Publikohet një studim i panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
TERRORIAta e morën vesh vonë se Mesha e Krishtlindjes në mesin e natës, nuk do të thohet nga frika e ndonjë turbullimi që mund të ngjante nga ai ndryshim fort i madh, në atë fund nandori. Kisha e Madhe në atë madhninë e vet, rrinte e heshtun dhe imponuese në këtë natë të mistershme që binte mbi qytet, deri në agim. Qyteti priste mesnatën e njerëzit nuk e kishin bjerrë gëzimin, as gjallninë e mbrendëshme, që sjell kjo orë. Ishte herët me të hi trishtimi dhe tmerri i vërtetë. Kishat, rrugët u banë të heshtuna në disa orë e, Kisha e Madhe si një lajmuese edhe e ngjarjeve, që do të qëndronte në çdo formë nën kupën e qiellës, si një ndërtesë frymëzuese, pa bjerrë madhninë e kujtimin në asnjë rrethanë, kishte një fuqi, me një pamje e cila dukej plot vështrime: Gjithmonë me ngjyrën e vet të dallueme historike, gjithmonë dishmi për gjithçka.
Ajo, tue pasë një dritore të rrumbullakët nalt në ballin e saj, nëpër të cilën prindja u thonte fëmijëve se hyjnë e dalin engjujt, kishte jetë, komunikonte dhe me atë sy të madh, depërtonte në thellësi kohe dhe ruente me shikim të gjallët që përcillte deri te vorri dhe të vdekunit deri në lumni. Ishte e vështirë me e përcaktue këtë kishë, në këtë natë. Ajo e ndiente se diçka kishte mangut. Nuk ishte zemrue askush me atë, për një herë. Por ajo ishte mësue me pritë tetë mijë, dhetë mijë vetët e mandej, me i përcjellë me urime qiellore deri që të mbyllshin sytë besnikët, me kujtimin e Betlehemit. Mes heshtisë, arsyeve dhe shejve, ajo Katedrale ruente veten dhe gjithçka të çmueme. Ishte mbrenda saj një jetë mbitokësore.
Në këtë natë, nuk kishte ndonjë rrezik, nuk ishte tufan. Ishte thjesht një urti, që vinte nga ana e Kishës, një lloj frike mos të kishte me të vërtetë turbullime, në orët e vona. Kjo e çuditi pushtetin e ri. E ky që e dinte vetin se kush ishte, u gjet ngusht. Tue qenë se kanga ishte këndue: “Luftë pa dallin feje, krahine e ideje”, duket se u vra në sedër. Atëherë shteti i pakonsoliduem, kurrsesi nuk donte që të mos thohej mesha. Ata ndërhyjshin pranë Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit dhe merrshin përsipër me lajmue popullin vetë nacionalët çlirimtarë të krishtenë dhe ndonjë komunist i krishtenë, me ngutin e punëve të tyne.
Kjo edhe pse ishte vonë: rreth orës katër. Ata kërsitshin prej derës në derë e, thojshin: “Sonte thohet mesha e, mos të keni frikë, pse besimi asht i lirë”. Ata e quejshin shpifje, po të thonte kush se; besimi nuk do të ishte i lirë e, për ma tepër mund të ndëshkohej, ai që bante këtë shpifje, që për ata do të ishte një parrullë e reakcionit. E ky lajm do të sigurohet nga ramja e kumbonëve, shej i vërtetë se nuk kishte dredhi. Shtimja e madhe që rrinte në shpirtin e doktrinës, nuk e zbulonte menjëherë veten.
Do të dijë vetë si me veprue tash që ka dalë fituese. Por tash nuk kishin kohë me u marrë me këso çashtjesh të randa. Ata kishin punë të tjera. Rrugët e ngushta po mbushen me popull, me lëvizjen e natës së madhe, edhe ndonjë frikë e kotë, u zhduk, se populli merr frymë menjëherë, kur i ikë pengesa. E përmbante kjo taktikë luftën e madhe, që do të kalonte çdo kërdi e vrasje? A ishte sinjali tinzar, se gjithçka do të fillonte e vazhdonte me tradhti e mashtrim? Mesha u tha për bukuri. Festa u kremtue lirisht, si në çdo vjetë të kalueme.
