Tregimi Mjeku i Lokalitetit eshte botuar ne vellimin Njerez te Kesaj Toke ne 1970. Nje dekade e gjysme me pas, filmi “Kur hapen dyert e jetes” me skenar e regji te aktorit të njohur Rikard Larja as e permend tregimin e Naum Priftit nga e ka marre krejt subjektin. Sa per t’i krahasuar, mund te lexoni tregimin dhe te shikoni filmin.
————————————————————————————————-
Në fund të orarit të ditës, mjeku u ul tek shkallët përpara derës së ambulancës dhe e treti vështrimin tek i vetmi peisazh që kishte përpara cdo ditë: një shesh i pjerrët, një rrugë e ngushtë, një mur i rrënuar dhe pa funksion pas te cilit ishin dy plepa. Vështrimi i mjekut ndoqi hapësirën midis dy plepave aty ku dukej një kodër e mbuluar me pisha. Kontrasti mes ngjyrës së fortë te pishave dhe kornizës së zbehtë që krijonin dy plepat në fillim i qe dukur tërheqës por edhe sikur të pretendonte se nuk e kishte parë me qindra herë të tjera përpara, tani vjeshta i kishte njëtrajtësuar drurët dhe monotonia shtrihej e patrazuar në një vend të krijuar enkas për të.
Infermierja po pastronte shiringat në paradhomë dhe në heshtje por priste që mjeku të fillonte te fliste sikur t’i thoshte me zë mendimet e tij.
-Kush ka qenë ai që e ka ngritur këtë fshat? Çfarë i ka pëlqyer këtu? As tokë dhe as kullota për të qenë. Do ketë qenë ndonjë mizantrop, se përndryshe s’kishte pse të rrinte në këtë vend të shkretë.
-Mbase dikush që ndiqej…
-Kaçak?- e ndërpreu mjeku. Nuk besoj. Ndonjë kusar edhe mundet.
-E pse?
-Se, po të qe kaçak do t’i kishte mbetur ndonjë këngë ose ndonjë legjendë. Njerëzit e kësaj krahine i këndojnë trimërisë, po jo hajdutërisë.
Infermierja diç murmuriti nëpër dhëmbë.
Mjeku, disi i vetëkënaqur me konstatimin, mori frymë thellë dhe pastaj e lëshoi ngadalë duke rrumbullakosur buzët.
Duke nxjerrë një cigare prej kutisë që e mbante në xhep, tha:
– Sa kohë i duhet të vijë Rroku të na sjellë shtypin. Apo e ka sjellë?
-Jo, – tha Frosina, – është herët.
Frosina deshi ta pyeste përse nuk shkonte nga klubi që të kalonte kohën por u kujtua shpejt se mjeku e urrente dominonë duke e quajtur “lojë pleqsh” dhe klubi nuk i jepte asnjë kënaqësi.
-Doktor a të kujtohet Maria? -pyeti ajo si për ndërrim teme.
-Cila Mari?
-Ajo nusja që s’bënte fëmijë. Tani ka lindur dhe erdhi bashkë me të shoqin të pyeste kur do shkosh tek ata për darkë.
Mjeku e lëshoi tymin e cigares përpara vetes si të donte të mbrohej nga pyetja e saj pa folur.
-S’më thërresin mua të shkretën, – u ankua Frosina, – po të luten ty që s’u vete.
Infermiera po i hidhte shiringat në sterilizator. Ajo i kishte kthyer kurrizin por mjeku i merrte me mend veprimet e saj nga cdo tingëllimë që depërtonte në zbrazëtinë e bardhë të ambulancës. Pas pak kaminetoja me vajguri mbushi gjithë dhomën me një vërshëllimë uniforme.
-Mos nxito kaq shumë, Frosinë. Deri nesër ato mund të ziejnë nga tri herë. Vetëm po të kemi ndonjë rast urgjent…
-S’dihet, doktor Pirro..
-Mirë e ke. Le të jenë gati.
Ai deshi ta pyeste Frosinën si e kuptonte ajo mërzinë, po i tha vetes se nuk do kishte përgjigje të kënaqshme, dhe hoqi dorë. Në të vërtetë nuk e dinte se cfarë mund të quhej “përgjigje e kënaqshme”. Në një mënyrë krejt të pavullnetshme ai e lidhte fantazinë me hipoteza të ndryshme shkencore. Për atë, mërzia dhe gëzimi ishin pjesë të së njëjtës ndarje të trurit të madh. Për shkaqe jo fort të qarta nga ana mjekësore, herë mbizotëronte njëra e herë tjetra. Ai pyeste veten a do të gjendej një ngacmues kimik, ose bioelektrik për të vepruar mbi atë sektor duke mundësuar që një njeri të mërzitur ta bëje të gezuar. Edhe sikur e gjitha kjo të mos kishte shumë kuptim apo dobi, ai pyeste veten sa kohë vallë do duhej përpara se mjekësia t’i afrohej hyrjes së të fshehtave të qelizës nervore… dhe pakuptuar pjesa tjetër e mendimit i doli nga buzët…
-Si thua ti Frosinë, a mund të mësohet njeriu me mërzinë si me një mik të bezdisshëm? – Ai fliste për mërzinë gati-gati si për diçka lëndore.
-Mundet, – tha Frosina, që dukej se nuk ishte shumë e interesuar për temën.
– Unë them, jo. Njeriu nga mërzia ose bëhet idiot, ose plogështohet. Njeriu nuk mund të mësohet me mërzinë se mërzia e ndryshk shpirtin.
U bë një heshtje e shkurtër. Në sterilizator shiringat kishin filluar të zienin dhe avulli i bardhë po dilte me shkulma, që lëviznin ajrin me llokoçitje që dëgjoheshin si diçka midis zukatjes dhe vërshëllimës.
-Kur do të vijë dita që të transferohem prej këtej? Ku i dihet? Mund të jetë nesër ose kurrë. Por ama e kam thënë se kush do ma sjellë lajmin e transferimit, do të ketë një peshqesh të madh nga unë. Po ma solle ti, Frosinë, do të të blej një fustan.
-Falemnderit, doktor Pirro, po s’ishte nevoja të na fyeje…i tha ajo me bërrylat mbështetur në dritare e me shikimin tek i njëjti peizazh përjashta dyerve të dhomës.
-Gafë, – tha mjeku duke qeshur, – gafë. Do jetë diçka që s’do ta harrosh kurrë…
Infermierja buzëqeshi dhe e shikoi duke ngritur njërën vetull lart me një shprehje naive, po dukej qartë se ende e ndiente veten të fyer.
Mjeku u ngrit në këmbë dhe recitoi vargjet e Pushkinit:
“Të falem, fshat i dashur, kënd i fshehtë,
Je azil i qetësisë, i çlodhjes…”
Dhe pastaj e vazhdoi rimën me fjalë të shpikura nga mendja.
Ai e ndiente se mërzia po e pushtonte pak nga pak si një mjegull e dendur dhe pas saj e prisnin disa orë të vështira limontie. E kishte provuar disa herë atë gjendje dhe e dinte fuqinë drobitëse të saj. Duhej të merrej me një punë apo të hynte në diskutim të fortë me një koleg. Gabimi më i madh që mund të bënte ishte të shkonte të mbyllej në dhomën e tij dhe i shtrirë në shtrat të ngulte shikimin te hartat paformë të mureve me suvatë e bymyera prej lagështirës.
