Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kreu demokrat Sali Berisha tha se ky është momenti që të kalojmë nga momenti i qëndresës në forcën politike të fitores.
Berisha tha se ne jemi shpresa e vetme dhe natyrisht nuk ishin ne shkaku i kësaj, por vendosëm të bëjmë gjithçka për të mbetur si shpresa e pashuar e shqiptarëve.
“Ne ia dolëm të gjejmë një mbështetje botërore në spektrin e djathtë. Janë 3 dokumentet më madhore të 3 organizatave më të fuqishme të qendrës së djathtë ku jepet realiteti në Shqipëri”, tha Berisha.
Ai u shpreh se kundërshtari ynë kishte arritur të paraqiste në Botë një Shqipëri që nuk ekzistonte.
“Këto rezoluta janë arritje madhore, kemi bërë një betejë të madhe për votën e lirë dhe sot e kemi sanksionuar në të gjithë spektrin e djathtë se zgjedhjet në Shqipëri janë farsë”, tha Berisha. Ai tha se kur dëgjon që dita e zgjedhjeve ishte e qetë i vjen të qeshë, pasi në diktatura ka ditë shumë të qeta, ku nuk pipëtin asgjë.
“Zgjedhje të përsosura në aparencë bëjnë diktaturat.
Kur dëgjoj njerëz që dita e zgjedhjeve ishte e qetë, unë gjithnjë se ditët më të qeta të të gjitha kohërave në zgjedhje, kanë qenë zgjedhjet e diktaturës. Aty nuk pipëtinte gjë, shkonin me grusht, hidhnin votën.
Pra këto morën fund dhe ishte një detyrim i yni, shumë ky, për arsye se zgjedhësit tanë ishin të përçmuar.
Në një anë votën ua diktonte vrasësi, ua diktonte qeveritari, ua diktonte terroristi patronazhist, ua diktonte aktivisti. Në anën tjetër, nuk kishte ndonjë njohje ndërkombëtare, dhe tani kjo është e sanksionuar. Është e njohur.
Edi Rama nuk bën zgjedhje, Edi Rama bën farsë elektorale”, tha Berisha.
Berisha tha se demokratët qëndruan për vlerat e konservatorëve: familjen, interesin kombëtar, dinjitetin njerëzor, është detyrë, është mision.