“Missionary Herald” ka botuar, në maj të 1911, në faqet n°320 – 321, rrëfimin e pastorit amerikan Phineas Barber Kennedy mbi mundësinë e zhvillimit dhe përhapjes së letërsisë së krishterë asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Terren strategjik
(Fusha e Turqisë Evropiane)
Në shënimet e bëra së fundmi nga Pastori P. B. Kennedy mbi Shqipërinë si fushë misioni, një pikë e veçantë i kushtohet karakterit të saj strategjik dhe urgjencës së mundësive të tanishme atje :
“Shqipëria është vendi i mrekullueshëm malor në pjesën perëndimore të Turqisë në Evropë, në kufi me Adriatikun. Këtu sapo ka nisur puna nga Bordi Amerikan, ndonëse prej shumë vitesh interesohet për Konviktin e Vajzave në Korçë, i drejtuar me sukses nga Zonjusha Sevasti Qiriazi, dorëheqja e së cilës së fundmi do të bëjë të nevojshme ndryshime të rëndësishme.Puna persekutohet vazhdimisht nga qeveria dhe kisha ortodokse greke. Aktualisht, kjo shkollë ka gjashtëdhjetë nxënës ditorë dhe njëzet konviktorë. Vajzave u refuzohet hyrja për shkak të mungesës së hapësirës,pasi ambientet aktuale janë shumë të ngushta.
Ndërsa ky komb sapo ka filluar të zgjohet për përdorimin e gjuhës së tij, nevoja dhe mundësia për letërsinë e krishterë është përtej përshkrimit.Unë mendoj se është kombi i fundit në faqen e dheut që nuk e ka Biblën e Shenjtë në gjuhën e vet, megjithëse Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj tani po mendon të marrë përsipër këtë punë.Për këtë kanë vendosur një shtypshkronjë të madhe në Manastir. Vetë shqiptarët kanë nisur botimin e disa gazetave. Tani është rasti për t’u dhënë atyre literaturë të krishterë, që ndikimet e tjera të mos dëmtojnë të ardhmen e tyre të ndritur.
Puna ungjillore po fillon edhe në Elbasan, një qytet në Shqipëri, tre ditë udhëtim me kalë në veri të Korçës.Po bëhen përpjekje për hapjen e një institucioni të madh për djem dhe të rinj. Vetë shqiptarët, si të krishterët ashtu edhe myslimanët, janë të etur për të.Një institucion i tillë, dhe ndoshta një spital më vonë, do të përparonte shumë interesat e Krishtit në këtë pikë strategjike.Një udhëtim me kalë (nuk ka asnjë mjet tjetër transporti) nëpër këtë vend është jo vetëm shumë interesant, por zbulon rëndësinë e tij të madhe si fushë misionare.Për të arritur botën myslimane, duhet të arrish Turqinë.Për të arritur Turqinë, duhet të arrish racën e fortë, të guximshme të shqiptarëve, të cilët mbajnë kaq shumë poste drejtuese në të gjithë perandorinë, veçanërisht në ushtri.Për të arritur Shqipërinë, është e nevojshme të përmirësohet hapja e mrekullueshme providenciale brenda kësaj race të fortë dhe të pavarur.”