Të enjten, parlamenti i Shqipërisë u bë skena e një talljeje masive dhe të paturpshme me popullin. Seanca plenare u shndërrua në një lloj seance hetimore e gjyqësore, ku deputetët nisën paradën e akuzave ndaj njëri-tjetrit se kush kishte pasur më shumë lidhje me CEZ-in, apo kompanitë që kishin vjedhur prej CEZ-it. Opozita kërkonte me forcë futjen e projektligjit të saj për hetimin e huaj, me procedurë të përshpejtuar. Berisha doli disa herë me radhë në podium, duke thënë se vetëm një hetim i huaj do ta zbardhë plotësisht këtë skandal. Më herët, Meta kishte mbështetur edhe ai propozimin e opozitës për hetim të huaj, e madje amerikan, dhe këtë e dëshmoi edhe në një fjalim nga foltorja e deputetëve. Por çfarë ndodhi? Kur u bë votimi, propozimi për futjen e projektligjit me procedurë të përshpejtuar, u rrëzua. Dhe kontributin për këtë e dhanë një grup deputetësh të PD-së me Berishën në krye dhe më shumë se gjysma e deputetëve të LSI-së. Berisha e justifikoi se donte një votë unanime dhe meqë ajo nuk ishte, preferoi të mos votonte as vetë. Ndërsa deputetët e LSI-së thanë se kjo ishte një vit e lirë (që kur kështu në LSI?). Ajo që të gjithë kuptuan ishte se askush nuk e kishte seriozisht kërkesën për një hetim të huaj, jo vetëm për faktin se ata e dinë shumë mirë që kjo s’ka për të ndodhur. Por edhe se nga gazi i Shqipërisë nuk donin të bëheshin gazi i botës, edhe me dokumente tashmë.
Kjo, me sa duket, ishte finalizimi i talljes së madhe që kishte nisur me letrën që Spartak Braho u niste zyrave më të rëndësishme të shtetit, ku paralajmëronte destabilizimin e vendit nga Dritan Prifti dhe Tom Doshi, pasi ky i fundit kishte pirë kafe me gruan e një biznesmeni të arrestuar dhe strumbullar i një prej filialeve të skandalit CEZ.
Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, që mund të thërrasë në zyrën e tij edhe shefin e SHISH, edhe kreun e policisë dhe prokurorin e republikës, e t’u kërkojë shpjegime për sigurinë e vendit, u çon letra nëpër zyra e i paralajmëron për rrezikun që i kanoset vendit nga ca njerëz që pinë kafe tek “Sherationi” e bëjnë plane kundër Ilir Metës. Për gati një javë kjo letër e futi politikën, median dhe shoqërinë në një vorbull hamendësimesh, thashethemesh e intrigash, që përfunduan me dy foto të Dritan Priftit në krevat. Ndërsa vetë Spartak Braho, i famshëm për sekretet që mban gjithmonë në “çontën” e zezë, deri të premten në mbrëmje nuk kishte shkuar të depononte në polici se çfarë informacionesh kishte lidhur me kërcënimin e sigurisë kombëtare. Dritan Prifti kishte të drejtë kur tha: “A mos vallë po destabilizoj vendin kur them se qeveria është e korruptuar dhe duhet të largohet”? Këtë po e bën opozita çdo ditë dhe nuk është vënë askush nën hetim?
E gjitha ishte padyshim një lojë e madhe politike, por populli nuk ua kishte hiç fare për borxh tërë këtë tollovi. E gjithë kjo dukej si një shfaqje surrealiste, ku të gjithë flasin me batuta, mimika, shprehje me nënkuptime e figura letrare, ku të gjithë paralajmërojnë e kërcënojnë njëri-tjetrin, me letra, fotografi, video e thashetheme kafenesh.
Ndërsa në Tiranë luhej kjo shfaqe e shëmtuar, kryeministri i vendit, nga SHBA, duke folur për programin shqip në “Zërin e Amerikës” e foli “shqip” duke mos lënë asnjë mundësi që hetimi i huaj të merrte dritë jeshile në parlament, duke thënë se Shqipëria i disponon të gjitha institucionet ligjore për të bërë çdo lloj hetimi të mundësishëm.
Njëkohësisht, kryetari i Çështjeve Europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Kricbaun, duke folur për programin shqip në “Zërin e Gjermanisë”, DW, tha se “Shqipëria është ende larg hapjes së negociatave me BE-në. Për ne është një kusht i panegociueshëm, që politika shqiptare të dekriminalizohet”…
Nuk dimë të themi se përse erdhi tani kjo deklaratë e kryetarit të Çështjeve Europiane në Bundestag, por ajo duket fiks një përgjigje për aktorët e teatrit të shëmtuar të politikës së Tiranës. Ajo ishte si t’u thoshte, pikërisht atë që u tha ish- ambasadorja amerikane, Jacobson, politikanëve në Prishtinë, të cilët nuk formonin dot qeverinë: “Mos e dhini më punën”. Ndërsa Gjermania kujton se dekriminalizimi nuk bëhet me skenarë alla Sigurimi i Shtetit për t’ia futur njëri-tjetrit, as duke përgjuar gratë apo krevatet e njëri-tjetrit. Padyshim që dekriminalizimi nuk bëhet as edhe duke thënë ata që vjedhin, se unë jam i pafajshëm, apo duke shfajësuar njeri-tjetrin. Pasi qoftë edhe formalisht, prokuroria dhe gjykata, nuk i kanë zyrat në parlament.
Për fatin tonë të zi, tani nuk jemi në fazën kur për të trokitur në paradhomën e BE-së, na kërkojnë të tregojnë standardin ekonomik të vendit, por të tregojnë se çfarë pajisjeje do të vëmë në derën e parlamentit që të mos hyjnë brenda hajdutët, trafikantët dhe vrasësit.
Komentet