Situata sociale në Shqipëri duket disi e tronditur nga një seri krimesh që po ndodhin pothuajse çdo ditë. Si mendoni Ju për këtë gjendje? Cilat janë shkaqet e kësaj situate?
Është e vërtetë që ka kohë që situate sociale në shoqërinë shqiptare është tronditur ekzistencialisht nga përmasat e zgjeruara dhe gjithnjë në rritje të krimit, fenomen social që ka kapur të gjitha institucionet bazë të shoqërisë, strukturat e autoritetit social dhe institucionet themelore të qytetërimit tonë. “Limfa” e krimit është bërë gati si buka e përditshme për ne. Madje duket sikur ka edhe një proces paradoksal të adoptimit të shoqërisë me këtë nivel të lartë të kriminalitetit.
Ontologjia dhe fenomenologjia e krimit është bërë banale dhe e sofistikuar. Ajo ka të tërë gamën e njohur të kriminalitetit nga ai banal e për motive të dobta deri tek tendencat për shfaqjen e krimit të organizuar dhe inicimin e organizatave kriminale. Një fenomen, që nga pikëpamja gjeografike, është pothuaj e ndodhur kudo: në zonat urbane e qytetet metropolitan, në zonat periferike periurbane e rurale, në familje e shkollë, në jetën publike e sjelljet komunitare. Dukuria e kriminalitetit, qoftë nga pikëpamja moshore apo gjinore gjithashtu, është tejet prezent. Të përfshirë në këtë veprimtari janë burra e gra, të rinj, madje nga ky infeksion social kanë filluar të mos jenë të imunizuar as fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë. Ulja e moshës së fillimit të veprimeve kriminale, sikurse ishte rasti i ngjarjes makabre në ambintet e shkollës “Fan Noli” është bërë shqetësues.
Shkaqet e kësaj situate kërkojnë diagnostikime të gjëra, komplekse dhe shumëdimensionale, sepse ato janë shkaqe të ndërlikuara, të përziera, sintetike dhe sinkretike. Megjithatë sociologjia e krimit në kuptimin e përgjithshëm social apo edhe mikrosociologjia e shkaqeve të kapilarizuara në jetën e institucioneve apo të personalizuara me individë të caktuar, të përfshirë në botën e erët të krimit, dëshmojnë se ky zgjerim i aktivitetit kriminal, ky nivel i akseleruar i dhunës sociale ka shkaqet e veta, me natyrë historike, kulturore, edukative, shoqërore dhe individuale.
Sipas mendimit tim, krimi në shoqërinë tonë është i lidhur me shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, sidomos me problemin e situatës së destabilizuar të institucioneve kryesore të autoritetit social dhe sigurisë morale. Ka një dobësim të dukshëm të “makinerisë edukative” që ka role formuese e parandaluese për formimin qytetar. Në këtë kontekst është reduktuar roli i strukturës së familjes në procesin e edukimit, është reduktuar koha dhe cilësia e prindërimit në marrëdhëniet e prindërve me fëmijët, nën pretekstin e angazhimeve jashtë familjare. Po ashtu dëmtime serioze në aspektin e edukimit ka pësuar edhe shkolla, si institucioni më autoritar për formimin qytetar të brezit të ri, si mekanizmi që ka të gjitha mundësitë t’u mësojë fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve mënyrat e sjelljes jo agresive e kriminale, por rrugën humane të zgjidhjes së kontradiktave dhe konflikteve të natyrshme nëpërmjet komunikimit, tolerancës, mirëkuptimit, etj. Të gjitha këto mekanizma kanë nevojë të ridimensionojnë punën e tyre, sepse ato janë institucionet themelore e influente që mund të ndikojnë në edukimin qytetar dhe parandalimin e krimit.
Padyshim, në këtë situatë, ka përgjegjësinë e vet edhe shteti bashkë me strukturat e veta të drejtësisë, policisë dhe ndëshkimit të krimit. Asnjë toletrancë nuk i duhet bërë krimit. Ndëshkimi i kriminelëve është kusht për të vënë në vendin e duhur shtetin ligjor.