Po kush mund t’i besonte një doktrinës së pa Zot e, atyne njerëzve që, çka pohojshin në mëngjes, e anulojshin në errësirën e asaj mbramjeje? Lirinë për të cilën Apostulli shkruen se; “gjindet atje ku asht Shpirti i Zotit”, ata nuk e njifshin. Ata do t’i shkatërrojshin të tjerët, se kishin shqetësimet e planet e veta. Me siguri përmbrenda pat një si fat të keq, kje si një krizë, si një ogur i zi, pse çdo feste së mavonshme, do t’i mungonte diçka e madhe. Jo një realitet fetar, por një liri fetare e mjaftë kjo, për t’u nxi qielli e për t’u prishë punët.
Ata nuk mundshin me durue gjatë, ata nuk do të mundshin me qindrue pa gënjeshtrën e vet në gjithçka. Ishte interesante se në kishë do të shkohej, ato do të mbusheshin. Asnjë mendim përnjëherë me i hjekë popullit besimin, por me i hjekë kishës priftin. Dallojshin: luftën e kemi kundër klerit reakcionar dhe jo me pengue lirinë e besimit. Në një vizitë që kishte ba Mehmet Shehu, në ditët e para në Shoqninë e Jezuitvet në Tiranë, kishte thanë se na luftojmë klerin reakcionar, jo ndjenjat e besimtarëve. Pater Meshkalla i kishte dhanë përgjigje: “Ju do të veproni kundër të dyjave”.
Të vërtetën e parë po e çonte në vend regjimi. Reja e zymtë që mbushi qiellin e ernat që sollën shtërngatat mes vetëtimave e bubullimave si një stuhi nohetiane, po rrëzonte landët e caktueme e shuete dritat, se duhet terr për t’u ba punët e mbrapshta. Kështu fillimi niste në mëngjesin ende të ftoftë të Diellës së Larit, me pushkatimin e Don Ndre Zadejës. Do të vazhdojshin arrestimet e pushkatimet pa ia da, herë mbas heret. Këta ngjajnë, do të thojshin, se meshtarët merren me politikë.
Dom Lazër Shantojës, i kjenë ba tortura fort çnjerëzore. Nuk ja mjekuen kambët e duerët, si të këputuna.
Trupi i tij, kje ba si i fëmijës. I bajtun ky trup prej duerësh, kështu u gjet para ekzekutimit. U pushkatue, gjithmonë mbas torturash dhe regjenti Pater Anton Harapi. Delegati Apostolik, Monsinjor Nigris, nuk kje lanë të hynte në Shqipni, kur po kthente nga Roma. Pa asnjë lidhje me Lëvizjen e Postribës, që donte të përmbyste “Pushtetin Popullor”, në vjetin e dytë të regjimit të ri e që po pregatitej të ishte e përgjithshme në Shqipni, kjenë arrestue Zv/Delegati Apostolik, Monsinjor Frano Gjini e, Monsinjor Gjon Volaj, Ipeshkvij.
Së bashku me Monsinjor Nikoll Dedën dhe trembëdhetë civila, pushkatimi, që asht akti i fundit, qe një shpëtim për ta. Organizata nacionaliste “Bashkimi Shqiptar”, me të krishtenë e muslimanë, kishte rrajen në Seminar. Seminaristat prej një zelli atdhetar, vepruen pa dijeninë e të parëve, me disa aksione shtypi e, kjo shkaktoi pushkatimin e Pater Gjon Faustit e, të Danjel Dajanit. Me këto u pushkatue dhe niciatori i guximshëm, seminaristi Mark Çuni. Por përpara Faustit e Dajanit, e pau derën e burgut jezuiti zelltar, Pater Jak Gardini, që mbasi bani dymbëdhjetë vjetë apostullim, në Shkodrën e traditës së jetës katolike, do të plotësonte edhe dhetë vjet të tjera burgu e internimi e, shembull misionari.
