Ishte filozofi francez François-Marie Arouet, i njohur si Volter, ai që krijoi për herë të parë konceptin për filozofinë e historisë. Pikërisht Volteri, një nga autorët më me influencë në kohën e Iluminizmit Francez, shprehte konsideratat më të larta për Gjergj Kastriotin, duke e cilësuar Shqipërinë e kohës së Kastriotit si “një shtet që pasqyron kohën që ne e quajmë heroike.”
Barleti, i cili i shkroi historinë, është kritikuar me të drejtë për një numër pasaktësish në të dhënat e tij. Historiani i shekullit 15-të, njësoj si Tuqididi, nuk ka pasur mundësitë dhe teknikën bashkëkohore të verifikimit të të dhënave. Por, libri i Barletit është i pakapërcyeshëm për nga këndvështrimi i retorikës: përshkrimi i betejave dhe fjalimet, përmbajtja e letrave dhe përshkrimi i proceseve negociuese, vlerat dhe mesazhet politike përcjellin te lexuesi frymën e vërtetë të kohës. Roli i tij në krijimin e shtetit shqiptar në shekullin XV, në mbrojtjen e identitetit shqiptar, në orientimin properëndimor të shqiptarëve, në krijimin e bazave të veprimit në politikën e jashtme, në komunikimin intensiv diplomatik është i jashtëzakonshëm për kohën.
Ndryshe nga Evropa e sotme, Evropa e atij shekulli, përbëhej nga qindra shtete, mbretëri dhe principata. Në një ambient të tillë multishtetëror, i përballur ushtarakisht me superfuqinë e kohës, Perandorinë Osmane, Skënderbeu arriti të luante me mjeshtëri në skenën diplomatike evropiane. Nga një princ i një populli të vogël në numër, ai arriti të siguronte një imazh të tillë njohjeje dhe respekti, që nuk e kishin shumë nga udhëheqësit e popujve të mëdhenj.
Duke pasur parasysh rrethanat e shekullit, nga mënyra se si ai ka operuar, dilet në përfundimin se mekanizmi i tij i politikës së jashtme ishte mjaft i avancuar. Dërgimi dhe pranimi i misionarëve diplomatikë ishte pjesë e përditshmërisë së asaj që mund ta kualifikojmë si diplomaci të Skënderbeut. Edhe vizitat e tij jashtë vendit, sekrete dhe të hapura, janë pjesë e veprimtarisë diplomatike në mbrojtjen e interesave të vendit. Periudha e Skënderbeut karakterizohet me marrjen formë të diplomacisë si veprimtari dhe si profesion. Një ndër strukturat më aktive të administratës Kastriotiane ishte dhe kancelaria, e cila hartonte letra, kredenciale, dokumente dhe akt-marrëveshje në gjuhët latinisht, italisht, osmanisht, greqishte e vjeter dhe serbisht. Letrat, kredencialet dhe mesazhet dërguar miqëve, Papëve, kardinalëve, mbretërve, princave, fisnikëve evropianë dhe Sulltanëve të Perandorisë Osmane, si dhe ambasdorëve të Arbërisë në shtetet evropiane, jane firmosur nga Gjergj Kastrioti dhe kanë vulën zyrtare me shqiponjën dykrenore me inicialet D.Al(Dominus Albaniae-Zoti i Albanisë), ose vulën-unazë sekrete, me simbolin mitik të Ledës dhe të Zeusit-mjelmë.
Nga ana tjetër, ashtu si familjet fisnike evropiane, ai kishte bibliotekën personale me dorëshkrimet dhe librat e kohës, e natyrisht si i krishterë praktikant, aty nuk mungonin bibla, përmbledhja e liturgjisë dhe meshari. Vërtetohet se në biblioteken kastriotiane, ishin katër kodikë te shekullit XV, tre prej të cilëve kanë emblemat heraldike të Kastriotëve dhe i katërti, i vitit 1465, ka portretin me ngjyra, më të hershmin e Gjergj Kastriotit.
Në periudhën e Rilindjes italiane, veprat e artit si pikturat, gravurat, xilografitë, medaljonet, kodikët e ilustruar me miniatura me ngjyra, dorëshkrimet historike dhe fetare etj, realizoheshin nga artistët me porosi dhe iu dërgoheshin dhurata mbretërve, princave, dozhëve, Papëve, kardinalëve dhe fisnikëve. Zakonisht këto vepra dorëzoheshin me ceremoni në pritjet zyrtare ose gjatë festave fetare ose dërgoheshin me kredencialet, apo me ndihmat materiale dhe financiare. Këto kritere, janë ndjekur dhe për katër kodikët, që i ishin dhuruar Gjergjit.
