Popujt, ashtu si qeniet njerëzore, kanë dëshirë të kujtojnë fatkeqësitë e kaluara. Me kalimin e viteve, shpesh qëllon që këto fatkeqësi të skajuara në ndërgjegjen e tyre, ndryshojnë trajtë, rrallë herë zbehen ose harrohen, së shumti zmadhohen ose nxihen më fort. Në ndryshim me qenien njerëzore, që e ka jetën të shkurtër, jetëgjatësia e kombeve krijon kushte për tjetërsimin e fatkeqësive, të cilat disa herë shndërrohen në mite të vërteta. Në këto mite mbështetet shpesh kujtesa historike, prej tyre ushqehen letërsia dhe artet ose krijohen psikoza fataliste që ngjyrojnë për një kohë të gjatë atë që quhet shpirtësi e një populli. Ndërkaq, kaq raste që prej këtyre miteve ushqehen propagandat shoviniste e doktrinat hakmarrëse kundër popujve të tjerë.Një nga mitet tipike që gjendet në historinë e shumë popujve është ai i katastrofës së dikurshme. Është një thyerje ose një humbje e dhembshme ose disa gjëma të njëpasnjëshme, kujtimi i të cilave nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, shërben për fisnikërimin e një populli, kur selitet në një kah të mbarë. Për fat të keq, koha ka treguar se mund të shërbejë edhe për të kundërtën: për ta egërsuar një popull kundër të tjerëve.
Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqiptar, pushtimi osman në shekullin XV, copëtimi i Shqipërisë në fillim të shekullit XX dhe izolimi e saj nga bota, për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të këtij shekulli, nuk krijuan të shqiptarët as doktrina shfarosëse, as urrejtje kundër të tjerëve dhe kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit, e atij që është i ardhur, i huaj, mik ose bujtës, një mendësi që vjen qysh nga kohërat antike, ka qenë një nga gurët themelore të qytetërimit shqiptar.
Që ky nderim nuk është një shpikje poetësh e as një cilësi e elitës shqiptare, u rivërtetua gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Dhjetëra – mijëra ushtarë italianë të mbetur në Shqipëri nën mëshirën e popullsisë së armatosur shqiptare, pas kapitullimit të Italisë, nuk u prekën aspak prej kësaj popullsie, përkundrazi u morën në mbrojtje prej saj. Nga ana tjetër, është një fakt i njohur tashmë se Shqipëria ishte një nga vendet e rralla në botë, në mos i vetmi, ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u përpoq ta armiqësonte popullin shqiptar me të gjithë botën, kryesisht me Evropën Perëndimore, por nuk ia doli dot. Pas rënies së komunizmit, populli shqiptar dëshmoi ndaj të huajve evropianë dhe amerikanë po atë ndjenjë miqësore të dikurshme.
Kjo tolerancë e gjerë e këtij populli, e shoqëruar me tolerancën fetare, gjithashtu të vërtetuar gjatë shekujve, nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. E ishte e nevojshme, për të mos thënë e detyrueshme, të çmohej, sepse kishim të bënim me një shembull të shkëlqyer ballkanik, në kohën që gadishulli i madh u përfshi tej e mbanë nga furtunat shoviniste, nga intoleranca e urrejtja etnike e nga krimet e rënda të ushqyera prej saj.
Për t’u kthyer të miti i katastrofës, ky mit te shqiptarët, ndërsa nuk shkaktoi acarimin kundër të tjerëve, mori, për fat të keq, një zhvillim të papritur: revoltim kundër vetvetes. (f9-11)
Psikoza mohuese
Rilindësit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se, përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: Rizgjimi i atdhedashurisë.
Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim, kambanat e tyre, thirrjet e zjarrta, shpeshherë të dëshpëruara «Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar ! » dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese: një pjesë e shqiptarëve ishte ftohur prej atdheut të tyre . Turqizimi i qindra-mijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjese tjetër, ngatërimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmonin se ndjenja patriotike te një pjesë e shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe.
Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli shqiptar, mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, e institucioneve kulturore e, natyrisht, mungesa e strukturave shtetërore, e zbehu fort shqiptarizmin ose, në rastin më të mirë, e la atë në një nivel parak (primitiv), që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla, takimi me një kulturë të huaj ishte tronditëse për shqiptarët.
Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata, që në shembullin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet, ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej atdheut. Kështu, në agimin e çlirimit të Shqipërisë, i kemi pasur të dyja prirjet: atdhedashurinë e disave dhe anti shqiptarizmin e, disa herë, kundër shqiptarizmin e të tjerëve. Rilindësit u përpoqën si titanët t’i bindin shqiptarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vendi i tyre, se ata kishin një atdhe të bukur, se kishin një gjuhë madhështore, një nga 5-6 gjuhët themelore të botës, së ishin një racë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mendërisht, së kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin arsye për t’u ftohur me atdheun, por përkundrazi, për t’u afruar më fort me të.
Aksioni i rilindësve për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madhi e më i gjëri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqiptare. Rrallëherë emërtimi i një lëvizjeje përkonte me qëllimin e saj, ashtu si në rastin e Rilindjes shqiptare. Në të vërtetë, ishte ajo që e rilindi Shqipërinë, ose për të qenë më të saktë, ishte ajo që e lindi Shqipërinë moderne.
