– Tryezë Shkencore organizuar nga Shoqata e Intelektualëve ,,Jakova”
Salla Solemne e Pallatit të kulturës ,,Asim Vokshi në Gjakovë u mbush plot.Dhe s,kishte si të ndodhte ndryshe sepse personazh kryesor do të ishte Dr.Ali Iljazi ,e kur ai flet normalisht vëmendja dhe interesimi do të jenë në maksimum.Duke respektuar masat e pandemisë,auditori pati rastin të dëgjojë një ligjëratë tejet të qëlluar në Tryezën Tematike të titulluar,,Si ta kultivojmë qartësinë intelektuale”,referues I së cilës ishte Primarius Dr.Ali Iljazi e që ,si zakonisht ,këto ngjarje organizohen nga Shoqata e Intelektualëve ,,Jakova “në Gjakovë.
Prof .Dr .Ruzhdi Sefa I cili ishte në krye të këtij organizimi fare në fillim u shpreh :,,Studimi/ hulumtimi i UNDP i titulluar “PULSI PUBLIK” (2020) ofron të dhëna mbi qëndrimet e popullit të Kosovës ndaj votimit, të dhëna mbi ndikimin e COVID-19 në mirëqenien ekonomike, shëndetin fizik dhe shëndetin mendor të të anketuarve, si dhe për kënaqshmërinë e tyre me masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës për ta parandaluar përhapjen e COVID-19.Sipas rezultateve të studimit problemet kyçe sipas hulumtimit janë: papunësia(30.9%) dhe varfëria (20.6%) ndërsa arsimi (2.4%) dhe Sjellje anti-sociale (bixhozi,prostitucioin, droga, alkoolizmi dhe trafikimi I qenieve njerëzore) vetëm 0.8%A nuk janë këto të dhëna tepër brengosse!?Ose mua nuk më ka rastis ose (që është më afër mendsh) nuk janë diskutuar asnjë prej këtyre e shumë materialeve hulumtuese e studimeve për ne, për popullin e për shtetin tonë.Dhe ajo që na imponohet vetëvetiu: Ku janë intelektualët dhe cili duhet të jetë roli i tyre! Intelektualët nuk janë të përqëndruar në të SOTMEN dhe nuk po punojnë dhe nuk po investojnë për të ardhmën! Jo!Për këtë sot në Tryezën tematike të Shoqatës kemi vënë temën: “SI TA KULTIVOJMË QARTËSINË INTELEKTUALE” ose”SI TË MBETEMI INTELEKTUAL” dhe “Cili duhet të jetë roli i intelektualit SOT e NESER e për cdo ditë!”?Më problem se keqbërja është pavullneti për ta sfiduar atë: këndvështrimi juaj për situatën në të cilën gjendemi sikur i adresohet jo vetëm politikës por edhe korpusit tonë intelektual, sidomos të atyre që janë më afër arsimit të lartë dhe Universitetit! A nuk na flet mjaftueshem gjendja në të cilën gjendet akademia jonë?, përfundoi Sefa duke lënë një pikëpyetje vërtetë të madhe .