-Do të shkoj nga Emini, – i tha Frosinës. – Më ka porositur ta marr me vete kur të dal për kontroll.
Mjekut i pëlqente të fliste me Eminin, të cilin e admironte për energjitë e pashtershme dhe sensin realist. Agronomi ishte një burrë qafëshkurtër, mbathur me çizme dimër e verë, që megjithese e shikonte botën pa syze nuk hiqte dorë nga optimizmi.
Kur agronom Emin Çuka kishte thënë se tokat me shkurre ku kullosnin dhitë mund të bëheshin vreshta e pemishte, banorët e kishin parë sikur donin të merrnin vesh nëse tallej apo e kishte me gjithë mend. Po ai iu përvesh punës me siguri tek vetja dhe me një fond të vogël. Nga zelli dhe pasioni i tij u çarmatosën edhe kundërshtarët më të vendosur dhe dalngadalë vreshta u bë ideja zotëruese në jetën e lokalitetit. Bile edhe mjeku, shkonte e bënte punë vullnetare kur kishte kohë. Pirro i kishte thënë me seriozitetin më të madh Eminit, se do të ishte mirë që të linte një parcelë për eksperimente dhe të merrej me krijimin e varieteteve të reja të rrushit.
Agronomi kishte qeshur me këtë ide dhe i qe përgjigjur mjekut se shkenca e vitikulturës do të qe tepër “fatkeqe” po të priste ndihmë nga ai.
-Pse? kishte kundërshtuar mjeku. – Kaq punë e vështirë qenka?
-Tregohu i arsyshëm, dishepull i Eskulapit! Kjo është njëlloj sikur të kërkojne nga ty të zbulosh një mikrob të ri. Unë jam agronom fushe, jo shkencëtar. Varietetet e reja kerkojnë njohuri teorike, laboratorë, pajisje, fonde, kuadro.
-Megjithatë nuk ma merr mendja që ti të mos merresh me eksperimente.
-E pse?
-Ke tipare shkencëtari, – i kishte thënë mjeku.
– Mos harro Pirro vëllai, se unë lavdërimeve u bëj 50 për qind zbritje.
-Po unë të kam parë që diçka shkruan.
-Mbaj ca shënime për varietetet, kohën e pjekjes, ëmbëlsinë në përqindje. Po këto janë gjëra të vogla që mund t’i bëjë kushdo.
II
Pirro doli nga oborri me atë të ecurën e tij karakteristike disi të plogët e të ngeshme. Që nga dera e klubit ia bëri me dorë, i plotfuqishmi i lokalitetit, Qazimi, një buçkan me faqe të kuqe dhe me tule poshtë syve të butë si kajsi.
–Do të vish me mua? – e pyeti Qazimi.
-Patjetër. Gjersa je i plotfuqishëm kush të kundërshton ty? – qeshi Pirro.
-Eja, sot do të shkojmë për gjah, – i tha ai miqësisht.
-Ke gjetur çifte dhe për mua?
-Ç’e duam çiften? Ne do të shkojmë të gjuajmë trofta.
-Me grepa të zakonshëm apo me flutur?
-As me grepa, as me flutur. – Ja me këtë. Ai i tregoi një pushkë sportive dhe mjeku qeshi.
-Me pushkë sportive? Kot sa të lodhësh këmbët. Asgjë nuk ke për të vrarë.
-Po ti eja njëherë, provoje.
-S’më merr malli ta provoj së dyti. Të kesh ndonjë rrjetë të vogël, ose të gjuash me kosh edhe mund të zësh diçka duke i marrë pellgjet me radhë, po kështu, të siguroj unë, bosh ke për t’u kthyer.
-E vëmë me bast? – i propozoi Qazimi.
-E vëmë, me sa të duash. Po solle ti trofta sonte, unë do të paguaj gjithë kafetë e javës.
-Ta mbash fjalën ama.
-Me një konditë, po nuk solle gjë, të m’i paguash ti kafetë.
-Ashtu jo, – i tha Qazimi, – se mbetem dhe pa meze, dhe pa kafe, Unë e di pse s’vjen ti. Nuk ta mban nga Sadushi. Ta ka mbledhur tetë me dy.
-Po të jetë për Sadushin, vij që tani.
-Hë, eja!
Mjeku u mat, pastaj papritur qëndroi në vend.
-Ma hodhe, – i tha Qazimit, – ma the kastile që të më prekësh në sedër dhe që të të bëhem shok. Po sot nuk të vij, – shtoi seriozisht, – do të dal për kontroll sanitar dhe isha nisur të merrja edhe Eminin.
III
Agronomi i lokalitetit, Emin Çuka, qe në zyrën e tij i përkulur mbi një letër milimetrike duke hedhur me kujdes disa viza të lakuara. Pirro e mori me mend se ato viza të holla e të lakuara aty në letër ishin projekte per
-Kanë ndonjë emër këto viza? – e pyeti Pirro.
-Natyrisht.
-Si quhen?
-Isoipse.
-E mësova një fjalë këtu.
-Si shkove sot? – e pyeti Emini. –Pate ndonjë rast interesant?
-Interesantët kanë ndërruar rrugë prej kohësh, – tha mjeku pa entuziazëm. – Pyes veten ndonjëherë: “Ku vizitoheshin gjithë këta njerëz kur këtu s’kishte mjek? “
-Këtë pyetje nuk duhej ta bëje se je djalë me shkollë, – e qortoi Emini.
U bë një heshtje e shkurtër. Emin Çuka i palosi planet dhe letrat në një dosje.
-Sidoqoftë më mirë kur kam punë shumë, sesa kur rri kot. Ka ditë që pyes veten: “A ka ndonjë përfitim shteti që ma paguan rrogën këtu?” Kur them shteti, domethënë shoqëria.
– Ty të duket se po sakrifikon… – qeshi Emini. Këmba s’të shkel në baltë dhe as koka s’të piqet në qiell. Mjekët e rinj shikojnë vetëm klinikë, spital, pavijon. Po dikush duhet të punojë tokën, të mjelë lopën, të pastrojë kopshtin. Kur ti thua “Pse unë?” ashtu mund të thotë edhe ai tjetri se gjithsecili është uni i vetes së tij.
-Nuk thashë atë, – u hodh në sulm Pirro. – Unë po harroj profesionin tim këtu, e ndiej që po e harroj.
U duk se Piroo priti se ç’përshtypje do t’i bënin këto fjalë agronomit.
– E para e punës kjo nuk është e vërtetë. Mbaj mend fjalët e një profesori. “Djema, – na tha- kur të dilni nga shkolla, në fillim do të keni përshtypjen se s’dini asgjë dhe se ato që keni mësuar në libra nuk kanë asnjë lidhje me ato që do të hasni në jetë. Mori librin dhe po e mbante së prapi. – Do të kalojnë disa vjet edhe pak nga pak çdo gjë do të zërë vendin e saj dhe libri do të kthehet së mbari.” Ti ëndërron për një klinikë dhe për një spital të vogël… ku të shërbesh duke bërë vizitën e mëngjesit dhe prapa të të ndjekin ndihmësmjeku, infermierët…
-Unë dua të kem mundësinë të vë në jetë ato që kam mësuar në fakultet. C’të keqe ka këtu?