Që kjo lëvizje e ky vrull të ishin të suksesshëm, rilindësit e himnizuan dhe e sublimuan historinë e shqiptarëve. Ata qëmtuan në të kryesisht kulmet e ndritura, duke mos u ndalur në njollat e saj. Po me këmbëngulje ata vunë në pah vlerat morale e fizike të shqiptarëve, kryesisht virtytet, pa dashur të ndalen në cenet e tyre, që nuk ishin më të pakta se virtytet. Kjo ishte rrjedhojë logjike e qëllimit të lëvizjes: rifitimin e besimit të humbur.
Një arsye tjetër që e përligjte plotësisht optikën e tyre pozitive ishte propaganda kundër shqiptare, që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë: kryesisht nga rrethet shoviniste serbe e greke. Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallëherë ishte parë në faqe të dheut. Përballë kësaj furtune të sëmurë, rilindësit shqiptarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm .
Në vend që të binin në nivelin e saj, duke u përdhosur edhe vetë nga balta e kundërshtarëve, ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë: lartësimin e vlerave shqiptare.
Ky vizion optimist i rilindësve, i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e më vonë prej Gjergj Fishtës, u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Në ngjarjet e fundit tragjike të Shqipërisë ishte pikërisht ky vizion rilindës që u sulmua në mënyrën më barbare. Një grusht intelektualësh renegatë e një grusht politikanësh të papërgjegjshëm, të bashkuar me turmat e vulgut (llumit) shqiptar, u përpoqën dhe arritën t’ia vinin zjarrin Shqipërisë. Qëllimi i tyre ishte zhbërja e Shqipërisë, çka ata e treguan me shkatërrimet e vlerave kombëtare, të atyre që nuk ishin prekur as nga pushtuesi otoman e as nga ai nazist.
Nga këto ngjarje Shqipëria, e ndoshta jo vetëm Shqipëria, por Evropa e tërë, nxori një mësim që asnjëherë nuk ka qenë kaq i qartë: në kushtet e demokracisë, turmat vulgare të fshehura prapa fjalës « popull » mund të kthehen në varrmihës të demokracisë, po aq sa tiranët, në mos më keq. Kjo është edhe arsyeja që grekët e vjetër, kur diskutonin për demokracinë, për të mirat e të këqijat e saj, ishin tepër gjakftohtë, pa paragjykime, rrjedhimisht pa entuziazëm. Nën trysninë e populizmit të majtë, bota e sotme, ashtu siç ka harruar mjaft mësime të historisë, e ka harruar, me sa duket, edhe këtë mençuri antike. Shqipëria, që e provoi në mish të saj ç’do të thotë kjo karikaturë e demokracisë shpresojmë të mos e harrojë.
Mësimi, pra, është i qartë: demokracia e pashoqëruar nga një strukturë ligjesh e një strukturë e fortë shtetërore që të sigurojë funksionimin e saj, mund të kthehet lehtë në të kundërtën e vet.
Për sa i përket kritikës ndaj vizionit të rilindësve shqiptarë, ajo, gjithashtu, duhet parë në rrethanat kur është bërë e në zhvillimin e dramës shqiptare. Ai këndvështrim inkurajues lindi në kushte të caktuara, për një qëllim të caktuar. Në kushte të mëvonshme, kur kombi shqiptar, ose së paku një pjesë ë tij që e kishte shtetin e vet të pavarur, ndeshej me probleme të tjera, me probleme të së drejtës, të demokracisë, të emancipimit shoqëror etj. ai këndvështrim optimist nuk ishte i mjaftueshëm . Ndaj edhe bota shqiptare kërkoi dhe gjeti shtigje të reja të mendimit e të veprimit.
Ndërkaq duhet thënë se, sipas një tradite të keqe ballkanase e sidomos shqiptare, tradita e të hedhurit nga një skaj në tjetrin, shumë shqiptarë u treguan të paaftë të pranonin zhvillimin e mendimit e të kulturës politike.
Duke mos e kuptuar pasurimin e traditës ata nuk njihnin veç shkëputje të dhembshme, shkëputje të pasuara me rrënim, paroksizmi i të cilave arriti kulmin në mars të vitit 1997.
Në botën e egër ku jetojmë, në kushtet kur Shqipëria është ende e brishtë, kur ajo është realisht e jo mitikisht e kërcënuar, në kushtet sidomos kur kombi shqiptar vazhdon të jetë i prerë më dysh, vizioni rilindës mbetet vizioni bazë për botën shqiptare. Kritika kundër veseve e ceneve tona, ashtu siç bën gjithë bota për vetveten, nuk është veçse një plotësim i këtij vizioni e jo një përmbysje e tij.
Për të parë më qartësisht si funksionon një bashkëjetesë këndvështrimesh, që në shikimin e parë, duket e pamundur, le të kujtojmë Faik Konicën dhe qëndrimin e tij ndaj Naim Frashërit. Konica, personalitet brilant i botës dhe kulturës shqiptare, ishte i pari që u përpoq të hidhte një dush të ftohtë mbi zjarrminë rilindëse. Me të drejtë, ai u përpoq t’u kujtonte shqiptarëve jo vetëm cenet e tyre, por edhe mbrapshtitë dhe marrëzitë e tyre të herë pas hershme.
