhë me gjithë fëmijët e gjymtë. “Fëmijtë e tyre!”. Udhë që kërkonte forca të reja. Po forca vjen nga Zoti. E edhe nga vetë fëmijët. Që, kujtojnë, po na dhurojnë dashuri e edhe aftësi për të dashur. I duam – pohon njëra nga të sapoardhurat prej Afganistanit në flakë – Por edhe na duan. Me një forcë çarmatosëse, që të shndërron!” Kështu shprehet motra e bamirësisë, që nuk dëshiron të tregojë as si quhet, sepse ndjehet fare e vogël, gati si fëmijët, të cilëve u shërben, duke ecur mbi gjurmët e Nënë Terezës!
Kështu kujtohet Nënë Tereza: si Nënë e të vegjëlve dhe e dashurisë
“Janë qenie të afta për të dashur shumë e të çudisin edhe me një buzgaz të thjeshtë, edhe kur nuk i njeh mirë – ndërhyn njëra nga motrat, që i strehuan fëmijët e ardhur nga Afganistani. Janë gjeste të përditshme që i shkëmbejmë me fëmijët çdo çast. Kur i lajmë e i ndërrojmë marrim gjithnjë, si shpërblim, një buzagaz. E kur fëmija është i verbër, dëgjojmë një zë të ëmbël, që na thërret: “Motër, motër!”. Shkëmbim i përhershëm dashurie, pa gjeste të ndërlikuara, pa fjalë të mëdha, pa etiketa. Po mësojmë shumë edhe nga simotrat, që arritën në Romë një javë më parë, t’i kuptojmë më mirë këto qenie të brishta njerëzore. T’i kuptojmë kur zemërohen, kur kanë uri, kur janë të kënaqur e kur, të pakënaqur.
Te këmbët e kalvareve, duke dashur
Misionaret e ardhura nga Kabuli, pavarësisht nga provat që u detyruan të kalojnë, nuk ka gjë që i ndalon. Vijojnë të ecin në rrugët e kalvareve të botës. Me besim të patundur në Zotin e në Zojën e Bekuar: Krishti e Zoja janë shkëmbijtë ku u kapën ditët e fundit në Afganistan. Besimi në Zotin, prania e Zojës, premtimi për shëlbimin. Kështu e jetuan kryqin, së bashku me fëmijët, duke vuajtur së bashku me ta, sepse kjo është karizma e tyre. E përfitimi? “Fryti i vuajtjes është dashuria” – pohojnë – Vuajtja ka gjithnjë dy pasoja: varet si përqafon e kë! Jezusi vuajti shumë për të na mësuar ç’duhet të bëjmë me vuajtjen. Të rrish me njeriun, që vuan, do të thotë të ndash me të vuajtjen. Mjafton dashuria! Kur rri pranë njeriut, që vuan e mundohesh vetëm ta duash, mjafton dashuria!”.
Këto janë thesaret, që ua la trashëgim Motrave të Bamirësisë Nëna, pa praninë shpirtërore të së cilës nuk do të kishin guxuar të merrnin shtegtimin e gjatë e të vështirë në mes të flakëve të luftës, nga Kabuli, në Romë, në shtëpinë e asaj, që ka strehë edhe në viset më të humbura të botës e që, edhe mbi altar, vijon të quhet Nënë. Shën Nënë Tereza! (Radio Vatikani)
Komentet