Prim.dr.sci.med. Ali F. Iljazi lindi në Gjakovë në vitin 1949. Rrjedh nga një familje me ndjenja të thella fetare e kombëtare. Nga kjo familje pati 20 hoxhallarë dhe shtatë myderrizë eminentë, që shërbyen në Medresenë e Madhe të Gjakovës afro 280 vite me radhë.Prim.dr.sc.med. Iljazi e kreu shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje, me sukses të shkëlqyeshëm.Fakultetin e mjekësisë e kreu në Sarajevë në vitin 1973, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Për suksesin e arritur gjatë studimeve u dekorua me “Shenjën e artë të Universitetit të Sarajevës”, si studenti më i suksesshëm dhe më i dalluar në këtë Universitet.Specializimin në lëmin e mjekësisë interne e kreu në Sarajevë, në vitin 1979, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm dhe mirënjohje të veçantë. Në vitin 1987 mori titullin e primariusit. Ndërsa në vitin 1988, në Universitetin e Novi Sadit, mbrojti titullin e doktorit të shkencave të mjekësisë.Për herë të parë në ish-Jugosllavi dhe Evropë zbuloi testimin me karbakol si një test bronkoprovokues më sensitiv (Dose-response curve – PD100 Raë).Është i pari në Kosovë që aplikoi testimin bronkoprovokues me pluhura organike si dhe aplikimin e metodave më bashkëkohore të ekzaminimit të traktit respirator në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.Deri më sot ka botuar 50 libra dhe mbi 80 punime shkencore si autor dhe bashkautor nga lëmi i mjekësisë, të botuara këto nëpër revista të ndryshme në ish-Jugosllavi, Ballkan, Gjermani, Indi dhe SHBA, si dhe të referuara në shumë kongrese e seminare të ndryshme.Ka realizuar me qindra emisione radiotelevizive si në: TV Besa, TV Opinioni, TV Era, TVSH, RTK, TV Syri, TV Ballkani, Radio Gjakova, Radio Besa, Radio Pendimi, Radio Kosova, si dhe qindra CD dhe DVD. Ka mbajtur ligjërata shkencore në të gjitha trojet shqiptare, në diasporë, si dhe në Universitetin Ballkanik në Shkup dhe Universitetin e Europes Juglindore( Shtul), Tetovë.Është paraqitur me tema shkencore në shumë kongrese në Kosovë, ish-Jugosllavi, Zvicër, Gjermani, Angli, Austri etj. Që nga viti 1988 ka marrë pjesë në mënyrë aktive në ligjërata dhe tribuna në të gjitha trevat shqiptare dhe diasporë.Dy vite me radhë ishte Dekani i parë dhe profesor ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë “Fehmi Agani”, në Gjakovë.Për punën e tij të palodhshme afro 50 vjeçare dhe kontributin në mjekësi, dr. Aliu u dekorua me Medaljen e meritave për popull, Mirënjohjen publike të qytetarit të merituar të Gjakovës, Mirënjohjen e universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Mirënjohjen e universitetit “Bedr” në Tiranë, Mirënjohjen e universitetit ballkanik në Shkup, Shtul etj. Po ashtu mori edhe çmimin “Hoxhë Hasan Tahsini” në Tiranë, për merita të veçanta humane në karrierën e tij të gjatë si mjek, për kontributin e vyer në zhvillimin e shkencave mjekësore dhe të shëndetësisë në Kosovë si dhe për rolin e tij të rëndësishëm në edukimin e profesionistëve të rinj edhe në fushën e kulturës dhe etikës mjekësore. Pastaj, u dekorua me Shenjën e argjendtë dhe të artë të Kryqit të Kuq të Kosovës, si dhe një varg mirënjohjesh të tjera.Pas pensionimit, në vitin 2014, punon në poliklinikën private “European Clinic”, në Gjakovë si specialist internist-pulmolog.Mjeku human është baba I 6 fëmijëve 5 prej të cilëve janë mjekë.
Në ligjëratën e tij Dr.Iljazi shpalosi të dhëna nga disa vende të ndryshme të botës e edhe të vendit tonë lidhur me të qenurit intelektual ,si trajtohet ai në vendin tonë,sa ata kontribuojnë në shoqëri ,etj.Ai ka theksuar se ne si njerëz shfrytëzojmë 1% ose më pak se 1% të kapacitetit tonë intelektual gjë që është tejet brengosëse.,,Kjo ndodh për shkak të sugjestioneve negative që ne kemi ,si nga ana e mësimdhënsesve ose prindërve,pastaj mediave ose edhe gjithë shoqërisë sonë.Na ka rënë shpesh të dëgjojmë,vjen djali në shtëpi e I thotë babai ,,hajt more se s,je për shkollë,hyjë në zanat”,dmth menjëherë ia bllokon neuronet.Prandaj ne duhet të jemi përgjegjës dhe të marrim iniciativa e të rrisim breza të shëndoshë .Posaqërisht intelektualët duhet të jenë tepër të vëmendshëm karshi fenomeneve negative e të reagojnë në situata kur kërkohet nga ata.Duhet të dinë edhe një gjë se janë vet intelektualët ata që e kanë përgjegjësinë kryesore në atë se cfarë drejtimi dfo të marrë shoqëria jonë vitet në vijim.Bile ne duhet ta kujtojmë e ta përsërisim shpesh thënien e Ismail Qemalit,,një fëmijë që fle rritet e një komb që fle vdes”,ka thënë pos tjerash Dr.Iljazi.Ai po ashtu ka prezantuar fakte e të dhëna nga shkencëtarë të njohur botërorë,studimet e të cilëve janë shumë aktuale dhe përkasin me realitetin në vendin tonë.