– Atëherë mendo pak për epidemiologun apo higjenistin, Nuk më ke thënë vetë se sot, mjekësia shëron të sëmurët, kurse nesër do t’u shërbejë të shëndoshëve? E ardhmja është parandalimi i sëmundjeve apo jo?
-Mua nuk më tërheq më puna! – shfreu mjeku.
-Çdo punë ka poezinë dhe bukurinë e saj bashkë me telashet e veta.
-Ti je i apasionuar pas profesionit tënd, prandaj i gjykon të tjerët kështu, -i tha mjeku, ndërsa agronomi tundi kokën, dhe bëri një hap drejt tij.
-Ta dish ti me sa vështirësi kam ndenjur unë në vitin e parë në Institutin Bujqësor. Dy herë ika dhe të dyja herët im atë më kapi për veshi dhe më ktheu në fakultet. “Aty të rrish, më tha – dezertorë nuk dua në shtëpinë time!” Im atë është ushtarak dhe i përdorte shprehjet ushtarake vend e pa vend. Mua më vinte inat se babai, po të donte, ndërhynte dhe mund të ma ndërronte fakultetin, kurse ai gjykonte nga pozita të tjera. “Derisa të kanë shtënë aty, atëhere atje ka nevojë për ty!”
Të dy dolën përjasht por pa e lënë bisedën të këputej. Pirro e ndiente se përvoja jetësore e kishte formuar Eminin si njeri dhe karakteri i tij i kujtonte humanistët e mëdhenj.
Në ekspeditën e radhës, Pirro gati donte t’i tregonte agronomit sesi plekseshin në një mënyrë të ngatërruar zakonet, traditat e jetesës, paragjykimet, ekonomia dhe mundësitë praktike në zanatin e mjekut. Në disa shtëpi nuk i kishin hequr kafshët nga katet e poshtme e në disa të tjera ahuret ndodheshin ngjitur me dhomat e banimit. Mjeku mundohej t’u shpjegonte se sa e dëmshme qe kjo për shëndetin, ç’pasoja sillte dhe ngulmonte se për kafshët duhej të ndërtoheshin ahure të veçanta larg shtëpisë. E si mund të bisedoje me pleq e aq më shumë ta bindje pleq si xha Nikolla që thoshin: “Kështu jemi mësuar dhe gjer tani s’na ka gjetur asgjë e keqe”. Një plak i gjatë e i thatë, që tërë jetën qe marrë me xhambazllëqe, kundërshtoi më me ngulm se të tjerët. Në fillim tha se nuk shikonte asnjë arsye që ta largonte lopën nga shtëpia.
-Mos thuaj kështu, xha Nikollë, – i tha mjeku duke i vënë dorën në sup. – Ti e di edhe vetë, kafshët bien erë.
-Erë? Po unë ku ta gjej erën e lopës. Mua ajo më pëlqen më shumë se era e zambakut.
-Po mirë xhanëm, por ato edhe ndyjnë.
-Unë jam gati t’ia pres me duar, – dhe Nikolla i bëri duart si kupë. – Pastaj i madhi kështu i ka stisur gjërat. Kush do të pijë qumësht duhet të fshijë edhe bajgat. Pastaj na duhet të dalim edhe në punë në kooperativë.
Kur në bisedë ndërhyri agronomi, plaku aq deshi.
-Hë, më le ti të mos dal në punë?
-Kohën mund ta gjesh, -i tha Emini,- sikurse e gjen për të punuar kopshtin dhe për të kullotur për briri këtë lopën tënde.
-Po ja e gjeta kohën, po materialet ku t’i gjej? Kooperativa duhet të na i japë të gjitha materialet e ndërtimit.
Biseda u zgjat e dukej se s’do të mbaronte. Mjeku nxori bllokun. Kjo nuk i pëlqeu Nikollës dhe kushedi si iu duk. Kishte dëgjuar se ata të shëndetësisë të këputin me gjoba, prandaj u tremb. Papritur u tregua i arsyeshëm dhe i bindur.
-Mirë xhanëm, mirë, gjersa është urdhër, s’kemi ç’bëjmë, do ta ndërtojmë doemos.
Agronomi u kënaq shumë që biseda mori këtë rrugë dhe priti të dëgjonte nga mjeku t’i thoshte: “Po, xhaxha është urdhër i prerë e po s’e përfundove gjer në aksh datë do të përgjigjesh ose do të gjobitesh!”
Pirro i dha një përgjigje që e la me gojë hapur Eminin.
-Jo, xhaxha, nuk është urdhër, po ti do ta bësh se është për të mirën tënde. Në ç’datë do ta përfundosh, më njëzet apo në fund të muajit?
-Në fund të muajit, -tha me dinakëri Nikolla dhe dukej qartë se tani gënjente dhe se donte t’i përcillte sa më parë.
Kur dolën përjashta Emini i tha mjekut:
-E prishe vetë gjithë punën kur i the se nuk ështe urdhër dhe as me detyrim. Ai kështu dhe kishte rrezik të mos e bënte.
-Pse ta gënjeja? – u habit Pirro.
-Për të mirën e tij. Aq më tepër se ai vetë ta përmendi i pari.
-Nuk mund t’i thosha “është urdhër” derisa s’ka asnjë urdhër të tillë. -Nuk mund ta gënjeja, – vazhdoi mjeku pak i habitur me agronomin. Ai le të veprojë si të dojë, po në radhë të parë duhet të ketë besim se unë s’e gënjej. Kryesorja është të bindet se kjo punë është për të mirën e tij.
Agronomi ngriti supet. Kur po ktheheshin nga vizitat u takuan me drejtorin e shkollës tetëvjeçare, Koço Xhanin.
-U ktheve nga ekipi, Koço? – e pyeti Emini.
-Ja sapo arrita.
-Atëherë të takon të na qerasesh me nga një kafe.
-Mua? – u habit Koçoja. –Ju takon juve të më qerasni që u ktheva shëndoshë.
Në klub gjetën dhe kryetarin e lokalitetit, Sadush Matën. I ulur mes një pareje fshatarësh, kryetari kishte ardhur në qejf nga alkooli dhe po u rrëfente një skenë gjahu. Koçoja dhe Emini e përshëndetën kurse Pirro jo. Ai eci drejt banakut për të porositur kafetë. Marrëdhëniet e tyre ishin krejtësisht të fohta dhe vetëm zyrtare, por. në atë vend të vogël ju duhej të shiheshin me njëri-tjetrin disa herë në ditë dhe kjo ishte e bezdisshme, aq sa edhe të tjerët ndërhynin t’i pajtonin.
-Si i ke punët me pushtetin? – e pyeti Koçoja duke shpresuar se mos ato ditë që kishte munguar ai kishte ngjarë pajtimi i shumëpritur.
-Shumë mirë! –iu përgjigj Pirro.
-Pse qenke pajtuar me Sadushin? –u gëzua Koçoja. Atëherë do pimë…
-Me Sadushin s’jam pajtuar. Kush të tha që u pajtova? –pyeti Pirro.
-Po atëherë ç’thua që i ke mirë punët me pushtetin?
– Pse, ti pandeh se Sadush Mata është pushteti?
-Atë e kemi pushtet këtu.
-Jo, jo, ai është një nëpunës siç jam edhe unë dhe nuk mund të pranoj kurrë se ai është i pushtetit, fjala vjen, më shumë sesa ti. Pushteti na ka të gjithë njëlloj, sepse të gjithë punojmë për të. Pse i thonë pushtet popullor, e di kuptimin e kësaj fjale ti?
