Në Shqipëri, dy persona rezultojnë të humbur, pasi rrjedha e një përroi ka marrë përpara automjetin me të cilin po udhëtonin, në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në Shkrel të Malësisë së madhe. Që prej mbrëmjes së djeshme, e gjithë zona, në veri dhe verlindje të vendit, është goditur nga një mot i keq me shira të dendur, të cilat kanë vazhduar me intenstitet të lartë dhe gjatë ditës.
Sipas një njoftimi të policisë në automjetin e rrëmbyer nga rrjedha e ujit udhëtonin tre persona banorë të zonës, dhe pjestarë të së njejtës familje. Vajza e cila ka mundur të dalë nga mjeti, është ndihmuar dhe nga një banor i zonës, ndërkohë që babai i saj, 50 vjeç dhe i vëllai, nuk ia kanë dalë.
“Në vendngjarje ndodhen polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH-së Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve (babë e bir)”, bën të ditur njoftimi i policisë.
Reshjet e dendura të 24 orëve të fundit po shoqërohen me dëmtime të shumta në Shkodër, Lezhë, Malësi të Madhe dhe në Vaun e Dejës. Sipas emergjencave civile, më shumë se 500 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur, dhjetra banesa, sera dhe biznese private gjenden nën pushtetin e ujit, ndërsa energjia elektrike është ndërprerë në pjesën më të madhe të fshatrave. Disa familje janë evakuuar. Në zonë janë forcat e emergjencave civile të ndihmuara dhe nga njësi të ushtrisë.
Në mesditë, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi inspektoi nga afër zonat më të prekura në Lezhë dhe në Shkodër.
Ministri Peleshi ndoqi nga afër situatën e krijuar në Harkun e Bërdicës, në hyrje të qytetit të Shkodrës ku, për shkak të daljes nga shtrati të Lumit Drin, është bërë thuajse i pakalueshëm për automjetet e vogla aksi rrugor që lidh Shkodrën me Tiranën dhe Velipojën.
Ministri Peleshi paralajmëroj rerzikun e përshkallëzimit të situatës, gjatë orëve në vazhdim, duke u shtrirë edhe në zonën problematike të Nënshkodrës.
Rreth orës 13-të ka nisur shkarkimi i ujrave të tepërta nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës duke zgjeruar hartën e përmbytjes edhe në zonën e Nënshkodrës. Për shkak të prurjeve të shumta të Lumit Drin, në mesditë është bërë thuajse i pakalueshëm edhe aksi rrugor kombëtar që lidh Shkodrën me Tiranën dhe Velipojën.
Metereologët parashikojnë vazhdimin e reshjeve intensive edhe në ditët në vazhdim, duke paralajmëruar për përkeqësim të mëtejshëm të situatës.
Komentet