ROMA
dashuria dhe vetëdija ime e parë
Omnes viae Romam ducunt
«…Nga pikëvështrimi kronologjik vatra fillestare është Roma. Vitin e parë të ardhjes në Itali studiova në Akademinë e Romës tek Silvieri. Më donte shumë. Nuk më ndahej. Ej, Kodra, eja këtu. Kodra, shko atje. Kodra, eja të dalim bashkë. Ishte tip simpatik, por me dozë hutimi më të madh nga ç’është masa e pranimit prej të tjerëve për artistin. Ndoshta prej kësaj thoshin se Silvieri sesi ishte… Pakëz i shushatur, pakëz, si të thuash jo në ekuilibër. E vërteta është se ai ishte një njeri i përkushtuar në art. Sapo dilte jashtë kësaj orbite, humbiste sigurinë, si ato anijet, të cilat shkëpusin lidhjet, kur dalin përtej largësive të përllogaritura. Mua më donte, po edhe unë e respektoja. Më qortonte me takt, kur nuk i pëlqente ndonjë gjë në mënyrën time të strukturimit. Kur më kritikonte më shumë se zakonisht, pasi mbaronte mësimi, më priste tek dera, më hidhte krahun mbi supe dhe më thoshte me ëmbëlsi: «Kodra, pasdite në orën 16 do të vendosim bashkë lule në varrin e Rafaelit.» Ishte skrupuloz në zbatimin e riteve dhe të kanuneve artistike të traditës. Me kalimin e kohës Silvieri nisi të shqetësohej nga drejtimi që po merrte stilistika e strukturimeve të mia. Ajo nuk përputhej me normat artistike të shkollës. Në atë periudhë unë po kaloja nga platforma e Gojës tek ajo e Sezanit. Disa nga bashkëstudentët ranë në rezonancë me këtë ndryshim. Atëherë Silvieri me ëmbëlsinë e tij të zakonshme më tha: Shiko, Kodra, a e di që po më prish punë? Studentët në vend që të shohin nga unë, i kanë sytë te Sezani dhe ti. Bota jote artistike është për Milanon. Më mirë të shkoni në Akademinë e Brerës.»*
(* Abdulla Tafa, «Universi Kodra», Tiranë, 1992)
U bënë gjashtë orë duke udhëtuar me tren nga Bari në Romë. Ishte udhëtimi i parë me tren dhe më dukej se isha vënë në kërkim të llambës së Diogjenit. Do të gjeja njeriun në një mjedis të ri, krejt tjetër nga ai që shfaqej përditë para meje. Isha çliruar nga orbita e vogël dhe e hollë shqiptare, aq më tepër nga konvikti që mbante emrin e nderuar Naim Frashëri, i cili na ndillte vetvetiu tek vargjet O malet e Shqipërisë dhe … Po «fluturonin» në një ambient rrethuar gjithandej me të papritura, po shkonim në Romën e ëndërruar të Tiberit, të krojeve e fontanave të shumta në çdo qoshe të saj, që do të na dhuronte shumë më shumë gurë e gërmadha qindra e mijëra vjeçare, me të cilat mund të bije në dashuri po aq lehtë sa edhe me ato që ishte mësuar syri ynë.
Njohja me Silvierin, piktorin, pedagogun dhe kujdestarin tim të atij viti përcaktues në Romë, ishte e thjeshtë: ai qe një piktor dhe orator i lindur, më shikonte aq të ri e pa përvojë saqë dukej në fytyrë një dhimbje e pazëvendësueshme që i rrëfehej për menjëherë e me sinqeritet. Ai njeri dinte të fliste bukur dhe të bënte, përmes fjalës, për vete. Pedagogjia e tij ishte thembra e Akilit. Pastaj zotëronte një temporitëm të jashtëzakonshëm. Nuk thoshte kurrë shprehjen e shpifur më kupton! Tregonte thjesht dhe pa u rënduar në figura, dukej tejpërtej sinqeriteti i tij edhe përmes fjalëve. Nuk ta përtonte në dialog: i fortë dhe me plot mendim.
– Do dalim Kodra?
– Dalim.
Më donte. Sa kisha shkelur të njëzetat. Dhe kisha uri për Romën. Nuk mund të përcaktoja në ishte Roma më magjepsëse sesa e kisha menduar, apo ndoshta do të më zhgënjente me bukurinë e të papriturat e saj! Roma e vjetër! Çfarë kulture po edhe pluhur kalldrëmesh. Të dukej se po ia behnin karrocat romake ngarkuar me ushtarë të veshur me hekur. Aty-këtu vizitorë që gjallonin në rrugët e rrugicat e ngushta anembanë Romës. Të veshur ndryshe e të shkujdesur, me aparate fotografikë hedhur qafe e me ndonjë çantë mbërthyer krahaqafë, të cilëve madje u dallohej edhe parfumi, e folura e tyre me zë të lartë që bënte për të qeshur edhe mua, shqiptarin ndoshta të vetëm aty rrotull, bashkë me profesorin tim. M’u soll në mendje ish-kujdestari im, Mehmet Shehu, ai që do bëhej kryeministri i viteve të egra, që thoshte shpesh: Nuk jam duke bërtitur, jam shqiptar!
Harroheshim pasditeve në shëtitjet tona vrojtuese, e merrnim në këmbë tatëpjetat dhe përpjetat e shtatë kodrave. Shtatë kodra ka Ishmi, shtatë kodra ka edhe Berati, shtatë kodra ka edhe Jerusalemi e Meka… Herë ndaleshin para bazilikës Santa Maria Maggiore, po nuk rrinim gjatë me sa duket në pritje të ndonjë ciceroni që njihte Silvieri, ngjitur ishte rrugica e vogël në fund të së cilës ndodhej shtëpia përdhese e vetë perofesorit. Mijëra subjekte vraponin në mendjen time me një nxitim të përflakur. Hera-herës gjuaja ndonjë nga ato gjetjet e mia që më tepër ngjanin si fanepsje. Bie fjala, ç’të veçantë kishte një njeri i gërbulur, i vuajtur që mbante duart në bel dhe qeshte gjersa humbiste nëpër mekjen e tij, ose kur një grua shtatmadhe tipike e ardhur nga fshati që therte viça te pragu i portës dhe gjuante blerësit e nepsit. Ose kaq shumë njerëz indiferentë dhe mosmirënjohës: dalloheshin menjëherë, sidomos këta të dytët. Po ai djalosh që vraponte zbathur me këmbët mbi pluhur dhe me pantallona të shkurtra e të grisura i del përpara një jerarku fashist dhe ky ia përshesh turinjtë. I bluaja ngadalë dhe shtrëngoja nofullat. Të gjitha më krijonin vetvetiu konstrukte dramatike dhe pamje që nuk i nxinin dot fjalët.
– Ç’pe kur zbrite nga treni në Termini, – më pyeste Silvieri.
Bëja sikur s’kisha dëgjuar dhe nuk i përgjigjesha. Vështroja njerëzit që natyrshëm më nxitnin dhe shumëfishonin figurat. Njerëz që vinin e shkonin pasditeve të trembura të Romës. Të gjithë e ndienin pllakën e hekurit të skuqur mbi krye. 1938. Altoparlantët buçisnin nga një zë kumbues që fliste shpejt, saqë unë shpesh dyshoja se edhe vetë italianët duhej të kishin vështirësi të kapnin kuptimin e asaj që thuhej. Të vetmet fjalë që mund të shkëpusja nga ai kaos qenë emrat e qyteteve që zëri përmendte. Edhe atje në stacionin Termini ku kishim zbritur nga treni. Dhe m’u kujtua:
– Një lypës, profesor!
Ai qeshi, si gjithnjë pa të keq. E gjeta me vend të mendoja se po ecnim nëpër tokën e kryeqendrës së romakëve! Më mirë vonë se kurrë. Meglio tardi che mai! Në krahun tonë të djathtë të rrugicës gjendeshin gërmadha të shumta të lashtësisë, e vetëm pak më larg edhe krahu i majtë kishte përplot të tilla. Tregtiza të panumërta: më shumë ato se njerëz! Bazilika Santa Maria Maggiore na doli përsëri përpara me pamjen e saj madhështore, dhe profesori e kishte gjetur ciceronin që nisi të shpjegonte historikun e këtij monumenti të famshëm. Vitit 356, Papa Liberi, ndërtimi i menjëhershëm, Maria e Virgjër e shfaqur në ëndërr, kodrina e quajtur Esquiline e mbuluar me borë pikërisht në vendin e themeleve të saj, ndryshe prandaj njihet edhe si bazilika e Shën Mërisë së Borës, ndonëse ka qenë muaji gusht! Ciceroni nuk ndalej: emri Liberiana, sipas emrit të papës që pa ëndrrën dhe urdhëroi ndërtimin. Dhe unë që mendoja se ciceroni do të na tmerronte me legjendën kur të thoshte se ndërtimi kishte zgjatur shtatë ditë e shtatë net. Mirëpo, në të vërtetë, ndërtimi i saj do të vononte jo shtatë ditë, as javë, as muaj e as vite, por plot shtatë dekada dhe përfundoi në vitin 431.
– Ka qenë kisha e katërt në Romë, por njëkohësisht ishte më e madhja dedikuar «Shën Mërisë së Virgjër», dhe për këtë quhej Maggiore.
– Ah profesor, po më ngatërron me ciceronin!
E mbaj mend si tani oborrin e arkitekturuar fillimisht nga Bernini e më pas përfunduar nga Rainaldi, obelisku shumë i lartë, i sjellë nga mauzoleumi i Augustit, kulla e kambanës me lartësi prej shumë metrash, më e larta në Romë. I ruaj të fiksuara mirë. Përditë jetoj me imazhin e tyre. Si ai skulptori që nxjerr nga guri tiparet, përvijon linjat e vijat pastaj ti sheh befas njeriun e plotë, edhe unë punoj figurat e mia, personazhet, ato do të ishin idhujt që do të interpretonin historinë time, totemët e pazëvendësueshëm që u bënë qëllim i artit tim. Në këtë drejtim duhej punë e vërtetë konstruktori, se e vija re ku çalonte ajo që shihja përbrenda. Ekuivalenca ideale e totemit me artistin. Marrëdhënia gati dashurore e figurës së krijuar, totemit, me realitetin, mishërimi i fantazmës, e të padukshmes, e makthit, karakterit dramatik të figurës, ndryshe lënda eterne që nuk lexohet por nënkuptohet, me krijuesin e vërtetë. Kjo rezonancë delikate, do ta gjente masën e vet, teksa më kujton një çift të dashuruarish që siç e ka thënë një dramaturg, miku im, e ngrysin jetën së bashku. Dhe pikërisht kjo është një nga provat e suksesit.
– Këtu keni një seri prej tridhjetë e gjashtë mozaikësh nëpër mure, që paraqesin skena nga dhiata e vjetër, të cilat pastaj përmes harkut triumfues lidheshin me punimet nga dhiata e re. Ndërkaq punimet mjeshtërore të qiellit të bazilikës (sepse bazilika kishte vërtet qiell!), të stolisura me ar e dorë mjeshtri. Pastaj altari! Aty vinte shpesh papa dhe e përdorte për të mbajtur meshën e përvitshme të gushtit.
– Prit, tha profesori, bazilika ka edhe dy faltore në anët e kundërta të saj – njëra Sistine dhe tjetra Borghese. Emërtimi Sistine rrjedh nga vetë emri i Papa Sixtus, sollokreja me eshtrat e të cilit ndodhej pikërisht aty. Faltorja Borghese, e njohur edhe si Capella Paolina, është ndërtuar nga papa me të njëjtin emër, ashti i të cilit po ashtu prehet brenda bazilikës. Aty, përkrah tyre, prehen Papa Pali V dhe Klementi VIII. Ky njihet në histori për ligjet e tij kontraverse ndaj hebrenjve...
Po e shihja si një shans njohjen me artin e vjetër dhe mbi të gjitha të Romës: më dukej sikur i bëja dhe madje me qejf ripunimet, madje duke provokuar ngutje të re. Kjo më bën të ndihem krejt gjakftohtë, i prirë për të ndodhur e kundërta, por jo me nervozizëm e justifikim, moskuptim apo kundërshtim dhe… kjo mund të zgjaste pa fund. A mund të isha racional i vërtetë me ato që mendoja thellë, a mund të ngulmoja për të bërë të pamundurën, çfarë mund të më dukej e panatyrshme, të çuditesha një herë e mirë dhe padyshim së tepërmi, sepse më dukej sikur kushdo mund ta vinte veten në një arenë gladiatorësh, po aq lehtësisht e pa e vrarë mendjen, pa e kërkuar kurrë humbjen, sa?… Se e kisha provuar të isha kampion dhe ky rast nuk të jepet gjithmonë dhe për më tepër nuk të krijon asnjëherë përshtypjen e disfatës. Në bazilikë po shikoja se kisha të bëja me një lojë mençurie. Edhe në rrugën e sapo nisur mund t’i lija fushë të hapur «kundërshtarit» pa u mbrojtur. Mos do t’më humbiste befasia? Jo, logjikën dhe intuitën e ndieja që i kisha të ndezura, ndonëse futur në një shtjellë dyshimi dhe brenge prej mos përkryerjes. Prisja të isha përsëri të nesërmen në bangot e auditorit: i lodhur, i rraskapitur, por gjithnjë i gatshëm! Gjithmonë në trurin e krijuesit ka gjëra të pazgjidhura dhe unë shkoj me shpresën se duke provokuar të ndez zjarr me dru të thekura, ndez fantazinë, mpreh logjikën e kujtdo dhe eci në rrugën që dua, sepse hedh dritë edhe në skutat e mia më të errëta. Diogjen i vetvetes. Këto do të jenë shkëndija ideje, duke kapur atë që kërkoj përbrenda, e që natyrisht s’e gjej. Është një rast që më jepet, pse të mos e mbaj fort? Këtu në Romë po ravijëzoj që në hapat e mi të parë një idhull… Jo, mos qesh me vete, e kam të hapur rrugën bashkë me këto monumente të papërsëritshme që vetëm Roma mund të m’i dhuronte, një shpirt i hapur kat më kat!
– Në këtë kapelë shihni edhe ikonën e famshme njëmijë vjeçare Salus Populi Romani. Legjenda thonë se lutjet te kjo ikonë e Shën Mërisë, shpëtoi popullin e Romës nga zhdukja prej murtajës. Nën altarin e bazilikës, shkallët e mermerta nga të dyja anët e saj çonin në bodrum, ku është një statujë e Papa Piut, gjunjëzuar për lutje, gjersa nën të, në kriptin e Betlehemit, gjenden eshtrat e e përkthyesit të parë të biblës (të dhiatës së vjetër) në gjuhën latine, Shën Jeronimit. Pa mëdyshje, ky mendimtar me prejardhje ilire i lindur në trojet ilire të Dalmacisë, ka qenë njeriu që kishte dhënë kontributin më të çmuar për krishterimin e Evropës.
Ciceroni fliste, po s’dëgjonte, unë s’flisja, po dëgjoja. Ciceroni donte dëgjues dhe unë këtë veti e shfrytëzova për të mësuar të fshehtat e totemit. Na zuri nata te bazilika dhe më në fund Silvieri u kujtua se kishte harruar një gjë të rëndësishme: çelësi i shtëpisë në xhep! Dhe njerëzit e tij e prisnin me siguri në rrugicë duke tretur fjalë të liga. Mund të na kishte gjetur dhe mugu i ditës tjetër dhe Silvieri nuk lëvizte vendit, i gjymtuar nga furia e pasioni.
Vendosëm të qëndronim pak më gjatë duke soditur këto punime të mrekullueshme, e më pas duke i komentuar ato. Pastaj ikëm, unë drejt konviktit, ndërsa profesori në shtëpinë e tij.
