I dashur Z.Ruben Diaz Jr.,
Jam ndjerë shumë e nderuar me vlerësimin tuaj në emër të më tepër se 1.4 milionë banorëve të Bronx, NYC, ku midis tyre jeton edhe Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, për të cilin Ju keni bërë aq shumë.
Amerika ka qenë dhe mbetet Toka e Shpresës edhe për Shqiptarët.
Me Amerikën kam lidhje të herëshme.
Gjyshi im, Mr.Gane Shyti, në vitet e para të shekullit XX, kur ishte një teenager, erdhi emigrant në Amerikë. Si shumë shqiptarë të asaj kohe, ai nis punën në fabrikat e Fordit në Detroit dhe, pas më tepër se një dekade, ai vjen në Shqipëri të martohet me një vajzë shqiptare, gjyshen time për t’u rikthyer rishtas në SHBA.
Dëshira për t’u kthyer në States mbetet e parealizuar, sepse vdes i ri dhe gjyshes time i mbeti pengu i jetës. Gjyshja ime e deshi Amerikën pa e vizituar kurrë, sepse këtë dashuri ia kishte ushqyer gjyshi im.
Kur Shqiperia ishte e izoluar nën diktaturën mizore dhe Amerika vetëm mallkohej nga regjimi komunist, gjyshja dhe nëna më flisnin fshehtas për Amerikën si vendi ku realizoheshin ëndërrat. Regjimi komunist e mallkonte Amerikën, gjyshja ime e bekonte. Gjyshja ime mund të përfundonte në burg nëse e spiunonte dikush. Unë jam rritur midis këtij mallkim-bekimi. Fëmijë Amerikën e perfytyroja si nje fairy tale. Kur regjimi komunist më dënoi edhe tim atë, atëhere Amerikën e desha fshehtas edhe unë.
Simpatinë për Amerikën e kam të trashëguar edhe prej gjyshit nga babai që e dërgoi xhaxhain tim të studionte në shkollën Amerikane të Fullcit, shumicën e nxënësve të të cilit diktatura komuniste sa do të vinte në pushtet, do t’i burgoste e pushkatonte.
Por pavarësisht propagandës së egër të diktaturës, edhe në psikën e shqiptarëve, Amerika përfytyrohej sipas vargjeve të poetit, përkthyesit dhe priftit orthodoks Fan Noli “Mbaju Nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë” si shpëtimtarja e kombit, pasi aty jetonin djemtë më të mirë të Nënës Shqipëri, të gatshëm të shpëtonin Atdheun e tyre nga robëria komuniste.
Poetët janë profetë dhe profecia e Fan Nolit është vërtetuar: Amerika ka qenë dhe mbetet shpëtimtarja e shqiptarëve.
Amerika u bë strehë e gjyshit tim në fillim të shekullit XX;
Amerika u bë strehë edhe për Familjen e mikut tuaj Esad A. Rizai në mes të shekullit XX, kur u arratis si shumë shqiptarë të tjerë, nga terrori komunist në Shqipëri;
Amerika është bërë strehë edhe për mijra e mijra emigrantë nga Shqiperia, Kosova e Maqedonia në fund të shekullit XX dhe gjatë këtyre dy dekadave të para të Shekullit XXI.
Dhe “Djemtë e Nënave” që profetizonte Fan Noli, vijnë në SHBA e bëhen urë lidhëse midis Amerikës dhe shqiptarëve në trojet e tyre, qoftë në Shqipërinë londineze, qoftë në trojet etnike shqiptare, që shtrihen në disa shtete në Ballkan.
Pa këtë urë lidhëse, rrëzimi i diktaturës në Shqipëri do të ishte i pamundur;
Pa këtë urë lidhëse midis Amerikës dhe shqiptarëve
do të ishte e pamundur të ndalej spastrimi etnik dhe genocidi në konfliktin e 1998/99 në Kosovë;
apo segregacioni racor antishqiptar që mbylli konfliktin e 2001 me Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoninë e Veriut.
