Moska fajësoi më 16 gusht sabotatorët për një sërë shpërthimesh në një depo municionesh në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, duke pranuar se ekzistojnë grupe të armatosura besnike ndaj Ukrainës, që po dëmtojnë logjistikën ushtarake dhe linjat e furnizimit në territoret që ajo kontrollon.
Incidenti i sotëm pason një sërë shpërthimesh javën e kaluar në bazën ajrore të Rusisë në Krime, për të cilat Kievi tha se ishin kryer nga forca speciale ukrainase, por që Moska në atë kohë i quajti rezultat i një zjarri aksidental.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se nuk pati viktima nga shpërthimet që dëmtuan linjat elektrike, një nën-stacion elektrik, infrastrukturën hekurudhore dhe disa shtëpi banimi.
Nuk dihet se çfarë mjeti u përdor për të kryer shpërthimet, por shtypi shtetëror rus spekuloi se mund të jenë përdorur dronë.
Shpërthimet sjellin në pah perspektivën e një dinamike të re në luftën gjashtëmujore pasi tashmë duket se Ukraina ka aftësinë për të goditur më thellë në territorin rus dhe me grupet pro-Kievit që janë duke pasur sukses me sulme të stilit gueril.
Rusia e ka përdorur Krimenë, të cilën e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014-të, për të përforcuar trupat e saj që luftojnë në pjesë të tjera të Ukrainës me pajisje ushtarake, një proces që Kievi kërkon ta prishë përpara një kundërsulmimi të mundshëm në Ukrainën jugore.
Krimea është baza e flotës ruse të Detit të Zi dhe gjithashtu e njohur si një atraksion turistik për pushuesit gjatë verës.
Për incidentin e së martës, agjencia ruse e lajmeve RIA tha se shtatë trena u vonuan dhe se trafiku hekurudhor në një pjesë të linjës në veri të Krimesë ishte pezulluar.
Ukraina nuk e ka konfirmuar apo mohuar zyrtarisht përgjegjësinë për shpërthimet në Krime, megjithëse zyrtarët e saj kanë përgëzuar hapur incidentet në territorin që, deri javën e kaluar, dukej i sigurt nën kontrollin e Moskës përtej rrezes së sulmeve ukrainase.
Pas shpërthimeve të së martës, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak dhe shefi i stafit Andriy Yermak postuan në mediat sociale mbi “çmilitarizimin”, një referencë e dukshme tallëse e termit që përdor Rusia për të justifikuar pushtimin e saj.
“Operacioni ‘demilitarizimi’ në stilin e saktë të Forcave të Armatosura të Ukrainës do të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të territoreve të Ukrainës,” shkroi Yermak në Telegram.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se shpërthimet në depon e municioneve ishin “rezultat i sabotimit”.
Komentet