– Nesër do të shohim Koloseun e famshëm, – më tha në vend të natën e mirë. Dhe e mbajti fjalën.
Koloseumi me kodrinën Palatine (Palatino) prapa tij, dukej si një pamje nga një ëndërr e bukur. Ishte një strukturë mahnitëse, që të bënte të mendoje e të kaloje vetëtimthi në kujtesë shekuj të tërë të historisë njerëzore, megjithëse ishin të dhimbshme bëmat që ndodhën brenda tij, ashtu siç ishte e dhimbshme edhe vetë historia e ndërtimit të këtij konstruksioni masiv. Te çdo njeri, edhe jo artist, ndizej një zjarr i çuditshëm dhe i vetëdijshëm, krejt njerëzor, prej imagjinate dhe gjenome, që ndoshta buronte nga ideja e një jete të fundit, e cila, edhe pse dihej që ishte një iluzion i humbur, prapëseprapë përmendej me mall si diçka që do të ndodhte përsëri së shpejti. Dhe më solli në vete mëngjesi i parë në Romë.
«Në Romë, në Romë, në Romë», dëgjoja zërat që thyheshin nga ndërtesat përballë konviktit.
Sinqerisht më vinte keq që Roma nuk qe rezervuar si një qytet muze vetëm me gërmadhat e saja në të, pa ndonjë ndërtesë banimi në afërsi, apo së paku jo në rrethin e shtatë kodrinave historike që mbanin emrat e çuditshëm. Sidoqoftë, ai edhe ashtu siç ishte magjepste me bukuritë përrallore. Belbëzoja kuptimin e fjalës latine Carpe Diem, që do të thoshte ta shfrytëzoje ditën, pra ta kapnim rastin e të mos na ikte. Një thënie shumë kuptimplote për jetën dhe pashë nga Silvieri me më shumë respekt. U ndalëm një çast disa metra larg Harkut të Kostandinit, ngrehinë kjo që linte përshtypjen e portës për të hyrë në oborrin e Koloseut. Harku qe ngritur me urdhër të senatit për të përkujtuar fitoret e Kostandinit të vitit 315. Koloseumi nga afër dukej edhe më madhështor. Të ngjallej befas koha e largët e viteve 72-80 kur edhe u ndërtua. Thuhej se qe ngritur nga njëqindmijë skllevër hebrenj të cilët u sollën nga Lindja e Mesme, pasi kryengritja e tyre e radhës qe mbytur në gjak. Emri origjinal i tij është «Amfiteatri Flavian», sipas dinastisë që mbante fronin në atë periudhë. S’mbetej tjetër veçse të meditonim brenda kësaj ndërtese kolosale. Koloseumi kishte kapacitet për mbi pesëdhjetë mijë shikues, një formë elipsi me dimensione prej 187 metra me 155 metra, e me një lartësi prej 50 metrash. Arena atëbotë ishte e drunjtë, pra me dërrasa sipër të cilave shtrohej një shtresë rëre e verdhë që quhej arena. Pikërisht nga kjo rërë rridhte edhe emri Arena. Ajo rërë e çuditshme që amortizonte zhurmat dhe që shkelej aq butë! Si qe e mundur? … Dy tërmete që goditën Romën në shekullin V dëmtuan rëndë strukturën e këtij kolosi. Për shkak të dëmtimit të mureve rrethuese dhe platformës së arenës, për një kohë të gjatë atë e përdorën vetëm për varreza e më pas edhe si kështjellë mbrojtëse. Shumë pjesë të mureve të tij u shembën nga një tërmet i tretë në shekullin XIV. Rikonstruktimi dhe përkujdesi për të filloi vetëm pasi Papa Benedikti XIV ngriti kryqin brenda tij për të përkujtuar të krishterët që humbën jetën aty, ndonëse nuk ka të dhëna historike që brenda Koloseumit të ketë pasur masakra në masë kundër të krishterëve.
Ky ka qenë një mësim mahnitës për mua. Aq shumë dëshira të menjëhershme më zaptonin, sa më zihej fryma. Flisja me vete për ato që më duhej të bëja. Jo, as Sezani s’më ngopte. As fjalët e hatashme për reformë në art që i kishte boshatisur njerëzit nga brenda dhe i kish mbushur me fjalime fashiste që buçitnin nga altoparlantët nëpër sheshe dhe flitej vetëm për pushtime të reja dhe perandori të re. Aq shumë fjalë të nxehta. Kokat buçitnin! Dhe ironia ishte aty pranë. Dikush mblidhte copa parullash dhe dëgjonte heshtjen. Një gjë vërtet e trishtueshme të dëgjoje heshtjen pranë britmave histerike. Dhe ravijëzohej para meje diçka tjetër nga figurat që gdhendnim me brushë në auditor. Dhe më bëhej të qeshja paksa me harenë dhe gallatën e konvikteve. Ishte si një sfidë për eklipsin që kishte errësuar gjithçka…
Foro Romano dhe Palatino. Kodrina Palatine ku qenë varguar pallatet mbretërore, aty ku ndeshen gërmadhat e të ashtuquajturës Aqua Claudia, ujësjellësi antik i kompleksit mbretëror. Para nesh kishim pamje fantastike nga të katër anët! Që andej shihej edhe Koloseumi. Në anën tjetër të kodrinës ku pallatet kishin ballkonet e tarracat e tyre, shtrihej fusha e Circus Maximus. Prej këtyre ballkoneve majë kodrinës thuhej se kishin ekzistuar shkallë që zbrisnin poshtë drejt stadiumit. Nga ajo lartësi çdo gjë shihej si në pëllëmbë të dorës. Pallat pas pallati, mur pas muri, banjë pas banje, kopsht pas kopshti,… kështu vazhdonte e tërë kodrina Palatine. Në anën tjetër të kodrinës zinte vend kompleksi Farnese Gardens, që ishin kopshte të rregulluara me shije, prej nga shihej edhe fusha e Forumit Romak.
Roma! Madhështorja! Ishte një mbrëmje e mrekullueshme vjeshte dhe Farneze Gardens i ngjante një mbretërie bletësh me gjithë luzmimin pambarimisht të gëzueshëm, por ama kthehej papritur dëshpërimisht në qenie vulgare që mbushnin parkun. Atje luhet kumar, vijnë e këmbehen prostituta, shpërndahet drogë. Dhe ishte hera e parë që Silvieri më dëgjoi aq gjatë. Domethënë, jo më shumë se dy minuta, gjersa i erdhi radha asaj rutinës sonë të zakonshme dhe kthimit tim në konvikt, duke zbuluar gjëra të reja, vazhdimisht të reja dhe në vend të llumit merrja me vete ajkën, ajo që duhej, pa dëgjuar kurrë zërat e brendshëm që ku e ku buisnin, as të qeshurat e bujshme, as talljet, as mashtrimet që sidoqoftë të thernin në shpirt.
Pastaj, si kaluan disa ditë i erdhi radha Kopshtit Farnese, i pari kopsht botanik në gjithë Evropën, i rregulluar nga kardinali Alessandro Farnese. Prej aty zbritëm poshtë në fushën e Forumit Romak, e tëra mbushur deng me gërmadha të shumë shekujve më parë. Linte përshtypjen që secila gërmadhë kishte një histori më vete, e padyshim edhe duhej të kishte. Mbase edhe gurët e kalldrëmit kishin tregimet e tyre. Fusha e Forumit Romak rrethohej nga kodrinat Palatine, Capitoline dhe Esquiline. Për aktivitete të ndryshme shoqërore e për tregti, aty qe ndërtuar kanalizimi i parë i ujërave të zeza, Cloaca Maxima. Një kanal të këtillë s’njihte njerëzimi gjer atëherë, pasi këto ujëra të zeza edhe Roma i derdhte në lumin Tiber. Mbase një fillesë e kësaj natyre do të shërbente si bazë planifikimi për ndërtimin e qyteteve më pas, që nga ajo kohë e madje dhe në ditët tona. Shkëndija ime në kokë u ndez. Po. Edhe unë do ta bëja arkitekturën e qytetit modern… Kjo shkëndijë mbeti ndezur tek unë, çuditërisht, derisa e realizova. Roma hodhi themelet që i dhanë formë historisë dhe qytetërimit të sotëm.
Dhe në këtë kohë do kthehesha disa herë te kjo fushë, pa pyetur dhe aq për ngarkesën e të mësuarit, për ethet luftarake musoliniane, për rrugët e bllokuara nga dëshira të befasishme. Tani vija vetëm, ndonëse gjeja ciceronë pleq që belbëzonin ritualin e mësuar përmendësh të një kulture aq të vjetër. Ngujohesha me një grup çfarëdo dhe, duke ndjekur një operator japonez që xhironte në gërmadhat e historisë, humbisja edhe unë. Por gjithnjë e shihja që fitoja shumë përmes tretjes së dijeve, duke analizuar imtësisht gjithçka që më ndalte e më mbante të ngujuar. Shokët e mi të grupit u mësuan me pasditet e mia të Romës, edhe kur më kish marrë peng vetvetja, edhe kur dukesha papritur para tyre, asnjëherë i frikësuar, po përkundrazi krejt i mahnitur. Më lini këtu, s’ka gjë, mendoja, nuk kam parë ndonjëherë një qytet si ky, një përrallë të tillë. Më besoni, kjo tani mësohet, kurrë s’do kenë fund librat dhe filmat për Romën, ajo ishte një ateljé e gjallë. Më dukej vetja në ëndërr…
– Këtu parakaluan shumë perandorë, cezarë, shenjtë, dijetarë, luftëtarë e prostituta, – thoshte ciceroni i vjetër, që mua më bëhej edhe më i lashtë se Roma. – Po në këtë shesh ka ndodhur edhe ngjarja legjendare e vitit 750 para Krishtit, e përdhunimit të grave Sabine, fis që jetonte në afërsi, që refuzonte t’u jepte nuse burrave të Romës, përkundër trysnisë së vazhdueshme që u bëhej. Gjatë një feste e orgjie të përvitshme, ku qenë të ftuar gjithë fiset e rrethinës së Romës, Romuli u dha shenjë njerëzve të tij t’i nënshtronin burrat sabinë dhe në sy t’ua përdhunonin gratë. Që atëherë gratë Sabine u detyruan të pranojnë romakët për burra. – Skena të kësaj legjende i kam parë në piktura e skalitje skulpturore përplot mjeshtërí në Muzeun e Luvrit, gjatë një prej vizitave të mia në Paris… Via Sacra, Shtëpia e Senatit – Curia, pranë saj zinte vend Rostra, një platformë e veshur e tëra me gur vezullues të mermertë, e rindërtuar nga vetë Jul Cezari. Në ditën e varrimit të tij, pikërisht nga kjo platformë kishte mbajtur fjalën lamtumirëse Marcus Antonius (Mark Antoni)…
Pastaj Shkallët Spanjolle, Fontana Trevi. Gjithmonë duhej të vija veten në punë. Më pëlqente. Kështu bëja edhe në Tiranë, në konvikt, në kohën e lirë, kur bëja reklamat e filmave për pesë lekë. Pothuaj i kisha mësuar përmendësh fytyrat e aktorëve dhe aktoreve. Ato afishe fluturonin gjithkund ku kishte kinema…
Aq e fortë ishte bërë dëshira për të hedhur themelet e forta të kulturës e të dijeve, saqë vija gjithnjë në punë kujtesën, pasi vazhdimisht ripërtypja gjithçka që lexoja dhe, natyrisht, bëja më pas tjetërsimin e domosdoshëm të gjithçkaje, herë-herë duke i shpjeguar vetes apo edhe në grup zbërthimin e pikëpyetjeve, veçimin e legjendave nga historia e vërtetë, thjesht për të provuar efektin e dritës së arsyes, se ç’do të thotë një dije serioze, madje edhe një fjalë e urtë apo edhe një batutë e goditur, me të cilën më pas do të qeshja. Nganjëherë njohuritë e themelit vihen duke lozur e qeshur, duke u zbavitur dhe kërkuar. Në themelet e mia ishte kërkimi që s’do të më ndahej gjithë jetën.
Che’l perder tempo a chi più sa più spiace (Kohën e humbur më tepër e vajton ai që është i ditur). Si gjithnjë, pamjet e Koloseumit më bënin të rrëqethesha nga entuziazmi. Shkallët e Capitolinos, forumi romak nëpër Via Sacra – po ashtu. Gjer në majë të Capitolinos shkohej përmes shkallëve madhështore të arkitekturuara nga Mikelanxhelo, të quajtura Cordonata. Vërtet ishin të bukura!
Në të majtë të këtyre shkallëve ishin të njëqind e njëzet e katër shkallët e tjera që ngjiteshin për te kisha Santa Maria d’Arcoeli, që ndodhej në shpinë të monumentit të Viktor Emanuelit…
Ndodhte që muzgu të mbulonte Romën. Dritat ndizeshin gjersa të ngjisja shkallët dhe të arrija në sheshin e Capitolinos, majë kodrinës, ku tanimë pamja bëhej vërtet fantastike. Sheshi së bashku me dy ndërtesat përballë njëra-tjetrës, sërish qenë projekte të vizatuara dikur nga i mrekullueshmi Mikelanxhelo. Dhe pas disa hapave nuk do të bëja më fjalë, do të heshtja gjatë. Se, e dija, përmes heshtjes mësohet më shumë dhe vetvetiu, ngaqë ndodh procesi i ripërtypjes. E takoja veten po aty ndoshta (si më ndodhte zakonisht me kapërcimet e mia pindarike) tejet intime, të ngrohta, miqësore, me mendje të kthjellët, me një uri të pashuar për të bërë të nesërmen ndryshe, ndonëse nuk e kisha përditë me vete entuziazmin e parë, herë-herë flisja dhe po unë dëgjoja, heshtja dhe dyshoja, se të diturit dhe artistët duhet të dëgjojnë, ndryshe marrin fund. Roma, miqtë e mi, është shkollë më vete, ulu këtu, rri bashkë me të në ndonjë gur dhe dëgjoje. Ajo tregon vetë, po kush ka veshë të dëgjojë. Unë vazhdoja t’i kushtoja rëndësi çdo pëshpërime dhe më vinte keq për kohën që padashur mund ta humbisja.
– Bravissimo! – më foli fare afër Silvieri, profesori im, dhe vijoi: – Ndër njerëzit më të famshëm që lindën në Romë, padyshim mbeten Jul Cezari, Perandori August, Virgjili, Raffaelo Santi – mjeshtri i Renesansës, Sophia Loren dhe Isabella Rossellini… Kurse të tjerë njerëz me nam që nuk lindën në Romë por që padyshim gjatë jetës së tyre kanë ecur këtyre rrugëve e kalldrëmeve, patjetër që janë të shumtë: Pompei, Shën Pjetri e Shën Pali, Shën Jeronimi, Ciceroni, Pontius Pilati, Dante Alighieri, Perandori Kostandin, Leonardo Da Vinçi, Mikelanxhelo Buonaroti, Galileo Galilei, Niccolo Machiavelli, Marco Pollo, Amerigo Vespucci, Giussepe Verdi, Leonardo Fibonacci, Giacomo Pucini, Antonio Stradivari – punuesi i violinës së famshme Le Messie, Giussepe Garibaldi, Claudia Cardinale, Gina Lollobrigida, Silvio Berluskoni, Lucciano Pavarotti, Umberto Eco, Dino Buzzati, Monica Bellucci e shumë të tjerë. Dyshoj të ketë ndonjë njeri që s’njeh Monica Belluccin. E pamundur! Një bukuri që fjalët s’e thonë dot.