Të pranishnmit e mirëpritën fjalën e mjekut I cili ishte I hapur edhe për pyetje.Në këtë organizim floën edhe Prof,Dr Jahja Kokaj pastaj Behar Zenelaj,etj.Ndërkohë që shkrimet e tyre të lidhura me temën kishin dërguar edhe Zef Preka,Faton Kurti,Fahri Musliu e Fdil Maloku.
QARTËSIA INTELEKTUALE
Jetojmë në një kohë debatesh. Mendimet janë të shumënduarshme, ndërsa e vërteta është vetëm një. Megjithatë, themi, ´le të lulëzojnë mijëra lule´, të bindur se lulja më e bukur gjendet diku aty. Nga ana tjetër, e kemi për detyrë që të jemi sa më të qartë në dialog mes nesh, dhe kjo qartësi nënkupton qartësi nocionesh. Gjuha matematikore ka, për shembull, koncepte të përkufizuara mirë, përndryshe nuk do ta kishte vlerën që ka në jetën tonë. Me këtë dua të them se edhe ne njerëzit e debatit duhet t´i kemi parasysh disa parime themelore që i kërkon ´rendi i kuvendit´, bazuar në atë se kush flet dhe cila është çështja që diskutohet. Kjo nuk do të thotë se për politikë mund të flasin vetëm ata që kanë kryer fakultetin e shkencave politike, por kërkohet megjithatë që të ndiqen disa parime, ashtuqë debati të mos shndërrohet në një ´muhabet fushë.´ Në rastet kur ndonjë person e quan veten intelektual, kërkesat për plotësimin e disa kritereve janë më të mëdha, për arsye se njeriu intelektual është ai person që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të caktuar, e mban përgjegjësi profesionale në një debat, duke shpjeguar me fakte se përse mendon ashtu si mendon. Sa më të qartë e më të logjikshëm të jemi, aq më lehtë do të na kuptojnë edhe të tjerët. Përfundimisht, duhet theksuar se botëkuptimi për jetën dhe dukuritë e ndryshme, është parakusht për një qartësi sa më të madhe intelektuale. Nuk mund të mbajmë qëndrim mbi dukuri aq të ndërlikuara si çështjet mbi të cilat debatojmë ne përditë, pa i zbërthyer ato në pjesë më themelore, për të parë emëruesit e përbashkët që lidhin gjithçka në një tërësi të plotë. Nëse nuk e respektojmë një ndërlidhshmëri të tillë të dukurive, nuk do të kemi mendime të integruara mirë, dhe do ta humbim fillin e së vërtetës, duke u përpjekur të kapemi pas lloj-lloj argumentesh, të hedhur si hunj të shkulur në livadhin e mendësisë së mjegulluar.Kultivimi më i përshtatshëm (praktik) i qartësisë intelektuale duket si kjo që keni organizua ju të nderuar orgsnizatorët e kësaj Tryeze shkencore.Kjo metodë jep rezultate dhe do duhej të bëhet modë organizative dhe të kalojë në shprehi e përmes saj në kulturën e popullit. Atëherë flasim me gjuhen e argumentit dhe jo abstrakte . Respekt për temën e qëlluar dhe mbase është aq e rëndësishme sa që nëse nuk ka patur, do duhej të ishte Temë Disertacioni! Urime dhe mbarësi!
Zef Prenka
Stuttgart 27.Tetor‘21
Një tjetër vështrim ka dërguar edhe bashkëqytetari ynë Faton Kurti.
