Me 17 korrik 2018 udhëtoi drejt Lurës numri i parë i gazetës “Lura”.
Lurianët e rrënjëve, të kullave krenare që kanë pritur burra me namë që kanë bërë histori në këto troje, e pritën me ngrohtësi e dashuri gazetën e tyre, zërin e tyre, si një diçka të shtrenjtë, që e kanë dashur prej kohësh, por iu ka munguar.
Ka disa kohë që në mendimet dhe ëndrrat, në projektet dhe kërkimet e mia, endet vizioni i një gazete për Lurën, vendlindjen time të dashur, Mbretëreshën e Kurorëzuar të Bukurisë së Tokës e Qiellit, të Natyrës, Mendjes dhe Shpirtit lurian.
E kam ngritur këtë shqetësim me miq e shokë, bashkëlurasit e mi, të rinj e të vjetër, intelektualë e njerëz të thjeshtë, por dhe në shtypin e shkruar.
Në veprimtarinë e 155 vjetorit të Dom Nikoll Kaçorrit, në Akademinë e Shkencave, unë iu premtova lurianëve se numrin e parë të gazetës “Lura” do ta nxjerr me kursimet e mia dhe ja tek po e mbaj fjalën. Çdo fjalë që ua kam thënë lurianëve, qoftë individualisht, qoftë në tubime e përkujtime, do ta mbaj gjithmonë, deri në frymën time të fundit.
Më në fund, ia arrita ta nis në rrugëtim këtë projekt të bukur, tashmë me numrin e parë të gazetës “Lura”, që shpresojmë ta vazhdojmë dhe flaka e saj informative e diturore të vazhdojë e të mos shuhet kurrë.
Idenë për këtë gazetë, bashkë me disa pika të tjera, që kanë të bëjnë me ruajtjen e traditave më të mira luriane, duke ngritur dhe mermetuar ata që kanë mundësi shtëpitë e të parëve të tyre e të tjera, e të jera, i kam ngritur disa herë në shkrime të ndryshme në gazetat “Koha jonë”, “Telegraf”, “Dita” etj. Gjithashtu në librin tim “Lura, perla e Evropës”, këto çështje zënë një vend të konsiderushëm.
Në kohët më të vështira të shqiptarisë Lura ka bërë zë me kuvendet e burrave të dheut, me kodet e nderit dhe të besës së maleve, me përjetësimin që vajtimoret e Lurës iu kanë bërë burrave trima të saj. Sot në kohën e modernitetit dhe integrimit, ka ardhur koha që Lura të bëjë zë me gazetën e saj. Le të jetë kjo gazetë një ogur i mbarë për Lurën dhe lurianët, një mundësi për të shpalosur në faqet e saj nderin dhe krenarinë, qëndresën dhe përkushtimin e një krahine, e cila i ka dhënë aq shumë kombit dhe lirisë.
Qëllimi im ka qenë dhe mbetet që kjo gazetë modeste të jetë një zë i Lurës, një zë i bukurive të saj të fjetura e të masakruara, një zë i shpirtit kolektiv lurian,i cili rrugëton qysh nga koha e lashtë e perandorëve dhe mbretërve, që kanë bujtur dhe shijuar magjitë e saj të pafundme, gjer në kohën tonë, në këtë kohë, kur babëzia ka arritur nivele të epërme dhe pak, fare pak, mendohet për ruajtjen e thesareve të natyrës dhe të shpirtit njerëzor, thesare që Lura jonë i ka me tepri, për vete dhe për të tjerë, miq e vizitorë, diplomate e shtetarë, shijues e adhurues të bukrive të saj tronditëse.
Në faqet e kësaj gazete do të sjellim Lurën e historisë dhe të përditshmërisë, Lurën e kodeve dhe karareve, Lurën e burrave me namë, të pushkës e të penës, që kanë luftuar e kontribuar për Lurën, Dibrën dhe Shqiptarinë, duke hyrë në analet e historisë së kombit, si figura emblematike të të gjitha kohëve.
Gazeta “Lura” do të jetë një dritë e ndezur informimi për lurianët, por jo vetëm për ata, për të përcjellë në faqet e saj historinë dhe aktualitetin, problemet dhe hallet, përballjet dhe qëndresën, mendësitë e traditës dhe rrjedhat e reja të modernitetit.
Shkrimet tuaja, përvoja juaj, vizioni juaj për Lurën dhe më gjërë, janë të çmuara për ne dhe do të jenë pjesë e udhëtimit tonë të përbashkët.
Mirësevjen “LURA” jonë, për lurianët dhe miqtë e Lurës! Çdo faqe e jotja do të jetë një dritare informimi, dhe shprese për një të ardhme më të mirë të lurianëve, kudo që ndodhen, në Lurën tonë, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Greqi, Itali, Francë, Angli, SHBA e gjer në Australinë e largët…
Pershendetje. Une quhem Agim Moriseni dhe dua tu takoj per nje reportazh per Gjon Ded Morisenin dhe Morisent si fis.