Ndërkaq, e parë nga largësia e kohës, këndvështrimi i tij është kundërthënës. Ai është vetë rilindës e po vetë kthehet kundër rilindësve. Punon e digjet për Shqipërinë e, aty për aty, i pëlqen të tallet me të tjerët që bëjnë të njëjtën gjë. E adhuron dhe e lavdëron Naim Frashërin e më pas kthehet e s’i lë gjë pa thënë. Përgjërohet për atdheun që e ka larg, e mbron ku mundet, i del për zot kundër shpifësve e racistëve, pastaj kthehet e shan, e quan Zululand ai vetë, më keq se racist. Mund të thuhet kështu se është ai, vetë Konica, që ngrihet kundër Konicës.
Nuk do të ishte me vend t’i kujtoheshin këto këtij kolosi të kulturës shqiptare ( në fund të fundit kolosëve u çmohen kryesisht lartësitë), sikur kjo anë e tij kundërthënëse të mos shfrytëzohej me qëllime të mbrapshta ende sot. Vitet e fundit, kur në prag të hyrjes së Shqipërisë në familjen evropiane, kundër saj e kundër kombit shqiptar shpërtheu një fushatë e tërbuar raciste, me emrin e Konicës dhe me veprën e tij u bënë spekulime nga më monstruozet.
Një zhgan intelektualësh antishqiptar, së bashku me një pjesë të medias botërore, që iu sulën me një urrejtje shtazarake popullit të vogël shqiptar, për të përbaltur, për ta mallkuar, për ta ndarë përjetë nga familja e popujve evropianë, u rrekën ta bënin Konicën flamur të tyre. Ky do të ishte gabimi më i lemerishëm për Konicën e madh. Ndaj, për ta mbrojtur jo vetëm kombin shqiptar, por atë vetë, birin e tij të madh, jemi të detyruar të kujtojmë kundërthëniet ë tij. Në fund të fundit, përçmimi dhe balta që do t’i hidhej këtij kombi do të përbalte, në radhë të parë, fytyrën e kolosit (f 13-21)
Antishqiptarizmi si profesion fitimprurës
Rasti i Konicës, më mirë ndoshta së çdo tjetër, na kujton cilësitë e shqiptarit: edhe kur ngjitet në lartësitë sublime, herë pas here, që nga thellësitë e racës, i vijnë vrullet zemërake. Por më shumë se kjo, rasti i Konicës shtron një pyetje madhore në këtë fund mijëvjeçari: ç’imazh kanë për vetveten shqiptarët ?
Është një çështje themelore që kapërcen dukshëm anën kulturore e etikë. Ky çmim i vetvetes lidhet me vlerësimin që ata i bëjnë kombit të tyre në përgjithësi, ai lidhet me vlerësimin e atdheut, së fundi ai lidhet me çështjen themelore se sa janë ata të vendosur të mbrojnë ekzistencën e tyre si komb në rruzullin e shqetësuar botëror.
Nuk është as shpikje poetesh, as propaganda nacionaliste, e aq më pak komuniste, të thuhet se vendi ynë, Shqipëria, ka qenë disa herë në buzë të humnerës. Traktatet për ta ndarë atë midis fqinjëve, programet e doktrinat për ta shpërbërë kombin shqiptar janë aty, në arkivat e shumë shteteve, me data, me vula, me emra. Dhe shumë prej tyre nuk janë aspak të vjetra. Ato kanë në fund vitet 1913, 1918, 1938, e disa janë fare të reja.
Në këto kushte, në kushtet kur tërbimi nacionalist antishqiptar merr përmasa të tilla, saqë në mars të vitit 1997, në demonstratat e Shkupit njerëzit kanë guxim të ulërijnë « shqiptarët në krematorium !» kuptohet që të jesh antishqiptar është fare e lehtë, madje është shpesh fitimprurëse. Kështu, dhe kurrsesi ndryshe, mund të kuptohet vala antishqiptare që shpërtheu rrotull Shqipërisë dhe brenda në Shqipëri kohët e fundit. Kështu shpjegohet përse një grusht intelektualësh renegatë shqiptarë u bënë befas të përkëdhelurit e disa forumeve ndërkombëtare dhe, ç’është më e keqja, zëdhënësit për problemet shqiptare.
Shkurt, antishqiptarizmi u kthye në profesion. Është kjo frymë e sëmurë që ndihmoi për rrëzimin e strukturave të shtetit shqiptar brenda dy-tri javësh, e cila bëri që gjeneralë dhe oficerë shqiptarë, në mënyrë të turpshme, të braktisin postet e tyre, për të përfituar një azil politik në Itali, që vulgu shqiptar t’u vërë zjarrin tempujve të kulturës shqiptare.
Në kushte të tilla, të ulërish ende se në Shqipëri ka patriotizëm të tepruar, se letërsia shqipe është nacionaliste etj. është me të vërtetë thirrje e hapur për tradhti të hapur tashmë ndaj atdheut.
E gjithë kjo lidhet me një sërë pyetjesh themelore: a janë shqiptarët patriotë më shumë se ç’duhet, apo përkundrazi, janë ftohur me vendin e vet ? A mos po e mbiçmojmë pa të drejtë veten dhe vendin e tyre, a mos përkundrazi e përçmojnë pa të drejtë veten dhe atdheun, me fjalë të tjera: a e duan këtë vend që u ka dhënë emrin qysh prej dy mijë vjetësh, apo ëndërrojnë ta këmbejnë me një tjetër vend, ëndërr e mbrapsht kjo që ka ngritur krye aty-këtu në kohën tonë ? Në prag të mijëvjeçarit të tretë, shqiptarët janë të detyruar të nxjerrin ende mësime nga drama e tyre, që ndodhet ende në zhvillim.
