1.
E treta ftesë juridike nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, po merret nga kori politik shqiptar i Kosovës e i Shqipërisë sikur të ishin duke ngritë dolli në dasma elitare pas orës 3.00 të mesnatës, sepse askush nga të lartët politikanë shqiptarë nuk e tha një fjalë të vetme kritike për Gjykatoren e Hagës, një nga institucionet juridike ma burokratike të botës së sotme.
Duket sikur gjenerali hero Haradinaj po përcillet për në Gjykatoren e Hagës, me Kangë malësore Majekrahu ose me “Iso” Polifonisë Labe, ndërkohë që ky “Pallat i Paqes” nuk po e lenë në paqen e vendit të tij dhe as në paqen e tij Ramushin, por po i sillet atij me skuthlleqe juridiko-politike, po i ngre kurthe juridike deri në komplote disashtetëshe këtij heroi të luftës e paqes në Kosovë.
Në se Gjykimorja e Hagës do të përsillej kësisoj me Gjuknoviqin e Malit të Zi apo Vuçiçin e Serbisë atëherit këto shtete ballkanike fqinje do ta sulmonin këtë Pallat të Paqes me të gjithë arsenalin e luftës diplomatike, politike e juridike të tyre. Unë nuk po due me i thanë asnjë politikani të Tiranës, Prishtinës, Shkupit apo Podgoricës, Preshevës, Çamërisë e Sanxhakut Shqiptar të sillen si këta, po të jenë vetvetja shqiptare, të mos jenë as bilbila e as sorra, po të sillen si shqiponja alpine, pa frikë zemre e thembre nga ndërkombëtarët kur sulmohen kaq keq simbolet tona si Ramush Haradinaj, kur cenohet disi në prapaskenë e duele me këto veprime sovraniteti diplomatik, juridik e politik i Kombit Shqiptar.
2.
Ne e duam Pallatin e Paqes në Hagë, përndryshe Gjykimoren e saj, sepse edhe kjo Gjykata e Hagës e don Shqipërinë ma shumë se vendet e tjera, sepse që kur u themelue para 70-viteve ma të paren çështje të saj, ma të parin të paditur në dyert e saj, e pati Shqipërinë për Kanalin e Korfuzit. Dhe na denuan atëherë për një komplotim që e kishte kurthnue Tito e Jugosllavia e Dytë Avnoiste. Dhe dy vjet kanë hanger bukë tuj (ç)minue Kanalin e Korfuzit, tuj ba punë të madhe kundër Shqipërisë së vogël, të porsa dalë nga LDB e me sovranitet të kufizuar në kampin komunist të kohës.
Sivjet, Gjykata e Hagës, prapë e ka me ojnaki e sojzës me Shqiptarët, bash me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, sepse e don shumë atë, pasi po e fton në muajin e 51 vjetorit të lindjes së tij dhe në muajin e 9-vjetorit të Opinionit Këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Gjykata e Hagës e don shumë gjeneralin kryeministër, heroin e gjallë, Ramush Haradinaj, pasi në mbi 170 çështje gjykimore të saj në mbi 70 vite jetëgjatësi të saj e ka dhe këtë gjykimin për të tretën herë të tij, si pjesë e njëres prej këtyre çështjeve të saj.
Deshta me i dvet politikanët shqiptarë të të gjitha trevave e karrikeve: a ishte drejtësi e anuar, e mohuar, ajo e Kanalit të Korfuzit? Po. A ishte komplot sllav i Titos? Po. Thirrja për herë të tretë e Ramush Haradinajt, pasi e ka marrë çertifikatën e pafajësisë a është një drejtësi e anuar, e mohuar? Po. A është dhe një komplot sllav serbo-rus? Po. A po merremi prapë me “Çështjen e Detit”, si një nga çështjet ma problematike kombëtare me Greqinë? Po. A po merret prapë e prapë Haga e “hagianët” me “Çështjen Haradinaj”? Po. Atëherë pse po heshtin për Gjykatën e Hagës politikanët shqiptarë të të gjitha profileve e formateve politike në gjalljen e tyre, sepse flasin me gjuhën e vet dhe trica në klucë e kanarina në kafaz! Politikanë, po heshtët për Çështjen e Ramushit, po heshtët ndaj Gjykatës së Hagës, po vazhduat kësisoj e kështu “dashurinë” me Gjykatën e Hagës, atëherit pas Çështjes së Ramushit ka me na djeg “prushi i Serbisë”. Sa na don Gjykata e Hagës e treguan Kanali i Korfuzit dhe i treti rast i Haradinajt, po askush nuk thotë t’i shpallim luftë këtij institucioni juridik të OKB-së, po të mos e lejojmë të na luftojnë ajo Ne, Shqiptarët – Kombin Shqiptar. Gjykata e Hagës, ky Pallat i Paqes, nuk është bajlozi i zi dhe askush nuk iu thotë politikanëve shqiptarë të bahen Gjergj Elez Alia (se asnjani nuk do ta pranonte këtë sakrificë), po të sillen me “fjalë paqeje” në këtë Rend të Ri Botëror, në shek. XXI, të sillen si shqiptarë të vërtetë.
