(Ese për vëllimin me tregime “Universi së prapthi”, botim i “Bota Shqiptare, 2017, nga Moikom Zeqo)
Vëllimin me tregime “Univesi së prapthi” e lexova fillimisht gati si me përtesë. Kur e mbarova me ngulm, rashë në mendime. Këto që lexove, i thashë vetes , a janë tregime?
Tregimet e Zeqos nuk ngjanin me ato të Kutelit, Shuteriqit, Agollit apo të Kadaresë.
Ishin tjetër gjë.
Po ç’ishin?
Unë e pyeta nëse tregimet e botuara ishin në udhën e tregimit klasik e ai atypëraty më dha një përgjigje të trazuar. Lexoi tregimet e pastaj flasim ,tha ai.
Qysh në fillim po e them. Po. Ato që lexova ishin tregime edhe kur ngjanin si skica, ese, apo rrëfenja e poema filozofike. Moikom Zeqo i njohur si poet dhe i krahasuar me Uitmanin ,Rilken dhe Eliotin,me këto tregime kishte dal si një kreshtë më vete përballë tregimtarëve më të mirë.
Autori bëri mirë që e nxori në mejdan këtë libër. Ishte një anë e panjohur e botës moikomiane.
Sot nuk ka rëndësi vetëm forma.
Esenciale është se çfarë thua.
Dhe Moikom Zeqo thotë shumë dhe krejt ndryshe me këto tregime, që përcjellin mesazhe filozofike.
Kur mbërrita tek tregimi “Shkrimtari x3z,”, i cili më ngazëlleu e në të njëjtën kohë trokiti në shportën e kujtesës time. “Kam shkruar libra. Libra që përshkruajnë ngjarje” thotë personazhi i këtij tregimi dhe në stilin heminguejan merret me misterin. Ky tregim më dha shtysën që të kuptojë se e rëndësishme është në art se çfarë thua. “Libra që përshkruajnë ngjarje” thotë personazhi i tregimit të Zeqos.
Po i puthis kësaj ashke një petavër. Para shumë motesh axhës së Ukshin Hotit, Axha Limit, siç i thërrisnin në Krushë të Madhe të Kosovës, kur ai ishte në shtratin e vdekjes e mbesa i shkruante për ditë një këngë të gjatë, të cilën ja lexonte tek koka e krevatit ku ai lëngonte. Para se të vdiste axha ia la si amanet të mbesës që këngën ta lexonte përpara arkivolit të tij para se ta kallnin në dhe. Por ditën e varrimit nuk e lejuan mbesën e axha Limit që ta mbaronte porosinë. Është e gjatë kënga i thanë asaj me terezi. Por mbesa qe e zgjuar. Ajo e mori bllokun e mbushur me këngën dhe e futi në xhepin e xhamadanit të axhës së vdekur. Kështu bashkë me axhën e vdekur u varros dhe blloku me këngën e gjatë sa për një libër. Pas disa kohësh e mbesa e axha Limit u kujtua për këngën. Ajo ja tha Ukshin Hotit se çfarë i kishte ngjarë. Profesori e porositi që ta rishkruante këngën. Dhe ajo u mundua, por nuk thuri dot asgjë. Më vonë kur ajo ishte studente në Prishtinë kthehej tek varri i axha Limit. Nën tokë ishte dhe libri i saj. Kjo ngjarje tregohej në odat e Krushës. Mbahej mend që qe shkruar një libër siç thotë personazhi i Moikom Zeqos.
Pas 30 vjetësh tregohet se një libër rri i varrosur me të vdekurin që i kushtohet. Kujtohet një libër me te vdekur.
Edhe tek tregimi “Takim me Dalaj Lamën” e gjeta të shkruar nga Moikom Zeqo. Vetë ai thotë “Librat që kam botuar shpesh më duken pakuptim”. Nga mënyra sesi janë ndërtuar tregimet e Zeqos të bën që të ngresh supet. Nuk ka personazhe të mirfilltë, të gjithë janë në dramë, misteri është i pranishëm gjithkund, takimet me jashtëtokësorët i gjen dora – dorës, bota në vetvete është enigmë, shtohen shpresat nga përtejasit e kozmosit, e befasishmja është tek dera, nuk mungon as hyjnorja, pakuptueshmëria e botës është sfilitëse, vrasësit janë udhëve, ka shumë pikëpyetje se se ku shkojmë e fati i njeriut gjendet në udhëkryq. Të gjitha këto përmblidhen në tregimin “Univesi së prapathi”.
