Niko Kurani po konsumon vitin e 83–të të jetës. Ësh të pa dyshim, një nga të artët në historinë e notit shqiptar. Mbretëron së bashku me Kastriot Karamuçon, në garat e shpejtësisë në stilin e lirë. Goditet nga dy fatkeqësi, duke ia rënduar dukshëm këtë finale të jetës.
Në moshën 26-vjeçare, në mesin e viteve ‘90-të, humb jetën në Itali i biri, Arbeni, mahnitës nga bukuria. Dhe ky notar më shumë se i mirë. Dhimbja pushtoi çiftin Kurani: Nikon dhe Verushen, kampionen e dikurshme të pingpongut, mësuesen aq të dashur të edukimit fizik. Pas largimit nga jeta të Benit, Verushja jonë aq e dashur, “plasi” nga dhimbja. Në këtë ditë si katër vite më parë edhe ajo nuk jeton. Është në parajsën e përjetshme, së bashku me të birin Arbenin.
Eh dhimbje, dhimbje! Niko Kurani tashmë është fillikat i vetëm. Por nuk heq dorë nga marshimet sportive dhe kontaktet me ujin e detit. Deti dhe durrsakët janë binom i kahershëm dhe do të mbajnë përjetësisht njëri-tjetrin. Kafenë e mëngjesit e konsumon në Currila. Niset nga Muzeu i Dëshmorëve ku ka banesën, e deri tutje, te leshteriku, fusha “e blertë” e durrsakëve dhe është në komoditetin e tij. Deri në fund të nëntorit, Niko Kurani lahesh në det dhe si një besnik i vjetër, e lanë të takohen nga muaji mars. Kujtoj dhe njëherë moshën e Nikos: 83 vjeç.
Është me baba shqiptar dhe nënën spanjolle. Me babanë pjesëtar aktiv në luftën e Spanjës në vitin 1936, ku shkuan dhe ranë dëshmor shumë vullnetarë shqiptarë, ndërmjet të cilëve Asim Vokshi dhe Ramiz Varvarica. U takova këtë të diel të 10 dhjetorit 2023 me Niko Kuranin. Ndamë së bashku dhimbjen për Mirush Kabashin, shokun, mikun tonë, që nuk i shkëputëm për asnjë çast takimet dhe bisedat. Në Durrës vazhdon të përjetohet ndarja nga jeta e djalit të durrsakëve Mirush Kabashi. Artisti ynë kishte lidhje shumë me qytetin dhe banorët e tij, pa dallim moshe dhe profesioni. Të gjithë e donin Mirushin, pasi edhe ai i donte ato.
Në bisedë krejt rastësisht duke prekur dhimbjen Niko Kurani, biri i pandryshkur i detit, më tregoi dy episode shumë të rralla, që lidhen me Mirush Kabashin. Pasi u ndamë me Nikon duke transmetuar respekt reciprok, vrava mendjen dhe vendosa që këto dy episode që i kam konsideruar të jashtëzakonshme, t’i bëj pronë të lexuesit.
EPISODI I PARË –Mirushi notoi 5 kilometra i sho qëruar nga delfini Mirush Kabashi ishte amator aktiv i notit. Kishte shumë dëshirë të merrte pjesë në maratonat e notit. Niko Kurani më lutet të mos ia ngacmoj kujtesën, pasi nuk mund t’i besoj si më parë. Vitet i ka me rezerva, por kohën që ndodhën këto dy episode. Ndodhia e parë. Është zhvilluar maratona e notit prej 20 kilometrash, me pikënisje nga Ishulli i Sazanit, e me finish portin e Vlorës.
Notarët pjesëmarrës shoqëroheshin nga varka, ku prezentë ndodheshin 1 trajner noti dhe 1 peshkatar me përvojë. Niko Kurani ishte ngarkuar të ndiqte notimin e Mirush Kabashit dhe të mirënjohurit të sporteve, Arben Jorgoni. Pas kilometrave të para, peshkatari i varkës pa që në drejtim të Kabashit dhe Jorgonit po drejtohej një delfin i madh. Tmerrohet dhe shqetësohet. Por vendosin të mos i bëjnë merak dy garuesit.
Mirushi dhe Beni notonin, duke parë nga njëri-tjetri. Herë futnin kokën në ujë dhe më pas vështronin ecurinë e notimit. 1 metër në brinjë të tyre, në krah të Mirushit notonte edhe delfini. -Mirë dy notarët, nuk duhej ta kuptonin që kishin pranë delfinin, më tregon Niko Kurani, por më duhej t’i jepja siguri dhe të frenoja edhe tensionin që ndiente peshkatari veteran.