Vritet një fëmijë adoleshent, 14 vjeçar, në mes të rrugës, pranë shkollës. Si e shikoni këtë moment: rastësi apo ndikim negativ nga rrjetet sociale, mosfunksionim të familjes në procesin e edukimit, neglizhencë e shkollës, paaftësi dhe mungesë përgjegjësie e sistemit të edukimit dhe të mbrojtjes së fëmijëve nga ana e mësuesve, oficerit të sigurisë, shërbimit psiko-social në shkollë apo çfarë?
Pa dashur që shkollën ta bëjmë “kokë turku” dhe t’i shkarkojmë tërë përgjegjësitë dhe mangësitë e integruara të gjithë makinerisë edukative, duhet të pranojmë se pas kësaj ngjarje dhe shumë ngjarjeve të tjera të akteve të dhunës dhe krimit midis dhe ndërmjet adoleshentëve, është edhe shkolla si institucion dhe mësuesit si aktorë kryesorë të saj. Ngjarjet skandaloze të dhunshme e kriminale që kanë ndodhur në shkollat tona e shtrojnë si detyrë imperative ndryshimin dhe përsosjen e ndikimit të mekanizmave social-psikologjikë e pedagogjikë të edukimit, sepse shkolla nuk duhet konsideruar vetëm si institucioni kryesor i dijes, por mbi të gjitha si institucioni themelor i edukimit qytetar, sepse në shkollë nxënësit dhe adoleshentët jo thjesht vetëm shkollohen, por aty edukohet si njeri që ka mundësi të zgjedhë rrugën e duhur të jetës.
Për t’i mësuar fëmijët dhe adoleshentët se si të gatuajnë “supën e jetës” duhet të funksionojnë të “dy kuzhinat” edukative: familja dhe shkolla. Shkolla ka të gjitha mundësitë e plotësimit të dy detyrave themelore të misionit të saj institucional dhe eduktiv, duke kombinuar luftën për formimin intelektual përmes dijeve mësimore, por e kombinuar kjo edhe me vetëzhvillimin e drejtuar të adoleshentëve. Duhet shkundur shkolla nga situatat rutinore dhe indiferenca edukative, duke përmirësuar sa më shumë të jetë e mundur kuotat e komunikimit empatik dhe bashkëpunimin e frutshëm, me efiçiencë edukative në marrëdhëniet e tyre me adoleshentët. Nxënësit kanë nevojë për horizont kulturor, po aq, në mos më shumë se sa për horizont shpirtëror dhe qytetar. Nuk ka pse të na vijë keq, besoj se në shumë raste në shkolla puna edukative ose është e përciptë, pa shpirt dhe empati ose është “veprimtari e lodhur”. Është e vërtetë që shkolla po përballet me furitë, turbulencat, rebelizmin dhe shfaqje të anarkisë moshore, sepse adoleshentët e kohës sonë janë të përbërë nga tjetër “materie sociale”. Kjo është arsyeja e tronditjes së mësuesve dhe e marramendjes së shkollës.
Padyshim ndikimi i gjëndjes së shoqërisë tonë, ka ndikimet e veta në punën, sukseset apo difektet e shkollës, sepse ai është institucion i “interferuar” dhe jo i izoluar nga ndikimet pozitive apo influencat patologjike e toksike të shoqërisë shqiptare. Në këto rrethana duket që jo vetëm familja, por dhe koha është në “kohë të vështirë” për të përmbushur kërkesat edukative dhe deontologjike të saj. Situatat që kalon shkolla në marrëdhëniet me adoleshentët nuk kërkon trajtime “en block” të problemeve, konflikteve dhe ballafaqimit me adoleshentët, as diagnostikime të përgjithshme statistikore apo burokratike. Shkolla ka nevojë për diagnostikime kapilare e të personalizuara të çdo adoleshenti, të tipologjisë dhe fenomenologjisë së shfaqjeve. Këtë mund ta bëjnë vetëm mësues me personalitet dhe integritet.
Përse jemi një shoqëri kaq e dhunshme, një dhunë e futur kaq thellë, deri në familje, deri në moshat e vogla? Cilët mund të jenë faktorët që ndikojnë sot në këtë drejtim?
