Me shumë gjasë dhe me angazhimin e ri të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, piramida do të kthehet në një tip qendre rinore shumëfunksionale. Pothuajse e ardhmja e afërt e Piramidës është përshfaqur nga ajo që vetë kryebashkiaku ka kumtuar këtë javë pas takimit me dy bashkëdrejtuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, të cilët nënshkruan me të marrëveshjen e bashkëpunimit për kthimin e Piramidës në qendrën më të madhe multifunksionale për të rinjtë, e fokusuar kryesisht në arsimimin digjital, por dhe të artit e kulturës, referuan burimet e Bashkisë.
“Hedhim hapin e parë zyrtar për formalizimin e një marrëveshje midis Bashkisë Tiranës dhe AADF për të transformuar Piramidën e Tiranës, ndërtesën më ikonike të qytetit tonë, në qendrën më të madhe për të rinjtë, kryesisht e fokusuar në arsimimin digjital, në kulturën e teknologjisë së informacionit dhe në funksion të artit, kulturës dhe kurseve profesionale apo hapësirave të tjera rinore”, theksoi Erion Veliaj, cituar nga e gjithë media.
Piramida, sipas tij, do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kulturës. Më pas, kryebashkiaku Veliaj sqaroi se projekti është i ndarë në dy faza: së pari, nis puna për rehabilitimin e godinës dhe së dyti, mirë menaxhimi i saj, duke qenë se do të mirëpresë deri në 5 mijë të rinj në ditë. “Vendosja e kësaj ndërtese në shërbim të të rinjve të Tiranës do të ketë një efekt transformues për qytetin tonë. Për këtë projekt janë bashkuar më të mirët e pushtetit vendor, me më të mirët nga bota e filantropisë edhe projekteve të guximshme, si AADF”, tha ai.
Bashkëdrejtuesi i AADF, Martin Mata, ka qenë i kënaqur me bashkëpunimin dhe ka deklaruar se: “Jemi duke kërkuar shumë për të gjetur modele në fushën e arsimit, të qëndrueshme dhe moderne, të cilat bota i ka provuar. Një ndër këto është projekti “TUMO”, të cilin e kemi parë në disa vende, kemi folur me ta dhe për kënaqësinë tonë të madhe, jo vetëm që kanë pranuar të vijnë, por kanë pranuar edhe ta menaxhojnë në vitet e para, padiskutim nën kujdesin tonë të përbashkët, financimin tonë të përbashkët. Të falenderojmë shumë ty edhe bashkinë, për një lloj ‘agresiviteti’ dhe një lloj precizioni në suksesin e projekteve të përbashkëta”. Shumë shpejt priten edhe studiot e arkitektëve që do të japin propozimin e tyre. Dhe, në vrullin e kryetarit të Tiranës, mendohet se projekti do të marrë shpejt frymë.
…
Është fare e mirë dhe e lavdërueshme që Bashkia e Tiranës merr flamurin për t’i dhuruar kryeqytetasve të rinj, por edhe moshatarëve të tyre nga i gjithë vendi këtë projekt të këndshëm inovacioni. Veçse, në atë trend që ka pasur Piramida dhe në pamundësinë për t’i gjetur realisht predispozitën e funksionit, mund të gjykojmë se destinacioni i saj i të ardhmes duhet menduar realisht. Ne kishim dhe një Ministri Inovacioni, që i përgjigjet disa ideve të funksionit të Piramidës, por që misioni i saj i mandatit të shkuar nuk pati fare impaktin e pritur. Kurse një ndërtesë që i përgjigjet këtij trendi, duhet realisht të jetë dhe në konceptimin e saj krejt ndryshe. Pra me një arkitekturë moderne dhe e konceptuar në një qendër tjetër.
Me pak fjalë, propozimi që të vjen si më i arsyeshëm është ai i bërjes së një dege të Bibliotekës Kombëtare ose vetë Korpusi kryesor i Bibliotekës. Jo thjesht për vendin por edhe veçantinë e godinës, e cila mund të modifikohet shumë lehtë. Ajo, ndoshta mund të jetë Biblioteka e Qytetit, me të gjithë aksesorët e saj të nevojshëm të edukimit. Aty mund të kemi Muzeun historik të shkrimtarëve shqiptarë dhe mund të kemi po ashtu edhe Arkivin e Letrave shqipe. Dhe, në një kohë kur është rritur ndërgjegjësimi dhe aty mund të kemi veprën e Kadaresë dhe trashëgiminë e madhe të Norbert Joklit, që ka gjasë që një ditë sipas amanetit të tij të jetë në Shqipëri. Mund të kemi gjetjet e reja që do të bëhen të autorëve të huaj dhe të vendit të Albanologjisë, por mund të kemi edhe pasurimin e vazhdueshëm të fondit.
Piramida, duke marrë parasysh peshën që ka gjuha shqipe për ruajtjen e identitetit shqiptar, mund të jetë pika kulmore e ruajtjes së të gjithë trashëgimisë albanologjike, por edhe e krijimeve më të mira në shekuj, kushtuar asaj. Pesha specifike dhe karakteristikat e veçanta të saj arkitektonike realisht mund të shërbejnë si një atraksion i gjallë.
S’është shumë për t’u bërë, por është e mjaftë për t’i dhuruar studimeve të Shqipërisë një nga gjërat më të jashtëzakonshme të viteve të Demokracisë. Në të gjithë logjikën, institucione të tilla zakonisht përmbajnë mbi vete jo thjesht realizimet arkitekturore, por edhe mirënjohjen që ka një vend për trashëgiminë e tij. Dhe, kush më tepër se një godinë kaq e veçantë mund ta përmbushë këtë mision!
Ministria e Kulturës deri më tani me fuqinë e saj nuk ka mundur të përballë nevojën e Bibliotekës Kombëtare për ristrukturim dhe gjetjen e një hapësire të nevojshme, ndërkohë që Ekzekutivi mund ta bëjë Piramidën që funksionet albanologjike, t’i kryejë si askush tjetër. Për më tepër, Piramida, mund ta vendosë Shqipërinë në hartën e botës për zgjedhjet që i takojnë zgjidhjeve të Bibliotekave Kombëtare. Për fat, për një Bibliotekë Kombëtare askush nuk do ta ngrejë kartonin kundër. Mendojeni dhe njëherë, kurrë nuk është vonë për të bërë një gjë që mbetet në histori të brezave!
Komentet