3.
E ngrej këtë çështje me këtë farë ironie, mllefi, hatërqejfi, apeli, e gjithqysh e gjithfarësh, sepse e treta shkuarje në Gjykatoren e Hagës nuk është si e para e 2005-sës dhe as si e dyta e 2011-tës, po është krejt e veçantë, e vështira, e paparashikueshme, si kjo e 2019-tës. Ndaj nuk duhet ta marrin aq lehtë as politikanët e mëdhenj të Kosovës e Tiranës, as vet Ramush Haradinaj, askush, asnjeri që e don këtë Shqipëri të Bashkuar e të Lumtur, të fortë e të shëndetshme në Ballkan e Glob. Pse e themi këtë? Pse flasim kështu?
E para, në Gjykatën e Hagës, aktualisht, janë ma shumë vende që nuk e kanë njohur Shtetin e ri të Kosovës, se sa ato që e kanë njohur atë. Përndryshe: ka nga vende që janë kundërshtarë të flakët të Shtetit e Shtetësisë së saj. 16 gjyqtarët e saj (së bashku me të nderuarin Kryetar Ysuf nga Somalia) janë nga 16 vende të botës. Janë dhe nga ato shtete si Rusia, Kina, India, Sllovakia, Brazili, Uganda, Maroku, Xhamajka e Libani, që nuk e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës. Pra, raporti në Gjykatën e Hagës është 9 me 7, sepse e kanë njohur Amerika, Franca, Belgjika, Japonia, Australia, Italia e Somalia.
Gjykatësi rus, përfaqësuesi i Federatës Ruse në Gjykatën e Hagës, Kirill Gevorgian, është prej 2015-tës në këtë detyrë, po ai ka qënë një nga emblemat e politikës së jashtme të Rusisë së Putinit, një nga hartuesit e “Statusit të Tribunalit Ndërkombëtar për Ish Jugosllavinë” (1993), me dekorata edhe putiniane etj. i cili e njef Kosovën e kryeministrin e saj, sepse e ndjek politikën e vendit të vet, edhe në Hagë, edhe me kanë në Hanë. Gjithashtu, ka shtete që nuk janë aq afër Kosovës si në kohën e Luftës së Kosovës, po ndoshta janë ma afër Serbisë, se kanë ecur kohërat, kanë ndryshuar liderët e tyre, etj.
4.
Gjykata e Hagës i ka shumicën e gjyqtarëve që janë të njohur me “Çështjen Haradinaj”, edhe në rastin e parë (mars 2005-prill 2008), edhe në rastin e dytë: gusht 2011 – nëntor 2012), sepse kanë qënë gjyqtarë në detyrë dhe ndonjani me mandat të përseritun. Pra, 10 gjyqtarë kanë qënë e janë në detyrë në Gjykatën e Hagës në të dy rastet Haradinaj, të cilët janë të njohur mirë me qëndrime e vendime të gjykatores së tyre, cka domethanë se “Rasti Haradinaj” nuk është “rastësi e re”. Ndoshta një kalkulim juridik-diplomatik e politik i kësaj Gjykate ndaj Haradinajt e Kosovës, ndaj Kombit Shqiptar. Nga 10 “gjyqtarët e vjetër” që janë prejce nga rasti i parë dhe i dytë i Haradinajt, që kërkojnë prapë të rimerret në pyetësor kryeministri e gjenerali hero Ramush Haradinaj, 6 prej tyre janë nga ato shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, si Kina, Sllovakia, Brazili, India, Uganda e Maroku, po sikur t’ia shtojmë kësaj liste dhe gjyqtarin nga Rusia që erdhi më 2015, atë nga Xhamajka më 2015, atë nga Libani më 2018, del qartë se kush e thërret për të treten herë në Hagë kryeministrin shqiptar, shqiptarin e madh, Ramush Haradinaj. Pra, dhe këta (pa i paragjykue emër për emër) nuk mund të ndikohen nga unë apo dikush tjetër, por them se e kanë pasë ndikimin e vet, janë ndikue disa sish dhe nga njani-tjetri, janë ndikue dhe nga vendet e tyre të origjinës, shtetësisë e përfaqësisë së tyre për me shkue për të tretën herë në Hagë heroi i gjallë i Kombit Shqiptar Ramush Haradinaj.