-Nga ana filozofike thua ti?
-Jo, nga ana praktike.
-Ehe, nga anët praktike ai ta kërcet pas shpine se i shkon fjala në rreth. Një raport të bëjë për ty, aq mjafton. Ai të ka në dorë. A nuk të nxori në raport para Komitetit?
-Më nxori. E pastaj?
-E ç’do më tepër? Nesër të nxin karakteristikat dhe ec të zësh punë të mirë pastaj.
-Ti, Koço paske frikë, – i tha rreptë Pirro.
-Nuk është frikë,… u mbrojt Koçoja.
-Drojtje atëherë. Ti thua, ta fut, të ka në dorë, se ai është pushteti këtu dhe atëherë t’ia gëlltitim çdo tekë, çdo veprim të padrejtë. Ai është i pushtetit kur e bën punën me drejtësi, me ndërgjegje, por kur nuk vepron drejt, mos pandeh se i bën ndonjë shërbim të mirë pushtetit. Apo mos pandeh se pushteti s’i shikon këto gjëra?
-Po gjersa të vijë ajo kohë, ai më ka dërguar nja tri herë mësues në Oseckë, – i tha Koçoja dhe shikoi në drejtim të maleve, sikur të kërkonte me sy Oseckën e vogël që tulatej e mënjanuar diku thellë.
-Unë do të preferoja të vija më mirë në Oseckë…
-Çështje gustoje, – e ndërpreu me të qeshur Koçoja duke dashur ta kalonte lehtë.
-Më mirë në Oseckë sesa t’i bëj temena padrejtësisë. Dhe në zihem me një nëpunës të paaftë që nuk bën punën ose nëse i kundërshtoj një shefi kur më nxit të bëj një hatër a një lëshim, kjo nuk ka të bëjë me pushtetin.
IV
Mëria e kryetarit te lokalitetit i kishte rrënjët te një incident i vogël. Sadush Mata shkonte shumë mirë me mjekun e mëparshëm. Gati çdo pasdite ia shtronin së bashku në klub, me raki e meze dhe miqësia e tyre në sajë të xhepit të mjekut, shkonte fjollë. Mjeku nuk ia prishte për asgjë kryetarit dhe ai nga e tij tregohej i denjë për këtë miqësi duke e lejuar të mungonte disa ditë në muaj. Pirro Basha nuk pinte. Ai kishte neveri për të gjitha llojet e pijeve dhe qëndronte larg klubit ku luanin domino. Disa herë kishte shkuar me shokët e shkollës në lulishtet verore të Tiranës, dhe nuk ishte kënaqur nga të pirët. Përveç dhembjes së kokës, s’mbante mend gjë tjetër nga konjaku ose nga rakia. Përpjekja e Sadush Matës për të afruar mjekun e ri me anë të një pusulle jo vetëm s’kishte pasur përfundime të mira, po ishte bërë shkak për ngrindjen e tyre të parë.
Një ditë maji, në mëngjes, mjekut i erdhi në ambulancë një punëtor i mirëmbajtjes së rrugëve dhe kërkoi ta vizitonte. Pirro i dëgjoi me kujdes ankimet e tij dhe e vizitoi me vëmendje. Nuk i gjeti asgjë. Duke i rënë shpatullave i tha si ta përgëzonte:
-Mos u bëj merak. S’ke asgjë. Kaq i shëndoshë do të desha të isha dhe unë.
Nga ky kompliment pacienti duket se s’mbeti i kënaqur. I hutuar dhe me drojtje nxori nga xhepi i jelekut një copë pusullë dhe ia zgjati mjekut. Atje, me një shkrim që s’mund ta quaje të bukur, qe shkruar:
“Shoku doktor!
Letërprurësi është një miku im. Po pate mundësi jepi tri ditë pushim me raport, se ashtu e ka punën.
Të fala, Sadushi”.
Si e lexoi pusullën, mjeku iu afrua dritares dhe ndenji i menduar. S’i të bënte? T’i jepte tri ditë pushim? Pse ta prishte me kryetarin? E dinte se po të mos i jepte raport pushimi letërprurësit, do ta zemëronte kryetarin dhe kur të vinte rasti, ai do t’ia shpaguante. Refuzimi i kërkesës do të kishte pasoja për mjekun edhe pse ishte kryetari ai që nuk duhej ta kishte dërguar atë letër duke i çelur rrugë një veprimi të pandershëm. Toni gati miqësor i pusullës së kryetarit e vuri pak në mendime mjekun. Mëdyshja u kthye në zemërim kur papritur i erdhi ndër mend një pyetje e thjeshtë: Pse pacienti s’ia kishte dhënë letrën që në fillim? Mos vallë e gjithë kjo ishte e kurdisur me plan? Në rast se mjeku do ishte tuaf, atëherë s’kishte nevojë t’i jepnin pusullën dhe ajo do t’i kthehej të zotit. Pirro e ndjeu veten të fyer nga kjo lloj dinakërie bizantine që vinte në dyshim zotësitë e tij profesionale vetëm për shkak të moshës së re. Nga ana tjetër, ç’të drejtë kishte kryetari të ndërhynte në punët e tij? Pas asaj pusulle, po qe se e pranonte, do të vinin të tjera. Edhe sikur të bente vetëm këtë lëshim, nuk do ta kishte ndërgjegjen të qetë. Vendosi të mos i jepte raport pacientit të cilit iu afrua dhe i tha, me një ton të përmbajtur:
-Shko ti. Do të bisedoj unë me Sadushin.
-Po unë… është puna se…
-Të thashë, pra, do të bisedoj vetë! –ia preu shkurt, ndërsa po zhvishte bluzën e bardhë.
Kryetarin e gjeti vetëm në zyrë.
-Do ta ndezësh njëherë?
-Jo, faleminderit, tani sapo e hodha.
U bë një heshtje e shkurtër.
-Erdha të them, – filloi Pirro me një ton të qetë, – se nuk i dhashë raport atij mikut tënd. Ia tha me një lehtësi të habitshme e gati me qejf, njësoj sikur t’i thoshte “Ajo punë u mbarua” sa edhe kryetari nuk e mori seriozisht.
-Paske humor ore doktor!
-Derisa nuk ishte i sëmurë, pse t’i jepja raport?
-Unë, po të ishte i sëmurë, s’ta dërgoja letrën…
-Edhe letrën ta kam sjellë, – i tha mjeku.
-Tri ditë? – tha kryetari gjysmë serioz, gjysmë hokatar. – Sikur do të bëhej qameti. Unë të thashë, ashtu e ka punën.
-Në e ka punën ashtu, jepi leje ti si kryetar. Sadushi e kuptoi se mjeku jo vetëm nuk kishte bërë shaka por po shkonte më larg. Kryetari u mat të fliste por ndërroi mendje. Zuri të lexonte një qarkore, sikur të mos kishte njeri tjetër në dhomë. Mjeku e bëri shuk letrën e rekomandimit e hodhi tej dhe i tha një “Tungjatjeta” nëpër dhëmbë.
Kryetari nuk e përshëndeti. “Kështu ma punove! –tha me vete. –Mirë, mirë, këtu do të jemi!” – dhe psherëtiu me mllef.
