Jo, të mos gabojmë: Narendra Modi nuk është Viktor Orban. E vërtetë, kryeministri hindian është që dje në një vizitë dyditore tek Vladimir Putini. Ndërsa udhëheqësi hungarez ishte në ditët e shkuara, papritmas, ndërsa Budapesti ka kryesinë e rradhës së BE. Por ndërsa Orbani ka shkuar t’i puthë lepitkën, Modi është në Kremlin me shtatin e përfaqësuesit të një fuqie së paku të barabartë me Rusinë, e mbi të gjitha, me një strategji që është e kundërta e nënështrimit.
Është e qartë që Putini është i lumtur që të presë drejtuesin e një Vendi të madh: vë në dukje se Kina nuk është e vetmja bashkëbiseduese e rëndësishme e i dërgon një mesazh bashkëpunimi kombeve të Jugut Global, i të cilëve Hindia është një ndër udhëheqësit. Porse, mbas këtij fakti të dukshëm, ka një ide të politikës ndërkombëtare, të pjekur prej kohësh në Delhi, e cila themelohet mbi disa koncepte të qarta. I pari: kundërshtari kryesor është Kina, jo vetëm për kundërshtitë territoriale në kufirin himalajan ndërmjet dy Vendeve (ndeshja e fundit në 2020) por mbi të gjitha për zgjermin gjithënjë e më të madh të interesave të Pekinit në Azi e në Hindo-Paqësor. Interesa tregëtarë por edhe gjeopolitikë që marrin formë në një ndikim kinez në rritje në shumë vende të zonës: pak me premtime e pak me shtrëngime. Karrota dhe shkopi.
Koncepti i dytë i fortë i Delhit: nëse miqësia ndërmjet Putinit e Xi jinpingut do të fuqizohet edhe më shumë në një bllok aziatik, Hindia (e jo vetëm ajo) do të vihet para një trysnie të jashtzakonshme nga Pekini, të papërballueshme veçse me lëshim sovraniteti e pakësimi të vetë sigurisë. Modi në Kremlin, pra, ka synimin – jo të deklaruar por shumë të diskutuar në Hindi – të verë një pykë të vogël në marrëdhëniet mes Moskës e Pekinit: diçka që mund të bëhet e dobishme për Rusinë kur ajo të kuptojë se marrëdhënia, nga Vend i vogël, me Kinën është në kohë afatgjata, e padurueshme. Për më tepër udhëheqësi hindian vë ndonjë themel për të shmangur që Moska të qëndrojë nga ana e Pekinit, kur ky do të ndërmerrte ndonjë nismë kundër Hindisë. I ofron një shportë tjetër në mënyrë që Putini mos t’i depozitojë të gjitha vezët e tij në atë kineze.
Modi ka edhe interesa ekonomikë e ushtarakë për të takuar Putinin: blerjen e energjisë me çmim të ulët e furnizimet për ushtrinë, të lidhura me Rusinë prej dhjetëvjeçarësh. Por udhëtimi, i pari dypalësh që kryen jashtë, mbasi u rizgjodh për të tretën herë, është veçanërisht pjesë e strategjisë së prirur për të shmangur një bllok tejet të qëndrueshëm të formuar nga Rusia e Kina. Në heshtje është qortimi që i bëhet Shteteve të Bashkuar dhe Evropës që Delhi e përsërit shpesh: kini ndihmuar takimin e pabesë e të paudhë të dy fuqive agresive.
“Corriere della Sera”, 8 korrik 2024 Përktheu Eugjen Merlika