Studimi i përmbajtjes së tyre na hedh shumë dritë mbi shkallën e kulturës së prijësit tonë të madh. Gjergj Kastrioti u formua si ushtarak në shkollat e Perandorisë Osmane, por njihte dhe historinë, kulturën dhe mitologjinë helene, ashtu si njihte historinë dhe letërsinë evropiane. Gjergji lexonte veprat e rilindasve italianë, siç vërtetohet nga prania në bibliotekën e tij e dorëshkrimit të vitit 1450, Trionfo (Triumfi) me këngë dhe sonete të Françesko Petrarkës.Vepra përmban 140 sonete dhe këngë për triumfin e dashurisë, triumfin mbi turpin, triumfin mbi vdekjen, triumfin mbi urinë, triumfin mbi kohën dhe fitimin e perjetësisë. Një tjetër anë e veçantë e formimit të tij, përveç atij humanist është dhe ai ushtarak, siç vërtetohet nga Codex Scanderbeg, me nëntitullin “Libri i Skënderbeut” (Botim i Muzeut Historik Kombëtar, 2005). Ky kodik përmban të dhëna mbi artin e luftës, si dhe ilustrime të shumta per llojet e armëve dhe taktikat e luftimit, që kuptohet duhet t’i kenë sherbyer Kastriotit si manual instruktiv, për të aplikuar arritjet dhe armatimet e kohës, në taktikat e luftimit kundër ushtrisë otomane. Ky kodik është quajtur edhe “Libri i mrekullive”. Origjinali gjendet në Bibliotekën e Vaimar-it.
Kodiku IV i Gjergj Kastriotit është një dorëshkrim i vitit 1465, me titull: De magistratibus, sacerdotiisque Romanorum – Gjyqtarët dhe priftërinjtë romakë, me autor humanistin Andrea Domenico Fioccho. Ky Kodik është një vepër goxha erudite, ku prezantohen rendet fetare dhe gjyqësore të Romës antike, lindja dhe funksionimi i tyre, detyrat dhe raportet e ndërsjellta mes funksionarve të ndryshëm të antikitetit. Andrea Fioko duket qartë se ishte i inspiruar nga gramatiku Valerio Probo, i cili shkruante histori antike, me synimin që të mos harrohej nga romanët pasardhës, andaj kodiku i tij i pasur me histori të zgjedhura të lashtësisë, preferohej dhe kerkohej nga fisnikët e kohës.
Ishte periudha e lulëzimit të rilindjes evropiane, e ripërteritjes së traditave dhe zakoneve parakristiane. Në ato vite evokohej lavdia e antikitetit, e idealizuar dhe e përhapur nga humanistët e mesjetës evrpiane, ku bënin pjesë dhe u shquan shumë humanistët arbërorë. Por falë këtyre shenjave të bibliotekës së tij, mund të themi se “moti i madh” i diplomacisë kastriotiane, e pati zanafillën në vetë formimin e spikatur të udhëheqësit të saj. E ajo çka i vendos vulën kësaj shkalle kaq të zhvilluar diplomacie është fakti se ai e ndërton sistemin e tij të komunikimit dhe përfaqësimit diplomatik, duke u përqendruar në personalitete me nivel të lartë kulture dhe negocimi. Kryengritja e Skënderbeut nuk do të mund të zgjaste për 25 vite, në rast se ai nuk do të mbështetej me të holla dhe armë nga jashtë. Kjo ndihmë nuk është organizuar nga luftëtarët, por nga diplomatët. Skënderbeu ka dërguar me misione diplomatike një numër të madh diplomatësh, por më të njohurit janë Pal Engjëlli, Gjon Gazulli dhe Gjergj Pelini.