Kështu miqësia e tyre kishte mbaruar përpara se të fillonte. Shpejt kryetari hapi fjalë nëpër miqtë e tij se doktori i ri ishte mendjemadh dhe se as nga zanati nuk merrte vesh si ai i pari. Dhe kjo fjalë, “i pari” zë vend menjëherë, sepse tek njerëzit e kaluara ka një kënd nostalgjie. Ka një ngjashmëri me shfaqjet e pehlivanëve që bënin turne para lufte nëpër qytetet e vogla. Në përfundim njerëzit komentonin rëndomt: “Ky s’është kushedi se çë, po të shikoje atë të parin…” megjithëse ekuilibristët, si i pari, si i fundit bënin të njëjtën gjë, ecnin zbathur mbi një tel të tendosur midis dy shtyllash.
V
Pas disa muajve erdhi për kontroll një burrë rreth të dyzetave. Hyri në dhomë duke ecur rëndë-rëndë dhe u ul në karrige pa përshendetur apo pyetur njeri. Vetëm mjekut i buzëqeshi. Pirro e kuptoi që kishte të bënte me një “tip” dhe për këtë arsye nisi ta shikonte me interesim të porsaardhurin. Fodull, krenar, apo kapadai?
-Ulu këtu! –e ftoi mjeku, duke i treguar shtratin ku vizitonte të sëmurët. –Si e keni emrin, ju lutem?
-Ja, më njeh Frosina mua, – tha ai duke treguar me gisht infermieren që po shkruante diçka në regjistër. Me këtë ai deshi të thoshte se nuk ishte një “sidokudo”, por një person i njohur.
-O, në rregull atëherë! – vetëm Frosina që e njihte mjekun dalloi ironinë e hollë. – Cfarë ju dhemb? – Mjeku po i fliste me etiketë, në shumës.
-S’e di unë, ti qe je doktor! – tha ai duke shkopsitur këmishën.
-Po nga se ankoheni?
-Gjeje ti që je doktor, – vazhdonte ai dhe buzëqeshte, i sigurt se po thoshte gjëra të mençura.
–Po a ke ndonje shqetesim që erdhe për vizitë? – e humbi durimin mjeku.
-Tani ti e di. Do të më shikosh njëherë mirë e mirë e pastaj do më thuash nga se jam sëmurë…
-Këtu s’është vend argëtimi!- i tha Pirro Basha.
-A, doktor, kështu ta kemi. Se ç’kuptim ka po të them unë? Zotësia jote aty do të duket, të ma gjesh vetë.
Mjeku e përplasi fenendoskopin në tryezë dhe u ngrit me vrull nga froni.
-Dil përjashta! Unë s’jam fallxhi ta gjej nga se vuan ti. Shko te ndonjë hoxhë a te ndonjë prift!
Pacienti u ngrit i hutuar nga reagimi i doktorit dhe pak i trembur nga toni. Frosina u zbeh dhe filloi të fërkonte ballin. Ndërkohë pacienti qe ngritur më këmbë e duke futur cepat e këmishës në pantallona, i hidhte mjekut ca vështrime të mbushura me inat. Duke dalë, ai përplasi derën e shau nëpër buzë.
-Ç’bëre doktor!… –tha Frosina e trembur.
-Çfarë bëra?
-E di kush është ky?
-Ç’rëndësi ka? Kush të dojë le të jetë…Unë as që e njoh fare.
-Është vëllai i Sadush Matës.
-Ëhë!
Nuk u mor vesh se ç’desh të thoshte mjeku me atë “ëhë”, se as atëhere e as më vonë ai nuk shfaqi ndonjë shenjë pendimi. Po tani kryetari i lokalitetit dhe kushdo tjetër që të ishte në vend të tij do të dyshonte se këtë gjë ia kishte bërë vetëm nga inati. “Këtë herë kryetari do të më raportoj.” mendoi Pirro. Dhe nuk u gabua.
Me anë të një letre të shkurtër, Kyetari i lokalitetit u ankua se mjeku Pirro Basha e kishte nxjerrë një të sëmurë “rëndë” me shqelma jashtë ambulancës e se ai përgjithësisht nuk sillej mirë me të sëmurët dhe kërkonte marrjen e masave të rrepta kundrejt mjekut.
Raporti shkaktoi shqetësim në instancat e rrethit. Pas disa ditësh mjekun e thirrën përpara kryesisë së komitetit. Përpara tyre u lexua raporti përsëri. Mjeku tha se shqelmat kishin munguar, por fakti që e kishte nxjerrë përjashta ishte i vërtetë. Për habinë e tyre, premtoi se do të nxirrte përjashta edhe këdo tjetër që do të sillej në atë mënyrë. Guximi dhe qartësia me të cilën foli i bënë disa nga anëtarët e komitetit të krijojnë opinion pozitiv për këtë djalosh. Njëri u entuziazmua aq tepër sa thirri:” Mirë ia paske bërë!”
Kryetari i komitetit e këshilloi që tjerë herë të tregohej më i përmbajtur e më i matur. A nuk do të ishte më mirë që ta sqaronte të “sëmurin” që acarimi të shmangej dhe asnjeri nuk do të humbte kohë me diskutime të tilla. “Ne kemi besim te kuardrat e reja dhe te mjekët por detyra juaj s’është vetëm të shërojë me ilaçe, por edhe t’i sqarojë të sëmurët, të luftojë paragjykimet”.
– Unë nuk e kisha aspak të vështirë t’i caktoja një sëmundje, pra t’i vija një “diagnozë” të gënjeshtërt e t’i jepja edhe një recetë. Po cila do të ishte më e drejtë, t’i vija një diagnozë “falso”, apo të mos e vizitoja fare. Kjo e dyta m’u duk më e drejtë dhe unë kështu veprova, – shtoi mjeku duke u ngritur në këmbë.
-Ta sqaroje, -i tha kryetari.
-Duke mos e vizituar, besoj se edhe e sqarova.
Një nga anëtarët e kryesisë i kërkoi shpjegim se si ishte e mundur që një mjek i ri t’u thotë të sëmurëve të shkojnë te hoxha a te prifti?
-Për atë kërkoj të falur atij dhe juve. Nuk duhet t’ia kisha thënë. Tani kam edhe diçka tjetër. Kush ia ka dhënë të drejtën atij që ka raportuar ta shtrembërojë të vërtetën në një raport zyrtar e të thotë gjëra të paqena dhe të gënjejë?
-Po të bëja unë një raport të gënjeshtërt, do të më thërrisnit e do të më kërkonit llogari, apo jo?
-Po, – i tha kryetari, – por më parë do të informoheshim për të zbuluar të vërtetën.
Mjeku doli nga zyra. Dikush, tha me mllef:
-Qenka mendjemadh.
-Më duket se në disa gjëra kishte të drejtë,- iu kthye kryetari.
VI
Në dhomën e vogël që shërbente si ambulancë, mjeku po vërtiste nëpër duar një “Vademekum” duke shikuar me endje ca receptura të reja. –Të kishim një spital… – tha Frosina. –Një spital të vogël, sa mirë do të qe!
Ajo e tha qëllimisht këtë, duke e ditur se ëndrra e përkëdhelur e të gjithë mjekëve te ambulancave është të jenë në një spital qoftë edhe të vogël me dhjetë – pesëmbëdhjetë shtretër. -Spital? – pyeti Pirro. –S’mund të hapësh spital, çdo tridhjetë kilometra se nuk ka leverdi ekonomike. Po të krahasosh sipërfaqen e vendit me numrin e spitaleve, ne kemi një dendësi mesatare që do të na e kishin zili shumë vende në botë. S’ka qytet me tri mijë banorë, mbase edhe më pak, që të mos ketë spital. Por një ambulancë dhe një autoambulancë për çdo rast urgjent do ishin praktike në cdo lokalitet.