Ooo sa e bukur ishte Roma! Parlare a quattr’occhi. Le ta themi hapur. Tregu Mercati di Traiano, shkallët e Piazza di Spagna dhe Fontana di Trevi. Një mundësi e rrallë… Për çdo natë, Fontana Trevi mblidhte rreth tre mijë sesterca të cilat përdoreshin për të ndihmuar të varfrit e qytetit. Legjenda thoshte se ushtarët romakë të udhëzuar nga një vajzë e re, gjetën burime të bollshme uji pak kilometra jashtë qytetit. Për këtë u ndërtua ujësjellësi i quajtur Aqua Virgo, që do të thoshte «uji i virgjër». Ky ujësjellës përfundonte pikërisht aty ku sot gjendej fontana Trevi, e cila kishte furnizuar Romën me ujë për më shumë se katërqind vjet. Ky qytet vërtet ishte përplot me fontana ngado që shkoje. Fontana dhe kisha! Ka 280 fontana e mbi 900 kisha. Kisha më e vjetër e Romës ishte bazilika Santa Maria in Trastevere në sheshin Piazza Trastevere. Kishë tjetër e një rëndësie të veçantë për Romën ishte edhe San Paolo Fuori Le Mura (Shën Pali jashtë mureve). Ndërtuar sipër varrit të Shën Palit nga perandori Kostandin, ajo qe ringritur e rinovuar më shumë se disa herë gjatë historisë. Shtatorja e Shën Palit hijerëndë e me shpatë në dorë, zë vend në mes të oborrit. Pali ishte një hebre nga Tarsusi, emri i vërtetë i të cilit ishte Saul, që punoi me zell për kauzën e krishterimit dhe besohet se në vitin 66, sikurse edhe Shën Pjetri, u gozhdua në kryq në mes të Romës…
Dhe pastaj do të vijoja ditët e mia të pafundme në Romën antike. Panteoni … Vatikani … dhe unë në të nesërmen time.
NË PARIS
HYHET PËRMES HARKUT TË TRIUMFIT
«Nuk është e lehtë piktura, sado e dashur, kur çdonjëri shkon e gjen valën në dëlirësinë e saj, një mendim të pathënë ndonjëherë; – thotë Ibrahim Kodra në një dialog të sinqertë me miqtë e tij.» MARIO STEFANILE
(Presentazione – il tario Napoli marzo 1987)
Për herë të parë në Paris do të vija (nuk e dija atëherë) në stinën e shirave dhe u takova me Pol Elyarin te kafe Van Gog. Atë e zotëronte një piktor manierist, i çmendur pas Van Gogut. Kisha zbritur në stacionin e metrosë në Étoile, vetëm pak metra larg Arc de Triomphe. Si u çmallëm bëmë edhe 15-20 minuta gjer te La Défense ku u gjendëm në një botë tjetër, sido që binte shi i shtruar, shi Parisi. La Défense ishte një lagje e madhe, e cila ndryshonte nga pjesët tjera të qytetit, ku binin në sy ndërtime të vjetra e klasike. Atë mbrëmje do të doja të isha vetëm, të porosisja fërnet Branka dhe të shikoja përjashta shiun në shesh. Edhe Poli ishte i çmendur pas Van Gogut. Ai u ul pa u ndjerë pranë meje, duke thithur çibukun e madh prej shqope. Dukej i menduar. Në të dy anët e shëtitores shihnim ndërtesa të panumërta, veshur fund e krye me xhama reflektues, më tej dhjetëra fontana përplot basene të vegjël e të mëdhenj. Dritat vareshin dhe binin me një kumb të jashtëzakonshëm përmes rrjetës së shiut. Vështronte dhe ai shiun që breronte dhe përplasej pa zhurmë në xhamat e mëdha të dritareve. Beretën e zezë që mbante mbi krye nuk e hoqi.
– Besoj e di që La Défense është një nga vendet më të mëdha të biznesit në Paris dhe këtu është termometri ekonomik i Francës, – më tha me zërin e shtruar.
Jo, e nga ta dija? Por nuk i ndërhyra.
– Ja dhe La Défense de Paris, statuja e ngritur për heronjtë e rënë në mbrojtje të Parisit gjatë luftës franko-prusiane. Por këtu or mik flasin vetëm për Van Gogun.
– Ndoshta kjo do të qe një përshtypje krejt e veçantë, ndonëse s’do ta kuptoj deri në fund, pasi çdo njëri prej nesh shikon një objekt që i intereson dhe diskuton për të, prandaj lindin keqkuptimet… miku im.
– Nesër, këtu afër, as pesëmbëdhjetë minuta në këmbë, do të shohim Grande Arche. E mahnitshme! Le të bjerë shi, s’ka gjë, Parisin shiu e zbukuron më tepër, siç e zbukurojmë ne botën, ose edhe e shëmtojmë, por ama asnjëherë nuk e gjykojmë siç është.
– Pikturat mbërritën mirë, besoj.
– Po, patjetër.
– Do t’i shijojmë nesër, kur të jem me ty. Sonte do të njoh me Parisin, i cili të lë pa fjalë duke e shkelur, vetëm. Të mbysin mendimet dhe sfondi i shiut bashkë me muzikën klasike. Shiu dhe muzika klasike të magjepsin…
Në largësi shihej Kulla Ejfel. Përballë nesh, e kredhur në shi dhe drita dukej një bulevard i gjerë fantastik (Avenue Charles de Gaulle, do të thoshte pas meje me zë të ulët Poli, kështu do të quhet, por, dihet, çdo gjë merret vesh më parë!). Më tregoi me qetësi klasike se për të ardhur te Harku i Triumfit duhej të kaloje nëpër Avenue de la Grande Armée. Ndërsa tej Harkut të Triumfit, në anën tjetër të tij dhe gjithnjë në po atë vijë, do të shohim Champs-Elysée–në e famshme.
– M’i thuaj kur t’i shkelim.
– Po, e kuptoj, veçse edhe mua më rrethon padurimi.
Po më dukej se rrjeta e shiut binte mbi kavalét dhe aty qëndronte një pikturë, një portret. Dhe portreti lagej. Nëna e vrarë. Një pamje tronditëse. A mund të vija në Paris pa të? Kur të kthehesha nga Parisi në Milano, nuk do t’më besonin që Nënën s’e kisha shitur, gjithçka tjetër e besoja se do të mbetej aty… Gazetat do të shkruanin për mua, si një fenomen post kubist, duke lënë në heshtje titujt, veprat dhe klimën, shiun dhe dritat.
– Ngrihemi?
Dhe u ngritëm për të shkuar në Hotel Citadines ku Poli kishte bërë rezervimin. Do të mësoja më vonë se hoteli binte mbi sheshin Boulevard de Neuilly. Në atë kohë ishte ndërtesa e vjetër dhe them nganjëherë se gjërat kot i ndryshojmë. Nga dritarja, sa ndenja në Paris, shikoja Senën me tërë gjallërinë e saj, që rridhte vetëm disa dhjetëra metra poshtë ndërtesës.
Parisi ishte qytet masiv, i veçantë, meditativ dhe ndërkohë tejet i zhurmshëm. E veçanta e tij qe se çuditërisht nuk të lodhte.
Megjithatë famën e Parisit e njihja. Dhe ecja nëpër shi do të qe e veçantë. Ombrellat e mëdha na mbronin sidoqoftë, por mendimet (besoj se edhe Polin) na sulmonin plot befasi. Ky qytet të vinte vërtet në mendime. Piktura e fuqishme, emrat e mëdhenj, shkolla franceze, të braksurit prej fatit, kryeveprat, galeristët e Parisit, të futnin dridhmat. Po Rembrandti? Po Goja? Po sa të tjerë? Rembrandt e Goja qenë të pafat. Nuk thonë kot, fati të çon deri te dera e galerisë, siç ndodhi edhe me mua.
– Mbërritëm Ib. Do darkojmë bashkë në restorantin e hotelit. Ka për të pëlqyer.
Ura mbi Senë më tërhoqi vëmendjen. Tridhjeteshtatë ura ka Sena. Pastaj u ktheva të shihja edhe njëherë rrugën që të çonte drejt e në qendër të qytetit, Arc de Triomphe de l’Étoile. Vendi i aferave të rrezikshme. Në restorant mbaruam punë shpejt dhe, si u ndava me Polin, u mbylla brenda. Gjumë. Plumb. Edhe mëngjesi, ndonëse me një dritë ndryshe, përsëri ishte i kredhur në shi. Brerimi më i bukur që kam parë. Doja ta prekja çdo çast me dorë: Senën aty pranë, Parisin e lagur dhe me aq dritë befasuese.
Në orën dhjetë fiks erdhi Pol Elyar. M’u duk paksa i zymtë.
– Tek ne, në Ishëm, në Shqipëri, po të panë kështu, e di si të thonë? Hm, mos ta ka ngrënë bukën gomari që rri ashtu, buzëvarur, i mërzitur?
Qeshi vetëm një grimë, por sërish u krodh në të thella.
– Shiu t’i paska mbytur gjemitë! Mbrëmë më the se shiu të entuziazmonte.
– Jam i merakosur për ty, Ib…
– E pse?
– Jam bërë garanti yt dhe dua që të kesh sukses të madh, ashtu siç shpresoj.
– Mos u bëj merak, or mik. Lëre Senën të rrjedhë në shtratin e saj. Edhe mua…
Nuk ishim larg nga Place de Trocadero, ku arritëm vetëm pak minuta më pas, duke mbetur gati pa frymë nga pamjet pikante të kullës Ejfel. Për çudi u ndjeva krejt i emocionuar. Sytë e zgjuar disi cinikë të Elyarit sikur lëvrinin me zhdërvjelltësi. Kish veshur një kostum të prerë me shije të hollë e që i rrinte bukur, por sidoqoftë nuk ia largonte dot mërzinë. Mërzia në Paris nuk është metaforë, por shëmti, që nuk ke si e fsheh. Burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat kalonin me qejf përmes rrugës dhe shiut të butë, që merrte gjithnjë e më shumë dritë të thekshme.
– Ka gra të bukura Parisi! – dëgjova Elyarin, – gra me aq finesë e sharm nuk i gjen dot kund, dhe s’ke për t’i harruar kurrë.
Ndërkaq shikoja Parisin aq të gëzuar që lagej në shi nga lartësia e Trocaderos me sheshin e saj në mes, dhe s’ngopesha dot me pamjen: Tour d’Eiffel. Mahnitëse!
Atë çast Parisi më dha dorën duke buzëqeshur dhe nuk e hoqi perden e hollë të shiut. Një shi i mëndafshtë, përplot buzëqeshje që mbetej dukshëm në sy, dhe me sa kuptova e bënte njëlloj të shpenguar, që merr e jep njëlloj, që pi verë të kuqe Burgonje njëlloj si në ditët me diell. Parisi edhe në ditë me shi flet me retë. S’i pushon goja, dërdëllit si një grua sensuale. Parisi të ftonte të bëje marrëzira.
– Arti pa mëkat nuk ngjiz, – thoshte Elyari. Dhe unë e besoja. Edhe pse shi, ndonëse ndihesha disi i lodhur, Parisi ma avulloi lodhjen, madje edhe gjendja e rënduar nervore të Elyarit atë paradreke sikur u largua. Miku befas e vuri re që unë gati sa s’fluturoja, isha gati të shkalloja. Parisi flirton nën yjet e artistëve, duket që rri si mbi gjemba, dhe më bëhej përkrah Elyarit ta ndieja veten të tepërt. Parisi në shi sikur e kishte mendjen te piktura dhe qeshte në ekstazë. Ishte çmendur qyteti i famshëm i impresionistëve. Parisi fshehtas më kishte shënjuar edhe mua.
Parisi enkas për mua kishte veshur një kostum prej shiu dhe drite, dhe sikur ecte përmbi këpucë me taka të larta. Ecte Parisi! Flokët e reve të ulëta e të njësuara i kish mbledhur me kujdes. Lëkura e qytetit më dukej e lëmuar, me hijet dehëse të qerpikëve, me mollëza të kërcyera, me sytë (ah sytë!) përplot magji dhe të ëmbël e dinakë. Jo, jo, Parisi ishte i parezistueshëm. Më ra në kokë. U dashurova menjëherë me të. Do ta doja të zhveshur Parisin, do ta doja të shihja ashtu përmes shiut e dritës lënë vetëm në një këmishë të hapur që i zbulon gati përgjysmë hiret, me flokët e ndezur e të derdhur mbi supe. Pa brengën e çuditshme të Elyarit, me mendjen top për t’i propozuar që të mbetej përjetë imi. E vëreja çdo gjë me një valë pasioni që më tradhtonte vazhdimisht. Me bisht të syrit shihja Polin që mërzinë po e treste diku pas hapave tanë. Sytë e tij qenë zmadhuar me një hutim të fshehur me kujdes.
– I ëmbël është Parisi, or mik! Si thua? – m’u drejtua.
Gati shpërtheva në të qeshurën time karakteristike dhe mosbesuese.
– Kështu më pëlqen më tepër, – tha ai. Kaq. Heshti. Ndërsa sytë e mi i rrëmbente Parisi i mrekullueshëm, portreti i tij, mahitë plot mister të fytyrës së tij, buzëqeshja përmes shiut dhe dritës, bulëzat me thyerje ylberi te sytë, te goja, balli, flokët, hunda, mollëzat, lëkura… Parisi me shprehje lojcake, me vështrim të drejtpërdrejt e pa komplekse. Parisi i dëlirët dhe i mbytur nga mëkati.
– Po afrohemi te Galeria, – tha Poli. I kishte ardhur fytyra në vend. Më bënte përshtypje mërzia e tij, ndonëse e kujdesshme, me një lloj delikatese nervore dhe gati një hutim e frikë e pakuptueshme, aq sa më dukej se mos i vinte prej meje. Po, e kuptoja mirëfilli se i vinte prej meje.
Duke iu afruar galerisë fillova të trembesha se do të mbetesha pa shiun dhe dritën e Parisit, pa imazhin e tij,
që pastaj do ta thërrisja me mend. Edhe kur të ikja, shiu dhe drita e Parisit do të pikonin, kështu më dukej, do të pikonte nga yjësitë e artistëve bohemë. Bohem do të mbetesha dhe unë. Vazhdimisht do të më vinte në sy Parisi kaq i ëmbël e delikat, që gjithmonë qeshte e këndonte si i marrë, si një Narcis, kur e shihte vetveten pa pikë turpi, se bukuria e vet nuk i bënte më përshtypje, po kjo nuk donte të thoshte se ai qytet i magjishëm ndjehej i mikluar nga të tjerët apo vizitorët, ndoshta i përkëdhelur fshehtas në sedrën e paskrupullt, sepse e ndiente thellë magjinë e mistershme. Parisi ishte dhe mbetet i thjeshtë. Parisi linte pas te njerëzit efektin tronditës të hireve të tij. Si një vajzë e bukur që tregohet aq e kujdesshme me veten dhe me kureshtjen e të tjerëve.
Shkalla e parë e galerisë. Do t’më merrte malli pë Parisin dhe do t’më mbetej e ndezur gjithnjë kjo dashuri prej të marri. Do ta doja vazhdimisht dhe të më mungonte pa masë. Nuk do të gjeja kurrë tek vetja ime dhe tek vetëdija piktorike as urrejtje, as zhgënjim, po vetëm përqendrim, ndoshta një përqëndrim zhbirues dhe kjo do të më ndihmonte shumë që totemi im të bëhej kryevepër. Aty i pashë të gjitha. Parisi ma dha totemin si në një kaleidoskop madhështor. Ndoshta kjo më bëri një piktor tjetër, duke shpëtuar përfundimisht nga mbresat banale dhe një kureshtí fshatareske, jo aq prej ndjenjës po prej zakonit të trashëguar e të fshehur në nënvetëdije.