Kur e lexova mërmërita se ky tregim është shkruar ndofta para tregimit “Pallati i ëndrrave” të Kadaresë. Hamendje të kota. Ky tregim i frikshëm vjen në kohë. Është radiogragfia e shqiptarëve në këtë tranzicoin të pambarimtë. Tregimi është gjetje artistike. Ja çfarë thotë personazhi: – “Në ëndërr kishte parë një çift, burrë e grua që i njihte, duke ecur së prapthi, nga dera hyn në garazh dhe i dhanë makinës së prapthi poshtë në rrugicë…” E rilexova tregimin metaforik e thashë se kështu jemi ne për së prapthi. Vrasje për një fjalë, u pushtuan tokat e bukës, u prenë pyjet, lumenjtë u kthyen përmbys, deti u shty drejt Italisë, shiten si dhi gratë dhe motrat, futen në parlament kusarët, e ujqërit shëtisin në bulevard.
Mbreti Lir i Shekspirit thotë “…bëhem shok me ujkun’ e kukuvajkën”.
Tregimi të trondit.
Një mbasdite vura re mbi presidencë një tufë me zogj. Fluturonin praptazi si tek tregimi i Moikom Zeqos.
Tregimet e vëllimit “Universi së prapthi” i lexova çosa herë. Ato pluksonin me kumbim fanatazmor si motërzime në të shumtën e rasteve me stuhi fataliteti në trajtën më të ashpër. Në këtë vëllim Moikom Zeqo gur më gur me imagjinatë personazhet i ka kurthëruar me ëndrra paralajmëruese me një shkathtësi magjike. Fryma të mbetet pezull. Grimcat vocrrake nëpër tregime nuk kanë shtigje për të dal.
Moikom Zeqo nuk i shpëton personazhet. I vështron thartë në përputhje me subjektin. Ata janë në ekstazë siç thotë Hamleti “me gaz në zi, me vaje në martesë”. Kjo është narrativa e jetës. Lënda e tregimeve merret në ledhishtat e një bote në koas dhe jo vetëm në Shqipëri. Po mirë të gjitha këto që lexova a janë tregime? Hemiguej kur flet për librin “Vera e rrezikshme” thotë në parathënie: – “Po qe se këtë e dëshiron lexuesi, ky libër mund të merret si një vepër letrare”. Gjithsesi libri “Universi së prapthi” flet shumë kështu siç është ndërtuar kështjella e tij. Vetë shkrimtari që është dhe kryepersonazhi zëvendëson personazhet, fabulat, detajet, dialogun, monologun, dramën e tragjedinë e tyre.
Tek “Ditar ëndrrash” autori i kthehet botës sonë së prapthi. Moikom Zeqo nuk ” merakoset” për lexuesin. Nuk lufton ta ndreq atë. Ai përshkruan ato që ndodhin në botën tonë kaotike. Kjo është shoqëria sot e për pasojë dhe njeriu pa rrugëdalje. E përse duhen tregimet atëherë? Domosdo që kanë mjaft vlerë. Ato janë pasqyrë e kohës. Lexuesi gjen në to vetveten e doemos vetë lufton që bota të ndryshojë. Në fund të fundit tregimet e Zeqos lexohen edhe kur janë një faqe e ndonjë tjetër me mbi dhjetë faqe. Para shumë vitesh i ndiqja si kureshtar lëvizjet nga Parku Rinia të Ramiz Alisë e të Todi Lubonjës. Të dy njerëzit tragjik flisnin, tregonin, bile edhe qeshnin. Por çfarë i tregonin ata njëri – tjetrit? Nuk e di. Gjithsesi në një rast në kafen “Juvenilja”, ku ata uleshin çdo mbasdite unë qëndrova në tavolinën ngjitur dhe për të mos u rënë në sy u ktheva shpinën. Në bisedën e dy tragjikëve më kapi veshi një frazë që Ramiz Alia ia tha Todi Lubonjës. – “Vrasja e e Ramize Gjebresë në Ramicë të Vlorës qe një vepër për së prapthi”. Todit i tha gjithashtu dhe ca fjali të tjera me togëfjalshin “së prapthi”. Pas kaq vitesh e kujtova këtë detaj tek po analizoja një për një tregimet “Universi së prapthi” të prozatorit Moikom Zeqo.