Në kushtet e një klime të ashpër ndërkombëtare, kur ata, i vetmi komb i ndarë tragjikisht në Evropë janë të detyruar të durojnë mospërfilljen botërore për gjëmën që u ka rënë në kokë, në kushtet e vetmisë së tyre, të trysnisë së një propagande dashakeqe që e ka përbaltur imazhin e tyre në botë, duke e paraqitur herë si popull të dhunshëm, herë fondamentalist, herë barbar e herë të lajthitur, shqiptarët janë të detyruar, midis të tjerash, të bëjnë një zgjidhje e sqarim themelor në ndërgjegjen e tyre lidhur me patriotizmin.
Mendimit të mbrapshtë që e ngatërron patriotizmin me nacionalizmin, që e paraqet antipatriotizmin si balsam kundër nacionalizmit, ata duhet t’i përgjigjen me një JO të prerë. Patriotizmi nuk është nacionalizëm dhe antipatriotizmi është po aq i rrezikshëm sa shovinizmi.
Ata që i japin shpesh këshillat kundër patriotizmit, e kanë siguruar ndërkaq patriotizmin në vendet e tyre, dhe si gjithë të velurit i lejojnë vetes luksin të nazetohen më të. Ndërkaq, sovranitetin për vendin e tyre e kanë siguruar gjatë shekujve, pa kursyer asgjë, madje as forcën e armëve. Askush nuk shqetësohet në Francë kur presidenti e mbaron çdo fjalim me fjalët « Rroftë Franca !», dhe askush nuk acarohet në ShBA kur në të gjitha meshat bekohen shteti amerikan, presidenti i vendit dhe ushtria amerikane.
Le të pranojmë me trishtim se në krejt Gadishullin Ballkanik, në kohën kur shumica e vendeve u përfshinë nga valët e egra nacionaliste, te shqiptarët ndodhi e kundërta. Kjo ishte një rënie në kurth nga më të turpshmet për një komb. Ishte thënë që, pasi u përpoqën t’i japin botës shembullin grotesk të popullit të parë pa fe në botë, majmunët e vendit tonë u joshën nga mbrapshtia tjetër: të japin shembullin e popullit PA ATDHE.
Thyerja morale e popullsisë shqiptarë në këtë fund shekulli ishte një nga humbjet më të rënda të tij. Ajo ishte, me sa duket, rrjedhoja më tragjike e diktaturës cfilitëse komuniste në Shqipëri dhe e terrorit shtazarak serb në Kosovë e vise të tjera të Jugosllavisë.
Thyerjet morale janë të njohura në jetën e popujve. Ashtu siç janë të njohura ringritjet. Për t’u ringritur, kombit shqiptar i duhet të tendoset e të nxjerrë nga thellësitë gjithë rezervat që ka skajuar aty, ato rezerva, që popujt, sipas një teknologjie të lashtë, i ruajnë për ditë të zeza e i nxjerrin në stinë fatkeqësish.
Raportet me atdheun zënë në këtë rast vendin kryesor. Shqipëria s’ka nevojë për ekzaltimë vulgare, por aq më pak ka nevojë për përçmim. Mendimi se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë tepër të himnizuar nga kultura shqiptare, ndaj tani duhet t’i rrëzojmë në baltë për t’i sjellë në vete, është doktrinë e antishqiptarizmit.
Kultura dhe mendimi i një populli qëndron gjithmonë në një lashtësi të shquar për ku përpiqet të tërheqë e ta ngrejë gjithë kombin. Dy shekuj më parë, Gjermania e Gëtes dhe e Shilerit ishte shumë larg Gjermanisë së prapambetur e fshatarake e, megjithatë, askush nuk e cilëson mendimin gjerman si elitist ose ekzaltues.
Nisur nga kjo, mund të thuhet pa droje se mendimi rilindës shqiptar, ndonëse tepër i lartë në krahasim me gjendjen reale të popullsisë shqiptare, ishte plotësisht i përligjur. Nga ana tjetër, duke e pranuar nevojën e plotësimit të këtij mendimi me një vizion kritik e qortues (korrigjues), duke e pranuar, pra, si të drejtë në thelb prirjen kritike të Konicës, megjithatë në emër të një të vërtete madhore, duhet thënë se kritika e tij kundërthënëse ishte në përgjithësi e tepruar dhe e parakohshme.
Vetë ai e dëshmon këtë, jo vetëm me atë pjesë të veprës së tij që është mbrujtur plot dashuri e përgjërim për Shqipërinë, por edhe me veprimtarinë si ambasador i vendit të vet në ShBA, detyrë që ai e kreu shkëlqyeshëm për një kohë të gjatë. Ambasadori me i kulturuar e më brilant i kohës në Uashington, ai bëri çmos të paraqiste Shqipërinë e qytetërimin shqiptar në dritën më të mirë të tij, duke e mbrojtur nga keqkuptimet e nga përçmimi, që ajmé, ishte ngritur disa herë vetë t’ia shprehte vendit e popullit që e kishte lindur. (f23-28)
Mbi drejtpeshimin
Kombi shqiptar në këtë fund shekulli vazhdon të përjetojë orën e ligë të tij. Ai është i goditur rëndë në trupin e vet, ngaqë është i ndarë e i shpërndarë në tri shtete. Por ai ka marrë goditje psikike po aq të rënda, në mos më tepër: ai është i thyer moralisht .