Parisi dhe Elyari më panë me sytë e zgjuar dhe unë mbeta rob i tyre. S’ do të kisha para tyre asnjë grimë nervozizmi e sikleti, do të lëshoja për ta psherëtima. Më bëhet sikur Elyari më thotë me gjysmë zëri, kurdoherë që do të ishim bashkë, se e kisha parë Parisin dhe e kisha zbuluar atë, ndryshe, mbuluar nga një dashuri krejt tjetër, prandaj dhe kjo do të jetë për këdo mbresëlënëse , sepse kisha depërtuar te shpirti i tij, duke e parë kaq thellë sa kujtdo do t’i ngjallte interes…
Portretin e Parisit nuk e bëra dot, por portreti i tij më mbeti i ngujuar në mendje. Dhe më duket sikur mbeta përjetë në lojën e zjarrit dashuror me të, duke rrezikuar pa pasojë, duke vuajtur në një farë mënyre, me një vuajtje artisti dhe një frymëzim brengosës, i nxitur prej një loje të fshehtë, sepse e ndiej që me Parisin kisha rënë brënda. Rri dhe me sytë e mendjes e shikoj gjatë, si një ritual i domosdoshëm. Sepse i tillë është. Dhe nuk e riprodhoj, jo, këtë ndjesi nuk kam për t’ia falur askujt veç këtyre letrave që po zhubros me shkrimin tim; do të ishte ndryshe një kënaqësi. Dhe kjo ndjenjë më kap sa herë ndahem prej Parisit, s’e prisja mundësinë që më dhuroi! Ndoshta arti prej kësaj pritjeje perfeksionohet. E di vetë por ma thotë edhe Pol Elyari. Sa herë bie shi, si ky shi i kaltër me aq dritë të çuditshme, më kujtohet Parisi dhe ma shtërngon zemrën një darë e hollë dashurie, me kaq trishtim të ëmbël, sa më duket se do t’më shfaqet kurdoherë para syve…
Dhe kthehem në Milano, në shtëpi, me shqisa më të mprehura, duke veshur si gjithmonë mistikën e artistit; hap derën e sallonit dhe i hedh një sy mugëtirës së qytetit tim (më ngjan kurdoherë si mistika dhe mjegulla e Ishmit tim të largët!) ku shpresoj të gjej një siluetë, të paktën një siluetë… Pastaj ulem para galdimit të qytetit të madh edhe i dashuruar, edhe i zemëruar dhe gjithnjë i mbetur pa frymë. Jo rrallë, prej marrëzisë sime, Parisi sikur ngjallet, dhe është gati të më flasë… Kur do të jem përsëri atje?
UNË, STAMBOLLI DHE AJA SOFIA
«Kokrriza e dheut të vendlindjes është qeliza artistike e krijuesit nga ku burojnë zhvillimet e brendshme dhe format e jashtme të anatomisë së veprës…» «Stambolli», 1977
Në varret e Qyprilinjve thonë se kanë prurë dhé nga Shqipëria, ndaj dhe unë atje doja të shkërmoqja pak prej tij. Se ajo do të më shëmbëllente me kokrrizën e dheut të vendlindjes, që është qeliza artistike e krijuesit nga ku buron gjithçka, edhe zhvillimet e brendshme edhe format e jashtme… Më pas kaluam në anën tjetër të sheshit dhe po bëheshim gati për të hyrë në Aja Sofi. Pritje e gjatë që e kapërceu një orë. Rrezet e diellit të Stambollit përvëlonin çdo gjë, përfshirë edhe qafën time të djersitur. Ngjyra e jashtme e fasadës së Aja Sofisë, një nuancë e së kuqes (ah, e kuqja!), qe zbehur mjaft, por megjithatë kjo i jepte asaj një pamje origjinale të përcjellë nga antikiteti. Emërtimi i saj vinte nga fjalët greke që do të thoshin «mrekullia e shenjtë». Aja Sofia ishte ndërtuar si kishë ortodokse në vitin 537, por pas vitit 1453 u shndërrua në xhami, dhe nga viti 1935 në monument sekular, domethënë përdoret vetëm si objekt-muze. Edhe pse ishte ndërtuar si katedrale ortodokse e lindjes dhe si e tillë shërbeu derisa qyteti u pushtua nga osmanët të cilët e konvertuan në xhami, Aja Sofia mes viteve 1204-1261 shërbeu edhe si katedrale romano-katolike.
Dhe ato këpucët e vogla prej druri të vendosura në dritare që tërhoqën vëmendjen time, ku herë pas here i ledhatonte një fërfëllizë që buronte nga brenda. Këpucët e vogla prej druri të Aja Sofisë, në dritaren mbi rrugë. Këtu duhet të shprehësh patjetër atë që do, ndryshe nuk ka kuptim vizita në këtë vend sekular. Të shprehet, tek e fundit edhe me belbëzim, mjaft që të jetë e qartë në mendje. Unë s’e kam fiksuar dot ç’kam belbëzuar. Dëshira ime iku, fluturoi, e morën ndoshta të tjerë, por ama fati im nuk ndryshoi. Mbeta po ai endacak dhe i vetmuar, por me aq fuqi brenda vetes. Bohem i jetës sime. Pa frikë, me bukën gjithnjë me vete. Dhe flinte me mua aq sa dukej ajsbergu i ëndrrës që më trazonte aq shumë nga brenda. Ajo që mund të shihni janë e shumta e fshehur që janë nën shpirtin tim, në subkoshiencën time artistike. Sa do të doja që së paku ky art i fshehur brenda meje do të ishte i gjymtuar, sepse do të mbetej përherë e gjallë ëndrra dhe shtysa e madhe për më tej. Mos vallë do t’më largohej edhe ëndrra? Jo, unë prandaj erdha në dyert e Aja Sofisë, të paktën të mbaja gjallë ëndrrën time të përveçuar…
Me që e nisa me Aja Sofinë dhe dorën e dheut tek Qyprilinjtë, pashallarët e mëdhenj dhe sadrazemët e Perandorisë Osmane, më duhet të them se para ndërtimit të katedrales Seville në Spanjë, për më shumë se 900 vjet, Aja Sofia vazhdoi të ishte më e madhja në botë. Perandori bizantin Justiniani I, që i kishte rrënjët dhe pá dritën e diellit në rrethinat e Shkupit, urdhëroi ndërtimin e saj në vendin ku më parë ishin dy kisha të tjera, të cilat qenë shkatërruar me themel nga luftërat e njëpasnjëshme. Dy arkitektët e saj, Isidori dhe Anthemi, të cilët kishin prejardhje greke, patjetër që duhej të kishin qenë më të talentuarit e asaj kohe. Nën çatinë e kësaj godine qenë kurorëzuar perandorët bizantinë për shumë shekuj me radhë. Brenda përbrenda, aq masive sa ishte, ajo mund të krahasohej me vetë Panteonin apo edhe Katedralen e Shën Pjetrit në Romë. Aja Sofia kishte galeritë e saja edhe në katin e sipërm, ku shkohej duke ngjitur shkallët përmes një korridori të ngushtë shtruar me gurë mermeri shekujsh të vjetër, që nga koha e ndërtimit të saj. Gurët dhe mermeri i përdorur në ndërtimin e saj vinin nga Egjipti, Siria, Thesalia e Bosfori. Ngado. Se Aja Sofia u përkiste të gjithëve.
Arkitektura e përmasave të mëdha ishte një krijim përplot fantazi. Por me siguri arkitekti thoshte me vete se ajo do të paguante një haraç të rëndë. Po megjithatë asnjëherë nuk përshtati por si krijues fin zbatoi ligjësitë bazë të arkitekturës me domethëniet që i zotëronte ai dhe askush tjetër. Pa maska, pa farsë, pa dyfytyrësinë e asaj që luhej përditë, pa fytyrat e vërteta që humbën në luftën për famë. Çfarë lavdie fshihej në gjirin e Aja Sofisë? Megjithatë ajo i shikonte në sy vizitorët edhe ashtu e plakur, me një drithërimë kumbuese, sigurisht pa brejtje të ndërgjegjes, sepse kurrë nuk kishe gënjyer, askënd, ndaj dhe i shihte në sy vizitorët dhe krenohej, pa e humbur kuptimin e të vërtetave të historisë. Ku janë sot ëndrrat për një Aja Sofi të përjetshme në brigjet e Bosforit, ku?…
Vazhdoja të vëzhgoja me intensitet e durim çdo gjë. Tek e fundit Qyprilinjtë e famshëm aty e kishin marrë bekimin, apo jo? Ja, Mihrabi, vendi orientues që tregon drejtimin e Qabesë në Mekë, është zhvendosur pak në të djathtë të murit ballor, si për të prishur simetrinë me vijat e tjera arkitekturore. Tek e fundit konvertuesve kjo u mbetej e vetmja rrugëdalje për të bërë orientimin e saktë drejt Mekës. Anash tij gjendej Minbari, vendi ku imamët hipnin për të ligjëruar në ditët e shënuara. Jo larg mihrabit dhe minbarit, ngritur sipër kolonave të gdhendura mjeshtërisht, gjendej oda e sulltanit. A do të kenë ndenjur në këtë odë Qyprilinjtë bashkë me famën e tyre? Një nga kthinat e katit bazë kishte shërbyer edhe si bibliotekë e sulltanit. Rrezet e ndrojtura të diellit që depërtonin diagonalisht nga dritaret e shumta të kupolës dhe të mureve, krijonin një atmosferë thellësisht mistike. Vlejnë të përmenden edhe «Porta e mermertë» dhe «Kolona e dëshirave», në birucën e vogël të së cilës vizitorët fusnin gishtin duke shpresuar në plotësimin e dëshirave të tyre. Edhe unë e futa gishtin. Tek e fundit muze përrallash ishte, pse jo!
Pastaj vinte befasia e këtij monumenti: larmia e ikonave të krishtera, përzier me shkrimet islame. Eh, sikur të ishte kështu gjithandej nëpër botë e të mos kishte ndarje e përjashtime këmbëngulëse mes njëra-tjetrës, siç kanë ekzistuar pothuaj që nga lindja e këtyre besimeve. Është rrëqethëse dhe tepër e dhimbshme të kujtohen gjithë luftërat, betejat, shkatërrimet e lumenjtë e gjakut që u derdhën në emër të besimit për shekuj të tërë. Kam frikë se kjo ende po vazhdon të ndodhë edhe tani e kësaj dite.
Një nga ato gjërat e mëdha që dukeshin se nuk i shihte njeri por që ndriçonin fort, sidomos brenda secilit, një luftë e paparë që nuk fshihej kurrë as nga heshtja e gjatë, as nga urimi e as nga mallkimi, nuk jetonte as në fjalët galante, as në ndonjë kryevepër shprehjeje elegante e të hajthme, edhe kur qenë tejet miqësore e të ngrohta, që nuk shfaqeshin kurrë drejtpërdrejt, sepse gjithmonë qenë të zëna me punët e paqes e të luftës. Dhe kur mbetej në kotësinë e ditëve pa kufi, pa hollësinë e zbardhjes së ditës dhe daljen e diellit, pa lindjen mes gjakrave të reve, i rrethuar nga e bukura e sfilitur, vjen dhe u kumton njerëzve të botës një bashkëjetesë siç duhej ta lakmonte çdo njeri me mend në kokë dhe të bisedonte shtruar edhe me ne, të sotmit, me tharmin që sigurisht trondit shpirtin.
Por ky monument i jashtëzakonshëm na sjell kaq pranë gjeniun Mimar Sinani i njohur më shumë si arkitekt Sinani, pikërisht ai u ngarkua me konvertimin e saj në xhami. Ai i shtoi dy minare të tjera dhe vendosi hënën e artë sipër kupolës. Si unë ka qenë Arkitekt Sinani, shqiptar. Fama e tij do të mbetet përjetë e pashuar.
Në oborrin para ndërtesës po shoh şadirvan-in ose fontanën për rituale. Ç’ritual mund të kryeja këtu? Veç mendja me rrinte tek Arkitekt Sinani dhe gjithnjë do të sillja në mendje këtë shqiptar të madh. Ayasofya Müzesi mbetej një monument madhështor dhe ikonë e Stambollit. Nuk e di i sa milionti jam që e vizitoj. Dhe sa miliona të tjerë do t’i thonë lutjet dhe dëshirat e tyre intime këtu…
Në anën tjetër të rrugës më përmendi rezervuari i bazilikës «Basilica Cistern», që në turqisht njihet Yerebatan Sarayi (Sarajet e fundosura). Një monument i ndërtuar me urdhër të Justinianit I, më i madhi nga qindra syresh në nëntokën e Stambollit, e cila dikur kish furnizuar me ujë pallatet e Kostandinopojës, e më vonë edhe Top Kapinë. Mbulesa e tij mbahet nga 336 kolona të mermerta me lartësi nëntë metër e të radhitura në dymbëdhjetë rreshta. Në një qoshe të cisternës, dy prej kolonave ngriheshin sipër kokave të kthyera mbrapsht të Meduzës. Më vjen mirë që vepra i përket kohës së Justinianit, i cili besoj e ka bërë për t’iu kundërvënë mitologjisë prej nga rridhte edhe figura e Meduzës…
E ndieja këtë që kjo vepër s’mund t’i shpëtojë kurrkujt që vjen në Stamboll. Aq më tepër që ndryshimi i mëvonshëm ishte mjaft i qetë, deri sa gjithçka u bë katakomb. Se edhe shenjat e lëna nga shekujt kërkojnë përputhje me shijet. Ca të vërteta të jetës nuk i thonë dot kurrë monumentet. Një grup turistësh nga Japonia nguten dhe duan të shohin detaje të imta. Dhe bisedojnë me zë të ulët. Me sa duket e kanë mjaft të zhvilluar të dëgjuarit. Një çift të dashuruarish rrinë-rrinë e puthen lehtë por gjithnjë, si nën një ritëm muzikor. Monumenti fiton një gjallëri të përsosur dhe zërat edhe pse pëshpërima fitojnë një muzikalitet të çuditshëm.
Atë çast vë re edhe Hen’s Eye Column, kolonë e gravuar në gjatësinë e saj në formën e lotëve. Ndjeva një therje të fortë në stomak dhe u ndërmenda që në disa tekste të lashtësisë thuhej se ata rridhnin nga dhembja për skllevërit që vdiqën gjatë ndërtimit të cisternës. Shtatë mijë skllevër qenë detyruar për ndërtimin e saj… Me kokën pas u larguam nga kolona e lotëve. Dolëm në rrugë që ndodhej pranë cisternës e që të çonte në tregun e vjetër të qytetit, emërtimi i të cilit merrte kuptimin shqip «Tregu i mbuluar». Kapaliçarşi një nga tregjet më të vjetra në botë, më ngazëlleu. Qytetet shqiptare vdesin për të pasur tregje të tilla. Janë si të thuash të prera! Unë e ndiej këtë më mirë se kushdo. 1461. 1977. Brenda tij janë mbi tremijë dyqane të shpërndarë nëpër gjashtëdhjetenjë rrugica e korridore. Mbetëm aty gjithë pjesën tjetër të ditës…
Do të gdhihej një ditë tjetër, po aq e bukur dhe e nxehtë sa e mëparshmja. Xhamia madhështore e njohur Süleymaniye Camii e vendosur në kodrinën e tretë të Stambollit (se edhe Stambolli i vjetër, Kostandinopoja, ka po aq kodra sa edhe Roma, Jerusalemi, Meka, Berati dhe Jerusalemi) vrojtuar nga ura e Gallatës në kodrinën përballë, mundësonte një pamje të mahnitshme, të rrallë, saqë mbeteshe pa frymë. Përsëri emri i të madhit Arkitekt Sinani dhe bashkë me të Sulltan Sulejmani i Madhërishëm. Përtej mureve të xhamisë ndodhej varri i arkitektit të famshëm, ndërsa brenda oborrit ndodhej tyrbeja ku ishte varrosur vetë sulltani që urdhëroi ndërtimin e saj.
