Një grumbullim i madh njerëzish, si rrallë ndonjëherë, u shfaq zhurmshëm në Qafën e Pazarit, nën hijen e kalasë legjendare. Gazetat jepnin lajmin e rëndësishëm se Gjirokastra ishte përfshirë në listën e monumenteve të kulturës botërore. Në kafenenë e Nikos, përplot me klientë, kishin zënë vend edhe profesor Rexha nga Kosova e inxhinier Bardhi. Biseda e tyre e shtruar sillej rreth qytetit të gurtë.
– Ja, më së fundi, u realizua ëndrra e zgjatur ndër vite si ankth! – tha buzagaz profesori. – Mendoj se banesat gjirokastrite janë përmendore të historisë sonë.
– Në këtë arritje një meritë e veçantë ju takon edhe juve, zoti Rexha! -ia ktheu inxhinieri.
– Nuk jam në një mendje me ju, inxhinier! Vetë Gjirokastra ishte vendimtare, sigurisht edhe përpjekja e bijve të saj.
– Megjithatë, – tha Bardhi, – unë dhe kolegët e mi, në ato vite trysnie, nuk mundëm t’i shpëtonim disa objekte fetare me vlera të rralla artistike. Kur punoja në Komitetin ekzekutiv, na e merrnin kohën shpesh, duke na dërguar në fshat për koçekë e qymeze pulash.
– E di! Ke të drejtë! Fatkeqsisht ashtu ndodhte.
– Jo vetëm kaq, se ne ndjenim një hije të padukshme, që na ndiqte ngado këmba – këmbës!
– Mos pyet! Si në Shqipëri, edhe në Kosovë, e njëjta gjendje ka qenë!
Inxhinier Bardhi, ndër të tjera, tregoi ç’i kishte ndodhur njëherë:
– Mesa më kujtohet, ishte korrik. Unë dhe tekniku Feçor Rrapi shkuam në fshatin Bularat. Udhëtimi zgjati disa orë në këmbë.
– Kam qenë atje. Është vend shkëmbor e i thyer Bularati.
– Po! Ne duhej të shikonim disa ndërtime të kooperativës. Por, qëllimi im i vërtetë qe fotografimi i manastirit sipër në mal. Kështu, si mbaruam punë, muratori i kantierit të atjeshëm, Koço e quanin, na ftoi në shtëpinë e vet, me një mënyrë që dukej sikur lutej: “Na urdhëroni për një kafe, po deshët!” Nuk ia prishëm. Ai, njeri i mirë, por i varfër, na e shtroi me shpirt e me zemër. Pra, hëngrëm drekën te Koçua, pimë edhe nga një kafe dhe u larguam nga fshati. Rrugës hipëm në një makinë të rastit dhe arritëm në Gjirokastër. Të nesërmen, më thirri në zyrë zëvendës – kryetari. Pa ma zgjatur dorën, në prani të shefit të kuadrit, më tha:
“Ulu! Ku ishit dje?”
“Në Bularat, në këshillin e fshatit, për disa çështje koçekësh! – i thashë. – Bëra edhe disa foto të manastirit atje!”
“E përse na hyjnë në punë fotografitë e tua me kisha, xhamira e mure të shembur bejlerësh?”
“Unë i bëj ato fotografi sipas programit shkencor!” – iu përgjigja.
“E kush e paska miratuar atë program?“
„Ata që drejtojnë shkencën në Tiranë!“
„Ashtu!? – Si u mendua pak, tundi kokën dhe vazhdoi: – Mirë! Këtë çështje e lëmë me kaq! Pastaj?“
„Pasi mbaruam, Koço Pani na ftoi në shtëpi për kafe.“
„Dhe ju shkuat?“
„Po, shkuam.“
„A e dini ju, – ndërhyri shefi i kuadrit, – se ai e ka biografinë të keqe?“
„Jo, aspak!“
„Po si i vajtët, kur s’e dinit se ç’është!?“
„Ua thashë njëherë!“
„Më qetë, inxhinier!“ – kërceu rëndë zevendës- kryetari.
„More shok! – e ngriti zërin shefi i kuadrit. – I biri i botës ka bërë 15 vjet burg për tentativë arratisje! Thirri mendjes!“
„Çuditem! – ia ktheva. – Po ju nga e morët vesh kaq shpejt, që paskemi qenë tek ai!?“
„Pse kot e marrkemi rrogën ne shokët e zyrës së kuadrit!? Ç’bëhet brenda e jashtë komitetit, të gjitha i dimë!“
– Hajde, hajde, çfarë ndodhte! – tha profesori.
– Në ato çaste po vrisja mendjen: kush dreqin të kishte kallzuar? Koço Pani vetë, unë, apo Feçor Rrapi? Tre vetë ishim! E tillë kohë ishte. Edhe në dy njerëz, njëri mund të qe
spiun!