A po planifikoni një udhëtim jashtë vendit në muajt në vijim? International SOS rendit vendet që paraqesin rrezik maksimal për udhëtarët më 2024, dhe gjithashtu ato që janë më të sigurta.
Sipas hartës së përpiluar nga kompania e vlerësimit të rrezikut, renditja e vendeve bazohet në disa të dhëna, duke përfshirë sigurinë, rreziqet mjekësore, si dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Shqipëria, e cila priti rreth 10 milionë turistë në vitin 2023, paraqitet me “rrezik mesatar mjekësor” e “rrezik të ulët të sigurisë.”
Po ashtu me ndikim të ulët paraqitet edhe sa u përket çështjeve klimatike.
Ndërsa në faktorin e katërt, që merr në vlerësim “shëndetin mendor”, 10-12.5% e popullsisë vuajnë nga probleme të shëndetit mendor (përfshin depresionin, ankthin, çrregullimet e të ngrënit dhe skizofreninë).
Rajoni
Sa u përket rreziqeve shëndetësore, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë në të njëjtën kategori me Shqipërinë, ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina përfshihen në kategorinë me “rrezik shumë të lartë”.
Të gjitha vendet e rajonit paraqesin rrezik të ulët sa i përket sigurisë, ndikimit në ndryshimet klimatike dhe shëndetit mendor.
Rreziqet e sigurisë
Shtetet afrikane si Libia dhe Sudani i Jugut janë shfaqur si vende me rreziqe “ekstreme” të sigurisë, e cila është e lidhur me vende me “kontroll minimal ose jo-ekzistent të qeverisë, ligjit dhe rendit dhe shërbime qeveritare dhe transport mezi funksional, sipas International SOS.
Vendet me rrezik “të lartë” të sigurisë vuajnë nga protestat që janë shpesh të dhunshme dhe mund të cenojnë të huajt. Venezuela, Pakistani dhe Birmania bëjnë pjesë në këtë kategori.
Në të kundërt, vendet skandinave janë ndër vendet më të sigurta për sa i përket sigurisë. Metrika vlerëson kërcënimet e shkaktuara nga dhuna politike dhe trazirat sociale, krahas përhapjes së dhunës dhe krimeve të vogla.
Islanda, Norvegjia, Finlanda, Danimarka dhe Grenlanda janë klasifikuar të gjitha si vende me rreziqe “të parëndësishme” të sigurisë.
Zvicra dhe Sllovenia janë gjithashtu ndër vendet me më pak rreziqe sigurie.
Rreziqet shëndetësore
Vendet me rreziqe mjekësore “shumë të larta”, të cilat vlerësohen në bazë të prevalencës së sëmundjeve infektive si Covid dhe standardit të shërbimeve mjekësore emergjente, përfshijnë Afganistanin dhe Korenë e Veriut, së bashku me disa vende afrikane, përfshirë Sudanin dhe Libinë.
Shtetet me më pak rreziqe mjekësore përfshijnë SHBA-në, Kanadanë, Japoninë, Australinë dhe Singaporin.
Të kesh akses në kujdesin shëndetësor gjatë udhëtimit është një shqetësim kryesor për njerëzit – me 60% të udhëtarëve që thonë se potenciali për t’u përballur me një urgjencë mjekësore gjatë një udhëtimi është një faktor kryesor për të blerë sigurimin e udhëtimit.
Ofruesit e kujdesit parësor shëndetësor zakonisht nuk mbulojnë koston e lëndimeve ose sëmundjeve të pësuara jashtë shtetit, të cilat mund të çojnë në shpenzime të konsiderueshme nga xhepi, tha James Clark, specialist në kompaninë e sigurimeve Squaremouth.
International SOS gjithashtu renditi vendet bazuar në ndryshimet klimatike dhe se si mund të çojë në kriza dhe fatkeqësi humanitare. Megjithëse për udhëtarët, kjo mund të mos jetë ende një çështje shqetësimi.
“Ne po shohim që këto rreziqe po bëhen më të ndërvarura. Për shembull, përkeqësimi i kushteve klimatike mund të çojë në një rritje të rreziqeve mjekësore, në veçanti zhvillimin e sëmundjeve të reja, ose rritjen e frekuencës së sëmundjeve ekzistuese” – tha Noriko Takasaki, drejtor i sigurisë në International SOS./Monitor