Pal Engjëlli, ka qënë mik, bashkëpunëtor dhe këshilltar i ngushtë i Gjergj Kastriotit. Ai ishte dhe klerik i lartë, kryepeshkop i Durrësit dhe ndër pinjollët e parë të dokumentuar nga dera fisnike e njohur si Familja e Ëngjëllorëve të Drishtit. Marin Barleti jep këtë karakterizim për Pal Engjëllin: “… burrë i pajisur me mendje shumë të lartë e me zotësi të rallë në të folur (në gojtari), me dituri si askush dhe i vaditur në letërsinë e shenjtë dhe në letërsinë humane, si greke ashtu dhe latine, sidomos i shquar për rreptësi në jetë e zakone… burrë që Skënderbeu e mbajti mbi krye për maturinë e tij, kulturën e pastërtinë e jetës, burrë që e respektonin dhe e dëgjonin si ndonjë orakull të gjithë epirotët dhe arbërit…”
Në vitet 60-të të shekullit XV, Pal Engjëlli, si diplomat e këshilltar për punët e jashtme, qe aktivizuar në shumë misione. Ai e shoqëroi Skënderbeun në vizitën katërditore që bëri në Raguzë (Dubrovnik) dhe në Itali më 1461. Dihet historikisht se Republika e Raguzës pati marrëdhënie të mira me Gjergj Kastriotin gjatë gjithë kohës që Shqipëria kalonte provën e rëndë të ballafaqimit luftarak me forcat e pushtuesve osmanë. Në Raguzë, fjalimeve mburrëse të udhëheqësve raguzianë për Skënderbeun dhe popullin e tij, Pal Engjëlli, siç na tregon Marin Barleti, iu përgjigj paralelisht me një oratori të rrallë, duke lavdëruar zhvillimin kësaj republike dalmate, shkencën humaniste dhe artet që atje kishin lulëzuar. Ndër të tjera në fjalimin e tij ai tha: “… Këtu në Raguzë lulëzojnë të gjitha artet e lira, filozofia, teologjia, shkenca e ligjeve dhe disiplinat e tjera… Unë ju jap fjalën e zotohem se për të mirat që na keni bërë, kujtimi juaj, emri juaj dhe i qytetit tuaj do të jenë përgjithmonë të nderuar sa të rrojë Epiri, do të jenë ngulitur thellë në shpirt, në mendjet dhe zemrat tona”.
Vërtet se kjo pjesë e fjalimit të Pal Engjëllit është krijimi i penës mjeshtërore të Marin Barletit, po dihet gjithashtu se në farkëtimin e miqësisë mes Raguzës dhe shtetit të Arbërit, një rol me rëndësi ka luajtur Pal Engjëlli. Nga të dhënat e deritanishme rreth biografisë së tij, mund ta saktësojmë se Pal Engjëlli luante rolin e ministrit të jashtëm, këshilltarit dhe ambasadorit të Skënderbeut. Ai takon Mbretin e Napolit, bisedon me Senatorët e Venedikut, dërgon mesazhe te Papa dhe e bind Skënderbeun që të heqë dorë nga armëpushimi me Perandorinë Osmane në të mirë të aleancës së krishterë. Engjëlli shkruan letra, shënime, memo dhe dokumente të tjera në emër të Skënderbeut, të cilat, sipas gjasave, janë diktuar dhe nënshkruar nga vetë Gjergji. Pal Engjëlli konsiderohej një njeri i ditur, i matur dhe me kulturë. Ai e ka ndikuar ndjeshëm mendimin politik të Skënderbut. Më 1464, Pal Engjëlli, si i dërguari i tij i posaçëm, kreu një sërë misionesh diplomatike pranë kontit Sforza të Milanos e në Raguzë. Pikërisht në ditët kur Pal Engjëlli ishte në Milano, humanisti i shquar italian, Françesko Filelfo u drejtonte letra princërve italianë si dhe dogjës së Venedikut, Kristofor Maurit, në të cilat shpreh gjithë simpatinë dhe përkrahjen për luftën e drejtë që bënin shqiptarët. Përmbajtja e letrave lë të kuptohet se Pal Engjëlli ka pasur një lidhje të veçantë me Françesko Filelfon, njeri me influencë dhe humanist i përmendur.
Gjergj Pelini, ishte prift katolik shqiptar dhe diplomati më i njohur i Skënderbeut, i cili kishte lindur në Kosovë (Artanë). Pelini ishte i autorizuar të angazhohej në marrëdhëniet e shtetit të Arbërit me Venedikun. Ai negocioi Marrëveshjen e Arbërit me Venedikun të vitit 1448, përfaqësoi Skënderbeun në Venedik në vitin 1451, pastaj në vitin 1456, dhe arrin të negociojë një koalicion në mes të Arbërit dhe Venedikut. Një vit më vonë udhëton si përfaqësues i Kastriotit në Romë. Pikën kulminante e arrin përmes ndërmjetësimit të marrëveshjes në mes Arbërit dhe Venedikut të vitit 1463 për të organizuar një fushatë të përbashkët kundër osmanëve.