Ri ngritia morale e popullit shqiptar është aksioni më i ngutshëm në këtë kohë të rëndë. Ai është çelësi, pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë veprim tjetër shpëtues. Në qoftë se populli shqiptar do të vazhdojë ta përçmojë e ta përbaltë vetveten, në qoftë se ai, në mënyrë iracionale, do të synojë drejt shpërnguljes, qoftë nga trojet e tij në Kosovë, qoftë nga trojet e shtetit shqiptar, në qoftë së ai do të vazhdojë të ngrejë dorën kundër strukturave shtetërore të tij, të çfarëdolloj ngjyre politike të jenë ato, ai do të ecë drejt greminës.
Kahu i mbarë i një kombi nis nga ai vetë, ashtu siç nis zezona e tij. Mendimi që kombi shqiptar do të ketë për vetveten, në një mënyrë ose një tjetër do të rrezatojë e do të kthehet në një realitet. Imazhin e mirë ose të keq për një popull nuk mund ta krijojnë për një kohë të gjatë as zyrtarët e tij, por as renegatët e tij; atë s’mund ta krijojnë as nacionalistët e ekzaltuar, por as vulgu i egër e i verbër. Aq më pak mund ta krijojnë atë diplomatët mëndje lehtë, gazetarët e pabesë, denoncuesit, psikopatët dhe paranojakët e dehur për lavdi.
Njeriu shqiptar, i lodhur nga kalimet e befta prej vetëmbrojtjes drejt vetë përbaltjes, dhe e kundërta, ka nevojë më tepër se kurrë për rifitimin e drejtpeshimit shpirtëror. Drejtpeshimi nuk ri gjendet duke përdorur përndezjen nacionaliste si kundërhelm ndaj vet përçmimin, e aq më pak duke e përdorur këtë të fundit si balsam kundër kapardisjes. Për të shmangur kalimin nga një dush i nxehtë në një dush të ftohtë, njeriu shqiptar ka nevojë sot për orientim të saktë. Disa pyetje të thjeshta, por themelore e bazë, çohen sot përpara tij: ç’popull jemi ? Domethënë, a jemi si të tjerët ?
- A kemi mëkate për të larë, a kemi borxhe për të paguar ?
- A jemi vërtetë fatkeq apo ashtu na duket, apo ashtu na pëlqen të shfaqemi përpara vetes dhe botës ?
- Të gjitha këto pyetje mund të formulohen në një motërzim edhe më të thjeshtë: ne shqiptarët, pas dymijë vjetësh ekzistencë, tani në prag të mijëvjeçarit të tretë a i kemi ende aftësitë trupore e shpirtërore për të vazhduar të jetojmë si komb, apo koha jonë ka kaluar ?
Pa rënë në kurrfarë optimizmi të kotë, mund të thuhet pa droje se, pikërisht sot, shqiptarët, pavarësisht nga lëngata që u ka rënë e përpiqet t’i vërë poshtë, kanë shanset më të mëdha për të zënë përfundimisht vendin që prej kohësh e kanë merituar në familjen e popujve. Madje, kjo lëngatë e kjo krusmë e tmerrshme është ndoshta shenja më e sigurt për një të ardhme plot shpresë. Në jetën e shumë popujve janë të njohura këto gremina, pas të cilave kanë ardhur ngritjet, disa herë marra mëndëse.
Le të kthehemi te pyetjet e thjeshta themelore. Fati, ndonëse na është bërë zakon ta mallkojmë, na ka caktuar ne shqiptarëve të jetojmë në një nga zonat më të bukura të Evropës. Evropa vetë, ndërkaq së bashku me ShBA-në, është tani për tani lagja më luksoze e botës. Ne harrojmë shpesh këtë, harrojmë që ky vend, sharjet ndaj të cilit i kemi në maj të gjuhës, ky vend pra, i vendosur midis Venedikut, Romës e Athinës ka një përbërje gjeografike të mrekullueshme, se ai ka një klimë të admirueshme, se ka pasuri natyrore të shumta, se ka ndoshta plazhet më të bukura të kontinentit. Ne harrojmë ç’do të thotë ankthi shekullor i vendeve që nuk kanë dalje në det, pa përmëndur vendet e izoluara në thellësi të kontinenteve, pa përmëndur trojet e gjëra të kësaj bote të mbushura me shkurre, shkretëtirat e trishtim, e që mbulojnë tri të katërtat e rruzullit tokësor. Në i harrojmë këto dhe, me qënëse jemi midis një kopshti plot me shtete pasanike, na pëlqen të qahemi që nuk jemi si ata.
Ne vuajmë nga kompleksi i vogëlsisë dhe harrojmë se shtati i popullit shqiptar, pavarësisht nga prerja e trojeve të tij, nuk është aspak i vogël në këtë gadishull, se ai është përafërsisht i barabartë me shtatin e grekëve, të serbëve e të bullgarëve. Përsëritja gjer në lodhje e shprehjes « Shqipëri e vockël », « popull i vogël », s’është veçse shprehje e një dëshire për të fshehur për tkurrjen e më tejshme të këtij populli.