Ah, do t’më mbetet peng kjo, nëse nuk do të vendos një karafil tek varri i arkitektit të madh. Kur të largohesha së andejmi do të bëja një gjest të përveçëm, sikur të hidhja gurin pas. Një rit. Që do të thotë se do të vija sërish, por unë nuk erdha më në Stamboll. E ndjeva që ishim i njëjti gjak i trazuar, i pastër në gjithçka, që ecnim kundër kohës dhe prisnim të përkëdhelur nga fati… I krisur duhet të ketë qenë Arkitekt Sinani, se nuk ka gjeni që të mos jetë i tillë. I krisur vërtet, por sidomos prej poezisë që vlon në shpirt. Siç ndodh me mua. Më vijnë vargje vetiu dhe pastaj dalin figura, fshehur pas kureshtjes, që doemos duhet të ketë qenë pronë e jashtëzakonshme e Arkitektit…
Gjithnjë më ka ngacmuar ideja për ta njohur Perandorinë Osmane që fillon me Osmanin I Osmanli Hanedani. 1299. 1922. Deri tek Ataturku i famshëm me origjinën e tij shqiptare. Dhe mbetesha tek Sulejmani i Madhërishëm, që s’mund të harrohej kurrë me pushtimin e Beogradit, të Hungarisë, të Rodosit dhe u ndal në portat e Vjenës (1529), me Rokselanën e famshme të cilën historia e njeh me emrin Hürrem Sultan, duke thyer tabu dhe tradita të pacenueshme më parë.
A mund të harrohet kjo magji e Stambollit, vallë? Po aty lëviz dhe një daltë skulptori që ma gdhend në shpirt qytetin e madh, gjer dhe detin e veçantë gjithnjë të përsosur, këtu ngre krye edhe temperatura e lartë që bart me vete shpirti im si piktor, endur nëpër kalldrëmet që e di mirë se i kanë shtruar shqiptarët, hapësirat e pamatshme të shtëpive, detit, parqeve dhe sidomos hapësirat shpirtërore, ku më në fund pikëllon dhe poezia e përzishme te goja që s’shprehet dot, veçanërisht te loti që duket si i grisur dhunshëm. Te ky qytet i mrekullueshëm, ka një harmoni divine që s’të shqitet nga mendja. E ndieja se nuk isha i qetë në Stamboll. Diçka nuk shkonte ose ecte në të kundërt. Thonë se me artistët ndodh kjo pakënaqësi, dhe nuk është gjë tjetër veçse një përgjim i vetes, një luftë e brendshme…
A mund t’ia numëroj vetes gjithë meditimin tim jo pa komplekse për Sulejmanin e Madhërishëm? Është pikërisht ky burrë që vuri nën kontroll dy vendet e shenjta, Mekën dhe Jerusalemin, ku rivendosi kupolën e Dome of the Rock në kodrinën Al-Haram al-Sharif, e cila besohet të ketë qenë vendndodhja e Tempullit të Solomonit. E kam peng edhe Mekën edhe Jerusalemin. Të paktën t’i kisha parë për shtatë kodrat e famshme, për muret rrethuese të Jerusalemit, për rinovimin e Qabes në Mekë dhe ndërtoi kompleksin madhështor në Damask.
Stambolli kishte shumë skalitje, dashuri dhe penel të hollë. Gjithçka aty qe punuar hollë e me ndjenjë. Në gjoks më vlonte një melodi e bukur, një këngë që ngazëllehej në kordat e zërit. Jo, unë nuk e kisha atë regjistër zëri, ndonëse muzika për mua ka qenë një magji më vete. Nuk e harroja kurrë që portat e tij i ruante Cerberi! Stambolli të tundonte drejt një lajthitjeje të bukur, aty kishe neps të madh për një art të tjetërfartë, diçka e dalë nga udha e mbarë dhe çdo çast mund të përballesh me një të papritur, plot pandehma dhe se s’mund të shpëtoje pa të pikasur. Në Stamboll asgjë s’ishte e pamundur, ndonëse ishe në një hapësirë krejt të pamundur! Masakra, kjo e trembte Stambollin. Terrori ishte gati të shkrehte armët. Dhe këta zëra të kallnin datën. E pashë Stambollin dhe me
pëlqeu shumë. Do të doja të isha çdo çast aty.
Stambolli për shekuj të tërë është udhëkryqi kryesor i gjithë globit. U dogj, u rindërtua, u rrënua, prapë u ndërtua, e kështu historia u përsërit po me këtë ritëm aq shumë herë, sa njeriu lodhet vetëm duke i përmendur ato. Që këtej shikoje tërë Anadollin, një territor që shërbeu edhe si qendër religjioni, arti e kulture. Shtatë kishat e apokalipsit të përmendura në testamentin e ri, që të gjitha gjenden në pjesën e Egjeut: Ephesus, Smyrna (Izmir), Pergamum, Thyatira (Nazilli), Sardis, Philadelphia (Alaşehir) dhe Laodicea. Me Anadollin janë marrë jo vetëm perandorët, po edhe profetët. Madje ekziston dhe një profeci ku Muhamedi (a.s.) përmend prijësin që do të arrij të pushtojë Kostandinopojën, duke bërë lavdërime për të dhe për ushtrinë e tij…
E kush mund të pyeste, as të dëgjonte për këto fabula të mëdha që më ngacmonin dhe më jepnin një krenari të vetëdijshme, pa pikë hakmarrjeje, pa ndonjë dënim misterioz a të drejtpërdrejtë. Stambolli ruante gjithnjë një buzëqeshje aq të ngrohtë. Aty ndieje mall, shumë mall dhe s’ngopeshe dot kurrë me të edhe po të ishte i shkatërruar, edhe i mbushur me zhurmë dhe lypës, siç ndodh gjithmonë. Dhe u gjenda përballë xhamisë Blu! Disa herë mbeta i bllokuar nga pamja e mahnitshme, madje më binin lotët duke e parë çdo gjë si shpirt të gjallë e të vuajtur. Njëkohësisht ndieja një lloj krenarie që për breza të tërë, ndonëse kishin jetuar nëpër qoshe të Turqisë, prapëseprapë flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe vijnë këtu, te kjo hapësirë monumentale, si për të shfaqur një besnikëri të pashoqe të traditës së të parëve. Këtë unë e ndiej më shumë se kushdo tjetër. Se edhe unë rroj në dhe të huaj. Mes atyre burrave e grave ndihesha si në shtëpinë time. Dhe i ruaj vetes të drejtën të krenohem me Hasan Tahsinin, rektorin e Universitetit të Stambollit, shqiptari çam nga rrethi i Filatit, dijetari i shquar, i shkolluar në Paris, një ndër të parët freemason shqiptarë, astronom, matematicien e filozof. Sigurisht më bën aq të mahitur Sami Frashëri, i cili zë vend qendror edhe në enciklopeditë turke për kontributin e tij në fushën e letrave dhe të filozofisë. Veprat e tij janë të shumta dhe numërojnë novela, përmbledhje proverbash e citatesh, mendime filozofike e vepra të tjera, të shkruara në shqip e turqisht. Biblioteka e tij personale numëronte rreth njëzet mijë tituj. Domethënë, Frashërllinjtë kishin vendosur që patjetër të linin gjurmët e tyre, në një apo në mënyrë tjetër. Vëllai tjetër i Samiut me të drejtë konsiderohet si babai i letrave shqipe, me veprat e tij monumentale me të cilat edhe unë vetë jam rritur. Naimi jetoi e vdiq në lagjen Kadiköy të Stambollit.
Kemi histori ne e jo fjalë… E kam këtë ndjesi ndoshta nga malli. E di që jam i sëmurë nga ky mikrob i rrezikshëm. Dhe këtë ma jep edhe Stambolli aq fin që i zgjedh erërat, frymën e detit, shtatë kodrat e Kostandinopojës, përkorjen e rrallë që vështirë se mund ta gjesh gjetiu, ja ç’të bën! Stamboll. Mund t’i dorëzoheshe mbase edhe çuditshëm, mund të hiqje dorë nga përulësia e lartë për skenat e jetës së tij të veçantë, dhe përsëri mbeteshe rob i kësaj dëshire fillestare të nxehtë, thjesht për t’i shprehur dashurinë! E kush tjetër mund ta bënte këtë veç meje! Kjo ëndërr që s’u bë e plotë, më dhuronte entuziazëm, më jepte zë, sa dukej që po ia hyja asaj rruge të bukur po aq të thepisur për herë të parë…
Para meje Stambolli rendiste bijtë e familjes Frashëri, me gjithë kontributin e tyre të pashoq për atdheun, të «nëmur» të vdisnin larg dheut të lindjes. Vëllai i tretë, Abdyli, pati të njëjtin fat sikurse më vonë edhe dy figurat e kohës së pavarësisë së Shqipërisë e të luftës së dytë botërore, Mehdi Frashëri e Mit’hat Frashëri. Po edhe, Mit’hat Frashëri i njohur në letërsi me pseudonimin Lumo Skëndo, ishte i biri i Abdylit, ndër të tjera, ai ishte edhe themeluesi i Ballit Kombëtar. Po të më duhej të zgjedhja pak figura të historisë sonë të cilat më kanë impresionuar me veprimtarinë dhe intelektin e tyre, mbase padyshim do të zgjedhja Hasan Prishtinën, Mit’hat Frashërin e Ahmet Zogun. Me qëllim do e fusja Mit’hatin në mesin e dy të tjerëve, e kjo natyrisht sa për të qetësuar mëritë mes tyre. Mbi dyzetmijë librat sa ç’kishte në librarinë e tij, me testament ia kishte lënë dhuratë institutit albanologjik, institut ky që atëherë as që ekzistonte, por që ishte një dëshirë dhe ëndërr që ai të themelohej. Dhe janë një plejadë e tërë emrat e shqiptarëve të mëdhenj, që janë edhe dashuria ime për të ardhur përplot krenari tek epiku i madh Ismail Qemali, burri që na dhuroi pavarësinë kombëtare. Si hije nëpër Stamboll kalonte Skënderbeu ynë. Historia jonë kombëtare e ka një zemër edhe këtu në Stambollin magjik.
Do të doja të isha mik në lagjet e Stambollit nga Karaköy, emri modern i Galatës, i cili gjithmonë kishte qenë çerdhe për popujt jo-turq, grekë, armenë, hebrenj, venecianë a gjenovezë. Ajo ishte pjesë e distriktit të quajtur Beyoğlu, ku gjendej edhe rruga e famshme Istiklal, e cila përherë qëndronte e vërshuar nga turma të shumta shëtitësish. Në lagjen Beyoğlu shtrihej edhe sheshi më i njohur i Stambollit, Taksim, një shesh shumë modern me parkun Taksim Gezi Park fare pranë tij. Pak para se të vija këtu u njoha edhe me «masakrën e sheshit Taksim» të këtij viti (1977). Një tmerr i vërtetë. Asgjë s’i kish mbetur masakrës, por hija e saj endej para syve tanë.
Po të kesh qenë ndonjëherë në këtë shesh dhe park të mblidhet zemra grusht e do të pëshpëritë: jo, jo, këto skena m’u imponuan, këtu njerëzit e ardhur mbetën pa fjalë, këtu mbaron çdo gjë, këtu u luajt skena e fundit e një filmi të madh, që u përkëdhel me plot fjalë të bukura. Sepse e di, talenti nuk të imponohet, edhe përbindësh po të jesh, ndonëse ky bie më lehtë se të tjerët në dashuri. Sa do të doja të mos përsërisja fjalët që s’më pëlqenin, gjërat më kriminale që i bëheshin popullit dhe vendit tim duke u bërë nyjë gordiane edhe e subkoshiencës artistike.
Jeta e natës në Stamboll nuk do të ishte e njëjtë pa rrugën e famshme Istiklal Street dhe sheshin Taksim, gjersa për tregtizat me pohe të qytetit njihen Nişantaşi. Një rrugë tjetër që konsiderohej ikonë origjinaliteti e qytetit, nëpër të cilën makinat prej kohësh nuk ishin të lejuara të qarkullonin, ishte e ashtuquajtura Soğukçeşme sokaği (Rruga e Burimit të Ftohtë), e cila ndodhej jo shumë larg sheshit Sulltanahmet.
Dhe ndërkaq mendoja për Italinë, Kapelën Sikstine, afresket e Mikelanxhelos, skulpturat e famshme, Rafaelon, e pastaj dilja te rruga ku banoja në Milano, sillja në mendje shëtitjet e gjata, udhëtimet artistike, në Romë, Venecia, Firence dhe, pasi shuaja zjarrin e madh, merresha edhe me hirin, mallin për këtë që shihja tani, kjo magjepsje e rrallë, së cilës prej kohësh i isha përkushtuar me një tjetër dashuri dhe gjithçka do të jetësohej në totemin tim të veçantë «Stambolli». Isha gati të flakja çdo gjë në rrugë, por më dhembte shpirti i tjetërsuar në lot. Ja, ai loti ishte prania e vërtetë në Stamboll, që gjithë shqiptaria e quan kryeqytet i vjetër me zemër shqiptare. A do të ndahesha dot prej tij? Kisha një parandjenjë se nuk do të takoheshim më dhe më dukej se po ndahesha me rilindësit e mëdhenj me mbi gjashtë milionë shqiptarët e Turqisë, që u detyruan të rriten me gjuhën shqipe thellë zemër. Një imazh i çuditshëm dhe i çmuar. Po fshija lotët.
Dhe mbeta tek muret fortifikuese të Kostandinopojës «që ishin ndërtuar prej Kostandinit në vitin 330, ndërkaq ato që përfshinin një rreth më të gjerë të kodrinës historike, qenë ndërtuar nga Theodosi II rreth një shekull më pas. Gjatë historisë së ekzistencës së këtyre mureve, ato qenë thyer vetëm dy herë, së pari nga kryqëzata e vitit 1204 dhe së dyti nga trupat e Sulltan Mehmet – Pushtuesit. Disa nga portat njiheshin me emra, si Yeni Mevlevihane Kapisi (Porta Rhegium), Tabak Kapi (Porta e Krishtit), Altin Kapi (Porta e artë ose në latinisht Porta Aurea), Belgrad Kapisi (Porta e Beogradit), Topkapi, në kuptimin e portës së topave (Porta St. Romanus), Hüjum Kapisi – Porta Sulmuese, Edirnekapi, që kishte kuptimin «Porta e Adrianopolit» (Porta Charisius) e të tjera syresh, por disa nga to tanimë ishin të murosura.»*
* Guida Istambul, 1977
Stambolli. Më hanin duart të isha sa më parë në studion time të ndezur. E dija: të nesërmen do të isha atje, në Milano, madje do fluturoja mbi atdheun tim, ndoshta edhe mbi Ishëm. Një dyzim i pranuar më pushtoi papritur. Do të kisha një mall tjetër të ri më shumë në jetën time. E ndieja veten të dorëzuar, të nënshtruar e të bindur përballë gjigantit me emrin Stamboll.