E qetësova duke i thënë se për një gjë jam i sigurt, që delfini nuk të prek, është shumë miqësor me njeriun dhe legjendat për këtë nuk kanë dalë kot. Pas 5 kilometrash notim tresh, delfini “i mirë” i ujërave të Jonit, largohet nga dyshja jonë, duke i thënë në heshtje një mirupafshim të gjithëkohshëm. Mirush Kabashi kur përfundoi garën, i treguan se prej 5 kilometrash fare pranë, ka pasur shoqërues të pabesueshëm, delfinin të bërë mik tashmë. Sigurisht rast i jashtëzakonshëm ky, të paktën për maratonat tona të notit.
EPISODI I DYTË –Mirush Kabashi pas kësaj që i ndodhi, ishte në jetë të dytë Sikur të hapja prushin e një vatre zjarri, i dërgova një ngacmim kujtesës së Niko Kuranit. Dhe Kurani ftillohet mirë dhe nis rrëfimin e dytë, për të mirin tonë, Mirush Kabashi.
Niko këmbëngul që kjo nuk ka shumë kohë që ndodhi. Orientohej duke më shpjeguar se episodi me natyrë dramatike dhe për pak edhe tragjike me Mirushin, duhej të kishte pak vite nga shfaqja e sëmundjes së pashërueshme. Përsëri me maratonën, ku Mirush Kabashi kishte grintën e notarit profesionist, veçanërisht në garime të gjata. Nuk është e saktë ajo që u fol këto ditë, se notonte në stilin flutur, pasi maratonat e notit bëhen gjithnjë në stilin e lirë, pasi mënyrat e tjera të notimit, janë shumë të vështira për gjatësi prej disa kilometrash.
Maratona ishte caktuar të niste nga fenerët, hyrja e basenit të portit të Durrësit dhe do të përfundonte në plazh, diku në stacionin “Hekurudha”. Gara ishte individuale dhe nuk mundej të ndiqej çdo individ më vete. 3-4 kilometra notim dhe përfundimi do të ishte i shpejtë. Kur gara përfundoi dhe pjesëmarrësit kishin prekur tashmë finishin, u vu re që mungonte vetëm një notar. Dhe ky ishte Mirush Kabashi. U bë alarm i madh. Autoambulanca, motoskafë dhe polumbarë, u vunë në lëvizje në kërkim të artistit tonë të shquar. Shqetësimi sa vinte e rritej.
Ankth dhe tension i jashtëzakonshëm. Numri i kërkuesve dhe i mjeteve sa vinte e rritej. Diku nga ujërat e sektorit të “Plepave”, shumë larg nga vendmbërritja, jepet piskama se Mirush Kabashi u gjet. Kurani kujton: -Mirushi ishte shumë thellë, por shyqyr ende me frymë dhe mbi valë. Ishte i këputur dhe i përgjumur. I lodhur plotësisht. Zoti po e mbante ende me frymë. Kur e pashë ashtu të rënduar, lot më kanë dalë nga sytë. U bashkua shqetësimi me gëzimin. Për pak se nuk e humbëm Mirushin. E mbajtëm në krahë. I dhamë frymë nga fryma jonë. Dhe autoambulanca sa hap e mbyll sytë, e dërgoi fizikun e fortë të notarit artist në urgjencë.
Pas disa orësh përmendet dhe as që dinte se çfarë kishte ndodhur me të. Kur Mirushi vinte në Durrës dhe takohesh me miqtë, nuk e harronte edhe mjeshtrin e madh të ujit, durrsakun e tij aq të ëmbël, Niko Kuranin. Dhe kujtonin këto dy episode, që tashmë janë në duart e lexuesit.
Dhe kur Mirush Kabashi, megjithëse me fizik të dëmtuar nga sëmundja e mbrapshtë, erdhi në 90- vjetorin e lindjes së mjeshtrit të madh të notit, Mirban Kadiu, gjetëm rast dhe fiksuam pamje, të cilat po i publikojmë së bashku me shkrimin. Mirush Kabashi u nda nga jeta me 5 dhjetor 2023. Në memorien e mjeshtrit Kurani zënë vend edhe këto dy episode të rralla, që e prezantojnë Mirush Kabashin, jo vetëm Sokratin e skenës, por edhe Sokratin e palestrës pa kufi të ujit.
Durrës: 10 dhjetor 2023