Tregimet nuk janë vetëm me motive shqiptare.
Ato janë të përbotshme.
I tillë është dhe tregimi “Pëllumbi misterioz”. Bëhet fjalë për pëllumbin e tretë të Brakës së Noes. Mesazhi është shumë filozofik. Dhe nuk është vetëm për shqiptarët. Është për gjithë njerëzimin. Në fund të tregimit Moikom Zeqo thotë: – /Duku, duku o pëllumb/ /Ne të braktisurve, mos na braktis/. Tregimet janë prej një brumi të nakatosur. Lexuesit i duket sikur ngjarja nuk zhvillohet në Durrës. Po kështu i ngjan dhe një tjetri që jeton në Amerikë apo në Rusi. Nëpër faqet e tregimit nuk merret vesh se ku e ka shënjestrën shkrimtari. Për në tabelë nuk ka askënd. Në fund fare ai e nxjerr atë që ka brenda shpirtit: – “/ne të braktisurve, mos na braktis/. Sot bota është sa një fshat. Dhe popullsisë së këtij fshati global i drejtohet Moikom Zeqo.
Në bisedat me autorin e këtyre tregimeve tema e preferuar është ajo e vdekjes. Për motivin e vdekjes (e gjen dhe në tregime) ai flet me gjatë, me alternativa të tëra.
Në kafenenë tonë të preferuar i tregova fabulën për një ambasador që vdiq para shumë vjetësh në Shqipëri. Ambasadorin e vdekur e çuan në morg. Berberi i morgut kur po e pastronte ambasadorin e vdekur i thotë në gjendje të dehur: – “Ambasador! Të erdha t’më jepje një vizë e t’i ma refuzove. Ja si erdhi jeta. Tani je në dorën time, megjithse i vdekur”! Ky tregim nuk i pëlqeu Moikomit. Është detaj tha ai. Letërsia ka tjetër mision. Bota që na rrethon ka drama shumë më të mëdha se ajo e ambasadorit të vdekur, që përfundoj në dorën e berberit të morgut. Njeriu është i braktisur si tek “Pëllumbi misterioz”. Megjithëse ka ndonjë tregim që Zeqos ja ka mpirë talentin, shkrimtari me ndjesi të mprehtë shkurt dhe drejt me një prozë rruazash nga hera në herë ngultazi edhe kur personazhet derivojnë e sikur denatyrohen ai pa u kuturisur kapërthen dora – dorës përmes dialogjesh e monologjesh univesin estetik te të praptat e këtij vendi.
Proza është shpesh edhe kur s’ kemi të bëjmë me rrëfim, por me tekst mitologjik si tek tregimi “Antigonea”.
Tregimtari Moikom Zeqo me këtë prurje është i thellë si deti e i lart si mali. Më vjen keq që ai nuk plugon në letër me ngjashmëri. Në tregimin “Labirinti” ka filozofi, anatomi, arkeologji, hamendje, hipoteza dhe hutim. Nuk ke se çfarë t’i bësh. Me këtë brum është gatuar Moikom Zeqo. Ai ka mënyrën e tij të rrëfyerit, është në qoshen e odës së tij, luan me personazhet, nuk i disiplinon, i lë të flasin, të meditojnë dhe i kurthëruar në enigmat që e prangosin njeriun në botë në tregimin “Labrinti” pasi lë mënjanë kohën, hapsirën, realitetin dhe mitin e mbyll tregimin me fjalinë e thjeshtë “Ata ishin mashkulli dhe femra”. Në vendlindjen time kur i pyet njerëzit sesi pa i kapërxejnë hallet e kësaj jete të mundimëshme ata të përgjigjen vetëm me një fjalë: – “Shtyhemi”. Kjo fjalë është më shumë se një tregim. “Shtyhemi”, ku nënkuptohet se brenda kësaj fjale janë dhe mbrapshtësirat, që i trajton gjerësisht në vëllimin “Universi së prapthi” prozatori Moikom Zeqo. Në gati 400 faqet e librit tregimtari është marrë me shumë personazhe. Po më i qëndisuri është ai i Makabe Zaharisë. Po kush është Makabe Zaharia? Mos është vetë Moikomi? Ndofta. Unë sikur e kam takuar Makabe