Po, është e vërtetë që kohët e fundit sidomos shoqëria shqiptare po përballet me nivele të larta të dhunës, në të gjitha format e mundshme të saj, që nga ato antiqytetare e deri në akte të bujshme kriminale. Për fat të keq, dhuna në familje është në zgjerim. Sidomos kjo e shkarkuar padrejtësisht mbi gratë dhe fëmijët.
Në fakt u bënë tri dekada e gjysëm që në shoqërinë tonë përditë, në mënyrë të vazhdueshme, po përballemi me forma të llahtarshme të krimit, tipologji të tilla të sjelljes së përbindshme, që jo vetëm e kanë bërë atë fenomen social shumë intensiv, por akoma më keq, është bërë dukuri që synon të krijojë në shoqërinë tonë klimën e adoptimit social, herë në mënyrë lineare e paqësore e herë të tjera të detyruar e me dhunë sociale, praninë dhe pranimin e kësaj të keqeje të madhe, këtij shqetësimi të përbashkët për individin dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Paradoksalisht me kalimin e kohës, situata e krimit është ekzagjeruar keq.
Në mënyrë të sintetizuar, duke vlerësuar objektivisht e sociologjikisht fenomenin, duhet pranuar se situata e krimit të organizuar dhe ordiner në Shqipëri është tejet e zymtë. Në se këtë analizë sociale dhe sociologjike do ta bëjmë drejt, objektivisht, pa subjektivizëm dhe njëanshmëri, mund të themi se të duket sikur burimet e krimit janë në përmasa të tilla, që e bëjnë të dyshimtë ecjen tonë drejt progresit social, realizimit të normave europiane dhe standardeve sociale të qytetërimit postmodern.
Besoj se duhet të “zgjohemi” nga gjumi social dhe të kuptojmë se në totalin e vet, krimi në shoqërinë tonë ka bërë që situata të jetë e tillë, nga që sasia e kriminelëve dhe cilësitë e krimit janë bërë të tilla, që kanë filluar të gërryejnë “muret e ekzistencës” dhe funksionimit normal të organizimeve kryesore të jetës sociale, familjes, qytetit, komuniteteve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi, duke vënë në rrezik serioz modalitetet e ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore, sigurimin e kushteve të duhura të funksionimit të paqes sociale në Shqipëri.
Ajo që është tejet shqetësuese në këto momente, që duhet të na bëjë të mendojmë mirë, lidhur me shkaqet dhe situatën e përhapjes masive të krimit, janë shfaqjet e një lloj qëndrimi pajtues, konformist të shoqëruara më një indiferencë sociale, pajtueshmërie pasive. Kjo përbën rrezik pse është një mënyrë e rafinuar, për të na bërë të përshtatemi me praninë e krimit në jetën e përditshme, duke e patur gjithnjë pranë dhe afër nesh, madje pa shumë shqetësim social të lloj-lloj krimeve dhe kriminelëve që i kryejnë ato.
Kultura e pasivitetit, e pajtimit indiferent me këto situata, është njëri nga shkaqet madhore të përhapjes intensive dhe ekstensive të krimit në shoqëri. Sondazhet sociale tregojnë se niveli social i kuptimit dhe reagimit social ndaj krimit në shoqërinë tonë, është tmerrësisht i ulët. Ky është faktori që po favorizon përhapjen dhe zgjerimin e tij në familje, shkollë, ambinete publike, komunitet e kudo. Duket dhe ka një perceptim publik, që tregon se strukturat e shtetit dhe reagimi social, po bëhen të pafuqishme përballë ligësisë së krimit. Kjo është një situatë që duhet përballuar. Sepse krimi jo vetëm ndikon në “shqepjen e tegelave” të shoqërisë, por ndikon edhe në shfaqjen e “krisjeve sociale” të unitetit të shoqërisë përballë të keqes personale dhe ligësisë sociale…
Mos vallë institucionet demokratike e kanë humbur besimin tek njerëzit apo këto institucione nuk janë të afta të veprojnë apo të gjejnë mënyrat e duhura për t’i parandaluar, jo me forcë, por me veprime dhe ligje inteligjente që njerëzit të bëhen të vetëdijshëm për të mos përdorur dhunën si zgjidhje?