Ndërkaq, porsa diku del në pah ndonjë mendim, ndonjë program ose ndonjë pyetje: përse shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë, duhet të jetojnë të ndarë, aty për aty harrohet përçmimi për vogëlsinë dhe kumbon shprehja « Shqipëria e madhe » . Kjo shprehje përsëritet më një farë tmerri, si diçka e rrezikshme, thua se në këtë botë vetëm 8 osë 9 milionë shqiptarët po të jetojnë bashkë bëhen të rrezikshëm për botën !
E ndërkaq, askush nuk thotë, sipas kësaj logjike, se 90 milion gjermanët e bashkuar janë të rrezikshëm, e aq më pak askush nuk thotë se 250 milion rusët, bashkë me bombat e tyre bërthamore janë kërcënim për të tjerët.
Në qoftë se s’duhet të vuajnë as nga kompleks i «vendit të mallkuar », as nga ai i vogëlsisë numerike, shqiptarët aq më pak kanë njohur kompleksin e racës. Jo vetëm që në botën e sotme të çliruar nga paragjykimet raciste ata paraqiten një popull i shëndetshëm, si gjithë të tjerët, por edhe në kushtet e dallimeve e doktrinave raciste, duke qenë ndër të rrallët popuj të Evropës që nuk u prekën, përkundrazi u lajkatuan prej këtyre doktrinave, shqiptarët, vetvetiu mbetën jashtë këtij trazimi.
Merita e tyre është se ndërkaq ata nuk u dehen nga lajkat raciste dhe përveç theksimit ndoshta të kapardisjes, teoria e racave s’pati pasoje në Shqipëri. Në sferën shpirtërore, në zotërimin apo krijimin e vlerave, shqiptarët s’kanë pasur kurrë arsye t’i kenë lakmi apo smirë të tjerët, aq më pak kanë arsye sot për një gjë të tillë.
Shqiptarët janë krijuesit e bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit, një gjuhë që ka vendin e saj të paluajtshëm midis dhjetë-dymbëdhjetë gjuhëve kryesore të botës. Një nga vendet e para të krishtera të Evropës, Shqipëria ka qenë rrjedhimisht truall fillestar i qytetërimit perëndimor evropian. Nga himni i madh i krishtërimit « Te Deum », i shkruar nga një peshkop shqiptar mbi një mijë e pesëqind vjet më parë, të mbrojtësit te qytetërimit perëndimor, Gjergj Kastrioti, personazhi më sublim e më i njohur në botë, jo vetëm i shqiptarëve, por i krejt popujve të Ballkanit, i cilësuar si « atlet i Krishtit », e gjer te murgesha shqiptare Nënë Tereza, gruaja shqiptare më e famshme e botës së sotme, kalon si një fill i ndritur dëshmia e këtij qytetërimi, kaq shumë e kaq me këmbëngulje të mohuar nga dashakeqët e kombit shqiptar.
Dhe kjo është e kuptueshme: duhej fshirë kjo dëshmi për t’iu hapur rruga shpifjeve e shtrembërimeve të përbindshme, për të ardhur gjer të teza e mbrapshtë se shqiptarët, jo vetëm s’kanë të bëjnë me qytetërimin evropian, por janë varrmihës të tij. Gjithashtu në këtë logjikë të mbrapshtë shpjegohen sulmet që iu bëhen vitet e fundit, prej vetë renegatëve shqiptarë tashmë, pikërisht gjuhës shqipe, figurës sublime të Gjergj Kastriotit, i cili u quajt « hajdut kuajsh dhe agjent i italianëve », si dhe krejt traditës kulturore shqiptare të djeshme e të sotme.
Paroksizmi i këtyre sulmeve ishte pranvera e vitit 1997, kur turmat e vulgut shqipetar, të nxitura, veç të tjerash edhe nga këta intelektualë renegatë, u vunë kazmën dëshmive të çmuara të qytetërimit shqiptar, arkivave, teatrove antike, muzeut Gjergj Kastriotit !
Për të vazhduar me vlerat shpirtërore të krijuara nga ky popull, le të kujtojmë poezinë orale shumëshekullore, kodet zakonore, ritet antike, muzikën, koreografinë, kostumet e mahnitshme, për të ardhur gjer të letërsia shqipe. Kjo e fundit, duke u futur në klubin e zgjedhur të letrave të mëdha të botës, u bë veçanërisht e bezdisshme për ithtarët e tezës së shqiptarët janë të paaftë për kulturë. Ndaj, ashtu si krejt qytetërimi shqiptar, ajo do të pësonte sulmet e dëshpëruara e vulgare të anti shqiptarizmit. Në këtë rast do të ndodhin veprime të turpshme, që asnjë vend, sadopak dinjitoz, nuk do t’i lejonte kurë sesi. Endacakë të huaj, ata që s’i njeh kush e nuk i pyet kush në vend të vet, mësues fshati nga Kalabria apo nga Gjermania e jugut ftohen në Shqipëri për të hedhur baltë mbi letërsinë shqipe e kulturën shqiptare.
Ky racizëm kulturor antishqipetar, i pa shembullt në botën e sotme, u bë i mundur për shkak të kundër patriotizmit shqiptar. Të dy ishin ndër faktorët themelor që mundësuan rrënimin në mënyrë të turpshme të shtetit shqiptar, të ushtrisë, të policisë e të krejt ngrehinës shtetërore.