Pranë rrugës ku fëmijët pasditeve luanin me top, kaloi kryetari i lokalitetit, i shoqëruar nga një plak, i cili se përse e luste. Kryetari bëri sikur kishte humbur në hallet e bashkëfolësit, vetëm e vetëm që të mos kthente kokën e të përshëndeste mjekun. Shumë herë Sadushi preferonte të bënte një rrugë më të gjatë, mjaft që të mos kalonte përpara ambulancës. Infermierja kaloi pragun. Doktori, padashur e shoqëroi me vështrim. Kishte vërejtur se Frosina po kujdesej më shumë për veshjen, për flokët dhe në tërësi ishte më e butë në sjellje. Aty për aty mendoi se nuri ishte i lidhur me ndjenjat e brendshme të dashurisë. Dhe ndersa po shtjellonte këtë mendim kaloi një fshatar duke tërhequr për kapistre një kafshë ngarkuar me bar të thatë. Një copë herë ajri kundërmoi një aromë karakteristike që të guduliste hundët. Mjeku e ndolli aromën me flegrat e hundës sikur të donte ta depozitonte thellë në mushkëri.
“Ç’erë të mirë që ka bari i thatë! Sikur të deh!” Ai u dha pas këtij arsyetimi ku lidhej joshja e dashurisë dhe era e afshet e plevicave të mbushura me bar e kashtë. Cfarë kombinimi! Nga këto vegime e përmendën disa zëra që po i afroheshin ambulancës
Një zë i trashë burri thoshte:
-Shko, shpjerja ti, unë nuk vij.
Një zë i hollë i kundërshtonte me takt:
-Po eja edhe ti… Të shikojmë ç’do të na thotë.
-Shko kur të thonë dhe lëri fjalët! Unë do të pres këtu.
Ata kapërcyen qoshen e murit dhe mjeku pa një grua që mbante në krah një fëmijë dy-tre vjeçar. Fytyra dhe koka e tij ishte mbështjellë me një shami gjithë lule. Ata s’pandehën ta gjenin mjekun te dera dhe për një çast u stepën që të dy. Sidomos burrit nuk i erdhi mirë. Pirro e njohu. Ai u vrenjt në fytyrë dhe i bëri gruas me shenjë të ecte përpara, ndërsa vetë i erdhi rëndë të hynte në ambulancën nga e cila e kishte dëbuar mjeku.
-Ç’ka fëmija? – e pyeti mjeku gruan që hyri brenda me të në krahë.
-I dhemb gryka, doktor.
Ajo po a çmbështillte shaminë, dhe Frosina shënonte në regjistër emrin , mbiemrin dhe moshën e djalit. Shamia qe tepër e madhe dhe djalit gati po i zihej fryma. Mjeku e vuri re dhe deshi ta pyeste pse e kishte mbështjellë aq shumë, po mendoi se ajo mund t’ia merrte për keq këtë vërejtje, ndaj u përmbajt. Pas pak nuk duroi dot dhe e pyeti:
-Pse e ke mbështjellë kaq shumë?
-Kisha frikë mos më ftohej, doktor.
Ajo e ngriti djalin në krahë. Mjeku vuri re se fëmija kishte frymëmarrje të shpejtë, sytë i mbante mbyllur, mollëzat e faqeve dhe buzët i qenë nxirë dhe cianoza po përhapej më shumë. “Difterit – mendoi me tmerr doktori. – Po jo, ndoshta s’ka difterit”. –Lëre mbi krevat ose mbaje në prehër, – e këshilloi nënën e fëmijës duke qenë i sigurt se ajo do ta mbante në prehër. Pastaj iu afrua e me kujdes i hapi gojën djalit të vogël dhe me spatul i mëshoi gjuhës. Fëmija nisi të qante dhe gati u kaltërua.
Gruaja vuri re se doktori u prish në fytyrë dhe zemra iu rrëqeth nga një parandjenjë e keqe.
-Sa ditë ka që është sëmurë, – pyeti ai.
-Ka disa ditë…
-Pse s’e sollët më parë?
-Po ja… pritëm mos bëhej më mirë…
-Dhe e sollët në këtë gjendje…
Ajo nuk ia tha arsyen e vërtetë dhe s’kishte si t’ia thoshte. Ata nuk e kishin sjellë më përpara ngaqë i ati i djalit nuk dëshironte që ndonjë prej anëtarëve të familjes të shkonte e të vizitohej ose t’i kërkonte ndihmë mjekut të lokalitetit.
“Jo,- kishte thënë ai në shtëpi, – unë atij doktori s’ia shpie djalin. Në ka për të vdekur, le të vdesë. Po ditën e findit, kur djali qe bërë me të vërtetë keq dhe kur vuri re se fëmija qe në rrezik, këmbëngulja qe pakuptim, ndaj urdhëroi të shoqen të bëhej gati e ta shpinte në ambulancë. Ai vetë do të shkonte gjer në lokalitet, por nuk do t’i dilte përpara mjekut.
Mjeku i lidhi menjëherë këto dy ngjarje dhe u hidhërua shumë. Trillin pa kuptim të të atit duhej ta paguante fëmija që s’kishte asnjë faj.
Mikrobet e difteritit prej disa ditësh po bënin punën e tyre shkatërruese në grykën e djalit të vogël. Ato, duke u shtuar nga ora në orë me një shpejtësi të mahnitshme, po e shtuposnin me mykus e me qelb grykën e fëmijës. Ajri nuk qarkullonte normalisht. Gryka i këndonte sa herë merrte frymë dhe cianoza po përhapej në fytyrën e djalit.
Mjeku s’kishte kohë për të humbur.
-Frosina, shpejt, një serum antidifterik dhe një gjysmë cecekanfor.
Frosina rendi për te dollapi.
-Është i kyçur doktor.
-Merre çelësin në dhomën time.
Frosina zhveshi bluzën dhe u gati të nisej, por sapo vati te dera, mjeku e ndaloi.
-Jo prit se ti s’e di ku e kam vënë dhe mund të vonohesh. Po shkoj vetë, – dhe doli nga ambulanca duke vrapuar.
VII
Nëna ndiqte lëvizjet e tyre të shpejta dhe pa fjalë duke pritur me ankth se c’do t’i thoshte mjeku. Donte të degjonte një fjalë të mirë, dhënie shprese apo këshillë se kjo do kalonte. Doli në oborr të kërkonte të shoqin por nuk e gjeti. Ndoshta kishte shkuar tek i vëllai ose në klub. Deshi të kthehej pranë djalit, por te dera dëgjoi:
-Eshtë shumë rëndë!
-E shoh.
-Duhet ta nisim urgjent.
-Ku? – e pyeti mjeku.
-Në spitalin e rrethit.
-Ky nuk arrin. S’ka si të arrijë. Për dy orë ky mbaron. E morën në qafë, injorantët!