Ka kohë që paradoksalisht në shoqërinë shqiptare po qarkullon gjërësisht ideja e zgjidhjes së problemeve me forcë dhe ideja e krijimit të “njeriut të fortë”. Kjo “limfë ideologjike” shumë e përhapur dhe toksike ka kapur individë, madje edhe grupe sociale e shtresa të gjëra të shoqërisë tonë. Madje ky është një nga shkaqet pse dhuna, bullizimi dhe krimi me gjak të ftohtë po shfaqet edhe në konfliktet dhe rivalitetet moshore të adoleshentëve. Edhe aty po shfaqet “fantazma” e njeriut të fortë dhe e përdorimit pragmatist të dhunës për të qënë “dikushi” në grup apo i afirmuar si “i forti” i klasës apo shkollës.
Sigurisht situata është e lidhur me shumë faktorë historikë, kulturorë, social, të traditës së familjes patriarkale e paternaliste, me “abortin” edukativ të përpjekjes së dështuar gysëmshekullore për krijimin e “njeriut të ri”, etj. Por tani situata është agravuar, nga që janë tkurur, rrudhur, indiferentizuar institucionet kryesore të “autoritetit” dhe sigurisë sociale.
Sociologët evidentojnë si shkaktare të situatës faktin që shoqërive të sotme po i “shqepen tegelat” social nga që ka një rënie progresive të autoritetit edukativ të familjes dhe shkollës, por dhe dobësim të veprimit të drejtësisë ligjore, parandaluese dhe ndëshkuese të organeve të shtetit, për të ndëshkuar pa hezitim krimin dhe për të bërë “zap” kriminelët, të cilët po tentojnë të formojnë grupe sociale për t’iu kundërvënë institucioneve të shtetit, ligjeve dhge shoqërisë. Në këto rrethana shoqëria ka nevojë për një strategji të integruar, polivalente e shumë faktoriale për të bashkuar në një strukturë kompakte të gjithë faktorët, aktorët dhe institucionet për të rregulluar ekuacionin e duhur ekzistencial për të përballur këtë valë të zgjeruar të kriminalitetit.
Sigurisht, duke rregulluar metafizikën dhe funksionin komplementar të insiticioneve të edukimit dhe parandalimit me ato të drejtësisë dhe ndëshkimit ligjor. Kjo është ajo që presin qytetarët dhe shoqëria shqiptare, si mënyra e vetme për të zbutur intensitetin e krimit në shoqërinë tonë.
Gjuha e politikës, dhuna në institucione, a mos janë disa nga shkaqet që ndikojnë negativisht në gjithë ambientin social dhe deri në familje?
Padyshim, politika ka përgjegjësitë e veta në këtë situatë të agravuar të krimit në shoqërinë tonë. Politika, politikanët dhe ata që janë në “bordin e shoqërisë” dhe që kanë detyrën dhe përgjegjësinë e administrimit të situatës sociale, shumë shpesh janë faktorë të nxitjes së intolerancës politike, agresivitetit konkurencial, dhunës verbale, psikologjike e fizike, duke i kthyer ato paradoksialisht në mjete aspak adekuate të luftës politike midis palëve alternative e kundërshtare politike.
Gjuha e drujtë, akuzat e pabazuara, replikat formale pa substancë dhe si qëllim në vetvete, janë faktorë që nxitin zgjerimin e neurotizmit social në jetën shoqërore, me ndikim edhe në komportimin psiko-social të njerëzve tanë në familje, shkollë dhe jetën shoqërore. Politika ka mëkatet e veta në këtë situatë. Ajo duhet t’i njohë përgjegjësitë e veta dhe të bëhet “ilaçi i duhur” për të ndihmuar përmirësim, pse jo edhe shërimin e plagëve të dhunës dhe kriminalitetit në shoqëri. Në këtë kontekst, edhe institucionet fetare, media dhe shoqëria civile kanë rolin dhe përgjegjësitë e tyre. Të gjithë si individë, si shoqëri dhe bashkë me institucionet sociale, jemi përballë një beteje të madhe qytetare dhe qytetëruese për t’u përballur qytetarisht me dhunën dhe krimin. Kjo kërkon strutura të integruara, kohezive, bashkëpunuese e kompakte për të bërë të mundur zbutjen e agresivitetit social, shëndoshjen e institucioneve të edukimit dhe harmonizimin e interesave midis individit, familjes, shkollës dhe shoqërisë.