Mungesa e lirisë së pronës, zgjedhjes, e fjalës së lirë pas çlirimit bënë që diktatori Enver Hoxha jo vetëm të fshihte deklaratën e mbledhjes së tetorit ’44, kur u shpall qeveria demokratike e Beratit, por dhe ta sfumonte atë. Të njëjtën rrugë kanë ndjekur dhe historianët, të detyruar nga sistemi.
Sipas autorit të dosierit, Ylli Polovina, Enver Hoxha nuk i ka kushtuar asnjë rresht të drejtpërdrejtë Deklaratës për të drejtat e njeriut, të shpallur në atë periudhë. Ndërkohë, ai ngre dhe misterin se ku u zhduk Enver Hoxha deri më datë 20 tetor. Nga të dhënat e asaj kohe, u tha se mungesa e Komandantit të Përgjithshëm ishte për shkak të një gripi, por e vërteta nuk dihet ende as sot.
YLLI POLOVINA
AKADEMIA E SHKENCAVE PËR LIRINË, NË DY KOHË
Për këtë deklaratë, e cila në rast se në Shqipëri do të ngrihej një sistem shoqëror demokratik, do të zinte vend të prekshëm nëpër librat shkollorë apo do të shndërrohej në subjekt filmash e veprash të shumta artistike, ngjarje e cila do të ruhej në kujtesën kombëtare me pothuaj madhështi, para nëntëdhjetës ka përdorur censurimin. Enver Hoxha personalisht ka zbatuar minimizimin maksimal të saj, ndërsa shkruesve të tjerë u ka lënë shteg ta citojnë me një mal hipokrizie sipër.
Vetë, në të gjithë ciklin e librave të tij të kujtimeve, nuk shkroi asnjë rresht të drejtpërdrejtë dhe të ngrohtë për këtë Deklaratë, sepse mund edhe një faqe ta mbushte me kujtime, pse jo edhe një kapitull libri. Ai nuk ka dashur as ta kujtojë posaçërisht, sepse ndryshe do të ngacmonte pyetjen se ku ndodheshin tashmë ato premtime lirie të 23 tetorit 1944.
Te botimi “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, Hoxha për “Deklaratën e të drejtave të qytetarëve” ka vetëm këtë frazë: “Në seancën e pasdites, në emër të Qeverisë, bëra një Deklaratë programatike në të cilën shprehej angazhimi i Qeverisë së re për të çuar deri në fund luftën për çlirimin e vendit, për t’u qëndruar besnikë vendimeve historike të Përmetit, për forcimin e pushtetit popullor, për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave demokratike për masat popullore etj”. Përmendja kalimthi apo si çështje e zakonshme e “Deklaratës për të drejtat e qytetarëve” mund të shihet në botimin tre vëllimesh të “Historisë së Shqipërisë”, viti 1965, të hartuar nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, çfarë është përsëritur pothuaj fjalë për fjalë në 1988-n.
Formulimi është ky: “Një nga vendimet më të rëndësishme që mori Mbledhja e Dytë e KANÇ ishte aprovimi i ‘Deklaratës mbi të drejtat e qytetarëve’. Ky dokument shpallte dhe u siguronte gjithë shtetasve shqiptarë të drejta të barabarta para ligjit; lirinë e mbledhjes, të fjalës, të të drejtave të gruas me ato të burrit; të drejtën e zgjedhjes dhe shoqërimit dhe të shtypit; lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes; barazinë e të drejtën për t’u zgjedhur që në moshën 18 vjeç me votim të fshehtë, të drejtpërdrejtë dhe të përgjithshëm, të drejtën e ankimit, të lutjes në të gjitha instancat e pushtetit shtetëror; paprekshmërinë e personit”.
Dy paragrafë më poshtë ky libër shkruan të pavërtetën se “Deklarata e të drejtave të qytetarëve” ishte një ndër dokumentet e para më të rëndësishme kushtetuese të pushtetit të ri demokratik popullor. Kur në 22 tetor 1984, në Berat, u festua 40-vjetori i “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”, me titullin të formuluar pikërisht kështu, u botua një broshurë e shtypur në Kombinatin Poligrafik në Tiranë, por e përgatitur prej Muzeut Historik të Rrethit të Beratit.
Mes dokumenteve origjinale të pasqyruara në formë faksimileje, ajo Deklaratë, që të mund të fiksohet vizualisht, nuk gjendet. Megjithatë, ajo deklaratë në formën origjinale, siç edhe u publikua menjëherë pas Mbledhjes së Dytë të KANÇ-it, u ruajt deri në 1991-shin në muzeun e Beratit, madje pa u prekur nga një rishikim i tij në vitin 1969, kur Hoxha erdhi me rastin e 25-vjetorit.
