1.
Moikom Zeqo ishte 30-vjeç, kur botoi librin e parë poetik për fëmijë “Stina e balonave”. Pastaj, një herë në dy vjet, e nga një herë vit pas viti, me të njëjtën Shtëpi Botuese që ishte e vetmja para viteve ’90, siç ishte ajo “Naim Frashëri”; poeti Zeqo, botoi më pas: “Festa e Abetares” (poezi, Tiranë, 1981), “Skulptori i dëborës” (poezi, Tiranë, 1983), “Det, o det” (poezi, Tiranë, 1984), “Shtëpiza e pëllumbave” (poezi, Tiranë, 1986), “Çudia e fluturimit” (poezi, Tiranë, 1987), “Syri”, (poezi, Tiranë, 1988), ”Legjenda e Epidamnit” (poemë, Tiranë, 1989), “Tri shkronjat e hënës” (poezi, Tiranë, 1990). Viti 1990 shënon, mbase, mbylljen e kapitullit poetik prej nëntë librash. Edhe gjatë këtyre viteve e në vazhdim, krahas deputimeve në poezisë për të rritur, monografive, studimeve, eseve, analizave, sinopseve, skicave dhe prozës, etj., etj.; Moikomi i kushton një vëmendje të veçantë edhe prozës për fëmijë. Te kjo prozë, me nota poetike, Zeqo lëvron guximshëm dhe sjellë motive shpesh të panjohura për letërsinë e fëmijëve nëpërmjet skicës, tregimit, rrëfenjës dhe përrallës, etj. Diapazoni tematik merr përmasa jo të zakonshme. Memoaristika kapërcen vitet dhe shekujt e bëhet bashkëkohore. Miti dhe mitikja shfaqen kujdesshëm në subjektet e ofruara. Deti dhe “qytetet” nënujore me florën, faunën dhe misteret e saj plotësojnë me motive më tej portretin shumëformësh të krijuesit Zeqo. Mrekullitë dhe e jashtëzakonshmja e botës përrallore përbëjnë stilin e Zeqos. Prirja drejt librave enciklopedikë e bëjnë shkrimtarin Moikom Zeqo model të një poliedriciteti dituror.
Tek vepra “Stina e balonave” shfaqen kundrime poetike të një përvoje me zë fëmijërie, që e prezantuan poetin të talentuar edhe në fushën e letërsisë për fëmijë. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 40-vjet, ato mbeten të freskëta, të magjishme edhe sot. Duke folur për atë fillesë poetike, me të drejtë shkrimtari dhe studiuesi Odhise K. Grillo në një shkrim të tij thoshte: “… autori i ka hyrë me të gjitha forcat letërsisë për fëmijë dhe nuk kemi të bëjmë këtu me një rast të veçuar frymëzimi. … Origjinalitetin e poetit Moikom Zeqo e shohim edhe në një drejtim tjetër. Ai nuk ndërton vjersha të përgjithshme…, por krijon një fabul sado të vogël… … vjersha të këtij vëllimi kanë fabula domethënëse, të thjeshta e të kapëshme, jetësore, që vogëlushët nuk i kanë lëxuar tjetër herë.”
