Franca ka regjistruar numrin më të madh të pacientëve në kujdes intensiv që nga muaji nëntor, kur qeveria zbatoi për herë të dytë masat e izolimit.
Ministria franceze e shëndetësisë njoftoi të hënën se numri i pacientëve në kujdes intensiv me COVID-19 u rrit me 102 persona, duke shkuar në rreth 5 mijë, një nivel më i lartë se mesi i nëntorit, edhe pse më i ulët se sa rekordi prej mbi 7,000 prillin e kaluar.
Mjekët e njësive të kujdesit intensiv paralajmëruan se në javët e ardhshme gjendja pritet të rëndohet.
Specialisti i sëmundjeve infektive Gilles Pialoux tha se tani spitaleve do t’u duhet të zgjedhin midis pacientëve se cilat operacione do të shtyhen.
“Në njësitë e kujdesit intensiv ka një mbikapacitet prej 400 për qind. Por duhet patur parasysh se rastet me trauma vazhdojnë. Edhe specialistët e kancerit duhet të vendosin se cilat operacione të rënda do të bëhen e cilat jo, sepse pacientët dërgohen më pas në kujdes intensiv. Për të qenë konkret, ne kemi në plan të mbyllim gjysmën e sallave të operacionit, që do të thotë se kirurgët do të duhet të zgjedhin mes dy personave se cili do të operohet,” thotë Dr. Pialoux.
Franca raportoi gjithashtu 360 vdekje të reja në spitale nga koronavirusi, duke e çuar totalin e vdekjeve që nga fillimi i epidemisë në gati 95,000.
Shkencëtarët thonë se masat e pjesshme të bllokimit të qeverisë që synojnë zonat me infeksion të lartë si Parisi janë të pamjaftueshme ndaj varianteve të reja me përhapje të shpejtë.
“Sipas mjekëve, ne do të jemi 90% të imunizuar. Jo keq. Por ka njerëz që do të vdesin, njerëz që nuk janë të imunizuar”, thotë George Gonzales, i vaksinuar me Pfizer.
Ministrja e punës Elisabeth Borne, e cila është shtruar në spital me COVID, tha se ndihej e raskapitur nga sëmundja, pasi kishte patur probleme me frymëmarrjen dhe nuk ishte në gjendje të hante ose të pinte.
Njoftohet gjithashtu se edhe ministrja e kulturës Roselyne Bachelot ka rezultuar pozitive dhe është në spital ku po i jepet oksigjen shtesë.
Komentet