5.
Ishte 22 korriku 2010 kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i dha Opinion KëshillDhënës lidhur me ligjshmërinë e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, por tashti jemi në vitin 2019 e kanë ndryshe kohërat e gjyqtarët. Nuk janë as gjyqtarët nga Britania e Madhe, Gjermania, Zelanda e Re, Jordania e Meksika, se tani këto shtete nuk kanë përfaqësues në GJND në Hagë. Ka pasë gjyqtarë nga Amerika, Japonia, Franca, Somalia etj., por mendohet e besohet se dhe gjyqtarët e rinj të ardhur në këtë Gjykatë pas tyre do të ndjekin e mbajnë të njëjtin qëndrim ndaj Kosovës e, pse jo, dhe ndaj Ramush Haradinajt – kryeministrit të Kosovës, i cili ka marrë një herë pafajësinë nga Gjykata e Hagës. Po të mos harrojmë se edhe gjyqtari i GJND nga Sllovakia, ai nga Rusia (si i maparshi Skotnika dhe ky i riu Gevorgiani), ai i Marokut kanë qënë e mbeten kundërshtarë të hapur të Pavarësisë së Kosovës, edhe më 2008, edhe më 2010, edhe më 2019.
6.
Dhe e fundit, që për nga randësia do të ishte e para, ka të bajnë me faktin se bota e sotme sllave, e cila po dominon disi e keqas dhe Bashkimin Europian kur bahet fjalë për çështjen e Kosovës e të Shqipërisë, po e përdorë Gjykatën e Hagës si hakmarrje e rradhës ndaj kryeministrit të paqes e gjeneralit të luftës, heroit të luftës e të paqes të Kosovës e Kombit Shqiptar, Ramush Haradinaj. Kjo ka të bajnë edhe me qëndrimet e tij ma të fundit lidhur me mosndarjen e Kosovës nga Serbia e Madhe, për vënien e mos heqjen e taksës së mallrave ndaj Serbisë-kolonizatore e vjetër dhe e re, për korrigjimin e kufirinit Kosovë-Mali i Zi (ngritja e komisionit këto ditë, etj.), për qëndrimet e tij ndaj disa akteve e veprimeve të Turqisë, për qëndrimet e tij pro-amerikane e euroatlantike, për Ushtrinë e Kosovës, etj. Prandaj, kjo fletë e papritur dhe e qëllimshme ndaj Ramush Haradinaj, këto akuza ndaj tij e qëndrimet ndaj veprimtarisë së tij kombëtare shqiptare na drejtohen të gjithëve, të gjithë atyne që e ndjejnë veten shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, në Maqedoni e Malin e Zi, në Preshevë e Sanxhak, në Çamëri, në të gjitha mërgatat shqiptare në botë nga Australia në Amerikë. Prandaj, politikanët shqiptarë, të gjithë me të rinj e të vjetër në politikë, të mos flasin si në dasëm kur Ramush Haradinaj po shkon në Hagë po të mbajnë qëndrim ndaj Gjykatës së Hagës, e cila e nisi aktivitetin e saj para 70 vitesh dhe po e vazhdimin tani në të 7-tin muaj të vitit 2019. “Pallati i Paqes” në Hagë me qëndrimin e fundit ndaj Haradinajt e ka cënue paqen e sigurinë në Ballkan, e ka hedhur në ofensivë gjithëfarëshe Serbinë e Rusinë ndaj Kosovës e Shqipërisë, po hedh barot në “fuçinë e barotit” të Ballkanit, etj. Mos heshtni sot! Nesër është vonë!
Ramiz LUSHAJ
Komentet