Nga kultura: Libri monografik, ”Gjakova Ndër vite” (1990-1999), dëshmi vlerash të pa kontestuara historike e politike te kohës me peshë të veçantë .
Këto ditë Shoqata e Intelektualëve “Jakova”të Gjakovës, nxori nga botimi monografinë “Gjakova Ndër Vite”-1990-1999, e cila pasqyron një periudhë të gjatë vuajtjesh nën sundimin barbarë të hegjemonisë serbe dhe luftën e paepur në të gjitha fushat e jetës, jo vetëm për mbijetesë ,por edhe në luftë për lirinë e shumëpritur me shekuj, pavarësinë e Kosovës nga një okupator me cilësi kanibaliste
Këtë radhë iniciativën, për ta pasqyruar këtë epokë historike, kalavaret e vuajtjeve dhe mynxyrat e pushtetit okupues serb, e mori me përgjegjësi dhe e realizoi, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” nga Gjakova. Si gjithnjë, me mprehtësi dhe qëllime largpamëse e realizoj qëllimin në mënyrën më mirë të mundshme. Intelektualët e Gjakovës, qytetarë të profileve të ndryshme, doktorë shkencash, profesor të shkollave të mesme, krijues e njerëz të pendës gjakovarë, dhanë të gjitha dëshmitë e kohës dhe i hedhen në këtë dokument historik, me qëllimin e vetëm që të shkruhet realiteti historik dhe gjeneratat pas nesh, mos të harrojnë kurrë vuajtët e përjetuara, gjakun e derdhur dhe luftën për liri të Kosovës ndaj një fqinji barbarë.
Në ngjarjet e viteve 90-ta,për faktin e një aparteidi krijuar nga Serbia hegjemoniste, ishin të angazhuara të gjitha strukturat e shoqërisë sonë, edhe të jetës politike ,si asaj sindikale, në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, industri, zejtari, në kulturë etj. Vend të veçantë zënë në këtë monografi fshatrat, pjesëmarrëse të luftës, me ç ‘rast u krijua edhe emigrimi i popullatës fshat-qytet dhe vuajtjet e tyre të pa përshkruara. Vendosja e tyre nëpër familjet gjakovare, të cilët, atëbotë i priten si miq familjarë, duke u kujdesur, jo vetëm për strehimin ,por edhe për ushqimin e gjithë të ikurve nga vatrat e luftës. Ky veprim, atëbotë, unifikojë dhe motivoi popullatën e gjithmbarshme në luftë për rezistencë. Të gjitha aktivitetet dhe aktivistët e ngjarjeve të atyre ditëve të vështira të historisë sonë, janë përfshi në këtë monografi nga autorë te ndryshëm, çoftë nga ditarët e tyre ,çoftë nga mbamendja e përjetimeve të atyre ngjarjeve të rënda.
Të gjitha mënyrat e veprimeve të përbashkëta si popull, në luftë për liri e pavarësi, në parathënien e kësaj monografie, pas realizimit i vlerëson bukur Prof. Dr. Ruzhdi Sefa :” do të jemi të kënaqur për dy arsye: një se nesër pasardhësve tanë të shumë brezave nuk do t’u vijë turp se baballarët dhe gjyshërit e tyre, edhe pse të arsimuar, e me grada shkencore ,nuk u kanë lënë asgjë të shkruar për gjithë ato vite të jetës brenda një kazani të quajtur Jugosllavi, që vlonte nga zjarri i cili po digjej; dhe, dy, për të mos mbetur pa histori e pa shënime autentike ngjarjet që i kemi përjetuar në lëkurën tonë dhe i kemi parë me sytë tanë ”.Një konstatim i pa koment i të nderuarit Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, pos që meriton lëvdatën për këtë thënie me shumë vlera. Disa rreshta të poetit tonë të madh, Esat Mekulit, e kanë madhështuar gjithë kuptimin e kësaj monografie, kur Prof. i nderuar, z. Ruzhdi Sefa e përdorë me aktualitet të veçantë:”
Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë,
Dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë për ne
Breznitë, veprat i gjykojnë.
/ Esat Mekuli/
Monografinë me vlera të jashtëzakonshme historike, jo vetëm për Gjakovë, por për mbarë çështjen kombëtare e botoi Shoqata e Intelektualëve “Jakova”. U shtyp në shtypshkronjën “Blini” në Gjakovë.
Botimi i këtij libri është mundësuar nga donatori RAMIZ TAFILAJ, president i “Jalifat Publishing”, fitues i Çmimit të Presidentit të SHBA ,për Arritje Jetësore.
Gjakovë,21.janar,2023 Tahir Bezhani