Zaharinë. Do të doja ta shihja në më shumë tregime, por prozatori e ka ruajtur. Mbase i duhet për ndonjë vepër tjetër. Makabe Zaharia më jep krah. Oskar Uajlldi tek tregimi i Zeqos “Princi i lumtur” nuk ja doli. Në një çast tragjik ai ëndërronte sikur po hante supë bashkë me të vdekurit. Vdiq 46 vjeç i përbuzur. Jeta nuk ështe së prapthi vetëm në Shqipëri, por dhe atje ku lindi Oskar Uajlldi. Në Kakavijë në vitet e diktaturës, në tarrcat e të dyja postave kufitare, në atë shqiptare dhe greke kishte tufa të mëdha me pëllumba të butë. I kishin kafazet 20 metra larg njëri – tjetrit. Një pëllumb i zi, që erdhi nga të grekërve tufa e pëllumbave shqiptarë e mbytën të gjallë. Përse? Sepse ne shqiptarët nuk flisim me grekërit. Dhe pëllumbat paqësor këtë e ndjenin. Dhe kurrë nuk u përzjen. Në këtë vëllim metaforat moikomiane janë planetare. Mpekset legjenda me të vërtetën e misterin. Personazhi narrator Makabe Zaharia i bën qëndresë kësaj bote të përçunduar për dreq në shtim e sipër. Edhe pse në pjesën më të madhe të tregimeve nuk mbizotëron racionaliteti Moikom Zeqo me instiktin e tij natyror nuk i shpëton asaj që ka thënë Bretold Breht: – /Peshkaqënve u shpëtova/ Ujqërit i vrava/ /Më grinë pleshtat/. Në rrëketë e fjalive dhe të fjalëve të personazheve edhe kur ka meditacione dhe mospërputhje autori me vlerësim të thukët në të gjitha trandjet pa fotokopjuar realitetin bën biografinë dhe lidhjen titanike të personazheve të kësaj botë plot pikpyetje. Rëndësi ka mendimi filozofik të cilin Moikom Zeqo e ka me bollëk.
Tek lexoja tregimin “Kulla Ejfel – Makinë qepse” nënvizova një fjali të Bill Klintonit: – “Është ekonomia, budalla” pat thënë ai.
Personazhet e vëllimit me tregime “Universi së prapthi” janë të vetmuar, u mbyllen udhët, s’u dihet e mira, nuk e vidhisin dot të keqen, ka shumë pakuptueshmëri në planet, edhe hyjnorja është plot enigma, gjithçka rrotullohet rreth hiçit dhe gremina i kërcënon të gjithë.
Edhe tek tregimi “Poema e Krishtit” ndodh e njëjta gjë. Gjithçka është praptazi. Një personazh si Fan Noli ka të njëjtin fat “i rrëzuar, i mallkuar”. Pse duhet të ndodh kështu? Noli nuk ka pse të shpërblehet në këtë mënyrë. Këtyre pyetjeve Moikom Zeqo u përgjigjet me ato që ka thënë vetë Krishti. Ai, Krishti, ka thënë vargun e pabesueshëm “Zoti im, Zoti im, pse më braktise”? Megjithatë vepra mbetet. Në këtë pikë Zeqo vështron lart dhe nuk i ndahet të panjohurës. Para qindra vjetësh në Sopik të Gjirokastrës midis malit të Nemërçkës dhe të Makrikamit qe ndërtuar një urë, që lidhte sopiqotët me grekërit përballë fshatit Dërmadhë. Ura që thirrej me emrin “Ura e Turkut” qe mbytur nga pylli i madh. Një herë fryti një ciklon i paparë dhe e shkulli nga rrënjët të gjithë pyllin. Pas ciklonit doli në shesh Ura e Turkut me qemer e vetëm me një hark. Rreth saj u grumbulluan sopiqotët sikur ajo të qe ngritur nga varri. Dhe gjetën gërma të cilat nuk i merrnin vesh. Megjithëse në kufijtë me fqinjët ka pasur vazhdimisht luftra nuk kanë munguar ndërtimi i urave, manastireve, haneve, udhëve, krojeve e i njerëzve enigmatik, që përcillnin në kufi udhëtarët e panjohur. Në Radat të Gjirokastrës të tregojnë një shpellë ku qëndroi Bajroni kur kapërxue kufirin për tek Ali Pashë Tepelena.