Kurse Pater Gjon Shllakun, intelektual, vërtetë intelektual i shquem, si mbas kangës tallëse që këndohej porsi valle revolucionare në sheshin e qytetit, gjatë gjyqeve të llahtarshëm, e pushkatuen si i akuzuem padrejtësisht, se formoi Demokristianen. Në dosjet e meshtarëve e të civilëve, u gjetën fjalët e mendjes, të zemrës dhe të shpirtit Kristian, në dosjen e tyne: “Rrnoftë Krishti Mbret! Falim armiqët tonë”! Këto fjalë u gjetën dhe te Pater Mati Prennushi e, Pater Çiprian Nikaj, Provinciali e Guardiani me të tjerë, të akuzuem për shitjen e armëve te lteri i kishës.
E u dënuen e vuejtën randë në burgje dhe Pater Donat Kurti e, Pater Aleks Balqi. Kuvendi i Françeskanëve të Gjuhadolit, u shndërrue në një hetuesi të përgjakshme dhe burg. Kuvendi u ba burg, me afër shtatëqind frymë: shtatëqind shpirtën, me sa heronj. Edhe Fra Ndou, sakrestan i Kishës dhe frateli i shquem jezuit, Gjon Pantalia, i vdekun mbrenda ndër tortura. Një Drita, një vajzë e burgosun, shërbeu me aq pastërti e fisniki të vuejtunve, që ishin ndër plagë e ndër grahma. Çka hoq kryeipeshkvi i Durrësit, Monsinjor Vinçenc Prennushi, ma tepër se me qenë i pushkatuem, e dinë të burgosunit që jetuen me te.
Drita Kosturi, kje si një motër e mirë, për Pater Pal Dodën. Arshi Pipa, si një vlla i vërtetë, për Monsinjor Prennushin.
Dom Anton Muzën, të torturuem për vdekje, e lëshuen të gjallë e për gazep, për të jetue disa muej në Arqipeshkvi. Dom Dedë Maçen, të përzemërt, të palkundshëm, e pushkatuen para regjimentit ushtarak. Ndër tortura fort të randa, ku edhe vdiqën pa gjyq, do të ishin Pater Bernardin Palaj, Dom Dedë Plani e, Dom Luigj Bushati. Dom Luigj Prendushi, pushkatim, Pater Bernard Llupi, ndër tortura e pushkatim, në Pejë, Dom Alfons Tracki e Atë Zef Maksen, gjermanë, punojnë për Kishën në Shqipni. I pushkatojnë. Janë të huej e të afërt. Don Pjetër Çuni e Dom Lekë Sirdani, qytetari i Shkodrës dhe malsori i Bogës, janë deri në fund për Krishtin dhe në gjirizet e nëntokës, ku dhanë jetën. Françeskani At Serafin Koda, dha shpirtin me gabzherrin e xjerrun nga fyti.
Që të dy Papat: Papa Pandi e, Papa Josifi, Papa Pandi, prift i ritit oriental në Korçë e, Papa Josifi, prift i ritit oriental në Elbasan. Të parit iu gjet koka e preme, vendosë mbi trupin e vramë. Të dytin e mbytën në baltë për se gjalli, në kampin e punës së mundimeve në Maliq. Shembuj të naltë të jetës edhe para vdekjes. Kur të vijë dita e lirisë, le të jenë prijsa të rritjes së katoliçizmit në jug, të cilin e përshkoi Apostulli Pal. Kjahmet e lumni u pa te Dom Mark Gjani. Tue e torturue i kërkojshm të mohonin Krishtin. Ndër ato tortura, bante dishminë e madhe: “Rrnoftë Krishti Mbret”. I mvarun ndër shpatulla, vdiq. Trupin ia hodhën qenve, mbeturinat i lëshuen në prrue. Shpirti pushoi në Tenzonë.