VENECIA, MARKO POLO, VIVALDI,
KAZANOVA DHE UNË
«Ibrahim Kodra ka pikturuar muzikën e tij, mbretërinë e tingujve të flautit që revokojnë nga shumë larg mbretëritë e muzikantëve të Pikasos… i pëlqen të qeshë me dikë, të indinjohet me dikë tjetër, por asnjëherë nuk qëndron indiferent. Suksesi i tij është mjaft i madh dhe i mirëpublikuar .» (Nice-Matin 1958) MAX BOURDIN
Nuk kisha qenë asnjëherë dhe e mbaja mend sikur kisha qenë gjithmonë! E çuditshme kjo ndjesi, por sidomos Venecia e mrekullueshme ta ngjallte me atë fjongon e hollë hedhur qafës si qiqërimë shkëlqimtare që buiste në mendjen time. Pastaj flokët e gjatë kredhur në ujërat e Adriatikut Verior, me Canale Grande si bisht kali hedhur mbi shpinë dhe më tej me shallin e bardhë rreth e qark qafës dhe gushës, rrahur nga rrezet e ndritshme të diellit. Kështu e përjetoja: njolla të florinjta endur kudo, vija të zeza që e thyenin bukur, zhvendosur dhe mbetur aty në det si një ishull sfidues, që dukej sikur ecte pambarim dhe era (ah era e Venecias!) me një uturimë të mprehtë metali, një shije e tjetërfartë futuriste që më përshtatej dhe më ngrohte, por që ishte krejt origjinale e nuk importohej nga tjetërkund. Dhe e vura re sa shkela atë mëngjes të paharrueshëm teksa ngashënjehej së brendshmi, prej një shpirti gjithmonë të ri. Dhe unë nisa të ecja më këmbë me hapin e gjatë e të shpejtë, duke m’u dukur se kisha një profil ndryshe, nga ato që nuk e zemërojnë kurrë Pikason, idhullin tim. Nuk kisha asnjë pasues të më ndiqte, pa e ditur se do të gjeja strehën e Marko Polos, udhëtarin e panginjur me dherat që shkeli duke rrahur rrugën e çmuar të mëndafshit, padyshim nga njerëzit më të mëdhenj të botës, njeriu i veçantë me shpirt modest. Pastaj do të gjeja strehën e largët të Vivaldit që sigurisht kishte një sy shpues e të ëmbël që i jepej kujtdo shikimi tjetër që e lakmonte. Një shpirt që as isha mësuar ta shihja, as do ta gjeja më tjetërkund në këtë botë, se ai ishte një soj artisti të cilin e lakmoje gjersa mbeteshe i kredhur në dashuri. Pastaj do të gjeja Kazanovën që prej famës dhe bukurisë dukej më i afrueshëm se kurrë, po ama edhe kaq i brishtë sa të dukej se edhe briza më e lehtë do ta thyente. Ndërkaq ai do të qeshte me natyrshmërinë e një dielli, do të thosha me natyrshmërinë e një bandilli që del nga një re (shtëpi) dhe ndriçon pafajësisht… Do t’i merrja thjesht në krahë që të shëtisja nëpër Venecia dhe të katërve bashkë do të na puthnin sytë e njerëzve të shumtë. Të katër, domethënë unë dhe tre personalitetet e famshme të lindur në Venecia: Marco Polo, Antonio Vivaldi e Giacomo Cassanova (Xhakomo Kazanova). Qyteti sikur të qe bekuar nga kjo treshe, me të mirat materiale e njohuritë e Marko Polos, me dashuritë dhe seksin e shfrenuar nga Kazanova, e gjithë kjo natyrisht nën tingujt e muzikës së Vivaldit. Nën këtë qiqërimë endej edhe Bienalja jonë e parë në Venecia, ku do të ktheheshin herë pas here.
Padyshim ndër njerëzit më të famshëm me origjinë veneciane mbetet Antonio Vivaldi. I lindur në vitin 1678, ai qe pagëzuar në kishën San Giovanni Battista i Bragora që ndodhej në Sestiere di Castello. Vivaldi para së gjithash ishte violinist e kompozitor, por ai njëkohësisht ishte edhe mësues e prift. Venecianët e thërrisnin Il prete rosso, që do të thoshte Prifti i kuq, kjo sipas ngjyrës së flokëve të tij. Ai kompozonte koncerte instrumentale për violinë, por edhe për instrumente të tjera muzikore. Krijoi mbi 46 opera, ndër gjithsej shtatëqind vepra muzikore të thurura mjeshtërisht siç dinte vetëm ai. Krijimi më i njohur i tij padyshim mbetet concerto për violinë, Le quattro stagioni.
Ai njeri, Vivaldi, veç muzikës, ishte i vdekur për dashuri. Këtë e thoshin të gjithë, jashtë fantazisë, me njëfarë zilie të bukur, pa helm dhe e endur ëmbëlsisht. Kushdo do të krenohej po ta zotëronte këtë zili përkëdhelëse. Ai, Vivaldi, dhe dashuria, era e qetë – fllad i papërsëritshëm, ishin gjithnjë bashkë edhe pse nuk do të endeshin në Venecia. Ai gëzonte famën, po dashuria e mbante pranë, ai endte muzikë me duart e famës, kurse ajo – dashuria e përkëdhelte në çdo stinë e qelizë. Gjithnjë kish vend për të dy, atëherë muzikanti i madh i tha vetes të modifikonte famën! Dhe e bëri, sepse qe e pamundur t’i nxinte të dy dhe për më tepër të mjaftonte për të dy. Muzika ia krijoi këtë mundësi si një absurd i bukur. Dhe unë që muzikën e ruaj si pranverë të shpirtit vajta në shtëpinë e tij: mobilie të rënda, aspak të vjetruara, me një grimë habie që s’binte në sy, me shtroja të pazakonta, të rralla, me një tryezë të ulët buke, me dy karrige të vetme (ai dhe dashuria!), dhe… përplot piktura të vendosura kudo. Dhoma e gjumit me një atmosferë aristokratike dhe sidomos me një intimitet të pazakonshëm. Aty kishte Petrarkë (dobësia e ime) Dante, furtunë romancierësh të mëdhenj që nuk të binin dot në dorë. Vivaldi me ankthin e tij të çuditshëm, për të cilin askush s’duhej t’i fliste, ndryshe bëhej hataja.
Le të kthejmë fytyrën tani te Katër Stinët, ajo melodi instrumentale që të pushton krejt dhe menjëherë, me aq sinqeritet dhe fuqi të habitshme, sa edhe po ta dëgjosh me qindra herë më pastaj, nuk ngopesh dot duke e ndjerë me tërë qenien, ashtu si edhe herën e parë. Padyshim ajo vazhdon të mbetet një ndër meloditë më të preferuara të miat nga muzika klasike, e sidomos kompozimi për vjeshtën. Ato i pëlqejnë shumë edhe mikes sime të re. E dëgjoj gjithnjë me mend, e pëshpërit në buzë, ndjek ritmin e saj kudo që jam dhe instinktivisht më mbyllen sytë dhe më bëhet sikur jam në operën e Vjenës. Dhe për çudi edhe gishtërinjtë e mi, natyrisht jo aq të gjatë, jo të lindur për të luajtur në piano, por ama në mundin tim prej piktori, janë goxha të fortë, lëvizin herë poshtë e herë lartë, herë majtas e herë djathtas, herë rrëmbyeshëm e herë plot ledhatim. Unë shkrihem i tëri nga tingujt që shpërndahen gjithandej nëpër kthinat e vetes sime.
Venecia, ndërkohë, është perandoresha e një bukurie sqimatare dhe aq shkëlqimtare, një përkëdhelje absolute e shpirtit. Vjen te Shën Marku, dhe aty mes pëllumbash, përballë një sheshi të rrafshuar nga njerëzit dhe dashuria e epërme, sikur hapet libri i trashë i historisë, vepra e madhe e njerëzimit dhe era që kuis e vrapon më reciton pjesët më të thekura, tragjeditë e mëdha dhe komeditë që i shoqërojnë ato. Sa e bukur vjen kështu historia, sa ekspresive bëhet, sa delikate dhe e fuqishme, dhe shkon menjëherë në shpirtin e Vivaldit të madh menjëherë, pa pikën e kontradiktës. Aty janë burrat dhe gratë e gjithë botës me fëmijët nëpër këmbë. Më duket se përballë nesh dhe Shën Markut po del rrëmujshëm Napoleon Bonaparti për ta ngatërruar edhe më keq botën. Ndërkohë Vivaldi shkruante poezi. Por ama Vivaldi i madh, muzika ime e shpirtit të qetësuar, ishte një muzikant që lexonte, një artist me ambicie të egër, një demonstrim i rrallë i asaj që njohim. Askush nuk e njihte shpirtin e tij të thellë, sepse ai nuk përmendte asgjë në bisedat e gjata me miqtë. Çdo ditë punonte për përkryerjen e muzikës dhe të dashurisë, heshturas, me ngulm, duke ruajtur kurdoherë masën dhe freskinë…
Në fillimet e karrierës së tij, Vivaldi kompozoi operën e quajtur Arsilda, regina di ponto, që kishte të bënte me një dashuri mes dy femrave, Arsildës dhe Liseas. Opera fillimisht qe censuruar për shkak të kundërshtimeve nga aristokracia e asaj kohe, por megjithatë vite më vonë Vivaldi arriti ta jetësonte atë në skenë.
Shqiptarët me Vivaldin kishin gërshetuar rrugët e tyre në kohën kur ai ishte në kulmin e sukseseve të krijimtarisë së tij, meqë gjeti kohë t’i kushtonte një vepër muzikore heroit të fqinjëve matanë Adriatikut, Skënderbeut. Madje disa historianë të muzikës flasin edhe për një vepër tjetër frymëzuar nga luftërat e Skënderbeut, e që qëllon të jetë Pranvera, pra njëra nga pjesët e veprës më të njohur të tij, Le quattro stagioni. Padyshim që shqiptarët dhe Skënderbeu ishin me fat që Vivaldi u kujtua për ta, sepse dyshoj që në atë kohë të kishte ndonjë instrument tjetër në trojet arbërore, përveç ndoshta lahutës e ndonjë fyelli. Vivaldi për pak kohë shkoi edhe në Romë për të luajtur në sallonet private të Papë Benediktit XIII, ndërsa më vonë ai u shpërngul në Vjenë. Fillimisht thuhet se atje pati sukses, por megjithatë vite më pas vdiq në mjerim e varfëri, në moshën 63 vjeç. Fatkeqësisht mbeti në harresë për një kohë të gjatë, madje gjer në vitet 1920 kur rastësisht u rigjetën veprat e tij…
Se ka pjekuri të krijimtarisë dhe kjo është natyrshëm
freski, si pranvera dhe Skënderbeu, edhe pse kjo qëlloi të jetë fatale për Vivaldin si artist. Kur interpretohej pjesa Pranvera që nënkuptonte Skënderbeun, pikërisht kjo përpjekje e vazhdueshme që bënte për të ruajtur freskinë e shpëtoi nga pllakati që krijon një hero të madh evropian si Skënderbeu, duke e sjellë figurën racionale në natyrshmërinë e karakterit, por gjithnjë me një besueshmëri emocionale. Dhe të mbetet në mend çdo notë muzikore, çdo tingull, sepse kompozitori po ngjizte diçka të rrallë, fenomenale, duke u bërë në një farë mënyre shpëtimtar i tij. Ai e zhveshi Skënderbeun nga shtampa, i dha individualitet, natyrshmëri, e bëri të afërt, njerëzor thjesht me tingujt muzikorë. Mos vallë e dua thjesht për këtë? Jo, kurrë!
Dhe mua më vjen me përfytyrim të rrallë Venecia: me shallin e gjatë e të bardhë prej mjegulle e drite, hedhur qafës dhe përkëdhelur nga era e brishtë, nanuritur nga rrezet e diellit, herë-herë me drita ylberi, sërish i bardhë, i zi, blu, i kuq, i verdhë, që i valëvitej sa andej-këndej, një frymë e gjallë që vjen së jashtmi, aq shumë ekspresive sa të llahtaris, me përplot shqetësim krejt artistik. Venecia u bë totemi im ajror…
Totem për mua u bë edhe një tjetër figurë e njohur që lindi në Venecia: Xhakomo Kazanova. Më gjeni një burrë të madh a një grua të bukur që nuk e njeh atë njeri, atë xhind, kryesisht për bëmat e tij si «mik i grave», kur në të vërtetë ai ishte një intelektual i rrallë që shkroi mbi dyzet libra gjatë jetës së tij. Ai filloi studimet në universitetin e Padovës kur ishte vetëm 12 vjeç, për t’u diplomuar si 17 vjeçar në lëmin e drejtësisë. Ai gjithashtu kishte nxënë njohuri në filozofinë morale, kimi e matematikë dhe ruante interesim për mjekësinë, megjithëse asnjëherë nuk arriti të studionte për të. Sidoqoftë, ai shpesh do t’i përshkruante vetes e madje dhe miqve e familjes së tij barëra terapeutike. Ndërkohë, duke pasur parasysh jetën e tij prej një seks-maniaku, ai do ta pësonte. Sifilisi, kjo sëmundje veneriane, si duket e ka përcjellë njerëzimin që nga hapat e parë, e mbase që nga faji me mollën në kopshtin e Edenit.
Kazanova! Atë (edhe atë!) e ndiqte pas një shpurë e larushitur gazmore, kështu e përfytyroj dhe më trondit thellë kjo fuqi e përbindshme, një sprovë që mezi ia kapërcej vetes, dhe më vjen ndërmend një çast që mund ta thyente përfundimisht jetën time. Ai çast e ka emrin grua. Vajza qe asaj mbrëmjeje ishte me mua, të cilën e doja me shpirt, më thotë: Ibra, më shtrëngo! Më shumë! Po, më shumë! Më shtrëngo, pra! Dhe unë i mjeri e shtrëngoja derisa krisi i gjithë trupi i saj në duart e mia si panxha ariu. Dhe më mbeti në dorë. E mekur. Si e vdekur. Një vdekje prej seksit, prej dashurisë, si për shumë vajza e djem, që më vinin pas, më dëgjonin kur flisja dhe deheshin me idhujt e mi.
Kazanovën kurdoherë e rrethonin të rinjtë, aq sa e mësova nga shkrimet e shumta për të, ta përfytyroj gjithmonë ashtu, në moshën e rinisë së përjetshme, edhe kur të nisej për rrugë t’i tundte shaminë e bardhë të mjegullës e të dritës, Venecias së tij jo të zakonshme. Kur të kthehej pastaj nga rrugët e gjata, edhe pse me shijen e tradhtisë mjaft shenja degraduese të vesit që padashur ishte kthyer në virtyt që, së pari, të shpërblehet me trupin e flashkët, me rrudhat, me ecjen… Jo, jo, nuk e përfytyroj kurrë ashtu. Edhe kur t’i ndodhte ajo e tatëpjetë jete, nuk do ta ngushëlloja kurrë, sepse ai mbetet kurdoherë i ri në syrin e përbotshëm njerëzor. Asnjëherë ai djalosh i historisë s’u përvodh shkallëve dhe skenave, nuk e pranoi ndonjëherë gjëmën e moshës apo edhe të virtytit (se edhe virtyti ka gjëmat e veta!), e përfytyroj që e mban veten akoma edhe sot e kësaj dite, ndonëse s’mund ta ndalojë dot një të zbehtë që i shkon aq shumë dashurive të tij të pazakonta, megjithatë përplot brengë që nuk ia kanë lexuar dot edhe ekspertët e njohur të psikologjisë.