Tek i lexon tregimet e Zeqos që në hasjen e parë ndeshesh me magjinë e posaçme te fjalës e kur ti si lexues përtej emocioneve kërkon të monologosh të dalin përpara aluzionet mitologjike me një pafundësi kuptimesh.
Megjithë retorikën e shkëlqyer e theksin poetik të fabulave fuqia edhe bjerret. Gjithsesi prozatorin e mban e përkoshmja e kësaj jete nga ndotjet shpirtërore, nga klasat elitare, mirazhet e atypëratyshme, shtendosja nga e keqja, megjithëse ilumnimi i njeriut është i pangadhënjyshëm.
Shkrimtari Moikom Zeqo është univesal.
Të 72 tregimet e marrin lëndën dhe në kontinente të tjera. Për shkak të kulturës së tij shumëdimensionale nëpër tregime ka fjalë e terma që nuk përtypen nga lezuesi i zakonshëm (edhe mundet t’i kishte qethur). Gjithsesi personazhet e tregimeve flasin shumë. Tek tregimi “ Të vdekurit pyje, – Botanika e re” prozatori i referohet poetit Thomas Eliot. Në një poezi Elioti shkruan: – /Ajo kufoma që vure vjet në kopsht/ /Ka nisur të çelë?/ /Do të lulëzojë sivjet?/. Tregimi është kundërveprues ndaj vdekjes dhe hiçit të tmerrshëm. Në vitin 1985 (dimri i borës së madhe) fotografët e qytetit të Kukësit u rrahën me punëtorët e ndërrmarrjes së gjelbërimit. Kishte rënë dëborë e paparë dhe pishat e krrusura po thyheshin. Punëtorët erdhën për t’i shkundur pishat po nuk i lejuan fotografët. Pishat me borë qenë mrekulli dhe ata ato ditë po fitonin para me fotot që u bënin qytetarëve të Kukësit. Pikërisht për këtë shkak filloi rrahja mes fotografëve dhe punëtorëve gjersa mbrriti policia. Megjithëse edhe në kulmet e artit të Moikomit nuk ka shpirtëra të lumtur prapë se prapë emocionet e medha estetike nuk mungojnë.
Për këtë thagmë pavarësisht nga të sprapthit që statujat në Durrës i thërmonin dhe i bënin gëlqere nuk folizohet shpirti i intelektualit.
Borgesi thotë “Ky libër do të ekzistojë përtej jetës sime, përtej jetëve tona”.
Moikom Zeqo me tregimet e vëllimit, “Universi së prapthi”, shfaqet mjaft i shqetësuar. Si ai dhe personazhet janë universalisht në dramë. Nuk ka qetësi. E liga në këtë vend është ulur këmbëkryq. Të duket sikur s’ka shpëtim. Prozatori ngre shumë pikpyetje. Edhe dielli në mengjes sikur del së prapthi. Megjithëse autori nuk jep detaje e nuk përmenden vrasjet, gjëmat e ankthi i shoqërisë shënjestra e tregimeve metaforikisht aty rreh. Kjo duket në tregimet “Maska”, “Vetëtima univesale”, “Kokëpreri Tomas Mori”, “Sozia” e të tjerë.
Paçka se shkrimtari ka një shqetësim global në Shqipërinë ku ai jeton punët shkojnë keq e më keq. Kjo qoshe e botës po braktiset, krimi të merr erzin e pasiguria është sheshit.
Moikom Zeqo e lufton dramën me të gjithë fuqinë e artit të tij. Edhe pse i rënduar nga shëndeti lufta e tij nuk njeh cak. Prozatori më thoshte një ditë në Akademinë e Policisë se ndjeshmëria ndaj dramës kombëtare e sëmuri dhe fizikisht. Tek po flisnim për lëndën e tregimeve unë i thashë se sëmundja e tij do të kishte shërim.
