Kandidati i opozitës venezueliane Edmundo González është zotuar se do të “vazhdojë të luftojë” për demokracinë në vendin e tij, pasi iu dha azili në Spanjë. González u largua nga Venezuela të shtunën, pasi kishte kaluar javë të tëra duke u fshehur në ambasadën spanjolle në Karakas – duke mbërritur në bazën ajrore ushtarake Torrejón de Ardoz në Madrid me gruan e tij rreth orës 16:00 me kohën lokale (14:00 GMT).
Largimi i 75-vjeçarit nga vendi pasoi trazirat në vazhdën e zgjedhjeve të 28 korrikut, në të cilat presidenti Nicolás Maduro shpalli fitoren – diçka që u kundërshtua nga González dhe shumë pjesë të komunitetit ndërkombëtar.
Në një mesazh audio të shpërndarë nga ekipi i tij i shtypit, ai tha se ishte “i sigurt se së shpejti do të vazhdojmë luftën për të arritur lirinë dhe rimëkëmbjen e demokracisë në Venezuelë”. Para largimit të tij, një urdhër arresti ishte lëshuar në Venezuelë, me qeverinë që e akuzonte atë për konspiracion dhe falsifikim dokumentesh, ndër të tjera “krime të rënda”.
Duke falënderuar mbështetësit e tij për shprehjet e solidaritetit dhe duke konfirmuar mbërritjen e tij në Spanjë, González tha: “Largimi im nga Karakasi u rrethua nga episode presioni, shtrëngimi dhe kërcënimesh se nuk do të më lejohej të largohesha”. Më herët, kreu i opozitës në vend, Maria Corina Machado, shkroi në rrjetet sociale se kishte marrë vendimin për t’u larguar nga vendi sepse “jeta e tij ishte në rrezik”, duke përmendur një “valë brutale shtypjeje” pas zgjedhjeve.
Zonja Machado, një kandidate popullore në vend, pritej të kandidonte si kandidate kundër Maduros, por u pengua ta bënte këtë në minutën e fundit nga institucionet besnike të presidentit. Opozita pretendoi se kishte prova që González kishte fituar me një diferencë të madhe, dhe ngarkoi grafike të detajuara në internet, të cilat sugjeronin se González mundi Maduron në mënyrë bindëse.
SHBA, BE dhe shumica e qeverive të huaja kanë refuzuar të pranojnë Maduron si fitues pa publikuar të dhëna të hollësishme të votimit për të vërtetuar rezultatin nga Karakasi. Në një deklaratë të dielën, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se largimi i zotit Gonzalez nga Venezuela “është rezultat i drejtpërdrejtë i masave antidemokratike që Nicolás Maduro ka lëshuar ndaj popullit venezuelian, duke përfshirë [Edmundo] González Urrutia dhe liderë të tjerë të opozitës, që nga zgjedhjet”.
Ai shtoi: “Rezultatet e zgjedhjeve dhe vullneti i popullit nuk mund të fshihen thjesht nga Maduro dhe autoritetet elektorale të Venezuelës. Ne qëndrojmë me González Urrutia në thirrjen e tij për të vazhduar luftën për liri dhe rivendosjen e demokracisë në Venezuelë.” Më herët të dielën, nënkryetari i Komisionit Evropian Josep Borrell tha: “Sot është një ditë e trishtuar për demokracinë në Venezuelë”. Ai shtoi se “në një demokraci, asnjë lider politik nuk duhet të detyrohet të kërkojë azil në një vend tjetër”. Ai tha se Venezuela duhet t’i japë fund shtypjes së liderëve të opozitës dhe të lirojë të gjithë të burgosurit politikë.
Duke folur në një takim të Partisë Socialiste të shtunën, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e përshkroi zotin González si “një hero që Spanja nuk do ta braktisë”. Ministri i Jashtëm i vendit, José Manuel Albares tha se Madridi do t’i japë zotit González azil pasi ishte “i përkushtuar ndaj të drejtave politike” të të gjithë venezuelianëve.
Largimi i González erdhi pasi forcat e sigurisë në Venezuelë rrethuan ambasadën argjentinase në kryeqytetin Karakas, ku janë strehuar gjashtë figura të opozitës. Ministria e Jashtme e vendit pretendoi se brenda saj po komplotoheshin akte terroriste.bw