Familja e shqiptarit 31-vjeçar që vdiq në spital në Barcelonë ka bërë fushatë në Spanjë për kthimin e organit për teste ADN-je, me dyshimin se i është vjedhur për transplantim
Nga Pablo Linde, EL PAIS
Spanja sapo kishte nisur të merrte veten nga pjesa më serioze e pandemisë Covid-19, në maj 2020, kur Saimir Sula, një qytetar shqiptar 31-vjeçar, vuri re se kishte ethe. Ai shkoi në Hospital del Mar në Barcelonë për një test PCR, por nuk arriti të dilte gjallë që atje. Kur trupi i tij u riatdhesua për autopsinë, mjekët ligjorë bënë një zbulim të frikshëm: Trupit të Saimirit i mungonte zemra. Pas tre vjetësh me padí e korrespondenca midis autoriteteve spanjolle e shqiptare, tani të dyja po finalizojnë transferimin e organit.
Por si u arrit te kjo situatë? Pse u hoq organi dhe si mund të jetë dikush 100% i sigurt e është zemra e tij ajo që do të kthehet në Shqipëri? Të gjitha këto janë pyetje që Prokuroria e Tiranës dëshiron t’u japë përgjigje përmes plotësimit të autopsisë dhe testit të ADN-së, duke pasur dyshimin se Sula mund të ketë qenë viktimë e trafikimit të organeve – një hipotezë që është hedhur poshtë nga drejtësia spanjolle.
Majlinda Sula, motra e Saimirit, dyshoi që nga fillimi se diçka e çuditshme kishte ndodhur. Skeda mjekësore e Saimirt thoshte se ai ishte tepër nervoz dhe se vdiq pasi rojeve të sigurisë së spitalit iu desh të ndërhynin për ta ndaluar. Autopsia, e kryer nga Institut de Medicina Legal i Ciències Forenses i Katalonjës, konkludoi se vdekja e tij kishte qenë “pasojë e një arresti kardiak për shkak të ateromatozës kritike koronare” dhe pranoi se “prania e bronkolitit, ethet, nervozizmi dhe kufizimi me forcë ishin faktorë në rezultat, duke shkaktuar kërkesë të rritur kardiake”.
“Para kësaj, ai më telefonoi e më tha se po e trajtonin keq, prandaj refuzova të firmosja një letër që më dhanë që të mund ta digjnin trupin pa e zgjatur shumë. Kërkova që trupi të kthehej në Shqipëri që të mund t’i bënin autopsinë atje”, shpjegon Majlinda me telefon nga Barcelona, ku ka jetuar që në adoleshencë.
Në të njëjtën kohë, ajo kontaktoi avokatin Carlos Sardinero, i cili punon për një OJQ të specializuar në të drejtën e pacientëve dhe për keqtrajtimet, për t’u marrë me këtë çështje. Sardinero shpjegon se – pavarësisht mbylljes dy herë të çështjes sepse gjykatësit vendosën që ishin kryer testet e nevojshme për të provuar që Sula vdiq nga shkaqe natyrore – ka shumë copa të rebusit që nuk përputhen.
Zëdhënësja e Hospital del Mar tha për EL PAÍS se institucioni “bashkëpunoi në mënyrë aktive që nga fillimit” dhe se gjyqtari kishte “përjashtuar çdo përgjegjësi nga ana e qendrës”. Rezultati i autopsisë, e cila nuk u krye në Hospital del Mar, “përjashtoi që vdekja të kishte lidhje me ndonjë nga veprimet e spitalit, duke arritur në përfundimin se ajo erdhi për shkak të patologjive të mëparshme nga të cilat kishte vuajtur pacienti”, tha zëdhënësja.
Teorikisht, zemra e Saimirit gjendet në Institutin Kombëtar të Toksikologjisë (INT). Por data e dhënë për fillimin e testeve është 22 prill, 17 ditë para vdekjes së shqiptarit që kishte jetuar në Spanjë prej dhjetë vjetësh. “Na thanë që ishte gabim, por nuk na kanë dhënë ndonjë sqarim tjetër përveç kësaj. Në mënyrë të pashpjegueshme, Gjykata Provinciale e Barcelonës nuk e pranoi testimin e ADN-së së zemrës së pacientit, siç u kërkua nga familja dhe qeveria shqiptare. Ishte dokumentuar me një numër kontradiktash pa precedent: ishte vendosur se nuk kishte prova të mjaftueshme që vdekja e pacientit ishte vdekje e dhunshme për shkak të masave kufizuese të marra nga personeli i sigurisë i spitalit; megjithatë vazhduan të thoshin të kundërtën, duke deklaruar se një nyje lidhëse që shkaktoi vdekjen e tij ishte nervozizmi dhe kufizimi të cilit iu nënshtrua”, thotë Sardinero.
Avokati mendon se drejtësia spanjolle po “e shton mjegullën” rreth çështjes duke mos kryer diçka “aq të thjeshtë e të shpejtë” si testi i ADN-së.
Duke marrë këto në konsideratë, autoritetet gjyqësore shqiptare dyshojnë se Saimiri ka qenë viktimë e trafikut të organeve dhe se zemra e tij tani rreh në trupin e dikujt tjetër. “Nuk e di nëse është kështu, apo nëse rojet e rrahën deri sa vdiq. Prandaj duam të bëhet autopsia dhe testi i ADN-së, për të mësuar të vërtetën”, thotë Majlinda.
Tre vjet kërkime për të vërtetën
Majlinda ka kaluar tre vite duke u përpjekur të zbulojë se çfarë ndodhi me vëllanë e saj. Së pari, për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij dhe më vonë, kur u zbulua se trupi i tij nuk kishte zemër, për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur me të.
Ajo u ka shkruar autoriteteve spanjolle dhe shqiptare dhe ka protestuar në të dy vendet, si dhe në Bruksel. Rasti i Saimirit është i njohur në Shqipëri dhe madje është bërë një dokumentar për të. Megjithatë, ajo thotë se nuk ishte e lehtë të bënte të dëgjohej.
Ajo ia doli të detyronte Prokurorinë dhe autoritetet shqiptare të kërkonin zemrën përmes kanaleve të ndryshme, gjë që u injorua në disa raste nga gjykatat spanjolle. Në mars të këtij viti, përpjekjet diplomatike dhanë fryte. Pas procedimit të një komisioni hetimor të ngritur nga Shqipëria, Ministria e Jashtme spanjolle i kërkoi gjykatës përkatëse në Barcelonë të niste riatdhesimin e organit.
Përgjigja e gjykatës erdhi këtë muaj, kur kërkoi nga INT të jepte detaje për mënyrën e ruajtjes dhe mjetet teknike për transferimin e zemrës në Shqipëri “sa më shpejt të jetë e mundur”. Pasi të finalizohen këto detaje, organi do të transferohet dhe misteri nëse ajo i përket Saimirit do të zgjidhet përfundimisht. Në të njëjtën kohë, Sardinero është ende duke luftuar në gjykata dhe ka paraqitur një mocion për rihapjen e çështjes për t’i shkuar deri në fund të asaj që ai e sheh kupton si “shkelje e të drejtave themelore”.