Vetvetiu ai u kthye në hermetik. Askush s’mund ta falte, e as ta kursente idhullin e rinisë, pse jo edhe idhullin tim, idhullin e gjithë bohemëve të botës. E ndiej heshtjen e tij, humbjen për një kohë të gjatë në rrugët e rrugicat e botës ku aroma femërore e dehte dhe e kthente edhe në fëmijë të vesit. Dhe Venecias, e shoh, i mungon diçka, një hije përplot dritë, e çuditshme që rri gjithmonë pezull mbi krenarinë e botës, edhe kur pranvera të shpërthejë me plot vajza të bukura. Ku të jetë Kazanova? Eh, ai do të ishte ende me studime kur të fillonte bixhozin, i kredhur në borxhe që student. Për shkak të këtyre borxheve si dhe për shkak të dashuriçkave të tij të pafund, ai paprerë do të ballafaqohej me ligjin, pothuaj gjatë tërë jetës së tij. Shumë herë i burgosur, i përndjekur prej kësaj magjie me emrin Venecia, si dhe në shumë qytete të tjera të Evropës, e prapëseprapë ai fluturonte, edhe në Mars do të shkonte, mjaft që atje ta thërriste engjëlli dhe djalli femëror, se do të krijonte marrëdhënie shoqërore edhe në dru e shkretëtirë, do piqej me personalitetet më të njohur të kohës, Moxartin, Volterin, Rusoin, Katerinën e Madhe të Rusisë e-plot-e-plot të tjerë. Njëherë, rrugaçi i bukur dhe fenomen, rastisi të vuante dënimin shí në katin e sipërm të Pallatit Dukal, por çuditërisht arriti të ikte…
E pyes veten sesa herë do ta përsëriste ritualin e tij njerëzor, kur do ta shihje befas të shfaqej për herë të dytë e të tretë e të pafund në të gjitha prapaskenat e historisë dhe sidomos të historisë së dashurisë, po qe se kjo do të shkruhej ndonjëherë. Sapo ishte dhënë premiera e një opere me sukses të bujshëm, që i kishte kushtuar një vuajtje të gjatë, gati të pafund, ndërkohë që financat e tij shkundeshin e troshiteshin rrugëve të Evropës nga njëri skaj në tjetrin. Kazanova nuk trembej, mund të bëhej ndoshta edhe i verdhë dyllë si çdo njeri i kësaj bote, duke pritur e përcjellë në breshërima lotësh të nxehtë. Edhe ikte, edhe kthehej përsëri! O, ç’fat, thoshin ata që i njihnin (atë e njihte gjithë Evropa!), jo, natyrisht jo për t’i dhënë zemër, po për ta shpëtuar nga e keqja që i zinte rrugën. Pyesnin veten të tjerë që mbetën diku, të hutuar, pse jo edhe në kaos, e se mund të degjeneronin ndryshe në një duel apo në një pritë të vërtetë. Jeta e Kazanovës siç e pranon edhe vetë në shënimet e tij, ndryshon me aktin seksual në treshe me motrat adoleshente Savorgnan, të cilat në atë kohë kishin vetëm katërmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë vite, ndërsa Kazanova sapo kish mbushur të shtatëmbëdhjetat. Në të vërtetë virgjërinë ai e kish humbur para kësaj ngjarjeje, me një vajzë më të madhe në moshë. Duhet të kenë qenë këto «trauma seksuale» në adoleshencën e tij të hershme, që e shndërruan në burrë të pangopur me seks dhe e çuan drejt një jete të shthurur derisa të vdiste. Edhe pse njihet si njeri i shthurur ose si një womaniser ndër më të famshmit në botë, statistikat e tij nuk janë aq impresionuese sa ç’mund të mendohet. Sidoqoftë numri 132 është numër i bazuar në shënimet e vetë Kazanovës, të cilat i përfundoi kur ende ishte në të dyzetat. Patjetër që duhet të ketë pasur edhe të tjera që nga atëherë, sepse ai jetoi deri në moshën 73 vjeçare. Për Balzakun, fjala vjen, flitet të kishte marrëdhënie me mbi pesëqind gra. Ah Kazanova! Të paska parë perëndia! Gjithnjë largoheshe duke marrë me vete bekime të pafundme! Aroma jote prej burri sqimatar e të veçantë i dehte femrat, i linte pa mend meshkujt e nxehur me vetveten, grindeshin me asgjë, rrinin pranë tij si me beft e në gjemba. Pranë tij askush s’e kishte mendjen në vend. Ç’nuk dëgjonin për të, aspak i humbur por vetëm shpresëdhënës. Kurdoherë në një arrati të lakmuar dhe aq të padëshiruar. Pse ta fsheh, thellë-thellë e kam zili, mund të bëja edhe unë ashtu? Nuk më ka munguar kurrë talenti, edhe talenti i tij i madh e plot zulm, mirëpo një frikë e pasiguri e fshehur më sulmonte ngaherë dhe më trazonte mendimet, ndonëse pa ndonjë konkurrencë të fortë, dhe me aq fat sa imi! E ndieja fatin tim, e shihja, e prekja dhe fluturoja kudo, edhe brenda vetes sime. Dhe nuk mendoja më për Kazanovën.
Përnatë në këto ditë të Bienales në Venecia më merr malli të ndjek hijen e Kazanovës, të flas gjatë me të, ta lë të më dëgjojë, ta lë të më rrëfejë, të jem si ai në ajër, ndërsa më vijnë në mendje gjëra mjaft të bukura, që për secilin prej nesh kanë qenë ëndrra, dhe atëherë më kap një ngashërim, më vjen të qaj (se edhe burrat qajnë dhe kanë një shpërthim të hatashëm kur qajnë jo si në filma!), më vjen ta pyes Hijen e Tij gjer në hollësi se ç’bëhet me mua vallë, deri ku mund të shkoj edhe unë… Pastaj sigurisht flas me veten time duke e harruar Kazanovën, i cili sapo duhet të jetë kthyer nga udhë e gjatë ku ka pritur e pritur një nga femrat më seksi në botë. Asnjë shpirt nuk vdes, sidomos një shpirt venecian. Kështu e shfrej edhe unë mallin tim. Kam shpresë…
Në të vërtetë kur është fjala për Kazanovën, nuk kemi të bëjmë vetëm me femra, ngase ai njihej të ishte edhe biseksual. Domethënë çfarëdo qenie që të ishte, atij do ia ngrinte (epshet). Ato me të cilat ai përmend se kishte bërë dashuri përfshinin edhe pesë motra me gjithë nënën e tyre, dy motra nderi, skllave greke, aktore, këngëtare, aristokrate, kurrizo, transvestite e ç’jo tjetër, si me thënë me «çdo gjë që lëviz». Fatkeqësisht, duhet t’i ketë shkuar huq studimi i filozofisë morale, sepse dyshohet për incest me të bijën e cila i lindi djalin që njëkohësisht i binte të ishte edhe nipi i tij. Kazanova vdiq në Dux të Mbretërisë së Bohemisë, qytezë kjo në Çekinë e sotme ku ai kishte punuar si librar… Jo, nuk kam dashur të hyj në hulli të tilla. S’ka si të ndodhë ndryshe, sepse kjo është thjesht një dalldi, sepse malli është shpikës imagjinar, një trillim tragjik, si e gjithë jeta e tij….
Prej disa kohësh bluaj në mendje një trill të ri, të përmend një detaj që e kam gjetur në botimet arkivore të Venecias, i kërshëruar për Shqipërinë time e që lidhej pikërisht me Kazanovën. Misionari Kozma, i cili më vonë u shpall shenjtor nga grekët, propagandonte për kishën dhe politikën greke në Shqipërinë e jugut dhe në Epir. Ai qe parë me dyshim nga shërbimi informativ i Venecias i quajtur «Këshilli i të dhjetëve», ndaj për këtë arsye Shën Kozmait ia vunë prapa një agjent për të përcjellë veprimet e tij. Ky agjent qëllonte të ishte vetë Kazanova. Domethënë, megjithëse ka pak gjasa, mund të jetë e mundur se ai paskësh shëtitur edhe ndër viset shqiptare. Sido që të jetë, shpresoj që ai të mos ketë pasur rast të shpërndante sifilisin e tij andejpari (përveç, ndoshta t’ia ketë dhënë Kozmait, që lehtësisht edhe mund të ketë ngjarë, sepse Kazanova vërtet nuk zgjidhte ç’vrimë kishte viktima e tij!).
Edhe Marko Polo ishte një djalë venecian. I lindur shumë shekuj më parë në vitin e largët 1254, Markoja ishte njeri i kulturuar e me njohuri të gjera, që ndryshe nga Kazanova, gëzonte respekt në qytet. Doja ta njihja thellë aq sa mund të mësoja ditëve të Bienales, po bëra sikur s’e vura re, duke u hequr sikur s’kisha kohë. Sigurisht i kisha harruar sytë e të tjerëve. S’kishin faj, aty isha në një vend magjepsës, me emër të madh e me të shkuar të jashtëzakonshme. Marko Polo udhëtoi nëpër Azi për më shumë se njëzet vite dhe u bë pionieri i të ashtuquajturës «rruga e mëndafshit» (Silk Route). Sapo kthehet në Venedik nga udhëtimi i tij shumëvjeçar burgoset nga gjenovezët, meqë ishte koha e krizës mes Venedikut e Gjenovës. Shënimet e tij, të cilat qenë botuar më vonë, thuhet t’ia ketë diktuar një të burgosuri francez, të përmbledhura më pastaj në Livres des merveilles du monde (Libri i mrekullive të botës). Pas lirimit nga burgu ai jetoi në lagjen e njohur Contrada San Giovanni Crisostomo ose Corte del Milion, që gjendej fare pranë teatrit Malibran. Milion ishte nofka e tij. Vdiq në vitin 1324 dhe u varros në kishën San Lorenzo të qytetit. Ishte si një Ante pa tokë dhe nuk donte ta njihte fundin. Atje është ende, në Venecian e tij perlë, atje në një vend të ngritur, pod nderi, dhe duket sikur ende ecën me hapin e tij të madh, të shpejtë, gjithmonë në ethet e një pune të madhe, një klandestin i përjetshëm, shkon e kthehet, brenda një qarku madhor, furi që platitet ngadalë nëpër shekujt e historisë. Edhe Marko Polo, i shpartalluar nga era, është totem ajror…
VJENA E MAHNITSHME
NJË PIKTURË E GJALLË
«Muzikën e kam shpesh atë momentin biblik të hapjes së qiejve dhe prej andej, prej lartësish misterioze zbresin pëllumbat e bëjnë fole në kurm. Dhe kjo më pas shndërrohet në akt artistik në pikturë. Muzika të krijon mundësi të kalosh në të ardhmen, të ëndërrosh, të fantazosh, të bëhesh – pra – futurolog. Të parashikosh. Kështu, masat muzikore marrin kuptimin e një kodi astrologjie… Tjetër: muzika është katarsisi i zbuluar që në antikitet…»
Ibrahim Kodra. Kodra – një Univers, Abdulla Tafa.
Vjena! Pastaj, Vjena dhe muzika janë sinonim. Vjena është një mrekulli qe e shikon botën me sytë e Danubit blu dhe të një vitrine të papërsëritshme ku ekspozohet gjithçka që bën përshtypje dhe sjell të papritura. Vjena vetë vishet duke e ndërruar modën përditë dhe ekspozohet me ndryshime të forta. Këtu nuk ka ndarje për ndryshim lartësie po për dukje të shumanshme dhe të plotë personaliteti, ardhur nga qytezat punëtore apo nga aristokracia moderne, ajo s’pyet për realitetin, sepse jeton me atë që dëshiron. E kush nuk bie në dashuri me këtë qytet, ku në çdo hap të shoqëron muzika klasike e kolosëve më të mëdhenj të botës. Mund të shohësh papritur një burrë të rëndomtë, që Vjena e bukur mundohet ta mbajë mirë, por megjithatë, sado që përpiqet, pothuaj nuk ia arrin, sepse menjëherë ai ka dalë vetë jashtë orbitës së qytetit. Atë njeri mund ta shihje përditë edhe në Bienalen tonë. Edhe ne kishte rrezik të na nxirrte jashtë orbite. Vjena nuk zhgënjehet lehtë, ajo sheh dhe ka shumë ëndrra romantike. Vjena të zgjeron gjoksin me parfumin e saj tërheqës dhe krejt të veçantë. Ne po bëjmë një javë në Vjenë dhe jemi të dehur nga vizitorët në Bienale, nga parfumi i saj, nga ujërat e Danubit, nga hijet e pemëve, cicërimat e zogjve, nga muzika e Mozartit, Shtrausit, Vivaldit, Beet’hovenit. Ecim kurdoherë në këmbë, pimë nga një birrë ose verë, limonadë fantastike dhe mbushemi me një mirëkuptim të përsosur.
Edhe pse kishim bërë vetëm një shëtitje të shkurtër nëpër bulevardin e madh e të mrekullueshëm duke ecur nën hijen e drurëve që e mbulonin atë dhe shoqëruar me cicërimën e zogjve që pushonin sipër degëve, megjithatë na mjaftoi të kuptonim se Vjena ishte një qytet margaritar, që premtonte për të na mundësuar shumë kënaqësi gjatë ditëve në vijim. Arkitektura e këtij qyteti mahnit çdo shije! Është e pakrahasueshme me shumicën e qyteteve evropiane për historinë, artin, kulturën dhe dijet që të mundëson. Herë të krijon përshtypjen se është e vogël sa një grusht dhe pastaj e sheh të madhe pa fund. Siç është kurdoherë përshtypja e dyfishtë e çdo njeriu. Më bëhet se Vjena dhe gjithë Austria në përgjithësi, pa të drejtë ka qëndruar nën hijen e Gjermanisë në periudha të ndryshme të ekzistencës së tyre. Një gjë e tillë të ndrydh paksa, sepse Vjena është një botë më vete, një botë e përkryer historish dhe ngjarjesh që ndikuan në rrjedhat e historisë botërore.
Ende pa kaluar mirë kthesën e rrugës përgjatë Ringstrasse, ku edhe merr krahun e majtë përballë ndërtesës së Universitetit, një radhë e tërë baresh e restorantesh zënë vend njëri pas tjetrit. Në njërin prej tyre provuam të pimë kafenë vjeneze. Shumica e lokaleve rreth-e-rrotull kanë tryeza me kolltukë dhe me çadra sipër tyre, radhitur në trotuarin e gjerë anash rrugës. Të duket sikur ditët janë të gjitha të përsosura për t’u ulur në kanapetë buzë trotuarit, ku një puhizë e lehtë përshkon fytyrat tona të lumturuara dhe loz me gërshetat e gështenjta të një vajze që kalon aty pranë, duke na fshikur me vështrimin e saj turbullues. Kafeja të shijon aq shumë në atë lokal, sa edhe kudo tjetër gjatë ditëve tona në Bienale. Dhe, mos harroni, në vijim do të ktheheshim disa herë për të bërë po të njëjtën gjë. As e ndienim lodhjen, sepse sipër nesh kemi tjetër ajër, tjetër muzikë na shoqëron, tjetër vetëdije dhe subkoshiencë shpalosim.
E adhuronim Vjenën, thua? Jo, është pak. Ndihemi të dashuruar. Kjo i shkon për shtat, sepse ajo nuk shkaktonte zili. Ndoshta bart një sekret që qytete të tjerë nuk e kanë. Se më duket që ajo të jep mundësi për të hyrë në lojën e saj. Gjithmonë. Kjo hapësirë është fare e lirë në mendime. Kurrë nuk ankohet për jetën e rëndomtë, mërzinë, dhe në rastet kur ti, i djersitur nga lodhja, të pëshpërit: a do që të gjej unë një dashnore? Sepse e vëren dashurinë në sytë e tu. Vjena të kupton, të rrëmben. Pëshpërima e erës së saj që të fryn në vesh, vijon: nuk do ta kuptojë njeri! Ke për ta parë si do të ndryshosh… Dhe ecën si zonjë e rëndë që është, po kurrë s’mund t’i thuash fodulle. Ja, kështu u njoha me të. Dhe mbeta brenda saj.
…Përditë i njëjti ritual, por në vende e mundësi të ndryshme. Ja, ecim për disa kilometra deri te parku Burggarten, ku edhe ndodhet statuja e Mozartit me një çelës muzikor disametërsh para saj, punuar me lule shtatshkurtra e shumëngjyrëshe. Parku ndodhej prapa godinës së Neue Burg që është pjesë e pallateve perandorake, nën çatinë e së cilës ndodhet edhe biblioteka kombëtare e Austrisë, Österreichische Nationalbibliothek. Mund të ketë qenë dita e përkryer e këtij fillim korriku, ajo që kish ngashënjyer gjithë ata të rinj e të reja për të gjetur momente çlodhjeje duke u shtrirë e freskuar nën hijen e drurëve kurorëgjerë të shpërndarë gjithandej parkut, apo ndoshta kjo mund të qe një rutinë e përditshme vjeneze, për të pritur perëndimin e diellit ulur në këto parqe përreth pallateve perandorake dhe për të kujtuar me nostalgji të kaluarën e tyre të lavdishme, të kaluarën Habsburgiane. Këto parqe të mrekullueshme përzier mes pallateve hijerënda me trill historik, krijojnë një mjedis pothuaj përrallor.