Madje edhe mund të censurohej, sepse ndërkohë, me prishjen e institucioneve të besimit ishte ndaluar edhe feja, çfarë në Deklaratë shkruhej e zezë në të bardhë, fare qartë. Këtë dëshmi për lexuesin e “Panorama” na e sjell Marela Guga, ish-drejtore e këtij muzeu pas viteve nëntëdhjetë dhe vetë autore librash historikë për Beratin. Kujtojmë ndërkohë se në vitin 1985, Akademia e Shkencave e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë botoi “Fjalorin enciklopedik shqiptar” dhe në faqen 174 të tij gjendet i dukshëm zëri “Deklaratë e KANÇ-it mbi të drejtat e qytetarëve”.
Janë mbi pesëdhjetë radhë, të cilat nisin me formulimin “Dokument me rëndësi të madhe, me anë të të cilit KANÇ, në mbledhjen e 22 tetorit 1944, ‘duke shprehur dëshirat e drejta të popullit dhe vullnetin e tij për të ndërtuar një shoqëri njerë- zore plot liri e dinjitet’, merrte përsipër, në emër të shtetit demokratik popullor, detyrime juridike të rëndësishme për zbatimin real të të drejtave dhe lirive demokratike të shtetasve”. (Shihni: qytetari u bë shtetas!)
Pasi autorët e Fjalorit paraqitin tekstin e të gjitha të drejtave që PKSH u afronte shqiptarëve në fundtetor 1944, e mbyll kështu tërë parashtrimin: “Deklarata nuk dilte nga kuadri i shndërrimeve demokratike, për shkak të kushteve të atëhershme të brendshme e ndërkombëtare. Por karakteri demokratik konsekuent i parimeve që ajo shpallte, si edhe fakti thelbësor se pushteti ishte në duart e klasës punëtore në aleancë me fshatarësinë punonjëse, e bënte këtë dokument një bazë juridike që lejonte zgjerimin e mëtejshëm të të drejtave të punonjësve, sidomos në lëmin shoqëror, ku pas çlirimit të vendit do të bëheshin shndërrime rrënjësore me karakter revolucionar”.
Ndërkaq kur kjo Akademi hartoi dhe botoi në 2008-n, në tri vëllime, “Fjalorin enciklopedik shqiptar”, në zërin e hapur për “Deklaratën e të drejtave të qytetarëve” të 23 tetorit 1944, hartuar prej Profesor Luan Omarit, paraqitja e ngjarjes mbyllet me këto radhë: “Por në praktikën e socializmit real të zbatuar në Shqipëri shumë nga këto të drejta nuk u respektuan; u cungua rëndë liria e fjalës, e shtypit, e organizimit, e ndërgjegjes; u ndalua ushtrimi i besimeve fetare, u shkatërruan objektet e kulteve fetare; nuk u garantua prona private dhe u ndrydh plotë- sisht nisma private në ekonomi etj”.
KOLONELI JUGOSLLAV VELIMIR STOJNIÇ, AUTOR I DEKLARATËS SË TË DREJTAVE QYTETARE
Kur në 25 nëntor 1944, në Plenumin e Dytë të KQ të PKSH-së foli edhe i dërguari i Partisë Komuniste Jugosllave, koloneli Velimir Stojniç, mes të tjerash tha se Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare që kur ndodhej në Odriçan, “kishte vendosur të mos bëhej ‘Deklarata mbi të drejtat e qytetarëve’, pasi disa gjëra ishin thënë që në “Labinot”. Pastaj, ndërsa deklaron se është autori i projektvendimeve që do të miratoheshin në Berat nga Mbledhja e Dytë e KANÇ-it, thekson: “Kështu, kam ndihmuar në çdo gjë. Kam dhënë të gatshme ‘Deklaratën e të drejtave të qytetarëve’”.
Ndërkohë, për të plotësuar pamjen e dy të pavërtetave për Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, le të rikthehemi tek e fshehura tjetër: Pse Enver Hoxha shkruan se në qytetin e Beratit nuk erdhi në natën e vonë të 19 tetorit, por në orët e para të pasdites së datës trembëdhjetë. Kjo ngjau sepse ka ndodhur një ngjarje, të cilën i duhej ta zhdukte nga kujtesa historike e shqiptarëve.
Sipas Qazim Kondit dhe librit të tij të kujtimeve, në 18 tetor, në kinemanë e Beratit u mbajt një mbledhje e rregullt e KANÇ- it me përfaqësues të terrenit dhe të ushtrisë. Merrnin pjesë në presidium Koçi Xoxe, Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, Ramadan Çitaku, Bedri Spahiu, Nako Spiro dhe Naxhie Dume Foli Malëshova, i cili mbajti një referat mbi gjendjen ndërkombëtare dhe atë brenda vendit, njoftoi se Shqipëria qe në prag të çlirimit të plotë, foli për reformat që do të ndërmerreshin pas lufte etj. Pastaj u mbajtën shumë diskutime.
Mungesa e Enver Hoxhës në këtë mbledhje iu shpjegua anëtarëve të Këshillit “për arsye gripale”. Ai u shfaq në të njëjtën sallë dy ditë më pas, në 20 tetor, kur edhe historiografia zyrtare e para nëntëdhjetës, por edhe ajo e mëpasshme, vazhdojnë ta konsiderojnë si momentin e fillimit të kësaj ngjarjeje.
Komentet