Situata kriminale në Shqipëri, për shkak të shumë shkaqeve dhe shumë problematikave, të trashëguara dhe të fituara, vazhdon të paraqitet dramatike dhe të jetë pasqyrë e vetë krizës së shoqërisë shqiptare, në këtë tranzicion të gjatë e të vështirë. Shumë analistë e lidhin këtë me qeverisjen e keqe, gjatë këtyre njëzet e katër viteve, me varfërinë, mungesën e punësimit dhe afirmimit të prirjeve e talenteve të individit, në thelb me mungesën e shpresës dhe të një vizioni për ardhmërinë.
Krimi është shtrirë nga rruga deri në Parlament, nga krimi i rrugës dhe ai ordiner deri te krimi i organizuar dhe përfshin grupe të ndryshme moshore e shtresimesh sociale, ku sidomos shfaqen me tendenca kriminale të rinjtë e papunë, pa shkollimin dhe kualifikimin e duhur, të lidhur që në moshë të mitur me bandat dhe gruper e organizuara kriminale.
Elementët kriminalë po intensifikojnë veprimet e tyre të keqbërjes, vjedhjeve, vrasjeve, hakmarrjeve e gjakmarjeve, sidomos në zonat e varfëra rurale ku dhe kontrolli i strukturave të shtetit për rendin publik janë më pak të pranishme dhe më pak efikase. Nga ana tjetër, në këto zona varfëria është më e madhe se në zonat urbane, shkollimi, edukimi dhe zënia e të rinjve me veprimtari shoqërisht të dobishme është shumë më e pakët se në zonat urbane.
Ngaqë gjatë këtyre njëzet e katër viteve ligji dhe e drejta jo gjithmonë kanë shkuar në të njëjtin krah, ka pasur shumë dëshpërim të individëve, që duke u përballur me keqbërësit janë ndier të braktisur nga shteti dhe shoqëria. Në gjithë këtë histori ku shembujt janë aq të shumtë sa është e pamundur të rreshtohen në një shkrim, duhet veçuar një dukuri alarmante: instiutcionet e antikrimit, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë qenë gati të paralizuara, të mpira e pa vetëdije të plotë veprimi kundër këtij dimensioni agresiv që ushtrohet ndaj shoqërisë së brishtë shqiptare. Çuditërisht, sa më shumë zhvillohet teknologjia dhe sofistikohet praktika e antikrimit, aq më shumë del në pah dhe evidentohet keqbërja, vrasjet, rrëmbimet, pengmarrjet, trafikimi, rrethimi i të drejtave qytetare me ndalesa të dhushme, gjithësesi të pajustifiklara për një shoqëri të hapur, që synon të arrijë në kuotat e niveleve europiane, si në të gjitha drejtimet, edhe në atë të rendit dhe stabilitetit të jetës qytetare.
Sot shoqëria shqiptare, për fat të keq, ende vazhdon të ndodhet në një udhëkryq të trishtë, për shkak të trashëgimisë së botës kriminale si pasojë e pandëshkueshmërisë institucionale, e mundësive të kufizuara të institucioneve të ligjit për të frenuar, bllokuar apo më së paku tkurur përmasat e krimit, që po bën kërdinë.
Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshpejtuar tempin kriminal, duke e kthyer zejen e keqbërjes në një mjet për përligjien e botës së krimit. Shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e krimit- sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instikteve barbare, po shndërrohen në një “normalitet të sëmurë” në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion ” larje hesapesh”.
Krimi në Shqipëri është cilësuar nga ekspertë e sociologë të ndryshëm si një fenomen gjithnjë e në rritje. Me kalimin e viteve ai është kthyer në një fenomen që dominon shoqerinë shqiptare që në themelet e saj.Vendi ynë goditet thuajse çdo ditë nga krimi i rrugës, krimi i organizuar dhe ai në familje.
Me 2 nëntor 2011, plagosën me armë zjarri në fshatin Dom Gjon të Mirditës, Gëzim Laska 30 vjeç dhe Martin Laska, 32 vjeç nga bashkëfshatari i tyre Dedë Ndoj, 34 vjeç. Megjithëse autori prangoset nga policia, rrethi i të keqes nuk mbyllet, por vazhdojnë presionet e palës që ka vrarë mbi kushëririn e parë të dy vëllezërve të ekzekutuar, Alekasndër Mark Laska, me banim në Lezhë, ndaj të cilët janë bërë dy tentative për ta ekzekutuar, por që kanë dështuar vetëm falë ndërhyrjes në kohë të policisë lokale.
Në Zogaj të Dibrës, Midis vitit 1882-1999, ndodhin dy vrasje për motive pronësie, vriten vëllezërit Iljas dhe Afrim Suti. Vrasësit u zbuluan, por drejtësia as sot e kësaj dite nuk e ka thënë fjalën e saj për ndëshkimin e tyre. Edhe pse vëllezërit Hekuran Suti dhe Nazmi Suta ankohen dhe ngrejnë zërin kundër organeve të drejtësisë që nuk veprojnë, rruga e ankimit të tyre është mbyllur, përkundrazi presioni i familjarëve të vrasësve ndaj tyre rritet, duke bërë që ata herë pas here t’i nënshtrohen presionit dhe tentaivave për t’i ekzekutuar.
Kjo apati, mosveprim apo ngritje e flamurit të bardhë para krimit nuk shtë një rast i veçantë, por një psikolgji që mban peng një drejtësi të vërtetë dhe të pakorruptuar, që të ketë tempull ku të falet vetëm ligjin dhe të drejtën. Në këtë mënyrë, krimi pajiset me një alibi të fortë dhe vepron si një strukturë e pavaruar, duke paralizuar shtetin në luftën e tij për të siguruar normalitetin dhe shenjtërinë e lirive dhe të të drejtave të banorëve të këtij vendi.
Shoqëria shqiptare asnjëherë nuk ka qënë më e zbuluar ndaj krimit të organizuar dhe mafies, të cilat duke i ofruar botës së krimit “dorashkat” e një mbështetje të këtij soj, i kanë hedhur asaj në fyt një lak të egër. Kështu, dalëngadalë, por në mënyrë simetrike, po krijohet një përligjje kolektive ndaj krimeve mafioze të motivuara në emër të kësaj psikolgjie dhe alibive të përdorura në këto raste, për fat të keq, po fitojnë terren dhe qytetari.
Lypset të ridimensionohet dhe të plotësohet spektri ligjor, të zhdërvjellësohen institucionet e antikrimit. Lypset që të unifikohet qëndrimi i spektreve politike kundër mekanizmave kriminalë të shoqërisë shqiptare, një unifikim real dhe jo fasadë, që mund ta ngushtonte ndjeshëm rrethin e veprimit të këtyre mekanizmave. Shoqëria shqiptare jeton periudhën e një krize vertikale, ku janë mpleksur të gjitha rrethanat e disfavorshme të një tranzicioni të çuditshëm, që po shtyhet në kalendat mitike të fqinjëve tanë të Jugut, por dhe shansin e fundit për të dalë nga tuneli i errët, ku duan ta mbajnë të mbërthyer vendin mafia dhe protagonistët me “jaka të bardha”.
Misioni i drejtësisë në këtë drejtim është një mision i shenjtë që vetëm sa ka filluar, por nuk mungojnë juristët e zotë, të ndershëm e të përkushtuar, që mund ta çojnë atë përpara, duke u bërë modele në një vend që ka aq shumë për modele në të gjitha fushat e jetës, por veçanërisht në sistemin e drejtësisë.
Komentet