Në Gjenevë edicioni i parë i Grupi polifonik “Bilbili” i Vlorës realizuar në bashkëpunim me shoqatën “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë”
Më 29 mars ’23, në qendër të Gjenevës, në “Théatre de la Madeleine” në rrugën (rue de la Madeleine 1204) u mbajt Koncerti i parë i grupit folklorik “Bilbili” nga Vlora, qe një mbrëmje e veçantë.
Me dinjitet artistik, Afërdita Krasniqi kryetare e shoqatës “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë” ka drejtuar Koncertin “Vëllezër e motra Mirësevini nga Vlora në Gjenevë.”.. Salla kishte në gjirin e saj qindra shqiptarë dhe zviceranë të ardhur nga hapësira gjeografike e kantonit të Gjenevës.
Grupi muzikor popullor “Bilbili” nga Vlora paraqiti vlerat artistike dhe historike të polifonisë shqiptare, si një nga format më të hershme të muzikës popullore në Ballkan. Sot, e mbrojtur nga UNESKO “Pasuri kulturore e njerëzimit”.
Në grupin artistik “Bilbili” i Vlorës bënte pjesë repertori më i mirë i këngëve të vjetra tradicionale shqiptare që nuk kishin kufij. Ishin këngë të jugut, këngë të veriut, këngë të Shqipërisë e të Kosovës, atje ku burojnë këngët e bukura të popullit tonë dhe dy këngë të albumit të tyre të fundit.
Befasia e Koncertit “Bilbili” nga Vlora në Gjenevë ishte prezantimi i dy këngëve për herë të parë nga albumi i tyre më i ri krijuar enkas për ketë rast, me aspekte që evokojnë mërgimin shqiptar dhe ruajtjen e fjalës dhe këngës shqipe tek një brez i rritur larg atdheut.
Kënaqësi e pa përshkruar. Jehoi kënga popullore me shumë zëra. Nga kush u nis? Nga nisi? Kush e mori melodinë? Kush e pasoi? Nuk mund ta përcaktoj. Këngët i niste njeri dhe i vinin në buzë e i përhapnin me shpirt e zemër të gjithë. Ajo që është karakteristika e këngës polifonike është pikërisht grumbullimi i grupit që këndon.
Së bashku me grupin “Bilbili” nga Vlora ishte pa asnjë dyshim një nga artistët më të njohur në “universin” folklorik shqiptar Viktor Paloka. Ky interpretues dhe bartës i shkëlqyer i folklorit të trevës shkodrane nga vjen, me zërin mbi tingujt e çiftelisë do t’i merr të pranishmit fluturimthi në qytetet e gjithë trojeve shqiptare dhe në figurën legjendare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Këngëtarja e njohur Ludmilla Baballëku interpretoj shkëlqyeshëm, u duartrokit shumë gjatë nga publiku.
Gjatë kësaj veprimtarie, z. Ali Mehmeti sekretar i shoqatës KSHGJ në shenjë nderimi u dhuroi udhëheqësit të grupit Mirënjohje dhe anëtarëve ca dhurata modeste nga qyteti plot ngjyra i Gjenevës.
Organizatore e kësaj veprimtarie kulturore – artistike ishte shoqata “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë”.
Mrekulli, mund të thotë dikush. Por a duhet parë kaq thjeshtë? Shoqatën, për të ndërmarr këtë nismë, nuk e shtyu nevoja për tu angazhuar me punë, por diçka tjetër, diçka që ka të bëjë me ndjenjën kombëtare, me personalitetin e bashkatdhetarëve, sidomos të asaj shtrese të inteligjencës që endet nëpër mugëtirën e emigracionit pa mundur të gjejë qetësinë shpirtërore. Mandej, për shumë vite është përfolur se do të hapet një Qendër Kulturore Shqiptare për zhvillimin e kulturës tek brezi i ri, interesim ky nga ana e qeverive shqiptare, por përderisa nuk shohim asnjë xixë në horizont nuk themi se mund të shpresojmë shumë. E atë që s’munden ta bëjnë qeveritë tona deri më tashti në marrëveshje me shtetin zviceran, përpiqet të bëjë shoqata “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë”. Respekt!
Urojmë që edhe shqiptarët në kantone tjera të pasurohen me Grupin Polifonik “Bilbili” nga Vlora në ….
Gjenevë, 30.03. 2023 Nexhmije Mehmetaj