Gjon Gazulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës evropiane të shekullit XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidh dy prej epokave më të mëdha të kohës: humanizmin dhe Rilindjen Evropiane. Duke marrë parasysh shtrirjen e veprimtarisë së tij në shumë fusha të dijes, si astronomi, matematikë, fizikë, filozofi, diplomaci, arte, mund të thuhet pa frikë se ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet. Aftësitë e rralla të Gjon Gazullit janë shpalosur jo vetëm në lëmë të shkencave të përpikta, por edhe si një prej diplomatëve më të shquar të kohës. Ishin vite të vështira jo vetëm për Gadishullin, por rrezikoheshin edhe pjesë të tjera të Evropës, e këta, më shumë se për të mbështetur luftën e popujve ballkanikë, për interesa të veta, u bënë aktivë në mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Qendrat kryesore të një diplomacie aktive ishin aso kohe Roma e Budapesti. Misioni i parë diplomatik i dokumentuar i Gazullit është udhëtimi i tij për në Romë që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (paraardhësin e Korvinit) me rastin e kurorëzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, sipas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besuar më të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe tek hungarezët. Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e menjëherë më pas në Slloveni.
Në ato vite, bashkëpunimi mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishte dendësuar shumë. Ka qenë pikërisht Gazulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në Atdhe me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane, e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Siena, Lubjanë etj. Duke qenë i përpirë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liroi atë nga detyra e Rektorit dhe emëroi në vend të tij Pal Gazullin, vëllain e tij, që cilësohet ndër dokumente “magister, prudens et literatus vir”, që do të thotë se kishte kryer edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëllai i “magister Johannis Gaxuli”. (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllai tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Kastriotit). Po afrohej “Stina e madhe e Kastriotit” dhe vëllezërit Gazulli, Pali, Andrea, Dhimitri, e mbi të gjithë Gjoni, do të kishin një vend të rëndësishëm në atë “stinë”.
E përmendëm të gjithë këtë veprimtari, për të vërtetuar pohimin se nuk kemi të bëjmë me një fenomen, me një shkëlqim të papritur të mendimit politik arbëror, por me një lëvizje sistemike të mirëorganizuar e të frymëzuar nga pikëpamjet e një elite kulturore humaniste të nivelit më të lartë të kohës, që lëvizte lirisht dhe në mënyrë dinjitoze, nëpë oborret dhe sallonet e Evropës, duke arritur shpesh edhe fitore të rëndësishme diplomatike. Është hera e parë, e ndoshta e fundit, kur mendimi ynë politik ishte pararojë për gjithë rajonin dhe pati fuqinë diturore të mbështeste fort gjithë jetën dhe aspiratën evropiane të Arbërisë.
Gazulli, më i moçmi i tyre, është jo vetëm pararendësi i asaj plejade të famshme “ambasadorësh të urtë” (por mbi të gjitha, humanistë nga më të njohurit), por edhe një urë lidhëse midis diplomacisë dhe humanizmit apo midis diplomacisë dhe shkencës. Është shkruar shumë për origjinën e gazullorëve, madje ajo është pretenduar edhe nga fqinjët. Vetë koha kur jetuan gazullorët bën që për ta të ketë të dhëna të ndryshme e shpesh jo të plota, edhe për faktin se akoma institucionet studimore e shkencore të vendit tone, nuk janë angazhuar ndaj tyre me vemendjen dhe përkushtimin e duhur. Hipoteza të ndryshme ka dhe për vendin se ku lindi. Ka studiues të ndryshëm, ndonjëherë jo fort seriozë, qoftë këta vendas, por edhe të huaj, që për qëllime të ndryshme, vendorigjinën e tyre e spostojnë herë pas here duke krijuar një hutim dhe pështjellim aspak serioz dhe të panevojshëm.
