Ne prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi, jemi duke përjetuar emocionalisht një situatë aspak interesante. Tifozët shqiptarë ta marrin shtruar, sepse, në fund të fundit, një ndeshje futbolli është një ndeshje futbolli. As më shumë dhe as më pak. E cila duhet të nisë e përfundojë si e tillë. Edhe sikur të fitojmë apo të humbim. Nëse kjo ndeshje do të ishte një garë nga ku fitimtari do të hynte direkt në BE, do t’ia vlente stressi dhe nervat e acaruara.
Prandaj, nëse Ballisti Morina ishte një figurë heroike në Beograd, sepse lojtarët shqiptarë u përballën me brutalitetin e shtetit dhe të Ivanit të Tmerrshëm, tek Arena në Elbasan ai duhet të jetë vetëm një tifoz i zakonshëm që duhet të respektojë rregullat.
Dhe rregulli fillon tek mirëkuptimi ndaj një stadiumi me kapacitet 12 mijë vende, përballë dëshirës së qindra mijë shqiptarëve që duan të marrin pjesë. Mision i pamundur. Le ta shohin ndeshjen nga shtëpitë e tyre, nga qytetet e tyre, nga shtetet e tyre nëse nuk kanë mundur të blejnë biletë. Dhe të qetësohen.
Sepse klima e ndeshjes Shqipëri-Serbi tek Arena e Elbasanit duhet të jetë diametralisht e kundërt me klimën armiqësore që përjetuan djemtë tanë në Beograd!
„Ti mund t’i ndërrosh miqtë, nëse nuk të pëlqejnë, por jo fqinjët,“ – thuhet në një proverbë, e cila është një imperativ me rregulla përjashtuese dhe rregulla përfshirëse, që fatmirësisht ne i kemi pjesë të identikitit tonë.
Nëse ne nuk mund t’i ndërrojmë fqinjët tanë, që në vend të Serbisë të vendosim aty Zvicrën, Gjermanine apo SHBA, ne duhet të gjejmë forca që të ndikojmë tek ata me tiparet tona më të mira.
Ne jemi shqiptarë. Ne jemi simboli i mikpritjes, kush na vjen në shtëpinë tonë e presim si mik. Miku është institucion i paprekshëm. Edhe kur na vjen armiku në derë, ne i hapim derën dhe e mirëpresim. Por tani shqiptarët e serbët janë në kontekste të reja, integruese, e shkuara është kujtesë e pashlyeshme, por arsye e fortë për të ndërtuar të ardhmen. Ne tani do të integrohemi si pjesë e së tërës. Jo si Ballkan por si Europë, ku çdo nacion është si një familje, në shumësinë e familjeve që janë pjesë e familjes së madhe europiane.
Kur u luajt ndeshja Shqipëri-Serbi një vit më parë, mbarë bota pa me indinjatë të thellë se si një ndeshje e futbolli, u kthye në një arenë lufte, ku pala mikpritëse sillej armiqësisht me skuadrën kundërshtare dhe me një delegacion të vogël që e shoqëronte atë. Droni me simbolet shqiptare në qiellin mbi stadium ishte sfidë ndaj brutalitetit dhe shëmtimit ballkanas dhe të gjitha tragjedive që kishin ndodhur në ish-Jugosllavi nga një mitoman që i injektoi marrëzinë kolektive vendit të tij.
Ajo që ngjau në Beograd një vit më parë ishte e shëmtuar dhe e papranueshme për ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve. Kur thua shqiptar nënkupton bujari, besë, tolerancë, sepse jo më kot të gjithë ne shqiptarët, aq milionë sa jemi, jemi bijtë e Nënë Terezës.
Në konfiguracionin e ri integrues, Shqipëria, Kosova dhe Serbia, janë shtete fqinjë dhe po ashtu fqinjë janë midis tyre edhe shqiptarët e serbët, me emëruesin e përbashkët Europën.
Shqiptarët nuk janë ISIS si thotë Daçiç, shqiptarët janë europianë, ashtu si edhe serbët, ndërsa Daçiç jo, sepse ai vazhdon të mbjellë urrejtje dhe shqiptarofobi, ashtu si në shekullin e shkuar, kur ishte zëdhënës i Milosheviçit. Daçiç është e shkuara, nuk është e ardhmja e Serbisë dhe integrimeve. Por shqiptarët nuk do të bien prè as të provokimeve të tij, as të provokimeve të Ivanit të Tmerrshëm.
Daçiç duhej të ishte larguar nga politika që kur në stadiumin e Beogradit, nuk arriti, sepse nuk deshi, që të siguronte mbarëvatjen e ndeshjes dhe u bë dirigjenti i atij kori famëkeq që ulëriste „vrasje gjithë shqiptarëve“ apo „Kosova është Serbi“.
Por se çfarë bën Serbia është puna e saj, ne duhet të jemi të përgjegjshëm për veprimet tona, që veprimet tona të mos e cënojnë krenarinë tonë kombëtare!
Unë besoj se do të vijë një ditë kur në Prishtinë, Tiranë e Beograd në ndeshje të tilla, stadiumet do të mbushen fifty- fifty, me tifozë nga dy palët, sepse një ndeshje futbolli është një ndeshje futbolli. Ajo kohë ardhtë sa më shpejt, kur Serbia t’u ketë kërkuar ndjesë shqiptarëve dhe kur marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve të jenë ndërtuar mbi themelin e barazisë dhe të respektit e reciprocitetit bilateral. Shqiptarët, ish-viktimat, janë të gatshëm ta kthejnë faqen, për të nisur një epokë të re, ndërsa ish-zëdhënësi i Milosheviçit Daçiçi, jo.
E megjithatë, shqiptarët janë europianë të lindur e të bindur. Ata nuk heqin dorë nga vlerat e tyre, të cilat ishin shkaku që u mbijetuan të gjitha tallazeve të milenarëve, shqiptarët nuk heqin dorë nga rruga e humanizmit europian, që është bashkuese, përfshirëse si një urë lidhëse. Shqiptarët janë shqiptarë! Ata nuk mund të imitojnë kurrë atë që ngjau një vit më parë në Beograd. Përkundrazi ata do dëshmojnë se faktorizmi i shqiptarëve si komb është në shërbim të paqes, dhe stabilitetit e sigurisë të të gjithë qytetarëve, pa dallim kombësie. Të gjithë jemi një. Shqiptarë apo serbë. Jemi europianë.
Një ndeshje futbolli është një ndeshje futbolli, si një garë, si një shfaqje për të çliruar energji pozitive, për të brohoritur për sportistin e zemrës, për skuadrën e zemrës dhe kaq.
Seicili prej nesh që do të jetë në stadium, duhet të jetë një qytetar i përgjegjshëm, duke u bërë pjesë e mbarëvajtes dhe mikpritjes. Asnjë shqiptar nuk guxon që veprojë në kundërshtim me identiteti tonë kombëtar.
Komentet