Në Amerikë ka nisur zbatimi i terapisë gjenetike me qeliza të modifikuara kundër leuçemisë të cilat sulmojnë qelizat kancerogjene. Ai më dëgjon dhe në ballin e tij me rrudha si përrenj malorë sikur veson një rreze drite. Moikomi do ta mposht sëmundjen jo vetëm me ilaçe, por dhe me art. Me librin “Universi së prapthi” në dorë i tregoj një ngjarje nga lufta e Kosovës në Koshare. Pranë Rrasës së Zogut ku luftonim kishim dhe një dhomë me arkivole. Ishin për ata që do të vriteshin. Sa herë që i shihja arkivolet i thoja vetes: – “Kush nga këta arkivol do të jetë për mua”. Por unë shpëtova. Ndonjëherë kur mendon se je pranë vdekjes ajo vetë bën të kundërtën. Ja mbath. Edhe vetë sëmundjet janë plot mistere.
Promovimi i librit “Universi së prapthi” është një përgjigje pohore jo vetëm për mënyrën sesi shkruan Moikom Zeqo qysh me tregimin e parë “Rebelimi i Nembrotit”, por në tërësi struktura e librit, monologjet e spërdredhur, gjykimi i personazheve, ku andejpari nuk janë të lumtur, shkulmet e anktheve, vlaga e fjalëve, njerëzit në zgrip të panikut, motivet kryengulthi, paranojat stilistike, prapamendimet për fabulat, detajet e vagullta, parandjenjat e kobëshme të Makabe Zaharisë, rikujtimet e kthjellta moikomiane, shkurajmet, të qëndisurit me duhmë poeti, individët me natë pa të nesërme, peisazhet etike, përdorimi me tepri i kreativitetit (thonë që Van Gogut i është dashur që të pijë raki që peisazhet t’i shoh dhe t’i pikturojë më mirë), enigmat letrare të mjaft tregimeve, çiltërsia e fjalëve me ngjyrim vetjak moikomian (Markezi shkruan: – “Jam shumë i ndjeshëm ndaj dobësisë së një fjalie ku dy fjalë pranë e pranë rimojnë qoftë dhe me rimë zanore dhe parapëlqej të mos e botoj gjersa ta kem zgjidhur problemin), pasioni ungjillor që eklipson dhe i hap udhë mprehtësisë së prozës, miti i dinjitetit, fuqia e fshehtë krijuese, mungesa e shpresës, frytshmëritë e egra, stil origjinal , dinastik, moikomian, epshëria etike e personazheve edhe kur janë në zgrip të dështimit, tregimet e dorës së parë të shkruar po në vetën e parë, thagma e tregimeve nuk e fosilizon intelektin e tyre, njerëz në udhëkryq brenda procesit kozmik, ofshama të mistikëve dhe të metafizikantëve (Shekspiri thotë: – “Ne jemi bërë nga i njëjti brumë si në ëndërr”), epërsitë e shpirtit të varur kobësisht nga sfinksi, e parapëlqimet e motiveve nga makthet letrare.
E gjithë retorika e tregimeve të librit “Universi së prapthi” të shkrimtarit erudit Moikom Zeqo datojnë me shkakësi ngjarjesh brenda botës që është e lidhur në vetvete. Shkrimtari ka një jetë që plugon e bën qilizëm në truallin e letërsisë shqipe. Sa më shumë që ka pluguar e lesuar e ka bërë atë që të korrë e të marrë lloj – lloj bereqeti. Fidanishtja e farave çel për autorin mot për mot. Gjatë viteve të luftës në fshatin tim në Mallakastër ka qëndruar disa ditë një kompani gjermane. Siç thoshin pleqtë ushtarët gjermanë kishin pasur me vete farë opiumi. Ndofta e përdornin për çaj e kushedi mbase për ilaç. Pleqtë nuk ja vinin dot vjegën. Gjermanët ikën e në fshatin tim lanë farat e opiumit. Aty ku ngritën fushimin ushtarët gjerman ra zjarri dhe vendi u dogj e bë hi, u mboll duhan, u bë korie dhe u pre. E megjithatë fara e opiumit nuk u shua. Ato çelën në murishte një vit më pas e kështu mot për mot. Edhe në kohën e socializmit. Por askush nuk e dinte se ç’ishte bima e opiumit. Ajo që kishte mbijetuar u pikas në vitet e demokracisë. Paçka se nuk merret kush me kultivimin e saj ajo çel për qejf të vet çdo pranverë. Krahasimi mbase çalon.