Shkollat e virtytshme me seriozitetin e dijes, shtypi i ngritun dhe shoqnitë fetare që mbajshin jetën shpirtnore e njëkohësisht edhe atë shoqnore me doke të mira dhe me esencën e qytetnimit të kulluet, shpërdaheshin dhe ndaloheshin në fillim, para kushtetutës. Kishat ishin të mbushuna, por funkcionet e vorfna. Nuk kishte kush t’i kryesonte. Mungonte Arqipeshkëvi, kleri, xhakojt. Edhe një kor fort i vogël që kishte mbetë, ishte me zane të pafuqi. Njerëzit e shifshin meshën dhe hyjshin e delshin me një heshti. Ishte frikë, ishte e frikueshme gjendja, rruga, ajri, shikimi, zgjimi, muzgu: terr i zi.
Kisha e Madhe, kishte provue edhe luftën. Ende në muret e saj, gjindeshin gjylet e kohës së luftës me serbët e malazezët. Ajo kishte pritë e përbujtë qytetarët, të cilëve u kishte lejue sofrat e bukës dhe dyshekët ndër lterë. Ajo kishte pasë rrezikun e frikës. Tash ishte frika e rrezikut. Rreziku vetë. Mos po mbyllet ndonjë kishë, se njerëzit kur drejtoheshin, mendojshin mos kanë marrë edhe meshtarët e fundit. Arqipeshkvinë e morën. Vendosen familje oficierash: oficera të malit. Kishin lanë vetëm një dhomë në katin përdhesë.
Dom Ernestoja e Pater Berisha, kishin shum punë e, do t’i bajshin ballë krejt qytetit, tue fillue prej atyne që vijshin në këtë botë, për t’u dhanë pagëzimin dhe atyne që do t’u përciellshin deri te vorri. Dita e diellë ndryshonte pak o aspak, nga ajo e ditëve të javës. Vetëm ndonjë predikim në kishë edhe ndonjë meshë. Kumbonët e mëdha kur bijshin, të kujtojshin se ka festë, por festa nuk bahej. Fratel Ljarja, u mundonte të mbante gjallë kishën me zbukurime. Atë punë bajshin fra Ndou e fra Salvatori, në kishët Françeskane.
U mbushëshin lteret me qira e lule. Por gjithçka e vorfën. Jeta në kishë bahej e mbyllun e shum njerëz, me një lloj frike e pendimi, me një farë nguti, hyjshin në kishë e dojshin me krye punë. Kanë shum nevojë për meshtarin që ndoshta nesër, shum shpejt, nuk e kanë. Erdhi prova e madhe, thojshin njeni me tjetrin, se nuk ja kemi ditë Zotit. Asht një të avitun kah e vërteta. E njerëzit, kur shifeshin, të dukeshin të tjerë, ndoshta ma të mirë. Futeshin në kishë e ecëshin me hapa të qetë dhe të divoçëm. Gjindeshin dy kupa të mëdha me ujë të bekuem e, mbasi lyheshin në ballë tue përkulë gjunin, bajshin kryqin.
E fillojshin jetën e re. E lutjen do ta fillojshin me Atynë-n. Thue” “Ati Ynë”. Me këtë përshëndet Zotin dhe të gjithë vllaznit që janë pranë e, me këtë ke parasysh krejt njerëzimin. E pa mendue konkretisht se u largove nga rruga, nga sheshet, nga vizitat, nga problemet, nga fitimet, merrshin njerëzit një pamje tjetër, se me siguri erdhi një kohë, për t’i ba analizë vetvetes. “O Zot i madh, në ketë orë pune”! E kjo duhej ba kështu: po të lutem për vedi, prindët, vëllazënt e motrat, t’afërmit, të dashtunit, për miqtë, për ata që bajnë keq, që t’i falim me zemër dhe t’i duem armiqtë tonë.