“Familja e Gazullorëve njihet si një ndër më të vjetrat, në Shqipërinë Veriore. Nga trungu i saj vetëm një pjesë e vogël u shpërngul jashtë atdheut, pasi, sipas dokumenteve, ata i gjejmë të përhapur në Shqipëri edhe pas pushtimit osman të vendit”. Diçka e tillë nuk duhet anashkaluar, pasi kemi të bëjmë me një trashëgimni elitare shkencore, që kontribuoi për arritjen e kulmeve të mendimit evropian. Astronomi i guximshëm gjermano-polak Nikolla Koperniku (1473-1543), italianët e mëdhenj, Giordano Bruno (1548-1600) dhe Galileo Galilei (1564-1642) apo zanafilla e ”Teorisë heliocentrike” ishte dhe është e gjitha meritë e gjeniut tonë arbnor, të cilit kurrë nuk i është njohur kontributi esencial në lidhje me definicionet që revolucionarizuan disiplinën shkencore të Astronomisë, duke hedhur poshtë teorinë e sistemit gjeocentrik, e duke tronditur themelet e sistemit evropian të mendimit, i cili deri në periudhën e mesjetës së vonë kishte pushtuar filozofinë dhe besimin e Krishterë.
Ishte pikërisht kryevepra shkencore e njohur si Teoria e yjësive qiellore e shkruar nga Gjon Gazulli, ajo që përgjatë shek. XV kishte fituar një status mbizotërues në botën shkencore evropiane të kohës dhe ishin pikerisht këto pikëpamje shkencore qe do t’i paraprinin teorive të mëvonshme. Rëndësia e jashtëzakonshme e këtyre teorive vërtetohet edhe nga një letër falënderuese e shkruar në vitin 1460 që ia dërgon nxenësi i tij Janus Pannonius, nga Budapesti në Raguzë (Dubrovnik), ku ndër të tjera ai i shkruan Profesorit të tij të shquar: ”Ju, jo vetëm që keni përmbushur shpresën që ne kemi pasur në ju, por keni avancuar shumë më larg. Libri që na keni derguar, na ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Ai është plot me njohuri dhe oratori dhe leximi i tij ishte kënaqësi, ashtu siç ishte i dobishëm studimi i tij. E pranojmë se keni gjetur zgjidhje për disa pohime të papasqyruara sa duhet deri më tani, të astrologëve të lashtë, të cilat që para shumë kohësh kemi dëshiruar t’i kuptojmë drejt. Për këtë shkak, seriozisht ju nxisim që të vazhdoni të shkruani dhe t’i përfundoni punët e filluara, të cilat do të jenë shumë të domosdoshme për dijetarët, po ashtu edhe për reputacionin dhe famën tuaj”.
Duke qënë se një pjesë e madhe e manuskripteve që përmbanin argumentet shkencore të astronomit arbër, përveç Raguzës, Padovas, Budapestit apo Vienës, qenë arkivuar edhe në bibliotekën e qytetit Krakov (Poloni), ato ranë në duart e shkencëtarit Nikolla Kopernik, i cili falë këtyre teorive me rëndësi të paçmueshme, hartoi ”Teorinë e tij Heliocentrike”. Pra, shkencëtari i cili hodhi bazat e kësaj teori ishte pikërisht Arbërori dhe lezhjani Gjon Gazulli, dhe vetëm falë tij, qarqet akademike evropiane të kohës dhe më pas e gjithë bota e civilizuar u njoh me teorinë e pamohueshme se planeti Tokë nuk është qendra e Universit, por është pikërisht ”Dielli” ai që ndodhet në qendër të sistemit tonë Diellor. Gjon Gazulli ishte i famshëm edhe për paraqitjet e tij pompoze në të gjitha oborret mbretërore evropiane ku prezantohej denjësisht me fjalët: ”Unë jam Gjon Gazulli nga Arbëria”. Ndoshta, po njëlloj edhe ne, me një kryelartësi të vlertë, duhet të pohojmë se fillesat e mendimit shkencor shqiptar, janë të përmasave të një udhërrëfyesi të Kopernikut, ashtu siç diplomacia shqiptare i ka themelet e saj të hedhura prej ambasadorëve humanistë, nga më të mëdhenjtë e kohës. Shkenca dhe diplomacia e sotme, mund të ndihet keq dhe mjerane, duke mbartur mbi shpinë trashëgimninë e këtyre themeleve, por nga ana tjetër kjo është një traditë që duhet trashëguar pikërisht për t’u ngritur në këtë nivel.
Komentet