Por ashtu si fara dhe ato të tregimeve të pashtershme të Moikom Zeqos lëshojnë sytha e trazojnë shpirëtra si tek vëllimi “Universi së prapthi”. Gjithsesi opiumi dhe tregimi kërkohen. Fara nuk u shuhet.
Disa nga tregimet e Moikomit kanë gati 40 vjet që janë shkruar. Bota e personazheve të Moikomit filozofojnë e nuk dalin dot nga asgjëja që i pret. Gjithsesi ata luftojnë ta kuptojnë e ta bëjnë më të mirë këtë jetë siç janë dhe heronjtë e këtij libri Oskar Uajlldi, Fan Noli e të tjerë. Një mëngjes dola për të blerë në Orikum qumësht dhe rigon. Fshatari nga Dukati ishte pak më larg shisheve dhe qeseve me rigon. E pyeta dhe m’u përgjigj. Një zog kishte rënë nga foleja prej majës së palmës. Zogjtë e shumtë i binin ushqim që ai i vogli të merrte fuqi e të ngjitej lart. Tufa e zogjëve ishte e inatosur. Kjo dukej nga zhurma me cicërima. Dukatasi e ruante zogun e vogël që të mos e shkelnin plazhistët. Kishte bërë gati një grusht me bajame për t’ja dhënë ndonjë djali që zogun ta çonte sipër në fole në majë të palmës. U mahnita nga tregëtari i vogël i qumështit dhe i rigonit. Shpresa nuk mungon në këtë vend. Kur isha në përfundim të librit një nga personazhet e librit më solli ndër mend një insekt të zonave të jugut. Ai quhet kollovizh. Ky insekt ecën mbrapsht dhe kur punon si milingonat për të siguruar ushqim. Por ndryshe nga milingonat kollovizhi ecën mbrapsht si personazhet e librit “Universi së prapthi”. Për kollovizhin ka dhe një këngë që këndohet edhe sot atyre anëve: – /Kollovizhi krahëzi/ /topa – topa bën ai/ /Ecën bythapraptazi/. Mos dhe ne ngjajmë me kollovizhin. Po ecim mbrapsht. Me dy mendje jam. Personazhet e Moikom Zeqos më ngacmuan.
Gjatë leximit të këtij libri të Moikom Zeqos zbuluam anën e pashfaqeshme të njeriut, i cili sot është i rrethuar nga humnerat. Në Gjirokastër dikur ka rrojtur një bojaxhi me emrin Lame Senica. Gjithë jetën këtë punë kishte kryer. Para se të mbyllte sytë i mblodhi fëmijët dhe zgjati kokën nga Sokaku i të Marrëve. Dhe tha këto vargje: /Botë moj botë!/ /I harxhova të gjitha bojërat dhe ngjyrat/ /Po ti qe dreq dhe s’more as bojë dhe as ngjyrë/ /Si pranove bojërat e mija se nuk ke fytyrë/ /Në djall vafsh!/. Thonë se të bijtë e bojaxhiut Lame Senica këtë thënie të atit të tyre e shkruan tek pllaka e varrit. Studjuesi gjirokastrit Lefter Dilo e kërkonte në varrezat e vjetra të Gjirokastrës pllakën mbi varrin e Lame Senicës me epitafin me të çuditshëm në botë. Donte të shihte tekstin e sakt pa zbukurime.
Sa ngjajnë personazhet e librit të Moikom Zeqos “Universi së prapthi” me piktorin gjirokastrit, bojaxhiun Lame Senica.
Në fund të kësaj eseje doja të shtoja se pavarësisht se në këtë vëllim me tregime ka shumë mjegull, pasiguri, pikpyetje, rebelim, ankth e s’gjenden udhët për shpëtim, prozatori Moikom Zeqo tek tregimi “Pëllumbi misterioz” thotë: – “Duku, duku o pëllumb/ /Ne të braktisurve, mos na braktis/”.
Autori shpreson (beson pafundësisht ), që Njeriu t’ia dalë patjetër!.
Komentet