Për të gjithë, për ata që vuejnë. Për ne që vuejmë se nuk po njehen, nuk grumbullohen, nuk sintetizohen nevojat, në sa njehen hyjt në qiell e, kokrrat e ranës në brigjet e ujnave të pashterrshëm. Në çdo rast në kishë, të mbushet mendja me vra, me mbytë, e ban, se vret e mbytë mëkate në rryfyestore, ku rrinë të rreshtuem do burra të shuguruem e, tue qenë se meshtari në moshën njëzetë e katër vjeç, si mbas kishës asht plak, të presin do pleq gojë mbyllun për amshim, me ba pajtimet, ndreqjet, gjakderdhjet ideale për të shtue forcat, në udhën tande të mirë.
“Tash, ku janë meshtarët? Asht aty Dom Ernestoja”? – pyetshin njani-tjetrin. “Jo asht vetëm Pater Berisha. Dom Ernestoja ka shkue ndër të sëmurë”, thojshin. Qyteti i gati pesëdhjetë meshtarëve, do të arrinte të kishte këta: Një Pater Justin Rrota, të paralizuem në shtrat, një Pater Marin Sirdan, të thijun, Pater Zef Saraçin, të verbët dy sysh, Pater Pjetër Tuçin. Bajshin punë zelltarët, Pater Marjan Prela e, Pater Ferdinand Pali.
Kështu, gjashtë vjet të mira të ankthit, të zhdukjes, të tmerrit, të lirisë me ba keq. Ku shkuen meshtarët? Në plumba, tortura, në burgje. Shkaqet? Shum e lehtë. Kanë formue pra organizata, kanë qenë në dijeni e lidhë me Lëvizjen e Postribës, janë gjetë armë te lteri në Kishën Françeskane, kanë strehue të arratisunit. Kanë ba agjitacion e propagandë. Ky ishte salvim me krime. Deri kur? Kjo asht faza e parë. Të tjerat salvime vishin ma vonë. Si ma vonë?! Kur?!
ROBNIA
Prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, me Titon, erdh krejt e papritun. Zbulimin e bani Stalini i madh, atje larg, shum larg, me mija kilometra largësi. U zbuluen edhe shkaktarët e krimeve: agjentët. “Atëhere një kthesë për së mbarit, pse janë ba shum të zeza”, thuhej. E thojshin vetë; “janë ba gabime”. E u shtruen në mbledhje, në konferenca. “Koha e Koçit, – e kjo thohej lehtë – e ka teprue edhe me kishën. Tash duhej ba një ndryshim”. Atëhere një marrëveshje. “Gjithçka do të rregullohet me ligje, me statut.
Shteti do ta ndihmojë kishën. Subvencion”. E filloi me urti. “Paraqitni një statut – u tha”. – Këto punë iu lanë në dorë Tukut. E ky bisedonte me Pater Marin Sirdanin. Kisha paraqiti kodin e vet. Ata u vranë në fytyrë. Nuk e pranuen kurrsesi. “Ky asht krejt Vatikan,- thanë. Çka kemi hjekë prej tij”?! Kërkuem një tjetër me kufizime. Ziente kazani. Këtu kemi një vdekje, një dhimbje edhe humbje. Mbasi kaloi disa muej në pyetje të randa të hetuesisë e, në mundime që epte ajo, lirohet e vdes në Shkodër, Dom Kolec Prennushi.
E paraqitën të dytin. Tash kanë çehre fort të randë. U idhnuen fort. “Nuk lamë të huejt me u përzie në punët tona”. Kishës i dhanë një ultimatum: “Deri këtu. Nuk ka ma. Besimi asht i lire, mbrenda mureve të kishës”, urdhnonte diktatura. “Qe, ky asht statuti juej me ne”, – ishin fjalët e preme të kryeministrit të egër, dhanë Imzot Bernardin Shllakut. Ipeshkvi nuk e pranoi. “Qe këtu më ke” – i tha Mehmetit, në dhomën e kryeministrisë. “Le të më vehen prangat ndër duer, në kje se nuk më garantohet emnimi i ipeshkvijve prej Selisë Shejte”. Statuti shpallte vetëm lidhje fetare, nën kryesinë e Papës.