Frosina po e vërente mjekun që e shihte të kapluar nga plogështia në punë të ulur në pragun e derës me përsiatjet e veta për mërzinë, të lëvizste i shpejtë, i përqëndruar dhe fjalëpakë. Veprimet e tij ishin të sakta dhe të përpikta, pa shfaqur asnjë shenjë hutimi. Në intervale të caktuar mjeku kontrollonte pulsin, numëronte frymëmarrjet dhe maste tensionin. Këtë herë tensioni kishte rënë tri shkallë më poshtë dhe mjeku e dinte se ai do të ulej edhe më. Prognoza qe e keqe. Tani ai ishte i sigurt se i sëmuri, pas një agonie të shkurtër, do t’i vdiste në duar. Për ta shpëtuar duhej kryer trakeotomia. Në fakultet kishte mësuar anën teorike. Praktika në kadavër nuk është njësoj si me një pacient. “Jo, pacient,” tha me vete mjeku. “Ky është fëmi.” Trakeotomia është një masë ekstreme dhe jo plotësisht e sigurt. Do ta kuptojnë vallë prindërit, se ky ishte një shans me shumë rrezik? Dhe në rast se fëmija vdiste, a do mendonin ata se mjeku bëri ç’mundi e se s’kishte ç’të bënte më tepër? Në rast se ndërhynte pa sukses atëherë vdekja e djalit do të mbetej mbi të. Një zë brenda vetes i thoshte të shkarkohej nga përgjegjësia duke u thënë: “Unë s’kam ç’i bëj këtij fëmije, në gjendjen që e kini sjellë ju.. Merreni në shtëpi ose shkoni në spitalin e rrethit” Po si t’i niste për në spitalin e rrethit kur e dinte se djali s’do të arrinte dot gjer atje? I kujtoi vetes se në mjekësi natyra është në gjendje të bëjë çudira. Mbase fëmija arrinte i gjallë në spital, mbase atje e shpëtonin duke i bërë trakeotomi.
Arsyetimet e nxorën përsëri tek i njëjti veprim i rrezikshëm për jetën e fëmijës, Ai s’ishte as kirurg, as profesor. Dhe mjekësia e pohonte se nuk kishte siguri se pas trakeotiomisë i sëmuri shpëtonte. Ai ishte mjek lokaliteti. Detyra e tij ishin vizitat ambulatorike, inspektime dhe higjienizimi i fshatrave, të jepte ndihmën e parë në çdo rast urgjent, dhe raste të renda t’i niste për në spitalin e rrethit.
“Po ky a nuk është një rast urgjent?” e pyeti veten. S’kishte rrugë tjetër. Ose duhej të bënte trakeotomi, ose duhej të jetonte me vendimin se nuk e bëri dicka që mund të bënte për një fëmi që nuk kishte tjetër shpresë. Pirro bëri disa hapa nëpër dhomë. Te dera, si një hije, qëndronte e ëma e djalit, me duar të kryqëzuara mbi bark, e heshtur e me vështrim të përgjëruar.
-Frosina, një bisturi! – tha mjeku.
Infermierja e kuptoi dhe hapi sytë e ngrirë.
-Doktor… – nisi ajo.
Ai bëri me shenjë të mos vazhdonte më tej.
Gruaja tentoi te pyeste për diçka, por mjeku e ndërpreu:
-Ku është yt shoq? Thuaji të vijë këtu.
Gruaja ngriti supet dhe nën zë tha se nuk e dinte se ku mund të kishte shkuar.
-Duhet të bisedoj me të për gjendjen e djalit.
Mjeku nuk u besoi fjalëve të saj.
-Ai është aty dhe s’do të vijë, – tha mjeku i vendosur.
-Jo. – tha gruaja e mallëngjyer, – nuk është. Unë e kërkova…
Mirë, atëherë, do të bisedoj me ty.
Ai iu afrua.
– Djali është në gjendje shumë te rëndë. Unë, ato që dija i bëra, tani më mbetet të bëj edhe diçka tjetër, mirëpo për këtë më duhet të marr leje nga ju, sepse është një veprim delikat dhe me rrezik.
-Ti e di, doktor… – belbëzoi ajo me lotë ndër sy.
-Duhet t’i hap pak grykën që të mund të marrë frymë…
Ndoshta ajo nuk e kuptoi se ç’deshi të thoshte mjeku me ato fjalë, se murmuriti nëpër dhëmbë “Mirë” e vetëm kur pa infermieren që i dorëzoi një thikë të vogël mjekut, kuptoi si nëpër tym se me atë fjalë kishte marrë përsipër aq shumë sa ndjeu drobitje dhe këputje te gjunjët, aq sa u mbështet në mur. Vështrimi iu vesh por e dalloi mjekun që iu afrua djalit dhe më pas dëgjoi një klithmë të mbytur fëmije. Me një dhembje instiktive u sul duke bërtitur:’- E zeza unë… djali!
Ajo pa gjakun që rridhte në grykën e fëmijës. Vuri duart në kokë dhe doli përjashta duke klithur kur kuptoi se mjeku e kishte çarë grykën e djalit me thikë.
VIII
Gruaja ikte rrugës duke i rënë kokës me duar e duke çjerrë faqet.
-“E zeza unë, e mjera unë…” Këto ishin të vetmet fjalë që nxirrte nga goja.
Në shtëpinë e Sadush Matës, hyri si e cmeritur që të gjente të shoqin.
-Ç’ka ngjarë? – e pyeti Sadushi, duke u ngritur më këmbë.
Mes ngashërimeve gruaja murmuriste diçka, por, se çfarë thoshte nuk merrej vesh. Mos vallë djali kishte mbaruar?
-Do të flasësh, apo të të jap një për së prapi! – iu kërcënua i shoqi duke i shtrënguar fort krahun.
Atëherë ajo tregoi se mjeku i kishte hapur grykën djalit dhe pastaj shtoi:
-Na shkoi djali… iku djali….
-Si do t’i fuste thikën në grykë, fjalë janë këto? Pse ta bënte këtë gjë?
Ai heshti pak dhe shtoi me zë të ulët:
– Veç në është çmendur.
Por gruaja nguli këmbë duke u përbetuar.
-E pashë me këta sy.
-Ç’domethënë t’i hapësh grykën tjetrit?
Një dyshim i errët sillej vërdallë në mendjen e tyre. Nuk kishin dëgjuar kurrë se njeriut i hapej gryka. Të shtyrë nga dëshpërimi e ideja e një katastrofe të afërme, morën rrugën për në ambulancë.
IX
Mjeku kishte ndezur llambën me vajguri dhe me duart në tëmtha po rrinte i menduar pranë tryezës. Rreth e qark qe errur. Ndiheshin uturima e lumit dhe vërshëllima e trishtuar që sillte era nga korija me pisha.
-Mirëmbrëma! – tha Sadushi, jo kaq për ta uruar, sesa nga nevoja për të thënë diçka.
-Mirëmbrëma!
-Si u bë puna e djalit? – e pyeti Sadushi duke bërë të gjitha përpjekjet që të tregohej i qetë. Pirro e kuptoi se Sadushi ishte shumë i tronditur, ngaqë zëri i dridhej.
-Djalin duhet ta nisim urgjent për në Tiranë. Po presim autombulancën….
-Pse?– pyeti Sadushi me pak mllefi.
-Sepse është shumë rëndë.
Sadushi tundi kokën me një fare dyshimi. Ndërsa mjeku vërejti se cdo gjë në fytyrën e kryetarit ishte e rrumbullaket, sytë, hunda e vogël, faqet, veshët, kaçurrelat përmbi ballë dhe koka e vogël.
