Në gazetën Dita, faqe 11, e Enjte 9 Shkurt 2017, është botuar Reagimi i Ministrisë së Kulturës për Gjirokastrën, në formën e një replike të Ministres Mirela Kumbaro për Moikomin.
Kjo lidhej me artikullin tim “Skandali me UNESCO-n për Gjirokastrën”, botuar në Dita 8 Shkurt 2017, ku vija në dukje heqjen nga Lista e UNESCO-s për monumentet e Gjirokastrës të 236 monumenteve të kategorisë së dytë.
E vërteta është që reagimin e Ministrisë online e kam lexuar 5 ditë më parë se sa të shkruaja shkrimin tim shqetësues për monumentet e Gjirokastrës.
Tërë arsyetimi nga ana e Ministrisë së Kulturës flet për mospërputhshmërinë e numrit të monumenteve të këtij qyteti në listat e UNESCO-s dhe numrin real të zyrtarizuar tani vonë të monumenteve të Gjirokastrës prej Ministrisë së Kulturës.
Së pari, dua të vë në dukje se lista e cila është zyrtarizuar nga UNESCO në vitin 2005 është dërguar nga shteti shqiptar.
Është marrëzi të mendosh që specialistët e UNESCO-s paskan shpikur një listë me monumente apokrife, apo të trilluara.
Pra, është përgjegjësia e Ministrisë së Kulturës, e Institutit të Monumenteve që në dosjen e UNESCO-s për Gjirokastrën kanë listuar numrin e monumenteve të kategorisë së parë dhe të kategorisë së dytë.
Hartuesi i dosjes së UNESCO-s për Gjirokastrën, dijetari i shquar dhe akademiku Emin Riza që gjithë jetën i ka kushtuar monumenteve të Gjirokastrës me të drejtë në një intervistë të tij të datës 7 Shkurt 2017 faqe 18, në gazetën “Sot” shprehet , se interpretimi diletantesk i ligjit nuk i shpëton nga përgjegjësia Ministrinë e Kulturës që i takon t’i gjejë këto 236 monumente kulturore përtej çdo alibie juridike.
Kështu që replika ministrore ndaj meje është më tepër një shfaqje naive justifikimi.
Në mjedisin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u mblodh Forumi i Intelektualëve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës, nën drejtimin e kryetarit të këtij Forumi, z. Agim Mero dhe prej meje si nënkryetar i Forumit.
Në këtë tubim ishin shumë dijetarë, nga Gjirokastra dhe nga Shqipëria që diskutuan për situatën e rrezikuar të monumenteve në Gjirokastër.
Me këtë rast u debatua dhe u aprovua një relacion mbi një projekt të një rruge “Bypass “në zemrën e Qendrës Historike të qytetit të Gjirokastrës për t’ia dërguar edhe Kryeministrit Rama, Ministres Kumbaro por dhe institucioneve më të larta të shtetit, të Presidencës, Kuvendit, por dhe ambasadave të huaja (meqenëse Gjirokastra është pranuar nga UNESCO si pasuri botërore e qytetërimit).
Ky relacion do i dërgohet dhe Bashkisë së Gjirokastrës, të cilët kanë mbetur të befasuar dhe nuk ishin në dijeni jo vetëm për skualifikimin e 236 monumenteve të kulturës, por as edhe për projektin e një rruge Bypass tek Qendra Historike e qytetit. Në relacionin konstatuar shkeljet procedurale dhe administrative, shkeljet ligjore, problemet e rënda tekniko-profesionale, shpërputhjet me prioritetet e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur në Gjirokastër, si dhe për ndikimin negativ në Vlerat e Jashtëzakonshme Universale – “Outstanding Universal Values” (OUV).
Tërë qëllimi i mbrapshtë dhe alibik për heqjen e 236 monumenteve lidhet me idenë e rrugës “Bypass “që ka një aprovim paraprak nga qeveria sipas një projekti prej 4 milion Eurosh. Janë mbi 12 studime nga ekspertë kryesorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për problematikën gjeologjike të kodrës mbi të cilën shtrihet Kalaja e Gjirokastrës, duke dëshmuar se zona në të cilën planifikohet ndërtimi i “Bypass-it” paraqet rrezikshmëri tejet të lartë gjeologjike, për shkak të shtresave të paqëndrueshme si dhe çarjeve të thella tektonike.
Projekti për këtë “Bypass” ndërhyn dhe ndryshon strukturën e peizazhit historik të Gjirokastrës duke e tjetërsuar atë.
Ky projekt parashikon prishjen e disa shtëpive tradicionale të cilat njihen si monumente kulture siç është banesa “Koço Spiri” dhe “Llaqi Papazisi”.
Ministria e Kulturës pavarësisht vendimit që ligjëson statusin monument kulture të këtyre dy banesave në mënyrë aspak institucionale dhe shkencore bën heqjen e tyre.
Për fat të mirë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër nuk ka shumë kohë që mori vendim për shfuqizimin e urdhrit administrativ të Ministrisë së Kulturës për të hequr nga lista e monumenteve të mbrojtura të dy monumentet e kulturës (shtëpitë tradicionale) që planifikohen të shkatërrohen nga projekti i “Bypass-it. “
Pra arsyeja e vërtetë që nuk duhet fshehur është se një studio e huaj paska bërë një projekt të “Bypass-it” për Gjirokastrën që në fakt denatyron karakterin historik të Qendrës dhe për hir të këtij projekti për mendimin tim arbitrar dhe që nuk duhet lejuar të realizohet, strukturohet dhe alibia e monumentit për këtë zonë.
Do të ishte mirë që paratë për projektin e “Bypass-it “të shpenzoheshin për të bërë mbrojtjen për të mos u rrëzuar muret e kështjellës si dhe për të referuar nj numër të madh monumentesh që për fatin e keq këto 5 vitet e fundit dhe nuk çan kokën askush për to.
Një argument që dhanë studiuesit në tubimin e Forumit në Akademinë e Shkencave ishte dhe ideja se bërja e këtij “Bypass-i” do të ndërhynte dhe në strukturën e brishtë dhe problematike gjeologjike duke e dëmtuar seriozisht qëndrueshmërinë e çdo objekti, madje të vetë Qendrës.
Gjirokastra ka gjithashtu një situatë sizmike problematike dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të bëhen shpenzime për forcimin paraprak që tani, duke menduar edhe një skenar apokaliptik që, nëse nuk kemi një ndërhyrje emergjente të sotme për të mbrojtur Gjirokastrën, ndoshta mbas 100 vjetësh do të kemi një Gjirokastër në një pjesë të madhe të rrëzuar dhe të rrënuar.
E bëj këtë sqarim për lexuesit e Ditës dhe për opinionin publik për të sensibilizuar ndjesitë dhe vetëdijen tonë se mbrojtja e Gjirokastrës është sa një detyrë qytetare aq dhe një subjekt i patjetërsueshëm i shkencës, i kulturës, i qytetërimit kombëtar dhe ndërkombëtar, që ka bërë realitet shpalljen e Gjirokastrës si pasuri botërore nga UNESCO.
Komentet