Edhe pse erdhi nga letërsia për të rritur, poezitë për fëmijë të këtij vëllimi qenë një befasim i këndshëm, plot vlera për letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj. Hyri menjëherë në zemrat e fëmijëve. Rrezatonin krijimet e tij në mendim, ndjenjë e figurë. Qe një përveçësi dhe risi në raport me botimet poetike të asaj kohe, të cilat kishin një moralistikë të tepruar e të shfaqshme hapur, plot shtampa e pa vlera artistike. Kështu, në vitet ’80, poeti i talentuar Moikom Zeqo, në procesin e tij krijues, i shtoi individualitetit të tij artistik edhe këtë faqe poetike, me botimin e librit “Stina e balonave”. Një faqe poetike, ku gëlonin: tema të patrajtuara e këndvështrime të reja, figuracione të pasura, sintaksa poetike me udhëtime metaforash, fantazi të ndezura që të rrëmbenin e të ftonin drejt kozmosit të ëndrrave, detaje magjepsëse me plot të papritura, etj., etj. Të gjitha këto “pushonin” në mbretërinë e motiveve të detit që ishin dhe mbeten edhe sot të shtrenjta për individualitetin e poetit Zeqo. Teksa afirmohej si poet interesant me plot imazhe metaforike në poezinë për të rritur, në poezinë shqipe për fëmijë e të rinj erdhi si një stinë lodërtare e ëndërrimtare balonash. Erdhi me këtë magji stine pranvere, me vrapin e shkujdesur të fëmijërisë së poetit përmes valëve të detit durrsak. Por, ama, erdhi “të përkëdhelë” edhe fëmijërinë e lexuesit, me motivet e librit “Stina e balonave”; e pse jo edhe të zbukurojë fëmijërinë dhe rininë time, si dhe rrugën time poetike që kisha zgjedhur si krijues.
Librat poetikë e librat në prozë për fëmijë të Moikomit të botuar deri më tani, si dhe përshtypjet, konsideratat, esetë… etj., etj., ndaj procesit letrar e zhvillimor të kësaj letërsie nëpër vite dhe dekada; mendoj që krijuesit Moikom Zeqo i japin dimensionin e figurës së dijetarit; dimension që është i rrallë në këtë hapësirë letërsie. Janë të njohura për mua, por të panjohura për kritikën letrare, e cila nuk e tha fjalën si duhet dhe mbeti në kufijtë e recensionit, për krijimtarinë për fëmijë të Moikomit, Janë të njohura për mua, por të panjohura për kritikën letrare, e cila nuk e tha fjalën (ende dhe sot) për vlerat që mbartin pasthënia (Në vend të pasthënies) te libri “Princi i Vjeshtës” (përralla, tregime dhe skica, Toena, Tiranë”, 1995); pasfjala te libri “Tre libra në një” (Vetëm për fëmijë 100 vjeç dhe pleq 10 vjeç, Sh. B. Florimont, Tiranë, 2002), parafjala e pasfjala te libri “Enigma E. Y. dhe Kalorësit Dardanë” (Tregime për pleq 10 vjeç dhe fëmijë 100 vjeç, Sh. B. Erik, botimi i parë, Tiranë, 2012), si dhe pasfjala te libri “Aventurat e fundit të Gishtos” (përralla) të autorit Frederik Rreshpja. Këto shënime autori Zeqo i ka hedhur kohë pas kohe. Këto shënime, që në të shumtën e rasteve dalin jashtë kufijve të librave autorialë, edhe pse janë bashkëudhëtare me disa libra të tij, ata janë traktate filozofiko-eseistike e artistike në shërbim të rritjes së mëtejshme të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, në përgjigje të pyetjeve, si: -Ç’do të thotë të shkruash për fëmijë?, -Pse është e vështirë kjo letërsi?, -Si duhet duhet te jetë ajo në raport me shkrimtarin, me kohën dhe universin fëmijëror, etj.
Moikomi, duke qenë nga natyra poetik dhe konçiz, domethënës dhe pasionant, filolog dhe kulturolog; këshillat dhe sentencat e tij, etj., janë thelbi i misionit fisnik të shkrimtarëve që kanë vendosur të shkruajnë për fëmijë e të rinj, se ç’detyra i presin ata për të shkruar vepra të jetueshme. Vjershat, proza, filozofia e shprehur e Moikomit në intervista, shkrime të ndryshme në shtyp, parathënie e pasthënie të shkruara për librat e vet dhe të tjerëve; janë një pasuri e vlefshme, aktuale edhe sot, shembëlltyra dhe modele për t’i dhënë hove Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj që ende e ka zërin e vogël.