-Ishte keq apo u bë më keq këtu?
Mjeku e kuptoi nëntekstin megjithatë e mbajti veten dhe iu përgjigj sa mundi më qetë.
-Erdhi në gjendje të rëndë dhe këtu u keqësua më shumë.
Kaq deshi Sadushi të thoshte atë frazë që po e vërtiste në mendjen e vet.
-Kur i fut tjetrit thikë në grykë, domosdo do të keqësohet!
“Ky njeri ta bën borxh, -tha mjeku me veten e tij. Pse e quan të drejtë të ndërhyjë dhe atje ku s’i përket e ku nuk merr vesh?”
-Unë mora leje nga nëna e tij.
-Posi, nga nëna e tij!… Merr vesh shumë ajo! Ç’janë këto eksperimente që na bën, o doktor? Po pse ç’u bënë njerëzit, pula apo mace?
-Ju keni ardhur të më pyesni për gjendjen e djalit, apo të më mësoni profesionin?
-Jo, kam ardhur të të them se nuk je hiç në rregull dhe me këto që po bën s’do ta kesh të gjatë këtu.
Në një rast tjetër mjeku do ta kishte falënderuar, duke i thënë se po ta transferonte prej andej do t’i bënte nder kurse atë ditë iu përgjigj ndryshe.
-Mua më duket se ju nuk jeni në rregull. E para e punës sepse po ndërhyni pa të drejtë dhe e dyta nuk keni asnjë arsye të vini në dyshim ndërgjegjen time profesionale.
Sadushi kishte ardhur të pyeste për djalin po që në fillim biseda kishte nisur ters dhe tani s’mund të bënte prapa. Sedra dhe prepotenca nuk e linin të tregohej i matur ose të bënte një kthesë të butë. Ai e kuptonte këtë por nuk bënte hap prapa sepse ishte mësuar t’i thoshin “Ke të drejtë!” edhe atëherë kur s’kishte të drejtë.
Një erë e fohtë hyri me rrëmbim nga dera e hapur dhe e shoi llambën me vajguri. Të dy mbetën në gjysmëerrësirë dhe të painteresuar të dilnin nga kjo situatë e vështirë. Në dhomë u luhatën projektorët e një makine dhe Frosina lajmëroi se autoambulanca ishte gati. Pas pak djali dhe Frosina të shoqeruar nga nëna e fëmijës ishin nisur drejt spitalit të qytetit.
X
Një trakeotomi e detyruar hapi një thes me thashetheme. Disa e quanin një veprim të mynxyrshëm, disa të tjerë, që kishin besim te shkenca, thoshin se doktori e kishte marrë përsipër ta shëronte vetë po nuk kishte qenë i zoti dhe kur e kishte parë se i mbeti në dorë, e kishte lënë operacionin përgjysmë dhe e kishte nisur urgjent për në Tiranë.
Frosina ia thoshte ato që dëgjonte mjekut, dhe ai, kur ndodhej me humor të mirë qeshte dhe e dëgjonte pa bërë asnjë koment. Ndonjëherë i dukej se këto i kishin ngjarë dikujt tjetër dhe jo atij vetë. I ati i djalit paskësh deklaruar: “Në qoftë se më vdes djali, atëherë doktorit do t’i fluturojë koka”. Dhe ajo nga ana e saj e këshilloi të ruhej ose të paktën të lajmëronte prokurorinë.
-Mos ki merak, se ka se kush merret me këto punë.
Sadushi me të vëllanë kishte shkuar në Tiranë për ta parë fëmijën dhe sic thuhej edhe për të raportuar në ministri për mjekun. Flitej se djali e kishte kaluar rrezikun dhe ca nga ca e çara në grykë po i mbyllej. Në spital ju thanë se fëmija kishte ardhur shumë vonë dhe se kishte shpëtuar vetëm nga ndërhyrja e shpejtë në një moment tepër kritik.
-Jua kemi borxh për jetë, që u kujdesuat për djalit se të ishte për atë doktorin atje… që i futi thikën në grykë…
-Më duket se u keqkuptuam, – tha mjekja duke buzëqeshur. –Unë po u them se pikërisht ai që i hapi grykën e shpëtoi fëmijën tuaj. Cilin doktor keni atje? Do të jetë ndonjë mjek i vjetër dhe me eksperiencë, se një i ri zor se do të merrte guxim ta bënte një gjë të tillë. Fëmija e ka jetë të dytë këtë që po bën tani.
Sadushi dhe i vëllai e dëgjuan pa bërë zë. Dhe kur mbetën vetëm, ai nisi t’i thoshte:
-Ama dhe ti na lojte nga mendja, – i tha Sadushi të vëllait. – jo i futi thikën, jo e bëri nga inati. Pse fëmijës do t’ia nxirrte inatin?
XI
Pirro po rrinte në prag të ambulancës duke parë me admirim tarracat që po hapeshin në kodër. I shkoi mendja se po të kishte nisur puna përpara, vreshtat do të kishin hyrë në prodhim dhe pemët do të qenë rritur. Kodrat s’do të dukeshin të zhveshura e të trishtuara.
“Megjithatë filizat e njomë janë atje dhe vit për vit do të hedhin shtat e do të lartësohen. Për të filluar një punë të mirë s’është asnjëherë vonë.” Ju kujtua biseda me Kocon, që kishte ardhur t’i thoshte të rejat për shkarkimin e Sadushit. Kocoja i thoshte se ai duhet të kishte ditur dicka përpara që i kundërshtonte dhe sillej pa frikë ndaj kryetarit. Mjeku i tha se nuk kishte si ta dinte që kur ai vetë ishte ‘jananxhi’ në lokalitet. Gjithsesi, Pirro nuk mbante asnjë mëri kundrejt tij.
Një kamion qëndroi me uturimë të lodhur poshtë në rrugë dhe nga karroceria e tij njerëzit filluan të zbritnin njëri pas tjerit. Mjeku u argëtua një copë herë duke bërë sehir ata që kapërcenin nga makina derisa karroceria u boshatis, dhe ai s’kishte ç’të shikonte më.
Frosina qe po rrinte e heshtur pranë dritares, tha papritur me gjallëri.
-Doktor, – shiko, Astriti paska dalë nga spitali. Sapo qenkan kthyer nga Tirana.
Në shesh ai dalloi të vëllanë e Sadushit, i cili ecte pa e kthyer kokën nga ambulanca as për të dhënë një shenjë përshendetje, ndërsa mbante të birin për dore. Në mbrëmje ai do trokiste me drojtje dhe pa hyrë brenda do ta falenderonte mjekun dhe do t’i lutej të pranonte një shishe raki prej tij. Atëherë Pirro do t’i thoshte se do pinte aty vetëm një gotë për shëndetin e djalit dhe do t’ia jepte shishen ta pinte me të afermit. Mjeku nuk e dinte se kjo ndodhte atë mbrëmje. Ai shikonte djalin që hidhte hapat e tij të vegjël e të shpejtë që të arrinte babanë dhe përjetoi një ndenjë të re. Ecja e fëmisë ishte shpërblimi më i vyer i punës së tij.
Frosina, që po shikonte bab e bir të largoheshin nga ambulanca, priti që mjeku të thoshte dicka. Ai shikonte vetëm hapat e fëmijës sikur të gjente përgjigjet e shumë pyetjeve që i kishte bërë vetes gjatë dy vjetëve në atë lokalitet.
Komentet