Çdo kontakt, e këto tepër të pakta me Selinë Shejte, vetëm tri, e që ishin: me kërkue emnim ipeshkvijsh, telegrami i ngushllimit për vdekjen e Papës Piu XI-të dhe ai i urimit, për Gjonin XXII-të e, ma vonë marrja disa oficeve, do të baheshin rreptësisht, përmes Kryeministrisë. Katër Ipeshkvijtë që u zgjodhën: Monsinjor Ernest M. Çoba, Monsinjor Pjetër Dema, Monsinjor Antonin Fishta dhe Monsinjor Nikollë Troshani, kjenë emnue nga Selia Shejte. Nuk pat asnjë skizëm.
Monsinjor Ernest Çoba, do t’i bante një gjuejtje elegante qeverisë. Filloi përmes Legatës italiane në Tiranë, me anën e së motrës Gjylianë, marrdhanie fetare të fsheta me Selinë Shejte, për sa vjetë. Gjatë diktaturës, nuk pat shtyp. Botohej vetëm kalendari, në shtypshkronjën shtetnore. Seminari lejohej, por ishte i rrezikshëm të qenunit e tij. Asnjë meshtar nuk mund të emnohej në detyrë, pa miratimin e shtetit. Pesë kjenë shugurue fshehtas, prej Imzot Çobës. Kisha ishte ndër pranga. U dha subvencion, që vinte tue u zvoglue. Jeta fetare ishte në kishë, mbrenda mureve të saj.
Edhe proçesionet që përpara përshkojshin qytetin me dy banda, tash baheshin rreth oborrit të kishës, me kangë të këndueme prej murgeshave edhe grave të përshpirtshme. Moji i majit i mbushte kishët e, besnikët i epshin knaqësi dhe pamje jetës fetare. Pa i kuptue mirë vishtirsitë që kishin të parët, drejtuesit, një gjallni ishte përtri, sidomos në netët e ditët e mëdha e, aq fort me rastin e ndërtimit të lterit të ri, zbukurimit të Kishës Katedrale me piktura murale dhe të shugurimit të kishës, për njëqindvjetorin e fillimit të punimeve, kje një ngjarje në epokën e diktaturës.
Pat kangë, muzikë, divocione, pat popull të madh në funkcione, por ma vonë, jo fort vonë, mbrenda vjeti, një sulm i shpejtë, i rrufeshëm. Dom Ejll Kovaçi, pushkatim. Dom Dedë Malaj, i zjarrtë, po ashtu. Pater Konrad Gjolaj, njëzet e pesë vjet. Zhurmë e poterë në Shqipni. Lufta e klasave ishte në zenith.
Pranë kryeministrisë, ishte një zyrë për çështje klerikale: për të gjitha besimet. Për të shkue atje, kalohej nëpër një korridor të shtruem bukur e futej në një dhomë mesatare, me asgja të posaçme.
Ka qylyma, poltrona të mëdhenj, një tryezë dhe një poç: lampadar. Rrijnë të varuna në mur, suaza e Leninit, e Stalinit, e Enverit dhe e Mehmetit. Në tryezë asht një zyrtar me pak flokë, me rroba civile, por me gradën e kolonelit, njeri i matun që merr e ep lajme me delikatesë e, që flet lehtë, gati si çup-çup, se asht dhomë që ka të bajë me aso njerëzish që falen. Shteti u bante ftesa përfaqësuesve të besimeve, për t’u gjetë në festa. Kështu për 1 Majin, për 28 e 29 Nandorin, ata do të gjindeshin në tribunën e madhe të Tiranës. Edhe ata vijshin me ba urime, me rastin e Pashkëve. Memorie.al
Këtë kishë shumë interesante e vizituam bashkë me familjen time vitin e kaluar. Nuk jam unë ai cili mund të them diçka, ishte helmim i ushtarëve, apo më shumë nga psihoza e frikës nga denimi i Zotit…Derisa medicina nuk e ka vërtetue, se ushtrët janë helmue…Besoj se frika nga Zoti për rrënimin e kishës ka qenë shkaktare.