Racizmi kulturor antishqipetar merr pamje edhe më të shëmtuar e të papranueshme, kur kujtojmë se vetë shqiptarët s’kanë kurrfarë përçmimi ndaj kulturës së të tjerëve. Mungesa e racizmit dhe e shovinizmit të shqiptarët, pjellë e natyrshme e mendësisë së tyre të hapur e miqësore ndaj të huajve, ndaj mikut, bashkë me tolerancën fetare, tolerancë e thellë, e vërtetë, e pa pudrosur nga kurrfarë konformizmi, janë, ashtu siç u tha më lart, cilësi të tjera themelore, që dëshmojnë për një nivel qytetërimi të këtij populli kaq të sulmuar për të kundërtën.
Për fat të keq, ashtu si të gjithë popujt, shqiptarët kanë cenet dhe veset e tyre, po aq të forta, ndoshta sa virtytet, po ajmé, me spektakolare se ato.
Ndryshe nga hebrejtë e disa popuj të tjerë, që janë solidarë e të lidhur me njeri-tjetrin, shqiptarët mezi ç’presin rastin për t’u përçarë. Natyra e tyre tejet individualiste është xehë e pafundme për të pjellë egoizmin, ambicien, smirën dhe etjen për karrierë. Këndej rrjedh vaniteti, kapardisja e neveritshme e sedra e sëmurë.
Këto cilësi të natyrës njerëzore që ndeshen kudo, bëhen veçanërisht të rrezikshme të shqiptarët, për shkak të traditës së shkurtër të jetës nën një shtet shqiptar. Prej tyre rrjedh një keqkuptim tragjik për lirinë dhe për shtetin . Pa u pajtuar dot me atë ligj themelor që lirinë e njeriut të veçuar e vë detyrimisht në raport me lirinë e të tjerëve, shqiptari shpesh e ka të vështirë të kuptojë se liria njerëzore, ndryshe nga liria absolute e kafshëve, është madhështore pikërisht ngaqë është e vështirë, domethënë e kufizuar nga ligji. Këtej vijnë keq kuptimet për demokracinë, për vetë shtetin dhe ngrehinat e tij.
Koncepti i gjymtë për shtetin, zbehja e tij përpara tërheqjes fisnore apo klanore e çon disa herë në konceptin po aq të gjymtë për kombin, kur krahinorizmi kthehet në rival të kombit. Kjo është kushtëzuar, me sa duket, nga jetesa shumëshekullore nën Perandorinë Osmane, pra, nën një shtet që nuk ishte i tyre, rrjedhimisht ndaj të cilit s’mund të kishin as nderim e as dhembshuri, Periudha e Pavarësisë, ajo e Republikës në fillim e pastaj ajo e Mbretërisë, ishte relativisht e shkurtër, kurse gjatë sundimit të egër komunist, koncepti i shtetit u zbeh përsëri nën peshën e diçkaje të parrokshme, të huaj e, në fund të fundit, të shpëlarë prej çdo ngjyrimi kombëtar, që ishte Partia Komuniste. (f38)
Shqipëria drejt ri ngritjes
Poetika shqiptare, qoftë ajo e lashta, popullorja, qoftë ajo e poetëve të mëvonshëm, ka krijuar dy klishe bazë për cilësimin e Shqipërisë. Në poezinë gojore, Shqipëria quhet zakonisht « nuse ». Për poetët shqiptare ajo është më tepër « zonjë ».
Është me interes të hetohet se ç’fshihet prapa këtij emërtimi të ndryshëm. Me sa duket, për këndvështrimin popullor Shqipëria është ende e re, pra « nuse » dhe si e tillë ajo e ka jetën kryesisht përpara. Për poetët, duke qenë « zonjë e rëndë », ajo e ka jetuar shkëlqimin e saj. Madje Fan Noli shkon edhe më larg kur e quan « vejushë », « e ve, e gjorë mbretëreshë pa kurorë ».
Kemi të bëjmë me dy trajtime, njeri drejt së ardhmes, tjetri drejt së shkuarës. Naimi në vjershën « Shpreh » u përpoq t’i bashkonte të dyja në vargjet:
« Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë ».
Ndërkaq, duhet thënë se të gjithë poetët që e përfytyruan Shqipërinë si zonjë, e bënë këtë me qëllim fare të hapur: t’i nxisin shqiptarët t’i kthejnë dinjitetin e nderin e humbur, pra ta ribëjnë « zonjë », siç ka qenë dikur.
Po a ka qenë ndonjëherë Shqipëria «zonjë ? E bërë ndryshe, pyetja do të tingëllonte kështu: Kush ka të drejtë, populli apo poetët ?
Me fjalë të tjera, ka qenë nuse apo zonjë Shqipëria ? Apo, edhe nuse edhe zonjë ? Me sa duket, është kjo e fundit që do të mbetet. Edhe nëse nuk ka qenë zonjë në realitet, ajo ka qenë e tillë në trurin e poetëve të saj. Pra, në një realitet po aq të fortë, sa edhe ai që shpaloset trupërisht përpara nesh .
Poetët shqiptarë, në të vërtetë, duke e quajtur Shqipërinë zonje, u nisën nga një shestim, nga një projekt i së ardhmes. Ata krijuan imazhin e saj, atë që duhej të vinte dhe, për ta bërë sa më të besueshëm atë imazh, për t’u dhënë shpresë bashkëkombësve të vet, ngulnin këmbë që kjo nuk është një shajni, një fantazmë, por përsëritje e një të kaluare. Me imazhin e « zonjës » ata luftuan një portretizim të tretë të Shqipërisë, një pamje të përbaltur, të pjellë nga vulgu shqiptar: atë të « Shqipërisë së mallkuar », të « Shqipërisë kuçkë », të Shqipërisë së sëmurë. Ishte ky imazh që u shfaq si një ethe e keqe vitet e fundit, sidomos në marsin e zi të vitit 1997.
