Viteve të fundit si në shtypin tonë ashtu edhe në atë të huaj plot herë është pasqyruar loja e bukur e djemve tanë, që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në kombëtaren e Zvicrës, në futboll.
Në këtë kombëtare së pari pati debutuar Milaim Rama, e pas tij, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Pajtim Kasami, Frederik Veseli, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Amir Mehmedi, Shani Tarashaj, Albian Ajeti, Florent Hadergjonaj, Andi Zeqiri, Kastriot Imeri dhe Uran Bislimi.
Futbollistët e përmendur të angazhuar gjatë gjithë lojës apo qoftë edhe 5-6 minuta, si zëvendësim i bashkëlojtarëve të tyre kanë lënë përshtypjeje të mira.
Më herët kudo ka mbizotëruar bindja që futbolli, si sport është i destinuar vetëm për djemtë.
Mirëpo, këtë bindje apo mendim jo të drejtë dhe me paragjykime apriori e kanë demontuar vajzat tona, si: Afërdita Podvorica, Fatmire Bajrami-Alushi dhe Kosovare Asllani, që kanë ndritur ndër vite në fushat e futbollit në Gjermani, Suedi, Angli, Spanjë, Itali, Francë etj.
Rrugën e këtyre sportisteve të vërteta po e vazhdon edhe Riola Xhemaili,me origjinë nga Gjilani i Republikës së Kosovës.
Ajo në momentin kur ka shfaqur shkëndijat e para të talentit për futbollin parezervë është përkrahur nga babai i saj Agron Xhemaili, profesor i dikurshëm i lëndës së Edukatës fizike, në shkollën e Mesme “Zenel Hajdini“të Gjilanit.
Po ashtu z. Xhemail Xhemaili, gjyshi i Riolës, ishte një intelektual dhe sportist i njohur i këtij rajoni.
Riola Xhemaili, karrierën prej futbollisteje e ka filluar në shtator të vitit 2013, në FC Solothurn të Zvicrës, ku edhe është e lindur.
Ndërkaq, në skuadrën e femrave FC. Basel 1893,kalon më 15 gusht 2018, për të vazhduar qëndrimin këtu, deri në korrik të vitit 2021.
Dashuria dhe puna e pandërprerë si dhe sukseset e njëpasnjëshme në këtë disiplinë të sportit, kanë bërë që për Riolën, të shfaqin interesim skuadra të shumta të futbollit të femrave edhe jashtë Zvicrës.
Ajo, nga FC. Basel 1893, largohet para dy viteve duke nënshkruar kontratë me mundësi shkëputje me Klubin gjerman SC. Freiburg.
Riola pas dy edicioneve në këtë skuadër, si dhe demonstrimit të lojërave të shkëlqyeshme do të jetë në “radarët” e ekipit të njohur VFL. Wolfsburg, të Gjermanisë.
Me këtë skuadër femrash të suksesshme që kanë qenë Kampione të Gjermanisë, Riola Xhemaili, ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2026.
Ajo në kombëtaren e Zvicrës për herë të parë është aktivizuar më 12 shtator të vitit 2020 ,nga ish-përzgjedhësi danez Nil Nielsen.
Xhemaili me kombëtaren e femrave të Zvicrës, ka luajtur 22-ndeshje dhe ka shënuar pesë gola.
Në dhjetorin e vitit të kaluar në krye të Kombëtares së Zvicrës, në futboll për femra është emëruar gjermania, Inka Grings.
Ajo në listën e futbollisteve më të mira të Zvicrës, gjatë fazës përgatitore dhe zhvillimin e ndeshjeve miqësore e ka përfshirë edhe Riola Xhemailin, që luan në mesfushë.
Forma e mirë e kësaj futbollisteje është parë edhe në ndeshjen miqësore Zvicër-Poloni 1:1, të zhvilluar më 21 shkurt të këtij viti.
Riola gjatë gjithë ndeshjes është angazhuar maksimalisht dhe është parë në çdo cep të fushës.
Kur të gjithë kanë qenë të sigurt që ajo do të jetë në listën e 23-futbollisteve më të mira të Zvicrës, që do të udhëtojnë në botërorin e futbollit për femra “Australi-Zelandë e Re 2023” i është kumtuar lajmi nga selektorja, Inka Grings, se ajo duhet të mbetet në shtëpi.
Në vend të 20-vjeçares, Riola Xhemaili, është ftuar Iman Beney,16 vjeçe, sulmuese e skuadrës së femrave Berner Sport Club Young Boys të Bernës.
Vendimin e papritur të zonjës Inka Grings e dëshpëruar jashtë masës dhe me lot nëpër faqe, as që ka dashur ta komentoj futbollistja e talentuar Riola Xhemaili, deri dje lojtare standarde e skuadrës së Zvicrës.
ARIF EJUPI