I shoh tërthor në anën tjetër të rrugës si pasqyrë të njëra-tjetrës, Kunsthistorisches Museum dhe Naturalhistorisches Museum. Të vëna ballë për ballë, këto dy ndërtesa masive krijojnë një simetri të shkëlqyer, duke i bërë vend mes tyre edhe sheshit të bukur Maria-Theresien Platz. Ulemi edhe aty për një gjysmë ore. Edhe unazën Ringstrasse, prapë e bëmë pa ngutje duke u kthyer mbrapsht në sheshin e artit ku qenë vendosur punët tona. Shëtitja e kësaj mbrëmjeje fantastike, në vend se të na lodhte, përkundrazi na dhuroi tjetër energji. Padyshim që tani kishim filluar ta shijonim Vjenën, e thënë ndryshe kishim rënë në dashuri me të.
Edhe të tretën ditë radhazi Vjena më dukej se po vinte drejt meje me të ecurën prej zonje të lartë, e veshur bukur si gjithnjë, duke belbëzuar Valsin e Danubit, që vërtet shkëlqen së largu. Kjo mrekulli, mendoj, duhet vënë nën këmbë, se edhe unë kështu i fantaksur si jam s’mund të duroj gjatë me ledhatimet dhe frymën e saj! Duhet ta nënshtroj, t’ia thyej hundën, t’ia heq dukjen noprane, ta kem fundja në shtrat se e ndiej ëmbëlsinë e saj. Ja tek më zgjat dorën. Më buzëqesh sikur të më njohë prej kohësh dhe më thotë: ja tek jam, të erdha! Jam e jotja! Dhe unë
çmendem më keq për Vjenën.
Pastaj zgjohemi sërish. Ende pa mbaruar mëngjesi mësyjmë rrugën që të çon te sheshi Stephansplatz me katedralen e famshme Stephansdom në mes. Nga na dolën kaq papritur njerëzit! Të bëhet se ka ndodhur ndonjë ciklon! I shkuam sheshit kryq e tërthor më shumë se disa herë për t’u ngopur me katedralen e Shën Stefanit në prapaskenë, por njëkohësisht edhe për të bërë hapat e parë ku fillonte shëtitorja Graben. O, zot, Vjena dëshiron si e krisur. Gjithnjë e më shumë e ndiej që sillet me mua si grua e dashuruar. Edhe unë me të. Ia kuptoj ardhangien, ashtu si dhe talentin në paraqitje. Ajo di ta shfrytëzojë bukur dhe me elegancë praninë time, aq sa e marr këtë si një nder që më bëhet. Edhe batutat që lëshoja më dukeshin përplot poezi, madje edhe me ngjyra piktorike, pa lënë mënjanë sensualitetin dhe humorin.
…Vjena (po e quaj Vjena ime!) i ruan gjurmët e periudhës së artë të sundimit Habsburg. Romakët ishin ata që rreth vitit 100 themeluan qytetin e quajtur Vindobona, qendër e cila më vonë e gjer më sot e kësaj dite do të njihet si Vjenë. Në qendër të qytetit, në sheshin para muzeut Sisi, njohur si Michaelerplatz, ndodhen rrënojat antike të qytetërimit romak. Për çudi themelet e këtyre rrënojave gjenden së paku shtatë-tetë metra nën nivelin e sheshit ku qëndronim ne. Megjithatë çdo gjëje i vjen fundi një ditë, e ashtu i erdhi edhe asaj. Dhe perandorit të famshëm romak, Markus Aurelius, i erdhi fundi pikërisht në Vindobonë në vitin 180… Art. Art. Art… Dhe unë do t’i përgjigjesha asaj po me art. Me sa duket e morëm lehtë të dy. Edhe në çaste çlodhjeje, edhe duke parë lashtësinë e brydhët, ajo kishte shumë finesë; dinte të jepej bukur! Epo ëmbëlsia dhe përmallimi vjenez nuk paskan të sosur! Vjena ime ka kurmin e një vajze: këmbë të gjata e të mbajtura mirë, s’i gjen një rrudhë, të lë pa frymë me parfumin aq tërheqës, gjoks të fryrë, me ëndjen e çuditshme që të jepet menjëherë dhe nuk e fsheh kurrë kënaqësinë qe ndjen. Vjena! O Zot! Ndjehem mirë me të, nuk e fsheh dot. Dhe e dua përditë e më tepër. Të falënderoj për këtë ndjenjë që më fale Vjena ime!…
Vjena që nuk më ngop kurrë me frymën e arkitekturës Barok dhe Rococo, me ngjyrime më të pakta të stilit Romanesk. Kësaj kryeqendre ndjeshëm i mungon arkitektura e Rilindjes, e kjo ndodh për shkak të periudhës kur kjo rrymë lulëzonte tjetërkund nëpër Evropë. Vjena ndërkaq për shumë kohë do të qëndronte e rrethuar nga osmanët… Një ditë e kërkoja unë, një ditë ajo. I çoja mesazh me sytë e ndezur, bënte gjasme sikur s’më shihte dhe unë mbetesha pa përgjigje. Dashuria më mban në formë, më tha. Tani ia kam vënë syrin një dashnori të ri. Se unë kështu sillem, i dua të gjithë! Por, e di, ti do vazhdosh të më duash, si gjithnjë dhe unë sa herë të shoh, do të vij. Dhe më puthi sytë. M’u duk vetja i largët por zemra vlonte nga tërbimi. Do të ndjehesha i lirë t’ia nisja një dashurie të re? Dhe Beet’hoveni do t’më belbëzonte me mjeshtëri: miku im, jeta duhet shijuar me të gjitha! Le të jenë pamje të egra, ato edhe të kënaqin pa masë!
Pata frikë se mos Pallati Schönbrunn do t’ma prishte magjinë, jo pse është vendosur në periferi të qytetit. Përkundrazi, u ndjeva njësoj. Godina masive kishte 1440 dhoma dhe ndonëse në të kaluarën pat shërbyer si pallat veror për familjen mbretërore, tani është një muze i mbikëqyrur nga shteti. Schönbrunn ka kuptimin «burim», brenda të cilit që në hapat e parë krijohet përshtypja e veçantë e një fryme perandorake. Oborri masiv zbukurohet nga disa fontana mbresëlënëse, kurse në ballë është ndërtesa katër-pesëkatëshe me ngjyrë të verdhë e me çati të kuqërremë, e njohur si Schloss Palace. Dritaret e shumta fund e krye godinës paralajmërojnë një hapësirë të pafund brenda mureve. Ma hoqi mendjen. Aty ndihesh komod edhe kur bie shi dhe ty të bëhet një vend plot hir kur e sheh me aq shumë aristokratizëm sikur po lexon rubrikën e artit, teksa rri e pret një nga miqtë e tu më të mirë. Të duket sikur do të të bujtë Vjena e tërë në krahët e Shënbrunit. Sigurisht është një pritje me padurim sepse mua më ka rënë në kokë me Vjenën në gjithë ditët e Bienales. I qeshja me zemër edhe pallatit madhështor të historisë, edhe Vjenës së mirëseardhur tek unë, edhe kafes karakteristike italiane që po pija, edhe miqve të mi. E di, dashuria të bën fjalëshumë ndaj dhe flisja pa pushim, ndërsa më ngrihej adrenalina.
Pastaj bashkë me miqtë hymë në Pallat. Brendësia e tij është shumë e freskët, ndaj dy orët në vijim do të jenë tejet të këndshme për ne. Një pamje po aq madhështore sa edhe jashtë, dhomat e Franc Jozefit, të Sisit, të mysafirëve, të punës e bibliotekat vetjake, sallat e vallëzimit, sendet, pikturat, punimet e ndryshme zbukuruese, e deri tek imtësitë personale të familjes mbretërore. Të del para syve Mari Tereza e famshme, perandoresha me familjen, ndërsa kalonin mbrëmjet duke dëgjuar paraqitjet muzikore të të zgjedhurve të asaj kohe. Pikërisht te kjo dhomë 6vjeçari Mozart pat shpalosur talentin e tij të pakrahasueshëm me ndonjë tjetër në gjithë historinë e qytetërimit botëror. Keni dëgjuar të të ngrihet adrenalina prej këtyre skenave? M’u bë se Vjena s’e desh veten kur me pa. Me gjithë kujdesin e madh ndjeva një fir e kapitje ngaqë s’m’i hodhi sytë dhe mua më erdhi keq sa nuk më dilnin fjalët. Si je? M’u duk se më pyeti. Ju besohet se e dashura ime madhështore ma mbajti gjallë bisedën? Ndihesha mirë, e pse ta gënjeja, sidomos me praninë e saj të papërfytyrueshme. Dhe doja te shëtisja nëpër Shënbrun si për qejfin tim. Por Vjena sërish m’u bë se u largua dhe unë shihja trupin e saj të drejtë, këmbët e saj të gjata, shoqëruar me buzëqeshjen mahnitëse që vetëm ky qytet e zotëron…
Ah, po, më tha një nga miqtë e mi, shiko, para nesh është Gloriette, ndërtesa e gjerë dhe e ngushtë në majën e kodrinës prapa pallatit, zbukuruar me harqe triumfale dhe kolona madhështore, e cila padyshim mundësonte ndër pamjet më fantastike që kishim hasur gjatë atyre ditëve. Bukuri mahnitëse! Ishte ndoshta e krahasueshme me pamjet e Parisit nga maja e kullës Ejfel, apo ato të Romës nga kupola e bazilikës së Shën Pjetrit. Pamja e qytetit në horizont nga tarraca e saj, se ç’më ngacmonte imagjinatën për rrethimin otoman të tij. Padyshim që ishte një ndodhi që, si pak të tjera të këtij lloji dhe përmase, pati potencialin të ndryshonte rrjedhën e historisë së Evropës e mbase edhe të botës…
Tiergarten, rastis të jetë kopshti zoologjik më i vjetër në botë. Palmenhaus, Orangerie dhe një pjesë e parqeve përreth ku gjenden edhe gërmadhat romake, njëherë e një kohë luanin rolin e qendrës së botës. Orangerie ndër të tjera ka edhe objektet koncertale, që janë të radhitura njëra pas tjetrës për të krijuar një lloj kufiri mes oborrit të pallatit dhe rrugës së automjeteve matanë murit anësor të ndërtesës. Të nesërmen, në njërën nga këto salla do të ndiqnim koncertin e muzikës klasike, një ngjarje e shënuar për ne. Do të luheshin kryeveprat e Mozartit. Kam bindjen se, patjetër, që prej aty do të dilnim me një dashuri të re. Terri i mbrëmjes po mbulonte pallatin dhe Vjenën bashkë me të, diçka e magjishme që vështirë të shqitet ndonjëherë nga kujtesa. Mbrëmje madhështore! E papërsëritshme!
Më vjen ndërmend një pasazh që kam lexuar në një legjendë të shkruar nga Stefan Cvajgu për mëmën Vodanë dhe bijën Vjenë. Nëna i rri te koka deri në fund, vetëm nëna që qan sepse ajo e bija i pëshpërit: Nënë, më shpëto, ç’bën, nënë, ngrihu, lëviz, pse nuk më shpëton… Nënat i shpëtojnë fëmijët e tyre… Nëna qante pa prá, qante dhe lotët krijuan lumin-det, Danubin e madh dhe ky, si perëndi e shpëtoi bijën e vetme të nënës së mjerë. Dhe Vjena mbeti përjetësisht vajzë e re. Nuk plaket kurrë. Kurse nëna rri aty në Shënbrun dhe nuk ngopet së shikuari të bijën e bukur… Dhe mëngjesi vjen shpejt! Ajsbergut të kënaqësisë së këtyre ditëve tona në Vjenën përplot mahí, i vjen fundi dhe unë duhet të ndahem me të dashurën time. Do të më mbetej peng vizita e pallatit të famshëm Belvedere. Ndë Belvedere ndë Vjenë, sikur pashë Skënderbenë, shkruante i magjishmi im, Naim bej Frashëri. Belvedere është rezidenca verore e princit Eugjen të Savojës, përbërë nga një kompleks pallatesh të ngritura në vitin 1721. Godinat, oborret dhe kopshtet e këtyre pallateve janë nga më të bukurat që mund të krijojë një dorë njeriu. Ato janë të ngjashme me Shönbrunin, Versajën, Buckingham, Alhambra apo ndonjë tjetër. Muzeu i këtij pallati strehon punime të famshme të Klimt, Knapp, Pacher, Makart e të tjerë. Punimet e Gustav Klimt janë bash ato që më tërheqin mua dhe miqtë e mi. Një çast në parkun e mbytur nga blerimi Stadtpark, përgjatë rrjedhës së lumit Wien. Karl Gega, Aleksandër Moisiu, Kujtim Shaqiri – ai inxhinieri i famshëm që u var dy herë si armik i popullit në kënetën e Maliqit… Ndër të tjera, aty gjendej edhe një statujë e kompozitorit të famshëm Johan Strauss. «Vjena ndoshta nuk është magjí si Berlini, romantik si Parisi apo kozmopolitan si Londra, por është ndër qytetet e pakta që me sukses dhe marrëzishëm i kombinon të gjitha atributet.» Tschüss Wien. Auf Wiederschauen.
Unë jam Doctor zunga, unë jam një spell magjistar.
Me Përvojë të gjatë pune, dhe me
fuqinë e pastër, që më kanë kaluar nga paraardhësit e mi, unë jam në gjendje të çliroj njerëzit që vuajnë nga lloje të ndryshme të problemeve, qoftë mendore, fizike apo materiale.
Unë jam njeri me pak fjalë dhe besoj se “veprimi flet më fort se fjalët” Efektet e punës sime do t’i detyrojnë më mirë dikush të besojë në efikasitetin e hijeshës sime dhe unë i bëj thirrje cilitdo që ka nevojë për ndihmën time për t’u siguruar për rezultate të kënaqshme.
A keni nevojë për magjitë urgjente për t’ju ndihmuar të zgjidhni një problem?
I hedhur spells të tilla si: –
(1) Spells për t’u kthyer mbrapa dashnor (boyfriend / girlfriend, husband / wife në 48 orë).
(2) parashikon të jetë tërheqës
(3) parashikon që të promovohen në detyrë
(4) parashikon të jetë i pasur (parashikon paratë)
(5) Spells për të kuruar Sëmundjet të tilla si
(HIV / AIDS, Herpes, Kanceri, Stroke, Diabetes, Shëndoshje, Presion të lartë të gjakut, çmenduri, e.t.c)
(6) parashikon të rimarrë sendet me vlerë të humbur.
(7) Spells të bëhet i fuqishëm.
(8) Spells të jetë shtatzënë (konceptoj foshnjat).
(9) Spells për t’u bërë vampir.
(10) Spells për të fituar lotari.
(12) Shkrimet e mbrojtjes.
(13) Spells për të fituar raste gjyqësore.
(14) Parashikon që të shkaktojë divorc ose të ndalet një divorc.
(15) Parashikonin e zhdukjes.
Mos hezitoni të më mesoni tani përmes email-it: – ([email protected])
Ose për një komunikim më të shpejtë, mesazhi direkt në atë që është aplikacioni dhe unë do të dëshiroj t’ju ndihmoj …
çfarë është App: – (+2349072042297)