“SI TA KULTIVOJMË QARTËSINË INTELEKTUALE”
Të nderuar miq, bashkëpunëtorë dhe intelektualë të Gjakovës.Ndjehem i nderuar që ndonëse nuk jam prezent mes jush, të mund të vij tek ju përmes fjalës dhe mendimit që me shumë mirënjohje po lexohet në këtë çast.Besohet natyrshëm se një intelektual e sheh botën ndryshe. Në fakt ky besim nuk është krejt i gabuar. Dija dhe hapja e të gjitha shqisave ndaj dijes e bëjnë një intelektual një person që kundron nga shumë dritare misterin e botës që e rrethon.Intelektuali është ai që jep interpretime për fenomene të vecanta në disiplina të caktuara si arti, sociologjia, politika, psikologjia, letërsia, interpretime kaq të artikuluara dhe koherente që duke i pohuar në opinionin publik të arrijë tëinfluencojnë mendimin e njerëzve të zakonshëm por edhe tek komuniteti shkencor duke i bërë kështu të dyja bashkësitë më të vetëdijshme, më të emancipuara dhe më të avancuara.Roli i intelektualit në shoqëri i thënë ndryshe është ai i zgjimit të ndërgjegjes.Pa asnjë aftësi praktike në përmirësimin e një situate, ai ka detyrën teorike të“përmirësimit” të kulturës së qytetërimit, sidomos duke I nxitur personat të mendojnë në mënyrë korrekte dhe kritike mbi fenomenet kulturore apo shoqërore ekzistuese.Sic pohon edhe Sartri “Intelektuali është ai që ka vetëdijen e kundërshtisë, Brenda vetes dhe në shoqëri, mes kërkimit të vërtetës dhe ideologjisë dominuese me sistemin e tij të vlerave tradicionale“.Ky është konceptimi “Iluminist” I intelektualit, si ai që ka aftësinë të shpërndajë kulturë duke luftuar injorancën në shërbim të progresit të qytetërimit. Një lloj humanisti. Në këtë kuptim të ngushtë intelektuali mendohet si zëri kritik I shoqërisë që kontribuon në formimin e opinionit publik rreth një tematike apo problematike të caktuar. Pra, thënë ndryshe intelektuali është ai që jep orientimin e ndërgjegjes individuale në formimin e një ndërgjegje dhe opinioni të arsyeshëm dhe kritik- ose mësaktë, më afër të vërtetës dhe të drejtës- mbi një temë që prek aktualitetin njerëzor.I kuptuar kështu, intelektuali është regjisori I vërtetë I progresit. I kuptuar në këtë mënyrë atij mund ti jepet njohja kolektive dhe raporti I privilegjuar si ai që I jep formë jo vetëm kronikës kulturore të një kombi por edhe si ai që formon “vetëdijen kritike”.Duke kuptuar rëndësinë që ka apo më saktë duhe të ketë intelektuali në shoqërinëshqiptare në Kosovë dhe pasi unë jam një intelektual I përfshirë aktivisht në politikë:dy vite më parë kam artikuluar ftesën dhe apelin që intelektualët e Kosovës nuk mund të qëndrojnë më indiferentë ndaj politikës dhe zhvillimeve shoqërore.Ndaj subjekti politik që unë drejtoj Republikanët e Kosovës ka punuar dhe ofron një strategji të qartë në integrimin e intelektualëve brenda programit të tij politik.Intelektuali nuk mund të qëndrojë indiferent sidomos nëse arrin qartësinë e mendimit në peshoren e të vërtetës dhe vlerave.Të gjitha shoqëritë e zhvilluara, në renditjen e shtyllave kryesore të ndërtimit dhe sistemit të tyre demokratik një prej shtyllave më të forta dhe burimin e orientimit për politikat kombëtare I kanë të mbështetura tek intelektualët.Rezultatet jo vetëm ekonomike por edhe të ngritjes së standarteve në shumë fusha janë dëshmia se cdo komb që mbështet të tashmen dhe të ardhmen tek dija dhe ekspertiza e intelektualëve do të njohë lartësim dhe zhvillim shoqëror.Pa Intelektualët nuk ka Kosovë të së ardhmes.Kur shohim se si po degradon dita ditës politikëbërja në Kosovë dhe intelektualët janë lënë mënjanë, nuk mund të rrimë indiferentë.Ideja është që në të ardhmen, intelektualët të bëhen pjesë vendimmarrëse dhevendimtare në çështjet e mëdha politike dhe kombëtare.Partia, Republikanët e Kosovës, REK do t’ju shërbejë Intelektualëve si një platformë për implementimin e ideve dhe kapaciteteve të tyre krijuese në vendimmarrjet politike dhe ekzekutive në qeverisjen e Kosovës (dhe kjo nuk nënkupton patjetër anëtarësimin e tyre në këtë subjekt politik).Intelektualët, kanë përgjegjësi më shumë se askush për drejtimin që do të marrë shoqëria dhe vendi ynë.