Kjo urë lidhëse, me emra të fuqishëm si Joe DioGuardi, Kongresmeni me rrënjë arbëreshe, që ka lindur në Bronx e të tjerë
bëri që çështja shqiptare të shkonte deri tek populli Amerikan dhe administrata më e lartë Amerikane;
që me çështjen shqiptare të merreshin burrat më të shquar të SHBA, që janë nderi i kombit Amerikan,
të cilët me plotfuqishmërinë e tyre do të ndikonin tek burratshtetet më të fuqishëm të vendeve të Europës Perëndimore;
kjo urë lidhëse solli në Washington DC të gjithë politikanët shqiptarë, që i faktorizoi, të cilët mjerisht e kanë shpërdorur besimin si të administratave Amerikane, si të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA, ashtu edhe të popullit shqiptar!
Kjo urë lidhëse ka krijuar bashkëpunime dhe lidhje shumë serioze dhe luajale me administratat lokale të SHBA,
sikur kanë krijuar lidhje të forta bashkëpunimi dhe besimi të ndërsjelltë e reciprok edhe me Ju z.Ruben Diaz Jr..
Bronx është si një kuartier gjeneral i komunitetit Shqiptaro-Amerikan në SHBA. Aty kanë selinë shumë shoqata të rëndësishme shqiptaro-amerikane, aty e kanë selinë shumë biznese shqiptaro-amerikane, aty gjallon një komunitet i fuqishëm shqiptaro-amerikan më i madhi në numër në të gjithë SHBA;
i cili ju është shumë mirënjohës ju, sikur ju jam edhe unë,
sepse Ju,
Z.Ruben Diaz Jr. duke patur rreth vetes shqiptaro-amerikanë të shkëlqyer, bëni për shqiptarët atë që shqiptarët nuk e bëjnë për veten e tyre.
Përfitoj nga rasti, dhe në emrin e të gjithë komunitetit ju shpreh mirënjohjen:
që Ju:
riemëruat një bllok të Avenue Lydig midis Holland Avenue dhe Wallace Avenue, si “Mother Teresa Way” – “Rruga Nëna Tereza”;
që Ju:
e shpallët në Bronx 26 Gushtin 2019, ditëlindjen e Shenjtores Tereza, si Ditën e Nënë Terezës”!
që Ju:
në Festën Kombëtare të shqiptarëve keni bërë që flamuri shqiptar kuq e zi, me shqiponjën dykrenore, të valvitet në Bashkinë e Bronx-it;
që Ju:
keni nderuar shumë Shqiptaro-Amerikanë të dalluar për kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës;
që Ju:
më keni nderuar edhe mua, një gazetare që bëj detyrën time, duke patur si ikona Marie Colvin dhe Christiane Amanpour;
që Ju:
keni krijuar lidhje të mrekullueshme me Komunitetin Shqiptaro-Amerikan përmes Amerikano-Shqiptarëve më patriotë,
që e duan Amerikën por e duan edhe Shqipërinë e Kosovën,
këta janë “Djemtë e Nënave” që profetizon Fan Noli, që janë të destinuar ta shpëtojnë Nënën e tyre,
që edhe sot vuan nga keqqeverisja, nga korrupsioni, nga krimi i organizuar, nga shpërdorimi i pushtetit dhe nga trashëgimia e egër komuniste!
Ju që vini nga një Familje me plot tradita dhe që keni një karierë brilante në administratën e lartë publike,
duke fituar për të tretën herë, sepse i keni përkushtuar gjithë energjitë
përmirësimit të jetesës të popullit të Bronx, ku përfshihet edhe Komuniteti Shqiptaro-Amerikan;
për mbështetjen Tuaj meritoni mirënjohjen më të lartë të Shqipërisë, Kosovës;
sikur edhe të komunitetit Shqiptaro-Amerikan!
Zoti t’ju bekojë Z.Ruben Diaz Jr, Ju dhe Familjen tuaj, like Father like Son,
unë personalisht Ju uroj suksese në punën tuaj dhe në politikë,
sepse të ndihmosh shqiptarët, një komb të vogël e shumë të vuajtur, por nga më të vjetërit të Europës, tregoni se jeni jo vetëm njeri me plot me vlera morale dhe shpirtërore, por edhe guximtar si një bir i denjë i SHBA!
Uroj që t’ju shohim sa më shpejt në Washington DC!
Ky duhet të kthehet edhe në synim të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan!
Në institucionet vendimmarrëse qendrore!
Lart e më lart!
Sepse e meritoni!
Me respekt
Elida Buçpapaj
Z.Ruben Diaz Jr, Kryetari i Bashkisë të Bronx, NYC nderon Elida Buçpapajn për kontributet e saj në gazetari dhe poezi
Komentet