( piktura: Sidney H. Meteyard (1868-1947) – Shpresa duke e ngushëlluar Erosin e “lidhur… skllavëruar”, 1901 )
…mund dhe të heshtet si fakt, nuk shembet bota, por modernizmi ynë i bujshëm sikur dhe dashurinë e ka “tjetërsuar”, jo mbase “degraduar as zhvlerësuar”… mirëpo s’është më siç na ishte dikur, që nga paranjeriu, që nga kohërat e mitologjisë s’pati lëvizur gjë, s’pati ndryshuar as për një nuancë, pati ngelur e njëjta dashuri, përherë ajo “klasikja”, qe ruajtur origjinaliteti si dashuri e thjeshtë, e çiltër, e pastër, pa paragjykime, pa motive të fshehura, pa “planin A dhe B”, dashuri e falur jokushtimisht, e dhuruar nga zemra dhe me gjithë zemrën, dashuri e lirë dhe e pafajshme…
…pothuaj 1 shekull e gjysmë më përpara piktori Meteyard e dinte, kanë kaluar 123 vite të pikturës… dhe afro 80 vite nga vdekja e piktorit, jetoi sa jetoi, pikturoi sa pikturoi dhe Meteyard qe nisur udhës së amshimit andej në jetëpërtejmën e vet, mirëpo në të këndejmen do e linte “dëshminë e vet pikturale”, tashmë e kemi para syve tanë, mund ta zbërthejmë, mund t’merremi me analizat, me kritikat, me sintezat, në veprën e tij e shohim Kupidonin e lidhur, shigjetat anash, flatrat e tij vjollcë sikur gjithë sfondin e mbushin me zymtësi, dhe ai vetë qejfprishur, fare i pikëlluar, e qartë se Meteyard e dinte, 1 shekull më vonë në kohën tonë dhe Erosi (Amori, ose Kupidoni) s’i ka punët aq mirë, thuase prore i lidhur, i prangosur (ekzaktësisht ashtu si në pikturën e tij)…
…mund dhe të hesht njeriu, u muar vesh, por s’ka si mohohet, për fat të keq tashmë i gjithë klasicizmi i romancave sikur është pllakosur nga “dekadenca”, thuase amoriadat klasike na qenkan demoduar, na qenkan tejkaluar, thuase u ka rënë “boja” : ) sidoqoftë, shkurt e troç fort i saktë “parashikimi” piktural i Meteyard, ndoshta shenjat e para qenë shfaqur atëherë në kohën e tij, prandaj qe marrë me pikturën, nuk është se i pati shkrepur mendja kot por padyshim i frymëzuar nga muzat, do kalonte 1 shekull dhe tek në kohën tonë kthjelltësia e iluminizmit artistik do e bënte të veten, qartësia do ishte e plotë, tashmë për ne gjithçka e qartë, kristal…
…pra, siç e cekëm fare në hyrje, që nga lashtësia pati ngelur e njëjta dashuri, s’pati lëvizur gjë, s’pati ndryshuar as për një nuancë, përherë ajo “klasikja” (mbase kujdesej vetë perëndesha Afërdita, herë Venera herë Afërdita, kuptohet sipas vendit dhe kuvendi) – ok, me përjashtim ndoshta aty-këtu të romancave romako-perandorake, meqë njihet tashmë dhe ana tjetër e “medaljonit” klasik, Venerën atëbotë e pati pllakosur psikoza e amullisë, stresi dhe depresioni, e sidomos depresioni, e pati pësuar pastaj madje dhe Ovidi i ngratë, pa asnjë pikë faji ta patën dënuar, përzënë, ekzilosur, sipas meje të gjitha fajet duhet t’i mvisheshin perëndeshës Venera – për fat të keq, një Kaligula, një Nero, një Agripina e vetme dhe tani sikur ia “prishin” gjithë vërtetësinë pohimit tonë, përndryshe gjithçka sa thamë më lart, përveç bishtit me Kaligula-Agripinat, qëndron, fjala jonë e ngopur është me saktësinë : )