Prof.Faton Kurti
Nga ana tjetër Profesori I njohur Fadil Maloku ,sociolog,I cili na ka dërguar një përmbledhje të shkurtë të një vështrimi që ka bërë ai mbi temën,,Intelektualizmi është dhunti, angazhim apo profesion”. Kujtoj se intelektuali i njëmendët, sikurse edhe në shoqëritë totalitare ashtu edhe në ato të tranzicionit, do të duhej të paktën ta ruaj edhe për një kohë këtë rol apo këtë dhunti specifike të udhërrëfyesit të ndërgjegjshëm për bashkëvendësit e vet. Sepse, vetëm duke e ushtruar këtë “profesion”, ai pa pardon dhe pa asnjë frikë do të duhej t’i emërojë ngjarjet, dukuritë, fenomenet e padyshim edhe sjelljet e ndryshme kërcënuese deviante që normohen në sistemet e reja vlerore të këtyre vendeve. Në fakt, intelektuali i vërtetë do të duhej në parim të ishte ashpërsisht i butë, pra prokuror i vet- vetes e avokat i interesave të komunitetit, ngaqë vetëm kështu ai mund ta fitojë një backgraund të tillë ndërgjegjësues në shoqëritë e tranzicionit. Ndryshe, ai nëse bie nën ndikimin e burokracive qofshin ato politike (sidomos!?), pastaj atyre kulturore e sociale, e humb peshën e karizmës për të qenë dhe për t’u mbajtur si i tillë jo vetëm në publik, por çka është më me rëndësi në histori. Por, kush është intelektuali i sotëm?Intelektuali nuk qan fortë kokën se çka mendojnë të tjerët, apo u pëlqen apo jo çfarë ai në të vërtetë thotë, kur mendon se ka çfarë të thotë. Po ashtu, intelektual i vërtetë nuk mund të shquhet ai i cili në mënyrë pasive mohon (ad hoc, edhe kur ka argumentimin dhe alibinë në favor të bindjes dhe gjykimit)çdo gjë, por ai i cili në mënyrë aktive provon t’i plasojë të vërtetat (pa marr parasysh pasojat dhe reperkusionet, të çfardo natyre çofshin ato!) e tij si domosdoshmëri dhe nevoja të kohës.