Poetët shqiptarë, sidomos rilindësit, e njihnin mirë këtë cen të njeriut shqiptar: kalimi nga përndezja e entuziazmi në ligështim shpirtëror. Ndaj ata, me të gjitha kambanat, donin të mbanin lart moralin shqiptar.
Thyerja e këtij morali në vitet 90, ishte kambana e zezë që paralajmëroi rrezikun e thyerjes në mes të krejt kombit shqiptar. Ri ngritja e Shqipërisë nuk mund të fillojë veçse nga ngritja e moralit, pra nga shëndoshja shpirtërore e saj. Populli shqiptar duhet të bëjë që të heshtin qyqet, që tash ca kohë po i para ndjellin veç fatkeqësi dhe vdekje. Ato qyqe duhet të heshtin, në radhë të parë, brenda tij e pastaj, natyrisht, rreth e rrotull. Shëndoshja shpirtërore do ta qetësojë nervozizmin e tij të skajshëm, që nuk është veçse një shenjë lodhjeje. Kjo do të bëjë që mendësia e tij të kthjellohet e të jetë e aftë të shestojë strategjinë e tij themelore: Jetën e përbashkët në atdhe.
Ky qëllim madhor është aspirata më e ligjshme për një popull. Asnjë, asnjë manipulim apo tregti politike, asnjë trysni shtetesh, lobesh, apo organizmash ndërkombëtarë nuk mund ta pengojë kombin shqiptar të kryejë atë që të gjitha kombet e tjera të Evropës, plotësisht apo gati plotësisht, e kanë kryer: bashkimin e tyre.
Me këtë akt, populli shqiptar nuk synon asgjë të pazakontë e nuk kërkon asgjë të veçantë: ai kërkon veç normalitetin e vet. Ky normalitet është dhunuar pa mëshirë e ai duhet të qortohet.
Në familjen e popujve evropian kombi shqiptar është i vetmi sot që është shënjuar për të keq. Ndërsa të gjithë ecin në një mënyrë normale, ai, i prerë mizorisht, është i detyruar të bëjë rrugën si një i gjymtuar. Një njeri i vetëm, që lëçitet (ndahet) kështu nga të tjerët, egërsohet, e jo, madje, një popull i tërë. Populli shqiptar as ka kryer krime e as ka faje për të larë përpara botës. Ndonëse ka dymijë vjet që ekziston në këtë botë, ai as ka sulmuar kënd, as ka pjellë doktrina për zhdukjen e të tjerëve.
Shprehje të tilla si “Shqipëria e madhe” janë një tallje e një cinizëm i pashembullt në botën e sotme. Shqipëria e tkurur në 28 000 kilometrat e saj, është e kërcënuar të fajësohet si « e madhe », në qoftë se do të arrijë 45000 ose 50000 kilometra, e shteteve të tjera, me shtrirje të përbindshme prej miliona kilometrash katrorë, shtete që kanë bërë krime të frikshme ndaj botës, që kanë pjellë teori të zeza si murtaja, që kërcënojnë njerëzimin më armë bërthamore, nuk quhen « të mëdha ».
Si organizmi që kërkon jetën e vet natyrale, kombi shqiptar kërkon normalizimin e vet trupor e shpirtëror. Pengimi i tij është thjesht një krim. Ndihma që mund t’i jepet është detyrë humane dhe historike.
Kombi shqiptar, pavarësisht nga imazhi i shfytyruar që jep, ka shumë rezerva dashurie e sinqeriteti në brendësinë e vet. Evropa e sotme, sado e kompletuar të duket, ka gjithmonë nevojë për dashurinë e popujve të vegjël, shpesh të harruar.
Mijëvjeçari i dytë ka qenë për shqiptarët tepër i rëndë. Në këtë mijëvjeçar dy shekuj kanë qenë vazhdimisht tronditës për të: i pesëmbëdhjeti dhe i njëzeti. Në të pesëmbëdhjetin ata humbën lirinë, e rifituan, për ta humbur përsëri. E megjithatë, ata dolën nga ky shekull me një ngarkesë shpirtërore heroike që do t’i ushqente gjatë pesë shekujve pushtimi të Perandorisë Osmane. Në shekullin e njëzetë, historia e tyre ishte edhe më e trazuar dhe aspak fatlume. Janë të gjitha gjasat që mijëvjeçari i tretë, pavarësisht nga tronditja e sotme e Shqipërisë, të fillojë mbarë. I mbarë për ata që, ndonëse e kanë quajtur vetën « bij të shqipes », gjer më sot nuk janë ngjitur dot kurrë në lartësinë e dëshiruar, veç në ëndrrat e tyre. E megjithatë, ndonëse krahët disa herë u janë thyer, ata ende vazhdojnë ta quajnë veten njëlloj si më parë. Kjo këmbëngulje dëshmon, në fund të fundit, besnikëri ndaj kodit të moçëm dhe dëshirë për t’iu bindur urdhrit të tij. (f 41- 46)
*Kombi Shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë- Onufri 2013
Komentet