Nese nuk do te ishin te urdheruar nga eproret e tyre ato mund te ngelnin me pasoja smund te ishin me njerez do vdisnin ne menyra te ndryshme un para 10 ditesh e kam vizituar kishen e shnandout dhe jam shum i lumtur.
Zoti dhe Shen Noje punojne me menyre misterioze. Keto ngjarje kane ndodhur gjithmone kur dikush ka shkaterur kishen. Dora e Zotit
As nje her nuk duhen prekur vendet e shejnt cfar do lloi feje te jen zoti esht 1 per te gjith zot na ndihmo
Bravo zoti eshte nji zot na ndimo
E kame vizituar Kishen e Lacit disaher, Jame shume me fate qe mu dha mundesia. Vendet e shenjta ku zoti ka dhene prova, nuk preken nuk rezohen.por vetm fuqi te japi te kalo
Jme veshtirsit e jetes.Amen.
Nuk behet fjale per kishen e Lacit por per Shpellen e Shen Vlashit. Aty eshte misteri i sherimit. Dhe prej asaj ushtatet u demtuan. Dihet se Shen Vlashi ishte orthodoks dhe treva para se te behej katolike ishte orthosokse. Shen valashu u vra nga osmanet aty ku ndodhet manastiri i shen vlashit pss e hoqen nga shpella.
Unë mendoj SE misteri I Kishes “Shën Ndou”qëndron në Ate si në shumë Kisha, Manastiret DHE Teqe:
Aty ku Jan flijue për drejtësi e ka pasun tragjedi njerzore,ka misteri që llogjikën nuk I përthekon por forca e shpirtit DHE besimi Jan TË pa konceptueme por dëshmi SE shpirti asht I pavdekshëm.
Mua persoalisht sme ka ecur me kane vjedhur dicka te rendesishme duke ja lene nje njeriu te zotit. kur dal nga ajo grope e frikshme per te marre dhe .personi keshte ikur dhe qe nga ajo dit se kam pare shenandoun me sy.
Rrenimi i kishes ishte veper e pa vend. Por edhe te vepronte fuqia e zotit, do te denonte eproret dhe krijuesin e ides por jo Ushtaret.
Çfar jane keto qe trilloni dhe postoni ne gazeten tuaj,zoti Bucpapaj?Thjesht cfar u dergojne,Ju i nderuar i postoni?Pyesni se perse u paralizuan ushtaret e Drojes,e me pas mund ta postoni,por,gjithashtu,data e paralizimit te ushtareve me daten e kishes qe Ju propogandoni,jane shume larg nga njera tjetra…Ushtaret e Drojes per te cilet shkruani,nuk kane shkelur kurre te kisha e ShenNdojt.Une qe u shkruaj,jam njeri prej tyre..prandaj,u lutem fshijeni kete pacavure qe keni postuar!
.
Per ushtarët nuk di gje por ne vitin 1984 une kam qenë 10 vjec dhe kam vajtur ne la¢ sepse u perhape fjala se do lirohej besimi fetar. Ishim mijera vete dhe shteti u vu ne alarm duke kercenuar pelegrinët qe te kthehen prapa. Mbaj mend qe pak me vone se 13 qershori i 1984-es nje grua u hodh nga ura e gomsiqes(puke) sepse i kishin pushkatuar nje vella dhe i thane se do te pushkatohen dhe dy te tjeter per kete gjest.
ZOTI ESHTE 1