Mjeku i ekipit kombëtar të Danimarkës, Morten Bosen, ka konfirmuar se Christian Eriksen kishte pasur arrest kardiak, shkaktarët e të cilit akoma mbesin të panjohur, ndërkohë që i gjithë ekipi ka marrë mbështetje profesionale psikologjike.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtorin e futbollit të kombëtares, Peter Moller dhe trajnerin Kasper Hjulmand, ai foli lidhur me atë që ndodhi me mesfushorin në ndeshjen kundër Finlandës.
“Nuk kemi ndonjë shpjegim (për atë që ndodhi), nuk e pashë drejtpërdrejt se çfarë ndodhi, e kam shikuar në TV si të gjithë ju”, është shprehur Bosen.
Arresti kardiak është humbja e menjëhershme e funksionit të zemrës, frymëmarrjes dhe vetëdijes. Kjo gjendje zakonisht rezulton nga një problem në sistemin elektrik të zemrës, i cili prish veprimin e pompimit të zemrës dhe ndalon rrjedhën e gjakut në trupin tuaj.
Arresti kardiak nuk është i njëjtë sikurse një sulm në zemër (infarkti), kur bllokohet rrjedha e gjakut në një pjesë të zemrës. Sidoqoftë, një sulm në zemër ndonjëherë mund të shkaktojë një shqetësim elektrik që çon në arrest kardiak.
Nëse nuk trajtohet menjëherë, arresti kardiak mund të çojë në vdekje. Mbijetesa është e mundur me kujdes të shpejtë dhe të duhur mjekësor. Reanimacioni kardiopulmonar (CPR), duke përdorur një defibrilator – apo edhe thjesht duke bërë kompresime në gjoks – mund të përmirësojë shanset për të mbijetuar.
Shenjat dhe simptomat e arrestit kardiak janë të menjëhershme dhe drastike: Rrëzim e papritur, humbje e pulsit, ndalim i frymëmarrjes, humbje e vetëdijes.
Ndonjëherë disa shenja dhe simptoma ndodhin para shfaqjes arrestit kardiak, siç janë: pakëndshmëri në gjoks, frymëzënie, dobësi, rrahje të shpejta, palpitacione (megjithëse më së shpeshti, arresti kardiak ndodh pa shenja paralajmëruese).
Shkaktari i zakonshëm i arrestit kardiak është ritmi jonormal i zemrës (aritmia) që ndodh kur sistemi elektrik i zemrës nuk funksionon si duhet.
Sistemi elektrik i zemrës kontrollon shkallën dhe ritmin e rrahjeve të zemrës. Nëse diçka shkon keq, zemra juaj mund të rrahë shumë shpejt, shumë ngadalë ose në mënyrë të parregullt (aritmi). Shpeshherë këto aritmi janë të shkurtra dhe të padëmshme, por disa lloje mund të çojnë në arrest kardiak të papritur.
Më së shpeshti, çrregullimi i ritmit të zemrës te arresti kardiak ndodh si pasojë e një fibriliacioni ventrikular (impulse të shpejta, të çrregullta elektrike që i bëjnë barkushet e zemrës të rrahin pa dobi, në vend që të pompojnë gjak).
Gjendjet e zemrës që mund të çojnë tek arresti kardiak janë: sëmundjet e arterieve koronare, infarkti i zemrës, kardiomiopatia (zemra e zmadhuar), sëmundja e valvuleve të zemrës, defektet e lindura të zemrës dhe problemet elektrike në zemër.
Faktorët e rrezikut: histori familjare me sëmundje të arterieve koronare, shtypja e lartë e gjakut, niveli i lartë i kolesterolit, mbipesha, diabeti, mungesa e aktivitetit.
Komplikimet: Kur ndodh arresti kardiak, reduktimi i qarkullimit të gjakut në tru shkakton humbje të vetëdijes. Nëse ritmi i zemrës nuk kthehet menjëherë në normalitet, atëherë ndodh dëmtimi i trurit dhe mund të pasojë vdekja. Të mbijetuarit nga arresti kardiak mund të shfaqin shenja të dëmtimit trunor.
Parandalimi: Zvogëloni rrezikun për arrest kardiak duke për kontrolle të rregullta, duke u ekzaminuar për sëmundje të zemrës dhe zhvilloni një mënyrë të shëndetshme jetësore.
Kur u pyet se sa pranë vdekjes ishte Eriksen, mjeku u përgjigj: “Atë e kishim humbur, ne e bëmë reanimimin kardiopulmonar (CPR) dhe kishte arrest kardiak. Sa afër ishim ne? Nuk e di, e kthyem, ndodhi shumë shpejtë”.
“Unë nuk jam kardiolog, prandaj nuk mund ta them pse ka ndodhur, do t’ua lë ekspertëve. Kjo është njëra prej arsyeve pse ai ndodhet ende në spital. Për të zbuluar se pse ka ndodhur”.
“Ai është i vetëdijshëm dhe përgjigjet në mënyrë përkatëse dhe të qartë. Zemra po rreh përsëri”, ka deklaruar doktori Morten Bosen.
Komentet