Fadil Maloku
Ndrësa gazetari I mirënjohur Fahri Musliu në pamundësi për të qenë prezent e ka dërguar një tjetër vështrim mbi këtë temë:,,Intelektualët dhe kriza shoqërore e shtetërore e Kosovës”. Në përkufizimin e intelektualit në rend të parë vjen liria dhe autonomia e personalitetit, që është i pavarur në mendim dhe nuk i përqafon urdhrat e paarsyetuara nga kushdo që vijnë (rebelimi kundër autoritetit është veti qenësore e intelektualit); kurse në veprimet e veta udhëhiqet sipas ndërgjegjes, e jo sipas normave heteronome (të varura). Kjo presupozon përgjegjësi për zbulimin e së vërtetës e mbrojtjen e lirisë, dhe guxim për t’iu kundërvënë dhunës dhe së keqes.Mendimi kritik, përfshirë edhe ndaj ideve të veta dhe ndaj botës, në të cilën jetojnë, janë dispozita të dalluara të intelektualëve – ata janë opozita shpirtërore e sistemit të fuqisë politike dhe ekonomike. Me fjalë tjera, interesi intelektual është zbulimi i së vërtetës që të dizajnohet bota, e jo që atë ta sundojë. Prandaj intelektuali “jeton për idenë” e “jo nga ideja”.Filozofi Zygmunt Bauman thotë: “Të jesh intelektual do të thotë të luftosh kundër botëkuptimit të njëanshëm ideologjik dogmatik të botës, në të kundërtën kur është i robëruar me një pikëpamje mbisunduese ndaj botës, intelektuali bëhet ideolog shtetëror në shërbim të sistemit të dhënë, e jo të përparimit të njeriut”Por a janë në të vërtetë intelektualë të gjithë njerëzit me arsimim superior (fakultet), Përgjigja është jo. Arsimimi dhe dija paraqesin kushtin, por jo edhe kushtin e mjaftueshëm, që dikush të bëhet intelektual, ashtu sikurse po ndodh tek ne në Kosovë, ku të gjithë ata që kanë të kryer fakultete e madje edhe me diploma (false) të blera, të pavlefshme.Intelektualët ekzistojnë mbi dy ide: lirinë dhe të vërtetën. E vërteta të shpeshtën sjell konfliktin midis intelektualëve dhe pushtetit aktual. Sundimtarët (në asnjë sistem dhe gati asnjë shtet) nuk e duan të vërtetën. Ata janë në frikë prej atyre që janë nën pushtetin dhe opinionin e tyre. Në masën në të cilën raporti ndërmjet sundimtarit dhe vasalit është i gërshetuar me frikën, intelektualët kanë guxim “të shërbehen me mendjen dhe guximin e vet”.Pra intelektuali duhet të ketë vesh për frymën e kohës, ngjarjet, krizën, mjerimin, rrënimin e moralit. Duhet të ketë integritet dhe kode të fuqishme etike e njerëzore. Prandaj edhe shtrohet pyetja nëse kemi sot në Kosovë intelektualë në kuptimin e plotë të fjalës dhe misionit? Përgjigja është ka por janë të paktë dhe zëri e ndikimi i tyre është minor ose i injoruar nga pushtetet por edhe shoqëria mediokre e tribal, në çfarë është shndërruar shoqëria kosovare. Ata nuk kanë mundësi të shfaqin qëndrimet e tyre nëpër gazeta se të tilla nuk ka në Kosovë por as nëpër portalet e kontaminuara . A mjafton vetëm një shoqatë e intelektualve çfarë është shoqata Jakova, pse të tilla nuk ka në qytetet siç janë Prizreni, Peja, Prishtina, Ferizaji, Gjilani, MitrovicaNë këtë rrafsh mund të konstatohet se shumica e intelektualëve kosovarë nuk janë (e s’kanë qenë) dashamirë të shpirtërores, veç materialistë praktikë. Nuk po luftojnë për të vërtetën, veç po u shërbejnë klaneve të ndryshme në pushtet dhe jashtë tij. Nuk po e shikojnë të mirën e përgjithshme, por atë vetjake (familjare, klanore, partiake). Në servilizmin e vet kanë lejuar që politikanët të jenë arbitër të së vërtetës dhe moralit. Në të kundërtën nuk na mbetet asgjë tjetër, pos që edhe publikisht të brohorisim: Avanti diletanti!
Pra si siç mund ta keni vërejtur shumë u tha për intelektualët në këtë Tryezë .A e meritojnë ata të trajtohen si një shtresë ose grup specifik shoqëror,ose a po angazhohen në atë masë që edhe trajtimin ta kenë të dinjitetshëm! Kam lexuar diku se sipas Aristotelit identifikoheshin si intelektuale ato virtyte që bënin pjesë në shkencë, art dhe punë mendore, e që i lejonin shpirtit të arrijë të vërtetën.Mendoj se Intelektualët nuk duhet t,ia lejojnë vetes të mbyllin gojën ,të mos e thonë të vërtetën,por të jenë në ballë të detyrës kur kërkohet të kritikohen fenomene e dukuri negative .
Iliriana Pylla
Gjakovë 1 Nëntor 2021
Fotografite jane realizuar nga Shkelzen Rexha
Komentet